Lajmet

IKD: Qeveria dhe Kuvendi shpërfillin Gjykatën Kushtetuese, cenohen të drejtat e mijëra shërbyesve civilë në Kosovë

Published

on

Mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të kësaj Gjykate, shkelje të Kushtetutës, cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë, si dhe krijohet një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë.

Kështu ka deklaruar Naim Jakaj nga IKD, duke thënë se me vendimin e datës 23 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese (GJK) vendosi që të shpallë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës disa dispozita të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, dhe të njëjtat i shpalli të pavlefshme.

“Për disa të tjera, përveç që i shpalli në kundërshtim me Kushtetutën, kjo gjykatë urdhëroi Kuvendin e Kosovës që për të njëjtat të nisë ndryshimet ligjore të nevojshme e të domosdoshme në mënyrë që të korrigjohen dispozitat e papërshtatshme brenda një afati prej gjashtë muajve prej se kur Aktgjykimi në rastin numër KO79/23 hyri në fuqi më 1 shkurt 2024”, thuhet në komunikatë.

Ky vendim i GjK-së sipas IKD-së ishte një hap i rëndësishëm në mënyrë që reforma e nevojshme në sektorin publik, të përcillet me siguri për punonjësit në mënyrë që këta të fundit të kompensohen në mënyrë të drejtë për përvojën dhe angazhimin e tyre profesional.

“Gjykata rrëzoi dispozitën ku dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë i’u përgjysmua e drejta e shtesës së përvojës së punës, nga zero pikë pesë përqind (0.5%) në zero pikë njëzetë e pesë përqind (0.25%) në vit, duke e përgjysmuar shtesën e përvojës së punës për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para, rrjedhimisht lartësinë e pagës për të gjitha kategoritë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve që hyjnë në fushëveprimin e ligjit të kontestuar, përkatësisht duke përcaktuar shtesë të përvojës dyfish më të ulët në krahasim me legjislacionin paraprak sa i përket pesëmbëdhjetë (15) viteve të para të përvojës së punës”, thuhet tuje.

Përkundër dijenisë së Qeverisë dhe Kuvendit, e për më tepër që një aktgjykim i tillë i’u dorëzohet të dy institucioneve dhe publikohet në faqen zyrtare të GjK-së, sipas IKD-së është shqetësuese dhe e papranueshme që prej kalimit të më shumë së gjashtë muaj e 13 ditë që nga shpallja e këtij aktgjykimi, asnjë nga institucionet e lartcekura nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese.

“Në vend që të vepronin për t’i adresuar problemet e evidentuara dhe për të përfshirë Projektligjin për Pagat në Programin Legjislativ për vitin 2024, institucionet e Kosovës, kanë shpërfillur kërkesat e GjK-së. IKD, konsideron se kjo neglizhencë nuk është thjeshtë një mangësi administrative, por mosveprimi i tillë përbën një shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ndodhi në vitin 2023 me vonesat në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Skemat Pensionale dhe me Ligjin për Zyrtarët Publik”, thuhet në komunikatë.

IKD, i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, se përgjatë shtatë muajve të këtij viti, mosinicimi i këtij projektligji dhe mos hyrja në fuqi brenda afatit të përcaktuar nga GjK, ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda për të drejtën e pagesës për dhjetëra mijëra shërbyes civilë në Kosovë.

“Këta punëtorë, të cilët kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në funksionimin e institucioneve dhe shërbimeve publike, janë të privuar nga shtesa në bazë të përvojës së punës, e cila para hyrjes në fuqi të ligjit për pagat, pasqyronte përvojën e tyre dhe angazhimin profesional. Një situatë e tillë, jo vetëm që cenon integritetin dhe sigurinë e sistemit të pagave në sektorin publik, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit dhe në aftësinë e tyre për ta zbatuar dhe respektuar ligjin.Mosinicimi deri në ketë moment i këtij ligji ka po ashtu ndikim të thellë dhe të gjerë në jetën sociale dhe ekonomike të shërbyesve civil, pasi që vendosja e kritereve të reja jokushtetuese tek shtesat mbi përvojën, ka renduar jetesën e tyre. Mosinicimi i ligjit ka pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien dhe stabilitetin social të mijëra familjeve që mbështeten në këto paga për të siguruar nevojat e përditshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve të tyre”, thuhet tutje.

