Lajmet

Historia interesante e ​Jeff Bezos

Bezos është në fakti mbiemri i njerkut të tij, dhe jo babait biologjik.

Published

on

Më 12 janar të vitit 1964, në Nju Meksiko, lindi Jeffrey Preston Jorgensen, i njohur sot si Jeff Bezos; sipërmarrës dhe investitor me rol kyç në E-tregti.

Ai themeloi Amazon.com, fillimisht për shitje librash; më vonë për shumëllojshmëri mallrash, duke u bërë dyqani më i madh në World Wide Web (www), dhe model i shitjeve në internet.

Jeff Bezos bëri bujë më 2013, kur bleu gazetën Washington Post për 250 milionë dollarë. Por historia e tij bëhet edhe më interesante. Jeff lindi në Albuquerque, Nju Meksiko nga prindër adoleshent, Jacklyn Gise dhe Ted Jorgensen, kur të dy ishin ende 17, 18 vjeçar.

Ata u martuan dhe pas dy vjetësh u ndanë. Kaluan edhe dy vjet të tjera dhe Jacklyn u martua me një emigrant politik kuban, Mike Bezos, dhe Jeff mori mbiemrin e njerkut, Bezos. Lidhjet me të atin biologjik u ndërprenë.

Në vitin 2010, gazetari Brad Stone, i revistës Businessweek ne San Francisko vendosi të shkruajë një libër mbi jetën dhe karrierën e Jeff Bezos. Brad filloi kërkimet për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me Ted Jorgensenin, prindi biologjik i Jeffit, ku ndodhej ai? Përfundisht, gazetari e gjeti Tedin në Glendale, një qytezë e largët në shtetin Arizona, ku ai kishte një dyqan biçiketash.

Gazetari shkoi nga Kalifornia për ta intervistuar dhe pyetja e parë që i bëri ishte – A keni fëmijë? – Tedi i tha – Jo, kam pasur një djalë, por ka vdekur kur ishte i vogël. Gjatë viteve të ndarjes, Ted Jorgensen ishte interesuar për të birin, por emri Jeff Jorgensen nuk figuronte në asnjë vend.

Dhe imagjinoni se çfarë ndjeu kur mësoi se Jeff Bezos, një nga miliarderët më të mëdhenj të Amerikës, ishte djali i tij. Libri “The Everything Store: Jeff Bezos and the Age of Amazon” i autorit Brad Stone doli nga shtypi në tetor 2013. Disa të dhëna në libër janë kontestuar a kundërshtuar nga Jeff Bezos, megjithatë libri është në shitje në dyqanin internetik amazon.com, themelues i të cilit është Jeff Bezos.

Lajmet

United Hospital sjell ekspertizën e avancuar në ERCP – diagnostikim dhe trajtim modern për sëmundjet biliare dhe pankreatike

Published

on

Prishtinë – Në fushën e gastroenterologjisë dhe endoskopisë moderne, United Hospital ofron procedurën ERCP (Endoscopic Retrograde Cholangiopancreatography), një teknikë e specializuar që mundëson vlerësimin dhe trajtimin e problemeve të rrugëve biliare dhe pankreasit, në raste të përzgjedhura klinikisht.

Në United Hospital, teknologjia moderne endoskopike dhe përvoja e specialistëve bashkohen për t’u ofruar pacientëve një qasje bashkëkohore ndaj patologjive komplekse të sistemit biliar dhe pankreatik. ERCP përdoret kryesisht në raste të gurëve në rrugët biliare, ngushtimeve të kanaleve biliare ose pankreatike, kolangitit, disa komplikimeve pankreatike, tumoreve të rrugëve biliare apo pankreasit dhe rrjedhjeve biliare pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

Sëmundjet e rrugëve biliare dhe pankreasit kërkojnë diagnostikim të saktë, vlerësim të specializuar dhe ndërhyrje të realizuar me precizion të lartë. Në këtë dimension të mjekësisë moderne, ERCP (Endoscopic Retrograde Cholangiopancreatography) përfaqëson një procedurë të avancuar të endoskopisë terapeutike, e cila u mundëson specialistëve të identifikojnë dhe trajtojnë një sërë patologjish komplekse të sistemit biliar dhe pankreatik.

Në United Hospital, kjo fushë e gastroenterologjisë ndërthur ekspertizën e mjekëve specialistë, teknologjinë bashkëkohore endoskopike dhe qasjen multidisiplinare ndaj pacientit, duke krijuar kushte për trajtim të personalizuar dhe të orientuar drejt sigurisë. ERCP ka një rol veçanërisht të rëndësishëm në trajtimin e obstruksioneve të rrugëve biliare, gurëve të kanalit biliar, strikturave, rrjedhjeve biliare dhe patologjive të tjera që kërkojnë ndërhyrje terapeutike të drejtpërdrejtë.

Në duart e një ekipi të specializuar, teknologjia nuk është vetëm mjet diagnostikues – ajo shndërrohet në mundësi për ndërhyrje precize, minimalisht invazive dhe të përshtatur me nevojat konkrete të pacientit. Kjo është qasja që synon të ofrojë United Hospital në kujdesin modern gastroenterologjik dhe endoskopik.

Një nga karakteristikat kryesore të ERCP është mundësia që, krahas vlerësimit endoskopik dhe imazherik, të kryhen edhe ndërhyrje terapeutike në të njëjtën procedurë, kur kjo është e indikuar. Në varësi të gjendjes së pacientit, mund të realizohen procedura si heqja e gurëve nga kanalet biliare ose vendosja e stentëve për të përmirësuar drenimin e tyre.

Teknologji moderne, ndërhyrje e specializuar dhe kujdes profesional
Në United Hospital, ERCP zhvillohet në një mjedis të pajisur për procedura të avancuara endoskopike, me synim sigurinë, saktësinë dhe kujdesin ndaj pacientit. Duke qenë procedurë e specializuar dhe me rreziqe të mundshme, indikacioni përcaktohet individualisht nga mjeku specialist pas vlerësimit të plotë klinik.

Për pacientët e përzgjedhur, kjo qasje minimalisht invazive mund të shmangë nevojën për disa ndërhyrje kirurgjikale më të mëdha dhe të mundësojë rikthim më të shpejtë në aktivitetet e përditshme.

United Hospital – aty ku teknologjia moderne, ekspertiza mjekësore dhe kujdesi profesional ndërthuren për një qasje bashkëkohore ndaj shëndetit tuaj digjestiv.

📞 Caktoni terminin: 046 60 70 70
📍 United Hospital, M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë/rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Policia sqaron ndalimin e hyrje-daljeve në parkingjet e Kuvendit dhe Presidencës

Published

on

Policia e Kosovës ka sqaruar se ndalimi i hyrje-daljeve dhe parkimit të automjeteve në hapësirat e Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës, më 8 shtator, është bërë me kërkesë zyrtare të Drejtorisë së Shërbimeve Teknike të Kuvendit.

Sipas Policisë, kërkesa ka paraparë që, përveç veturave zyrtare të Kuvendit dhe Zyrës së Presidentes, të mos lejohej hyrja, dalja dhe parkimi i automjeteve në këto hapësira.

Ndalimi është bërë për shkak të pastrimit të oborrit dhe parkingjeve me mekanizëm adekuat. Policia ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të rikthehen procedurat e rregullta për hyrje-daljet dhe parkimin e personave të autorizuar.

PK-ja ka theksuar se veprimet e saj i ndërmerr në përputhje me autorizimet ligjore dhe kushtetuese, përfshirë edhe zbatimin e kërkesave zyrtare të institucioneve të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pesë të arrestuar për tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë në vlerë 1.5 milionë euro

Published

on

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e pesë personave, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në një rast që lidhet me tjetërsimin e një prone në Fushë Kosovë, në vlerë prej 1.5 milionë eurosh.

Arrestimet janë realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, nga veprimet hetimore të zhvilluara deri më tani dyshohet se personat e përfshirë, duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, kanë pajisur në mënyrë të kundërligjshme personin me inicialet M.S. me fletë poseduese për një pronë prej dy hektarësh në Fushë Kosovë.

Më pas, dyshohet se M.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar që pronën ta tjetërsojë përmes shitblerjes te personat me inicialet M.Z. dhe M.Z.

Prokuroria dyshon se gjatë këtij procesi janë përdorur edhe dokumente të falsifikuara, ndërsa vlera e pronës kap shumën prej 1 milion e 500 mijë eurosh.

Pesë të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vazhdojë me veprimet e nevojshme hetimore, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dyshohej për varrezë masive në ish-shkollën teknike në Obiliq, Policia: U tentua të kultivohej drogë

Published

on

Gjatë pastrimit të ish-shkollës teknike në Obiliq, punëtorët e Ndërmarrjes Publike Pastrimit “Kastrioti” në bodrumin e shkollës, kanë hasur pamje që kanë ngritur dyshime dhe shqetësim.

Fillimisht është dyshuar për varrezë masive, por sipas Policisë, më pas u kuptua se në këtë objekt është tentuar kultivimi i disa substancave narkotike.

Pastrimi i objektit pati filluar të bëhej pas vendimit të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçit që kjo shkollë të rikthehet dhe të fillojë mësimi përsëri.

Në bodrumin e objektit, shihen thasë të mbushur me materiale të panjohura, të varur në tavan, ndërsa në hapësirat e bodrumit është evidentuar edhe një gropë e madhe.

I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës, i cili kishte thënë se rasti po hetohet nga Policia dhe Prokuroria.

“Sipas policëve dhe antidrogës shihet që është tentim i një kultivimi të disa substancave narkotike, por nuk dihet çfarë substanca, siç më tha eprori i policisë. Mirëpo, sido që të jetë, prokuroria edhe policia këtë punë e kanë në dorë dhe ato merren me rastin. Ndërsa sa i përket varrezës masive, unë nuk pashë, apo edhe policia qysh ma ka konfirmuar, nuk ka ndonjë dyshim për momentin”, ka dekalruar ai, raportoi EO.

Kjo shkollë që nga viti 1990, kur nxënësit ishin dëbuar nga forcat serbe, nuk kishte funksionuar më. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara