Izraeli ka pranuar propozimin e SHBA-së për një armëpushim të përkohshëm në konfliktin e Gazës, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësja e presidentit të SHBA-së Donald Trump, Karoline Leavitt, tha se bisedimet me të gjitha palët janë duke vazhduar dhe se Shtetet e Bashkuara shpresojnë për një armëpushim dhe kthimin e të gjithë pengjeve nga Gaza.
Ajo theksoi se nëse arrihet një marrëveshje, Shtëpia e Bardhë do ta njoftojë atë, por nuk dha asnjë detaj në lidhje me propozimin aktual të armëpushimit.
Grupi ekstremist palestinez Hamas konfirmoi se ka marrë një propozim të ri për armëpushim të hartuar nga i Dërguari Special i SHBA-së, Steve Witkoff, nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.
Në një deklaratë për shtyp, Hamasi tha se po e studion propozimin me përgjegjësi dhe se çdo përgjigje do të bazohet në interesat e popullit palestinez, me fokus në lehtësimin e vuajtjeve humanitare në Rripin e Gazës dhe arritjen e një armëpushimi të përhershëm.
Propozimi i ri nga Witkoff përshkruan një armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës që përfshin lirimin e 10 pengjeve në dy grupe brenda një jave, sipas mediave izraelite.
Hamasi do të duhet të dorëzojë trupat e 18 të rrëmbyerve që mbahen ende në Gaza, ndërsa trupat e 180 palestinezëve do të kthehen gjithashtu.
Izraeli gjithashtu do të lirojë 125 palestinezë të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1 111 banorë të Gazës që janë mbajtur në burgjet izraelite që nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Armëpushimi dymujor do të lehtësojë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit pothuajse 20-mujor./atsh