Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, ka mbrojtur fuqishëm zgjidhjen me dy shtete për Palestinën, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për CNN, Albares theksoi se zgjidhja me dy shtete nuk është një imponim nga jashtë, por një marrëveshje e arritur nëpërmjet negociatave direkte mes izraelitëve dhe palestinezëve. “Nuk ishte Spanja apo Kombet e Bashkuara që vendosën për zgjidhjen me dy shtete“, deklaroi ai. “Ishin Izraeli dhe Palestina që negociuan dhe përcaktuan parametrat së bashku.“
Duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, kreu i diplomacisë spanjolle parashtroi një pyetje të drejtpërdrejtë: “Nëse të gjithë e dimë se cila është e vetmja zgjidhje që do të sjellë drejtësi për popullin palestinez, siguri për popullin izraelit dhe paqe e stabilitet për të gjithë Lindjen e Mesme, pse të mos e zbatojmë atë?”
Ai paralajmëroi se mosveprimi do të thotë pranim i një realiteti të përhershëm pasigurie dhe dhune.
“Ose e pranojmë se gjithmonë do të shohim dhunë në Lindjen e Mesme, ose kalojmë drejt zgjidhjes me dy shtete,” tha Albares.
Spanja, së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë, njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës në maj të vitit 2024 — një hap që u kritikua ashpër nga Izraeli, por që u vlerësua nga shumë aktorë ndërkombëtarë si një veprim i guximshëm për paqen. Albares e cilësoi njohjen si “një angazhim të qartë për paqen dhe stabilitetin për gjithë Lindjen e Mesme.”
Ndërkohë, situata në Rripin e Gazës mbetet kritike. Izraeli ka vendosur një bllokadë 18-vjeçare mbi enklavën palestineze dhe, që nga 2 marsi i këtij viti, ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit, duke ndaluar ndihmën humanitare dhe përkeqësuar kushtet e jetesës për 2.4 milionë banorë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga tetori 2023, të paktën 147 persona kanë humbur jetën nga uria, përfshirë 88 fëmijë.
Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë mbi 60 mijë palestinezë në Gaza — shumica prej tyre gra dhe fëmijë — në bombardime që kanë shkatërruar gati tërësisht enklavën dhe kanë shkaktuar një krizë të rëndë humanitare.
Të hënën, organizatat izraelite për të drejtat e njeriut “B’Tselem” dhe “Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael” akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe rrënimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor në territorin e rrethuar.