Lajmet

Burri i presidentes e quajti vrasës, Përparim Rama paralajmëron padi ndaj Alban Krasniqit

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi ndaj bashkëshortit të ushtrueses së detyrës të presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu e njëherazi edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, pasi ky i fundit e quajti “vrasës”.

Krasniqi i tha kështu në një koment që bëri në postimin e Ramës për shtrimin e shtresës së dytë të asfaltit në rrugën A, e të cilin i pari i Prishtinës e kishte shoqëruar me shprehjen “Mirëmëngjesi nga Rruga A”

“Jo mirëmëngjesi, por alo prokurororia or vrasës”, shkroi Krasniqi, që e zgjati më tepër se që duhet emrin prokurori, teksa e lidhi këtë koment me rastin e vdekjes së një punëtori në një objekt në ndërtim në kryeqytet, të martën pasdite.

Rama reagoi më pas, duke e cilësuar gjuhë të urrejtjes atë që shkroi bashkëshorti i presidentes Haxhiu teksa shtoi se përpjekjet për t’ia atribuuar Komunës së Prishtinës përgjegjësinë për rastin tragjik janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Që gjuha e urrejtjes dhe linçimit është identitet politik i Vetëvendosjes, kjo nuk është më as temë e as befasi”, shkroi Rama, duke shtuar se është shqetësuese që, sipas tij, përfaqësuesit e pushtetit “ende nuk i dinë gjërat më elementare për ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive institucionale”.

Ai theksoi se, sipas ligjit, verifikimi i sigurisë teknike të vinçave, kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.

Sipas Ramës, Inspektorati i Ndërtimit në Komunën e Prishtinës ka kompetenca që lidhen me mbikëqyrjen e zbatimit të kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe ndërmarrjen e masave administrative të parashikuara me ligj.

Në postimin e tij të gjatë prefekti i Prishtinës bëri me dije se Krasniqi do të përballet me drejtësinë, për atë që shkroi.

“Alban Krasniqi, ti dhe të gjithë të tjerët që keni shpifur do të paditeni”, shkroi Rama.

Në të njëjtin reagim, ai tha se gjuha e këtillë e urrejtjes dhe linçimit “është identitet i Vetëvendosjes”, për të cilën pati shumë kritika dhe akuza.

‘Shqetësuese është që edhe pas 6 vjetësh në institucionet e Republikës së Kosovës, institucione që dikur i sulmonin dhe i shkatërronin me gurë, molotovë e gaz lotsjellës, ndërsa sot, fatkeqësisht, i udhëheqin, ende nuk i dinë gjërat më elementare për ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive institucionale” thuhet në postimin e Ramës. “Përtej kësaj, krejt çka kanë ditur të bëjnë është krijimi i ‘Lule Gjelave’ për të intimiduar, linçuar e shantazhuar këtë popull”.

Rama tha se humbja e jetës së punëtorit është një tragjedi, por shtoi se përgjegjësitë duhet të përcaktohen sipas ligjit dhe jo përmes, siç u shpreh ai, “linçimit politik”.

“Fatkeqësia, përveç humbjes së një jete, është fakti që qeverisja u ka rënë në dorë këtyre njerëzve të paditun e të frustruar! Për 6 vjet qeverisje, investim kapital kanë një ‘vadë në Lupç’ dhe një ‘urë 12 metra në Saradran’”, vazhdoi ai.

Në fund të reagimit, Rama përdori një gjuhë të ashpër ndaj pushtetit, duke e akuzuar për ‘subvencionim të hallave e dajave, nënvlerësim të çdo epoke dhe çdo familjeje të lavdishme të këtij vendi, mosrespektim të çdo organi të Republikës së Kosovës e deri te, sic tha, shkatërrimi i raporteve me partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë.

‘Po e ripërsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”, shkroi kryetari i kryeqytetit. “Por, ky popull ka me ju kthy në rrugë, aty ku e keni vendin, aty ku ju përshtatet ky fjalor e këto veprime, aty ku secili prej jush e ka nis aktivitetin, duke e cënu sigurinë e policëve të Kosovës dhe duke i djeg e shkatërru institucionet e Republikës me gurë, gaz lotsjellës e me molotovë!”. /KosovaPress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Theret me thikë një person në Gjakovë, arrestohen tre të dyshuar

Published

on

Një person ka mbetur i lënduar pasi dyshohet se është therur me thikë në rrugën “UÇK” në Gjakovë.

Rasti ka ndodhur më 9 nëntor, rreth orës 08:00. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Pas hetimeve, Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar, të cilët pas intervistimit, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”./A.K/

Continue Reading

Lajmet

I mituri raporton se vëllai tentoi ta sulmonte me thikë dhe sopatë në Graçanicë

Published

on

Një i mitur në Graçanicë ka raportuar në Polici se vëllai i tij, pas një mosmarrëveshjeje në shtëpi, kishte tentuar ta sulmonte me thikë dhe sopatë.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 9 nëntor, rreth orës 09:00. I dyshuari është larguar nga shtëpia pasi ka kuptuar se Policia ishte njoftuar dhe ende nuk është lokalizuar.

Për rastin është njoftuar prokurori, ndërsa hetimet janë duke vazhduar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohen mbi 8 gramë marihuanë në një banesë në Prishtinë

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 8.31 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë në një banesë në rrugën “Hakif Zejnullahu” në Prishtinë.

Sipas raportit policor, substanca është gjetur më 9 nëntor, gjatë trajtimit të një rasti të dhunës në familje, në banesën e një të dyshuareje.

E dyshuara është shoqëruar në stacionin policor dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohet në Prishtinë vetura e kërkuar nga Interpoli, kap vlerën e 20 mijë eurove

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar një veturë në Prishtinë, e cila ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli në Spanjë.

Sipas raportit policor, vetura është lokalizuar dhe sekuestruar më 9 nëntor, pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një rast të mashtrimit.

Vlera e veturës së sekuestruar llogaritet të jetë rreth 20 mijë euro. Për rastin është njoftuar prokurori./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara