Lajmet

IKD: Ministria nuk po zbaton aktgjykimet për pensionet e dyfishta të kategorive të dala nga lufta

Published

on

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim për moszbatimin e aktgjykimeve të formës së prerë nga Departamentet e Pensioneve në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ), të cilat u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.

Sipas IKD-së, rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Instituti thotë se edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, në disa raste ministria nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk i alokon mjetet financiare për përfituesit ose nxjerr vendime të reja që bien ndesh me ato që kanë vendosur gjykatat.

IKD-ja thekson se ka raste kur, edhe pse e drejta është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë Gjykatën Supreme, qytetarët vazhdojnë të mos marrin përfitimet që u janë njohur me vendim të formës së prerë.

Po ashtu, sipas institutit, kur gjykata anulon një vendim administrativ dhe e kthen çështjen në rivendosje, ministria në disa raste nxjerr sërish vendime refuzuese me të njëjtin arsyetim, pa respektuar udhëzimet dhe qëndrimin juridik të gjykatës.

IKD-ja ka vlerësuar se kjo praktikë cenon sigurinë juridike, autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e “res judicata”, duke i detyruar qytetarët të ndjekin vazhdimisht procedura të reja administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje.

“Neni 394 i Kodit Penal e konsideron vepër penale refuzimin ose mosekzekutimin e një vendimi të plotfuqishëm gjyqësor, për të cilin dënimi mund të arrijë deri në pesë vjet burgim. Në rrethana të caktuara mund të ngrihen dyshime edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në reagim.

IKD-ja kërkon nga MPFVLÇ që të evidentojë dhe zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, të kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe të ndalë nxjerrjen e vendimeve që bien në kundërshtim me qëndrimet e gjykatave.

Njëkohësisht, IKD-ja i ka bërë thirrje Prokurorit të Shtetit që të hetojë rastet për shkak të dyshimeve për moszbatim të vendimeve gjyqësore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Merz: Mali i Zi duhet të anëtarësohet në BE deri në fund të dekadës

Published

on

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të kësaj dekade, duke vlerësuar se vendi ka përmbushur pothuajse të gjitha kriteret për anëtarësim.

Gjatë një vizite në Dublin, Merz tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të mbetet i besueshëm dhe se vendet që i plotësojnë kushtet nuk duhet të pengohen nga zhvillimet në shtetet e tjera kandidate.

Ai theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të konsiderueshëm në zbatimin e reformave dhe mbetet vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në negociatat për anëtarësim.

“Mali i Zi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të dekadës. Vendi është gati për anëtarësim dhe ka përmbushur në masë të madhe të gjitha kërkesat”, deklaroi Merz.

Kancelari gjerman rikujtoi se Kroacia ishte shteti i fundit që iu bashkua BE-së në vitin 2013 dhe theksoi se Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimet ndaj vendeve që përmbushin Kriteret e Kopenhagës.

Sipas tij, deklarata përbën një sinjal të fortë mbështetjeje për integrimin evropian të Malit të Zi, i cili synon të përfundojë negociatat dhe të anëtarësohet në BE para fundit të dekadës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zelensky kërkon 300 raketa Patriot deri në dimër

Published

on

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump një paketë urgjente me interceptorë Patriot për të mbrojtur infrastrukturën energjetike të vendit nga sulmet ruse gjatë dimrit.

Në një intervistë për Axios, Zelensky tha se rezervat ukrainase të raketave Patriot janë pothuajse të shteruara, duke paralajmëruar se pa to Rusia mund të godasë termocentralet dhe të shkaktojë një krizë humanitare.

Ai bëri të ditur se Trump ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Ukrainën edhe me licenca për prodhimin e raketave Patriot, por theksoi se prodhimi do të kërkojë kohë.

“Ne kemi nevojë për raketat Patriot dje”, u shpreh Zelensky, duke shtuar se Ukraina synon të sigurojë 300 interceptorë deri në dimër.

Presidenti ukrainas tha se vendi është i gatshëm të ndajë teknologji dhe ekspertizë ushtarake me SHBA-në në këmbim të mbështetjes, ndërsa njoftoi se po shqyrtohet edhe mundësia e prodhimit të interceptorëve në bashkëpunim me kompanitë amerikane të mbrojtjes.

Zelensky theksoi se mbetet i interesuar për rifillimin e bisedimeve të paqes me Rusinë, por shtoi se nuk beson se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të ndalë luftën./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Akademia Verore e Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT trajtoi sfidat e migrimit dhe integrimit përmes rrëfimeve reale

Published

on

By

Në kuadër të Global UBT Fest 2026, Fakulteti i Shkencave Politike dhe i Studimeve të Sigurisë në UBT organizoi një sesion të Akademisë Verore kushtuar migrimit, integrimit dhe rëndësisë së dialogut ndërkulturor, duke sjellë pranë studentëve përvoja reale të personave me histori migrimi.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Jesuit Refugee Service (JRS) Kosovo, organizatë e përkushtuar për mbështetjen e refugjatëve dhe personave në lëvizje, së bashku me mysafirë nga Siria dhe Ukraina, të cilët ndanë me studentët rrugëtimin e tyre të migrimit, sfidat me të cilat janë përballur, si dhe përvojën e jetës dhe të integrimit në Kosovë.

Përmes rrëfimeve personale dhe diskutimeve interaktive, studentët patën mundësinë të kuptojnë më nga afër dimensionin njerëzor të migrimit, rëndësinë e solidaritetit dhe përfshirjes sociale, si dhe sfidat që shoqërojnë procesin e integrimit të personave me përvojë migrimi.

Ky sesion shërbeu si një platformë e rëndësishme për dialog, shkëmbim përvojash dhe reflektim mbi çështje që lidhen me sigurinë njerëzore, migrimin dhe bashkëjetesën, duke nxitur studentët të zhvillojnë një qasje më gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në mirëkuptim ndaj fenomeneve bashkëkohore të migrimit.

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për dy të dyshuar për krime lufte, bën thirrje të kihet kujdes në publikimet për gërmimet në Zubin-Potok

Published

on

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, rapoporton Ekonomia Online.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, tha se të dyshuarit dyshohet se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë kanë qenë të përfshirë në vrasje, maltretim dhe dëbim të popullsisë civile.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore këtu në Prishtinë, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile, të pandehurit dyshohet se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, kanë qenë të përfshirë në veprime që përfshijnë vrasje, maltretim dhe dëbim të popullsisë civile”, tha ajo.

Luta tha se Prokuroria Speciale është e përkushtuar që ta hetojë rastin dhe të zbardhë të gjitha rrethanat, ndërsa për shkak të ruajtjes së procedurës hetimore, në këtë fazë nuk mund të japë më shumë informacione.

“Prokuroria Speciale është e përkushtuar që ta hetojë këtë rast dhe t’i zbardhë të gjitha rrethanat e tij, në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta profesionale. Me qëllim të ruajtjes së procedurës hetimore, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha ajo.

Sa i përket gërmimeve që po zhvillohen në komunën e Zubin Potokut, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale tha se nuk mund të komentojnë procesin, duke theksuar se çdo konfirmim mund të bëhet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe identifikimit nga institucionet kompetente.

“Po ashtu, nuk mund të komentojmë procesin që është duke u zhvilluar rreth gërmimeve në komunën e Zubin Potokut. Çdo konfirmim mund të bëhet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe identifikimit nga institucionet kompetente. Andaj iu bëjmë thirrje të gjithëve, publikut, mediave, që të ruhen nga publikimi i çdo informacioni të pakonfirmuar, në shenjë respekti ndaj viktimave, identitetit të tyre, familjarëve të tyre dhe të këtij procesi hetimor. Pra këtë proces është duke e udhëhequr Prokuroria Speciale dhe mbetet e përkushtuar që ta hetojë çdo rast të krimeve të luftës, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës”, tha ajo./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara