Aktualitet

“Hidrodrini” kërkon përsëritjen e analizave të ujit në Deçan

Published

on

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka njoftuar se ka pranuar zyrtarisht nga IKSHPK-ja, rezultatet e analizave kimiko-fizike, bakterologjike dhe të metaleve të rënda lidhur me rastin e helmimit të qytetarëve të Deçanit nga uji i pijes.

“Hidrodrini” shton se rezultatet e analizave në fjalë, janë të mostrave të nxjerra nga IKSHPK, po në ditën e krizës, më 11.07.2021.

“Hidrodrini” njofton se ka kërkuar nga IIKSHPK që të dërgoi edhe analiza tjera të bunarëve dhe të rrjetit si dhe të merret analiza e cila nuk është marrë, ajo në rezervarin e Drenocit të përsëritet, meqë ajo është marrë në gypin e shpëlarësit, në mënyrë që të sqarohet opinioni.

“Krahas kësaj, KRU ‘Hidrodrini’, ka kërkuar nga KRU ‘Gjakova’, që të zhvillojë analiza shtesë për këtë çështje, meqë kompania në fjalë posedon laboratorin e akredituar e për çfarë po punohet dhe opinioni do të informohet shumë shpejtë edhe me rezultatin e tyre”, thuhet në njoftim.

https://www.facebook.com/Hidrodrini/posts/2915011175435826

Vendi

Dominim i plotë i Dritës: Përmbushjes së objektivit evropian i mbetet vetëm edhe një hap

Published

on

By

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka siguruar me sukses kalimin në fazën play-off të UEFA Conference League, pasi mposhti thellë me rezultat 5:0 ekipin nga San Marino, Tre Fiori, në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Me këtë triumf bindës dhe me rezultatin e përgjithshëm 9:1 nga të dyja ndeshjet, gjilanasit bëjnë një tjetër hap të madh drejt përsëritjes së suksesit për kualifikim në fazën e ligës. Në raundin e ardhshëm play-off, Drita do të përballet me skuadrën nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, një kundërshtar që e ka mposhtur edhe në edicionin 2020/21.

Ndeshja e zhvilluar në kryeqytet u dominua tërësisht nga vendasit që nga minuta e parë, ku pjesa e parë u mbyll me avantazhin 3:0 falë dy golave të mesfushorit francez Kemehlo Nguena dhe një penalltie të realizuar nga Arb Manaj.

Me të nisur pjesa e dytë, zëvendësuesi Mike Arthur çoi shifrat në 4:0, ndërsa sulmuesi Arb Manaj vulosi fitoren e thellë me golin e tij të dytë personal në minutën e 60-të. Kjo sfidë shënoi edhe rikthimin fitues në stol të trajnerit Ardian Nuhiu, i cili u shpreh i kënaqur me karakterin e ekipit, por nëgjiroman theksoi se fokusi i menjëhershëm i skuadrës do të jetë ndeshja e së dielës në Superligë kundër Llapit, përpara se të mendojnë për përballjen evropiane ndaj ekipit nga Andorra. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

SHBA dhe BE me qasje të ndryshme në Ballkan, Kosova në fokusin e zhvillimeve të reja

Published

on

By

Konsensusi perëndimor për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor po shpërbëhet, ndërkohë që SHBA-ja dhe BE-ja po ndjekin hapur politika kontradiktore në rajon.

Donald Trump kundër Europës nuk ka të bëjë vetëm me Groenlandën dhe NATO-n. Ekziston edhe një garë tjetër që zhvillohet shumë më qetësisht: në Ballkan.

Rajoni u rrënua nga luftërat e ish-Jugosllavisë së viteve 1990. Në të kaluarën SHBA-ja dhe Europa bashkëpunin për rindërtimin e rajonit. Ndërsa sot ata konkurrojnë për pushtet, para dhe ndikim.

Si mund të ndikojë ky rivalitet në Ballkan?
Ballkani Perëndimor është një term që Bashkimi Europian e përdor për gjashtë shtetet në kufijtë e tij: Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.

BE-ja thotë se të gjithë këto shtete duhet të bëhen anëtarë, pas një sërë reformash të sundimit të ligjit dhe tregut. Por ata kanë ngecur në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. Dhe ka disa pengesa të mëdha, si separatizmi që “vlon” në Bosnjë dhe Hercegovinë, ose mosmarrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës.

Për vite me radhë, SHBA-ja mbështeti integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ish-ministrja e Jashtme demokrate asokohe Hillary Clinton deklaronte, se “jemi të bashkuar në qëllimet tona për t’ju parë në NATO dhe BE sa më shpejt të jetë e mundur.”

Aktualisht po dëgjohet një mesazh i ri: Donald Trump Jr.: “Nuk është politikisht korrekte, por është shumë e qartë se Europa është katastrofë.”

Ky ndryshim kursi ka dy anë: interesat e sigurisë dhe interesat ekonomike. Lidhur me sigurinë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi së fundmi se “Epoka e ndërtimit të kombit, e udhëhequr nga SHBA-të, ka kaluar”.

Por çfarë do të thotë kjo?
Le të analizojmë Bosnjë dhe Hercegovinën, ose shkurt Bosnjën, një vend i shenjuar nga lufta brutale e viteve 1990. Është shtëpia e tre grupeve kryesore etnike: boshnjakëve, serbëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës.

Për t’i dhënë fund konflikteve të tyre, në vitin 1995 u krijua një sistem ndarjeje pushteti nën udhëheqjen e SHBA-së. Shpesh përshkruhet si sistemi politik më i ndërlikuar në botë. Tani, SHBA-ja dhe Europa kanë mosmarrëveshje për pozicionet më të fuqishme në atë sistem: Përfaqësuesin e Lartë për Bosnjë-Hercegovinën. Ai ka një rol unik. Është një zyrtar i huaj, zakonisht europian, me fuqi të mëdha për të ndërhyrë në politikën boshnjake. Detyra e tij është të sigurohet që vendi të mos rrëshqasë përsëri drejt konfliktit. Por ai zgjidhet nga shtete dhe organizata të tjera dhe jo nga populli i Bosnjës.

Përfaqësuesi i Lartë i fundit ishte politikani gjerman Christian Schmidt. Ai dha dorëheqjen dhe tha se SHBA-ja e shtyu ta ndërmerrte këtë vendim.

Administrata Trump dëshiron të kufizojë kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë, por BE-ja ende dëshiron një diplomat që ta thotë fjalën e fundit në Bosnjë.

Sipas Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave “qëndrimi i SHBA-së në këtë çështje është i saktë.” Eksperti Prelec shpjegon më tej, se 30 vjet pas ndërprerjes së armiqësive, është shumë e vështirë të shpjegohet pse duhet të ketë një zyrtar të emëruar ndërkombëtarisht me shkallën e pushtetit që përfaqësuesit e lartë kanë ushtruar në Bosnjë-Hercegovinë.

Zyra e përfaqësuesit të lartë është bërë prej kohësh pjesë e konkurrencës gjeopolitike në Europë.Rusia ishte kundër Përfaqësuesit të Lartë të fundit dhe po kështu ishte edhe aleati i tyre lokal Milorad Dodik, udhëheqësi serb i Bosnjës. Dodik kërcënoi të shkëputej nga Bosnjë-Hercegovina dhe të bashkonte territoret serbe të Bosnjës me Serbinë fqinje: “Ne nuk e fshehim se i përkasim një kombi të vetëm serb. Ju nuk do ta shkatërroni thirrjen e këtij kombi për t’u bashkuar. Ky komb meriton të ketë një shtet të bashkuar. Ne nuk mund të ndalemi në këtë rrugë.

Amerika dhe Europa dikur bashkëpunonin kundër këtyre kërcënimeve. Dodiku madje u sanksionua nga SHBA-të dhe gjykatat boshnjake e kishin në shenjestër. Por ai i shpëtoi arrestimit, qëndroi pranë MAGA-s dhe festoi fitoren e Trump.

Dodik e qetësoi situatën dhe dha dorëheqjen nga qeveria, por mbetet udhëheqësi de facto i serbëve të Bosnjës. Në këmbim, administrata Trump e hoqi atë nga lista e sanksioneve. SHBA-ja thotë se do të angazhojnë të gjithë aktorët vendas për më shumë stabilitet. Por në BE, ekziston shqetësimi se kjo mund ta inkurajojë Dodikun që të përpiqet të ndryshojë kufijtë.

Protagonistët e Ballkanit mund të marrin shembull nga mënyra se si zhvillohet lufta në Ukrainë, shpreh shqetësimin Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave: “Ajo që më shqetëson është nëse ka ndonjë lloj përfundimi të luftës në të cilën fuqitë perëndimore njohin ndryshimin territorial të arritur me forcë në Ukrainë, që patjetër do të ketë aktorë në Ballkan që do të thonë, po ne? ‘Edhe ne do të donim të ndryshonim kufijtë tanë’. Serbia do ta argumentonte këtë në lidhje me Kosovën, me veriun e saj, dhe serbët e Bosnjës do të thoshin, “edhe ne do të donim të shkëputeshim”.

Pra, ka shumë gjëra në lojë për sa i përket sigurisë. Por SHBA-ja thotë se tani fokusi kryesor në rajon është ekonomia.

Kjo lidhet shumë me transportin e gazit të lëngshëm natyror: Një terminal lundrues i Gazit të Lëngshëm Natyror është ankoruar pranë një ishulli kroat.

Prej këtej, SHBA-të duan të eksportojnë gaz në shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat deri më tani janë furnizuar kryesisht nga Rusia. Ata kanë një propozim të guximshëm. Chris Wright, Sekretari i SHBA-së për Energjinë, i quan këto terminale „tubacionet e paqes” të Trump. Kjo do të thotë që presidenti Trump e do energjinë. Një lloj paqeje përmes tregtisë.

Lidhjet e reja tregtare janë sigurisht të mirëpritura në Ballkan, ku investimet e huaja janë shumë të nevojshme. Por ka një paralajmërim, sipas Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave: “Aty ku gjërat ndërlikohen dhe mendoj se janë mjaft të dëmshme për rajonin dhe për marrëdhëniet transatlantike, është se administrata Trump në mandatin e dytë, administrata e dytë, po favorizon në mënyrë të hapur disa firma shumë të dyshimta, firma amerikane që kanë lidhje të ndryshme me presidentin Trump dhe familjen e tij. Pra, duket si një lloj korrupsioni.”

Një investim i bllokuar aktualisht në Bosnjë, një linjë e planifikuar e quajtur “Ndërlidhësi Jugor”, supozohet se do të transportojë gaz të lëngshëm nga ai terminal kroat përmes Bosnjës dhe në Serbi. Ky projekti u bllokua për vite me radhë. Por me interesin e ri amerikan, gjërat filluan të lëviznin çuditërisht shpejt. U hartua një ligj i posaçëm, duke ia dhënë projektin pa tender një kompanie amerikane pa përvojë të mëparshme me tregtinë e gazit.

Kompania drejtohet nga ish-avokati i Trump dhe vëllai i ish-këshilltarit të tij. Ivana Korajlic nga Transparency International, thotë, se ndodhemi në një realitet absurd. “SHBA-ja dikur ishte promovuesja kryesore të vlerave demokratike në të gjithë rajonin.

Ivana Korajlic udhëheq punën e „Transparency International” në Bosnjë-Hercegovinë, ajo thotë, se “nuk shohim më asnjë lloj pretendimi për respektimin e sundimit të ligjit, respektimin e institucioneve lokale.”

Eksperti Marko Prelec vëren, se “është veçanërisht fyese për një Bashkim Europian që e ndërton pjesën më të madhe të identitetit të tij mbi praktikat e pastra të kontabilitetit, sundimin e ligjit, tregtinë e drejtë, fushën e barabartë të lojës.”

BE-ja punon prej kohësh për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor në tregun e vet të energjisë, edhe pse ato nuk janë ende anëtare të Bllokut.

Ajo gjithashtu e ka paralajmëruar Bosnjën se rrezikon të humbasë mbështetjen nëse nuk i respekton rregullat e përbashkëta të tregut. Ekziston një shqyrtim shtesë edhe për marrëveshjet e tjera energjetike të SHBA-së në rajon: në Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi.

Në Serbi, nga tenderi për një hidrocentral të ri u deklarua se vetëm firmat amerikane mund të aplikonin. Pra, mund ta imagjinoni që Europa nuk ishte e kënaqur. Europa ende e lë pas Amerikën në investimet në Ballkanin Perëndimor: më shumë se gjysma vjen nga BE-ja dhe më pak se 3 % nga SHBA-ja.

Venitje e besueshmërisë tek premtimi i BE-së për antarësimin
Pra, çfarë po bën Blloku për të kufizuar ndikimin e njerëzve të “orbitës” Trump? Ivana Korajlic nënvizon, se “fatkeqësisht, nuk shohim një përgjigje mjaftueshëm të fortë nga BE-ja kur bëhet fjalë për këtë. Përgjigja duhet të jetë shumë më e shpejtë.”

Ndërsa Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thekson, se “BE-ja nuk bën projekte të mëdha, shumë të mëdha, për çfarëdo arsye, në Ballkanin Perëndimor. Nuk ka asnjë gjë madhore që ata mund ta tregojnë. Kur SHBA-ja thotë se do të vijmë me këtë investim prej 2 miliardë dollarësh, kjo është diҫka madhore që të gjithë e dëgjojnë.

Joshja më e madhe që ka BE-ja për të ndikuar në Ballkanin Perëndimor është perspektiva e anëtarësimit në Bllok në këmbim të reformave. Por besueshmëria e këtij premtimi po venitet.

Marko Prelec: “Njerëzit në Ballkanin Perëndimor kanë dëgjuar për integrimin europian prej dekadash. Askush nuk është pranuar në 13 vjet që nga Kroacia në vitin 2013. Pra, duhet të përpiqeni t’i bindni njerëzit përsëri se kjo do të ndodhë.”

BE-ja mund ta bëjë këtë së shpejti, pasi Mali i Zi po përfundon bisedimet e pranimit dhe dëshiron të bashkohet në vitin 2028.

Franca dhe Gjermania tani po bëjnë thirrje gjithashtu për një qasje më fleksibël, për t’i mbajtur vendet të motivuara dhe ndikimin e BE-së të sigurt. Ideja është t’u jepet vendeve kandidate qasje e hershme në programet dhe tregjet e BE-së përpara anëtarësimit të plotë.

Propozime të tilla paraqiten çdo disa vjet, por krizat më të mëdha vazhdojnë të tërheqin vëmendjen më të madhe në Bruksel. Tani është ndikimi në rritje i SHBA-së që mund ta detyrojë BE-në të bëjë një hap të vërtetë në Ballkan.

Pra, në njëfarë mënyre, më shumë interes dhe investime, mund të jenë një lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor. Por disa në rajon shqetësohen se një përplasje SHBA-BE mund të nxisë paqëndrueshmëri. Sidomos nëse Uashingtoni ndalon së dhëni përparësi demokracisë dhe përqendrohet në marrëveshje afatshkurtra.

30 vjet pas luftërave, ndarja midis Amerikës dhe Europës duket se do të mbjellë më shumë përçarje në Ballkanin Perëndimor./DW

Continue Reading

Vendi

Tri partitë opozitare kërkojnë konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit

Published

on

By

Përfaqësuesit e tri partive opozitare Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) — po kërkojnë që vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur.

Në një konferencë të përbashkët për media, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, dhe ai i AAK-së, Besnik Tahiri, i bënë ftesë publike kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të ushtrojë përgjegjësitë e tij kushtetuese dhe të thërrasë vazhdimin e seancës në orën 11:00.

Deputeti Arian Tahiri konfirmoi se PDK-ja ka parashtruar edhe kërkesë zyrtare pranë kryesuesit.

“Kryesuesi duhet ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën, si dhe ta thërrasë seancën në mënyrë që të konstituohet parlamenti e të rikthehet normaliteti. Po ashtu, i kemi ftuar të gjitha subjektet e tjera politike që të jenë të pranishme në orën 11:00.”Nga ana tjetër, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se, pas sqarimit të qëndrimit të saj rreth negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk sheh më asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e institucioneve.

Gjatë adresimit, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, e cilësoi bllokadën aktuale si një situatë emergjente për vendin, duke akuzuar për përpjekje të qëllimshme për parandalimin e funksionimit të Kuvendit.

“Rrethanat në të cilat ndodhet sot Kuvendi i Republikës së Kosovës tregojnë jo vetëm për një emergjencë kombëtare, por për një tendencë të shkatërrimit të rendit kushtetues. Kjo po pamundëson ushtrimin e mandatit të deputetit, aty ku na ka dhënë besimin sovrani,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se opozita do të ndërmarrë edhe veprime të tjera politike nëse situata nuk zhbllokohet. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

United Hospital – standard i ri në shërbimet spitalore, me teknologji të avancuar dhe kujdes mjekësor 24/7

Published

on

Prishtinë – Në zhvillimin e shërbimeve moderne shëndetësore në Kosovë dhe rajon, United Hospital synon të pozicionohet si një qendër e integruar e kujdesit spitalor, ku ekspertiza mjekësore ndërthuret me teknologjinë bashkëkohore dhe diagnostikimin e avancuar. Si spital i përgjithshëm privat, institucioni ofron një gamë të gjerë shërbimesh mjekësore, me synim që pacientët të kenë qasje në trajtim dhe diagnostikim të specializuar në një mjedis të vetëm.

Drejtuesi dhe menaxheri i United Hospital, Edmond Hajrizi, i njohur për formimin e tij akademik dhe përvojën e ndërtuar në institucione universitare ndërkombëtare, thekson se filozofia e spitalit mbështetet në një standard të lartë profesional, përgjegjësi institucionale dhe kujdes të vazhdueshëm ndaj pacientit.

Sipas tij, United Hospital synon të ruajë pozicionin e tij lider përmes një game të gjerë profilesh të avancuara shëndetësore, të cilat, sipas tij, nuk ofrohen në të njëjtën përmasë nga spitalet e tjera.

“Jemi të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm ndaj çdo klienti dhe pacienti. Për mua dhe për të gjithë stafin e spitalit, jeta dhe shërbimet shëndetësore janë prioriteti kryesor. Synimi ynë është të vazhdojmë të investojmë në kuadro profesionale, teknologji dhe shërbime cilësore, duke i bërë ato njëkohësisht sa më të përballueshme për qytetarët, në mënyrë që çdo pacient të ketë mundësinë të marrë trajtimin e duhur shëndetësor”, shprehet Hajrizi.

Një prej risive të prezantuara nga United Hospital është Rezonanca Magnetike e asistuar nga Inteligjenca Artificiale, teknologji që synon të mbështesë procesin diagnostik dhe të rrisë efikasitetin e ekzaminimeve radiologjike. Integrimi i teknologjive të reja në mjekësi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt diagnostikimit më të standardizuar dhe marrjes së vendimeve klinike mbi bazën e të dhënave të detajuara.

Një tjetër element i rëndësishëm i modelit të shërbimit të United Hospital është disponueshmëria 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, për disa prej shërbimeve kryesore. Laboratori, Emergjenca, Radiologjia dhe Mjekimi Intensiv (ICU) janë të organizuara për të ofruar mbështetje të vazhdueshme për pacientët, veçanërisht në situatat kur ndërhyrja e shpejtë dhe koordinimi ndërmjet ekipeve mjekësore janë të domosdoshme.

Në kuadër të shërbimeve të specializuara, United Hospital përfshin kardiologjinë dhe kardiokirurgjinë, kirurgjinë e përgjithshme, ortopedinë, si dhe fusha të tjera të kujdesit specialistik. Kjo qasje multidisiplinare synon të krijojë një zinxhir të integruar të diagnostikimit, trajtimit dhe kujdesit pasues.

Me investimet në infrastrukturë, pajisje moderne dhe kapacitete profesionale, United Hospital synon të kontribuojë në ngritjen e standardeve të shërbimeve private shëndetësore në Kosovë, duke vendosur në qendër të veprimtarisë sigurinë, dinjitetin dhe nevojat individuale të pacientit./rajonipress/

📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70
📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

Continue Reading

Të kërkuara