Lajmet

Hyland për ngërçin politik: Është koha për kompromis

Published

on

Pak para nisjes së seancës së 52-të konstituive në Kuvendin e Kosovës, Christopher Hyland, një prej mbështetësve të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) tha se është koha që të arrihet kompromis dhe të krijohet qeveria.

Në një adresim për media, Hyland potencoi se kriza aktuale në Kosovë sa i përket situatës politike do të zgjidhet. Sipas tij, do të ketë një të ardhme të mirë për Kosovën.

“Kjo krizë që është tani në Kosovë do të zgjidhet. Do të ketë një të ardhme të fortë dhe të mirë për Kosovën, dhe në fund Kushtetuta do të respektohet dhe një qeveri do të formohet. Është e rrezikshme, në fakt, që figura të ndryshme politike nuk po përmbushin detyrimet për të formuar një qeveri, veçanërisht duke pasur parasysh faktin që Albin Kurti fitoi zgjedhjet, Partia e kryeministrit fitoi më shumë vota sesa partitë e opozitës, partitë e mëdha të opozitës së bashku. Pra, njerëzit kanë folur. Është koha që të arrijmë kompromis, që të zgjatemi përtej tavolinës, dhe të krijojmë një qeveri dhe të lejojmë kryeministrin Kurti të vazhdojë të qeverisë për një mandat tjetër”, tha Hyland.

Kuvendi i Kosovës dështoi sot për të 52-tën herë të konstituohet.

Gjykata Kushtetuese ka kthyer të premten më 24 korrik, përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë të seancës së mbajtur më 29 qershor 2025.

Kushtetuesja ka caktuar masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, dhe se nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Vazhdimi i 51-të i seancës më 23 korrik, u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari, duke thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e saj dhe nuk e hodhi në votim formimin e komisionit të fshehtë, duke caktuar 25 korrikun si datë për vazhdimin e radhës nga ora njëmbëdhjetë.

Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi më 26 qershor ka obliguar deputetët të konstituojnë Kuvendin e Kosovës deri më 26 korrik.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar të martën nga Kushtetuesja t’i vendosë masë të përkohshme rrjedhjes së këtij afati.

E para e vendit i është drejtuar institucionit më të lartë juridik në vend, duke kërkuar sqarime për pasojat juridike nëse deputetët nuk konstituojnë legjislaturën e nëntë deri të shtunën.

Sipas saj, nëse ka sukses në konstituimin e Kuvendit në ditët në vijim mund të tërhiqet kërkesa e saj, por theksoi se një vendimmarrje meritore e Kushtetueses për këtë rast mund të sqaronte edhe rastet që mund të ndodhin në të ardhmen.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara