Në Paris sonte do të zbulohet fituesi i Topit të Artë 2025 në një ceremoni prestigjioze e cila do të zhvillohet në “Théâtre du Châtelet” duke nisur nga ora 20:00.
Emri i triumfuesit mbetet ende i fshehtë dhe njihet vetëm nga një person, kryeredaktori i “France Football”, Vincent Garcia.
Pas rregullit të ri të vendosur që nga viti i kaluar, nuk ka më paralajmërime paraprake për fituesin.
Në garë janë 30 kandidatë, por dy emra shihen si favoritët kryesorë: Ousmane Dembélé i PSG-së dhe Lamine Yamal i Barcelonës.
Francezi, i cili sezonin e kaluar fitoi tripletën me klubin parisien, konsiderohet me një epërsi të vogël, megjithatë shumë besojnë se adoleshenti i talentuar Yamal mund të marrë trofeun falë paraqitjeve të jashtëzakonshme me katalanasit dhe kombëtaren spanjolle.
Këtë vit çmimi bazohet në performancën përgjatë një sezoni të plotë dhe jo më në vitin kalendarik, duke vënë në plan të parë kontributin individual, talentin dhe sportivitetin.
Ceremoninë e kësaj mbrëmjeje do ta udhëheqë Ronaldinho, i cili gjithashtu do të ketë nderin t’ia dorëzojë trofeun fituesit.
Krahas Topit të Artë, do të ndahen edhe çmimet për portierin më të mirë, golashënuesin më të mirë dhe futbollistin më të mirë të ri./S.K/KP/