Botë

Irani minimizon mundësinë për rinisjen e shpejtë të bisedimeve bërthamore

Published

on

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, e përjashtoi mundësinë për rinisjen e shpejtë të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai aktualisht nuk po flet me Iranin, duke ndryshuar qëndrimin e deritanishëm se bisedimet me Iranin do të rinisnin këtë javë.

Gjatë një interviste të publikuar më 30 qershor, Araqchi u pyet për deklarimin e Trumpit javën e kaluar se negociatat bërthamore me Iranin do të rinisnin së shpejti.

“Nuk mendoj se negociatat do të rifillojnë kaq shpejt”, tha ministri i Jashtëm iranian gjatë intervistës për transmetuesin amerikan, CBS.

“Që ne të vendosin për rikthim në bisedime, fillimisht ne duhet të sigurohemi që Amerika nuk do të kryejë sulm ushtarak ndaj nesh gjatë negociatave”.

Nevojitet më shumë kohë për të shqyrtuar të gjitha pikat, tha ai, duke shtuar se “dyert e diplomacisë nuk do të mbyllen kurrë plotësisht”.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kishin zhvilluar pesë runde bisedimesh indirekte lidhur me programin bërthamor të Teheranit, përpara se ato të dështonin dhe Izraeli të fillonte sulmet ajrore ndaj objekteve bërthamore dhe infrastrukturës ushtarake iraniane më 13 qershor.

SHBA-ja iu bashkua sulmeve të Izraelit më 22 qershor kur bombardoi tri ndërtesa kyç bërthamore të Iranit, përfshirë ndërtesën nëntokësore në Fordo.

Araqchi u pyet gjithashtu për një vlerësim të bërë nga kreu i agjencisë bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Rafael Grossi, sipas të cilit Irani ka gjasa që mund të fillojë prodhimin e uraniumit të pasuruar brenda pak muajsh.

“Nuk mund të shkatërrosh teknologjinë dhe shkencën e pasurimit përmes bombardimeve”, tha ai.

Nëse ekziston vullneti nga ana e Iranit, vendi “do të jetë në gjendje t’i riparojë dëmet me shpejtësi dhe të kompensojë kohën e humbur”, shtoi ai.

Në një postim në platformën e tij Truth Social më 30 qershor, Trump shkroi se ai “nuk po i ofroj Iranit asgjë… dhe as nuk jam duke folur me ta, që kur i kemi shkatërruar plotësisht objektet e tyre bërthamore”.

Shkalla e dëmit të shkaktuar në programin bërthamor të Iranit gjatë luftës 12-ditore me Izraelin mbetet e paqartë. Irani thotë se ndërtesat e tij bërthamore kanë pësuar dëme të mëdha, por është zotuar se do të vazhdojë me programin bërthamor, që insiston se është paqësor.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2015 të arritur me Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore, Iranit iu lejua të pasurojë uranium në një nivel më të ulët se 3.67 për qind të pastërtisë, për qëllime të prodhimit të energjisë në termocentralet bërthamore.

Trump u largua nga kjo marrëveshje më 2018, dhe Irani u kundërpërgjigj duke prodhuar uranium të pasuruar deri në 60 për qind – një nivel më i lartë se ai për përdorim civil, por më i ulët sesa niveli i kërkuar për armë bërthamore.

Rafael Grossi, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, deklaroi se ka shumë gjasa që centrifugat që janë përdorur për pasurimin e uraniumit në Fordo të jenë dëmtuar rëndë. Por, ai shtoi se Irani mund të rinisë me pasurimin e uraniumit “brenda muajsh”.

Ai po ashtu tha se ka disa tregues që Irani mund të ketë zhvendosur një pjesë të uraniumit të pasuruar para sulmeve ajrore amerikane.

Grossi theksoi se Irani e kishte informuar atë më 13 qershor se po ndërmerrte masa për të mbrojtur pajisjet dhe materialin bërthamor. Sipas tij, kjo sugjeron se Irani mund të ketë zhvendosur uraniumin./REL

Live

Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë

Published

on

By

Një seri kërcënimesh të rreme për bomba ka përfshirë katër vende evropiane – Danimarkën, Çekinë, Rumaninë dhe Irlandën – duke prekur aeroporte, fluturime pasagjerësh dhe selinë e transmetuesit publik irlandez RTE.

Incidentet vijnë pas një jave të ngarkuar me alarme të ngjashme, ku më shumë se 20 fluturime kanë pranuar kërcënime anonime, duke detyruar devijimin e disave prej tyre.

Në Rumani, një avion i kompanisë “TAROM” që udhëtonte nga Praga për në Bukuresht mori kërcënim për bombë, mirëpo vazhdoi fluturimin dhe u ul i sigurt në destinacion, ku autoritetet konfirmuan se alarmi ishte i rremë.

Në Danimarkë, policia forcoi praninë në aeroportin e Kopenhagës për të dytën ditë me radhë pas kërcënimeve ndaj trafikut ajror, duke njoftuar se situata mbetet nën kontroll dhe fluturimet po zhvillohen normalisht.

Në Çeki, policia ndërmori masa shtesë sigurie në bashkëpunim me aeroportin “Vaclav Havel” të Pragës pas sinjaleve të reja ndaj avionëve.

Në Irlandë, selia e televizionit publik RTE në Dublin u evakuua pas një kërcënimi për bombë, gjë që solli ndërprerjen e transmetimeve të drejtpërdrejta. Policia irlandeze konfirmoi se po heton kërcënimet e drejtuara ndaj mediave atje dhe në Evropë.

Vëllimi i madh i kërcënimeve brenda një kohe të shkurtër konsiderohet i pazakontë nga ekspertët e sigurisë. Incidentet po ndodhin në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike dhe paralajmërimesh se rajoni mund të jetë cak i sulmeve hibride. /BBC/

Continue Reading

Live

Shtëpia e Bardhë mohon zërat për largimin e Hegseth dhe Rubio pas humbjes së republikanëve në zgjedhje

Published

on

By

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zyrtarisht spekulimet se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të largohen nga detyrat e tyre në kuadër të një riorganizimi të administratës Trump pas zgjedhjeve të fundit.

Njoftimet në mediat amerikane kishin sugjeruar thirrje për zëvendësimin e Hegseth, veçanërisht për shkak të menaxhimit të luftës me Iranin, e cila po cilësohet si shkaktarja kryesore e humbjeve të thella të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve, Demokratët kanë marrë kontrollin e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan.

Një kongresmen republikan në largim ka kërcënuar se do të spastrojë rrugën për një votim shkarkimi (impeachment) ndaj Hegseth që javën e ardhshme. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes ka publikuar një video-deklaratë ku mbron punën e tij dhe dënon këto përpjekje.

“Ata më sulmojnë mua dhe na sulmojnë ne sepse jemi efektivë. Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të terhiqemi”, deklaroi Hegseth.

Edhe pse si presidenti Donald Trump ashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë fajësuar luftën në Iran për rezultatin zgjedhor, Trump konfirmoi se ka ndërmend ta mbajë Hegseth në detyrë, duke vlerësuar punën e tij gjatë muajve të kaluar.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përgënjeshtruar raportimet se po planifikon dorëheqjen për t’u përgatitur për një garë të mundshme presidenciale në vitin 2028.

“Të punoj për Trumpin deri në fund të mandatit ka qenë gjithmonë plani im. E dua punën që po bëj. Po ashtu gjithmonë qesh kur thonë se ai do të largohet nga puna. Unë pyes: ‘Cilën punë?'”, tha Rubio për The New York Times.

Të dyja institucionet, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, i kanë cilësuar si “lajme të rreme” zërat për largimin e mundshëm të Rubios./BBC/

 

Continue Reading

Live

Alarm për bombë në fluturimin Dublin–Romë: Avioni i “Aer Lingus” devijohet me urgjencë drejt bazës ushtarake në Francë

Published

on

By

Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë “Aer Lingus” i llojit Airbus A320, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar me urgjencë drejt bazës ajrore Évreux në Fauville të Francës, pas marrjes së një alarmi për kërcënim me bombë.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit të Francës, Sébastien Lecornu, e cila bëri me dije se autoritetet franceze po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.

“Po e monitorojmë nga afër situatën në lidhje me avionin e devijuar pas një kërcënimi me bombë”, thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së kryeministrit francez.

Sipas të dhënave të fluturimit, avioni i fluturimit EI402 të “Aer Lingus” ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dublinit në orën 06:23 të mëngjesit dhe kishte si destinacion Aeroportin Fiumicino “Leonardo da Vinci” në Romë, ku parashikohej të ulej në orën 10:50. Autoritetet e sigurisë po kryejnë kontrollet e nevojshme në bazën ushtarake në Francë. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Demokratët premtojnë kontroll ndaj Trumpit pas fitores në zgjedhjet mesmandatit: Ditët e nënshtrimit kanë përfunduar

Published

on

By

Demokratët u zotuan se do të përdorin fitoren e tyre të thellë në zgjedhjet mesmandatit për të frenuar presidentin Donald Trump, duke paralajmëruar dy vite të mundshme bllokimi politik në Washington, ndërkohë që Trump e kaloi daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve duke prezantuar sallën e ballos që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.

Një valë pakënaqësie ndaj politikave të Trumpit, veçanërisht ndikimi i luftës SHBA-Iran në rritjen e kostos së jetesës, ndihmoi demokratët të marrin kontrollin e Senatit, ku ata përmbysën rezultatet në shtete me shumicë të thellë republikane duke siguruar një shumicë prej të paktën 54 me 44 vende. Gjithashtu, demokratët fituan të paktën 30 ulëse shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo do të jetë hera e parë që Trump përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga demokratët në të dyja dhomat.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi se shumica e re do të fokusohet në përballueshmërinë e jetesës dhe llogaridhënien institucionale.

“Ne nuk punojmë për Donald Trumpin,” u shpreh para gazetarëve Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne punojmë për popullin amerikan. Ditët kur Dhoma e Përfaqësuesve funksiononte si një degë në pronësi të plotë të administratës Trump kanë përfunduar.”

Në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është shndërruar në një figurë me ndikim kombëtar mes demokratëve, publikoi një video në rrjetet sociale ku i bëri thirrje partisë së tij t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve të ngarkuar nga rritja e çmimeve.

“Nuk mjafton vetëm fitimi i pushtetit. Ne duhet ta përdorim atë,” tha Mamdani. “Tani është koha që ne në Partinë Demokrate të japim rezultate”, tha ai.

Nga ana tjetër, Trump – i cili daljen e tij të fundit publike para zgjedhjeve ia kishte kushtuar punimeve renovuese në Shtëpinë e Bardhë – thirri gazetarët mëngjesin pas humbjes së partisë së tij për t’u treguar ecurinë e ndërtimit të sallës së re të ballos.

“Kur më kritikojnë duke më pyetur pse po merrem me punimet në Shtëpinë e Bardhë, unë e bëj sepse Shtëpia e Bardhë është simboli me i lartë i Amerikës dhe duhet të jetë me pamje të përsosur,” deklaroi Trump. “Për mua, kjo punë është relaksuese”. /REUTERS/

 

Continue Reading

Të kërkuara