Lajmet

IKD kërkon nga Qeveria Hoti të tërhiqet nga përzgjedhja e drejtorit të ri të Policisë

Published

on

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagoi ndaj vazhdimit të procesit të rekrutimit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës të shpallur me konkursin e datës 18 nëntor 2020 nga Ministria e Punëve të Brendshme, përderisa për këtë konkurs ka një procedurë gjyqësore në proces.

Në këtë proces të rekrutimit, IKD thotë se është informuar se Komisioni respektiv ka përfunduar intervistimin e kandidatëve, madje duke shfrytëzuar ditët e vikendit për këtë qëllim. Pjesë e këtij procesi të rekrutimit ka qenë edhe Ambasada Britanike përmes Projektit për Rekrutimin e Pozitave të Larta, ndërsa në rolin e monitoruesve kanë qenë ICITAP, Zyra e Bashkimit Evropian dhe OJQ.

IKD vlerëson se vazhdimi i procesit për rekrutim për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të PK-së nga Qeveria në detyrë, respektivisht MPB, në kohën kur është shpërbërë Kuvendi i Kosovës dhe ka një datë të caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, dëshmon qëllimin e saj për të vazhduar kapjen e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, duke synuar emërimin e personave të afërt me politikën.

“Praktikisht, Qeveria në detyrë, përmes vazhdimit të procesit të zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të PK-së, tenton që për seancën e caktuar më 20 janar 2021 për vendosje lidhur me masën sigurisë për këtë konkurs, të krijojë një realitet të ri juridik përmes një gjendje të re faktike, duke pamundësuar kontrollin gjyqësor mbi një proces të kontestuar si dhe duke ndërhyrë drejtpërdrejtë si pushtet ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, rrjedhimisht duke krijuar pasiguri juridike”, thotë IKD.

Për më tepër për shkak të ndjeshmërisë dhe rëndësisë, të cilën ka pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, në sistemin e sigurisë në vend, IKD kujton se Ligji për Policinë në nenin 37 paragrafi 3, ka përcaktuar se: “Nëse Drejtorit të Përgjithshëm dhe Zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm të Policisë iu përfundon mandati në vitin kalendarik të zgjedhjeve të përgjithshme, atëherë qëndrimi i tyre në detyrë do të zgjatet në mënyrë automatike për një (1) vit pas certifikimit të zgjedhjeve.”

IKD vlerëson se qëllimi i këtij neni është ruajtja e integritetit të pozitës së drejtorit të përgjithshëm të PK-së, duke pamundësuar keqpërdorimin e pozitës nga Qeveritë në detyrë, që para përfundimit të mandatit të zgjedhin të preferuarit e tyre.

IKD vlerëson se kjo qasje e Qeverisë Hoti, dëshmon tendencën e vazhdimit të politizimit dhe kapjes së sistemit e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë. Ndërsa, pjesëmarrja e Ambasadës Britanike në këtë proces, reflekton tentimin e Qeverisë në detyrë që ta legjitimojë një proces, të cilit i mungon në tërësi legjitimiteti.

“Qasja e Qeverisë Hoti është në kundërshtim edhe me vet Projektligjin për Qeverinë, proces ky i udhëhequr dhe finalizuar nga Qeveria Hoti në muajin gusht të vitit 2020. Gjatë muajit dhjetor të vitit 2020, kishte dhënë komente edhe Komisioni i Venecias sipas kërkesës së Qeverisë së Kosovës. Në nenin 31 të Projekt-Ligjit për Qeverinë, është përcaktuar se Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me ligjin vjetor për buxhetin, me përjashtim të aktiviteteve të listuara në këtë nen. Neni 31 paragrafi 1.3, ka përcaktuar në mënyrë taksative se Qeveria në detyrë ‘Nuk mund të inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike për të cilat është përgjegjëse sipas ligjeve të aplikueshme’”, vijon IKD.

Një qasje e tillë, sipas IKD-së, është e papranueshme dhe cenon rëndë besimin e publikut në një proces të pavarur, paanshëm dhe të drejtë të përzgjedhjes dhe emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së.

“Përveç qëllimit që ta përmbyllë konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, Qeveria në detyrë, me hapa të ngutshëm, me të njëjtin qëllim, është duke udhëhequr disa procese të rekrutimit në pozita të larta të rëndësishme në disa institucione dhe ndërmarrje publike”, vijon komunikata.

IKD kërkon nga Qeveria Hoti, e cila është në detyrë, që të tërhiqet nga çdo përpjekje për të vazhduar procesin e përzgjedhjes të drejtorit të përgjithshme të PK-së dhe t’i hapë rrugë kontrollit gjyqësor të këtij procesi, duke respektuar parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, duke garantuar sigurinë juridike për të gjithë.

IKD kërkon nga Ambasada Britanike që të sqarojë publikun për rolin dhe nevojën për të vazhduar procesi i përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të PK-së, në kohë kur ka një kontestim të këtij konkursi në procedurë gjyqësore, si dhe udhëheqjen e një procesi për një ndër pozitat e larta më të rëndësishme nga një Qeverie në detyrë.

Rajoni

Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim

Published

on

By

Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.

I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.

Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.

Continue Reading

Lajmet

ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës

Published

on

By

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.

ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.

Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.

“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.

Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.

 

Continue Reading

Vendi

27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën

Published

on

By

Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.

Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.

Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.

Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.

 

Continue Reading

Lajmet

MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara

Published

on

By

Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.

Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.

Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.

Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.

Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/

 

Continue Reading

Të kërkuara