IKD, kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, që në afat sa më të shpejtë dhe me urgjencë të nisin procedurat për ndryshimet e kërkuara nga GjK, të përfshijnë të gjitha palët e interesit, në veçanti Sindikatën e Shërbyesve Civil, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të interesuar në mënyrë që ligji i ardhshëm të jetë në pajtim me kërkesat e precizuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që të drejtat e shërbyesve civilë do të mbrohen dhe të garantohen një sistem i drejtë dhe transparent i pagave. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës, pasi ato përfaqësojnë interpretimin përfundimtar kushtetutës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të aktit më të lartë juridik të vendit, duke krijuar një praktikë të rrezikshme. Një sjellje e tillë rrezikon të krijojë një precedent negativ që dobëson rendin kushtetues dhe stabilitetin e përgjithshëm të funksionimit të shtetit ligjor”, përfundon njoftimi./UBTNews/

Vendi

UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universidad Nacional de Colombia, duke zgjeruar rrjetin global të partneriteteve akademike në Amerikën Latine

Published

on

By

Një tjetër universitet prestigjioz ndërkombëtar i është bashkuar rrjetit global të partnerëve të UBT-së. Përmes marrëveshjes së bashkëpunimit me Universidad Nacional de Colombia, një institucion me traditë të gjatë në arsim, kërkim shkencor dhe inovacion në Amerikën Latine, UBT po zgjeron mundësitë për shkëmbim të njohurive, përvoja ndërkombëtare dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta akademike.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të UBT-së, duke krijuar mundësi të reja për studentët, profesorët dhe hulumtuesit e të dy institucioneve.

Marrëveshja synon të avancojë bashkëpunimin në disa fusha kyçe, duke përfshirë: Shkëmbimin e studentëve në nivelin bachelor, master dhe doktoratë; Shkëmbimin e stafit akademik dhe hulumtuesve; Zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkencore; Hartimin e publikimeve të përbashkëta akademike dhe shkencore; Organizimin e konferencave, seminareve, punëtorive dhe aktiviteteve të tjera akademike; Shkëmbimin e përvojave dhe metodologjive të mësimdhënies; Krijimin e programeve të përbashkëta studimore dhe mundësive për diploma të dyfishta.

Një nga elementet më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje është programi i mobilitetit akademik, i cili do t’u mundësojë studentëve të të dy institucioneve të zhvillojnë një pjesë të studimeve në universitetin partner, duke përfituar nga përvoja ndërkombëtare, shkëmbimi kulturor dhe qasja në kapacitete të avancuara akademike dhe kërkimore.

Universidad Nacional de Colombia është një nga universitetet më të njohura dhe me ndikim në Amerikën Latine, me një traditë të gjatë në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e inovacionit. Partneriteti me këtë institucion krijon mundësi të reja për bashkëpunim ndërkontinental dhe përfshirje më të gjerë të komunitetit akademik të UBT-së në rrjete globale të dijes, kërkimit dhe inovacionit.

Përmes zgjerimit të vazhdueshëm të partneriteteve ndërkombëtare, UBT mbetet e përkushtuar në krijimin e mundësive të reja akademike dhe profesionale për studentët dhe stafin e saj, duke forcuar pozicionin si një institucion lider në arsimin e lartë dhe bashkëpunimin global.

 

Continue Reading

Rajoni

Aksident i rëndë me tramvaj në Berlin, të paktën 20 persona të lënduar

Published

on

By

Të paktën 20 persona janë lënduar, tre prej tyre rëndë, pas një aksidenti të rëndë me tramvaj në kryeqytetin gjerman, Berlin. Ngjarja ndodhi në lagjen Lichtenberg, kur një pjesë e tramvajit doli nga shinat dhe u përplas me një shtyllë të linjës elektrike, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në mjet, raporton e përditshmja gjermna Bild.

Sipas shërbimeve të emergjencës, përplasja ka bërë që ana e djathtë e tramvajit të çahet, ndërsa vagoni i fundit të dalë nga shinat. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar rreth 60 pjesëtarë të zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit.

Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se 12 nga të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër kanë marrë ndihmë në vendin e ngjarjes. Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.

Pas aksidentit, trafiku në linjat e tramvajit M5 dhe M17 është ndërprerë përkohësisht, ndërsa autoritetet e transportit publik kanë paralajmëruar organizimin e transportit alternativ për udhëtarët.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëme të konsiderueshme në tramvaj, i cili është çarë në pjesën anësore pas përplasjes, duke shkaktuar panik te pasagjerët dhe një operacion të gjerë shpëtimi nga ekipet emergjente./BILD/

Continue Reading

Vendi

Aktakuzë ndaj dy personave në Prizren për kultivim të kanabisit dhe armëmbajtje pa leje

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet F.G. dhe N.G., nën dyshimin se kanë kultivuar bimë kanabisi, ndërsa njëri prej tyre akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të municionit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndërsa ndaj N.G. është ngritur aktakuzë shtesë edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 9 tetor 2025, gjatë një kontrolli të realizuar nga organet e rendit në një pronë në Prizren, janë gjetur dhe sekuestruar bimë kanabisi të kultivuara nga të pandehurit. Ekspertiza forenzike ka konfirmuar se bimët e sekuestruara përmbanin substancën narkotike kanabis-marihuanë.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar edhe 19 mijë e 900 euro, për të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm i kultivimit të narkotikëve.

Po ashtu, gjatë kontrollit të veturës së të pandehurit N.G., policia ka gjetur dhe sekuestruar 65 fishekë, të cilët dyshohet se mbaheshin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.

Continue Reading

Lajmet

Oligarkët e Orbánit në ankth, Hungaria drejt vendosjes së taksës mbi pasurinë

Published

on

By

Qeveria e re hungareze, e udhëhequr nga kryeministri Péter Magyar, po përgatit një reformë të thellë fiskale që mund ta bëjë Hungarinë vendin e parë aktual anëtar të Bashkimit Evropian që vendos një taksë të re mbi pasurinë që nga vitet 1980.

Nisma vjen pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat i dhanë fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbán. Qeveria e re synon të rishikojë sistemin tatimor dhe të kufizojë privilegjet ekonomike që, sipas kritikëve, u krijuan gjatë viteve të administratës së mëparshme.

Një nga figurat më të njohura të biznesit të lidhura me periudhën e Orbánit, Balásy Gyula, ka njoftuar se ka transferuar bizneset e tij te shteti dhe ka hequr dorë nga një pjesë e pasurisë personale. Në një intervistë televizive, ai deklaroi se nuk sheh më perspektivë për kompanitë e tij në kushtet e reja politike.

Balásy Gyula ishte ndër përfituesit më të mëdhenj të kontratave publike gjatë qeverisjes së Orbánit. Kompanitë e tij menaxhonin rrjete të mëdha reklamimi që u përdorën për fushata shtetërore kundër figurave si George Soros dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas qeverisë, reforma e re fiskale synon të rrisë drejtësinë sociale dhe solidaritetin ekonomik. Ministri i Financave, András Kármán, ka bërë të ditur se detajet e plota të projektit do të publikohen deri më 5 qershor.

Duke komentuar politikën e re, kryeministri Magyar ka deklaruar se taksa mbi pasurinë “nuk është një formë ndëshkimi, por një shenjë e drejtësisë sociale dhe solidaritetit në një shtet funksional dhe human”.

Analistët vlerësojnë se masa mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te biznesmenët e pasur që kanë përfituar nga lidhjet politike në periudhën e mëparshme, ndërsa qeveria argumenton se të ardhurat shtesë do të përdoren për forcimin e shërbimeve publike dhe uljen e pabarazive ekonomike në vend./The Guardian/

 

Continue Reading

Të kërkuara