Lajmet

Haxhiu: Dekreti i presidentes është jokushtetues, lëndën po e dërgojmë në Kushtetuese

Published

on

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e legjislativit, duke e cilësuar atë si vendim jokushtetues dhe të ngutshëm.

Sipas saj, dekreti ishte një befasi pasi nuk është plotësuar asnjë rrethanë kushtetuese që i jep të drejtë presidentes ta shpërndajë Kuvendin pa kaluar afati 60-ditor apo pa dështuar zgjedhja e kreut të shtetit.

Haxhiu theksoi se ky veprim minon punën e institucionit, sidomos pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare.

“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme,” deklaroi ajo.

Gjatë deklaratës së saj, kryeparlamentarja kërkoi që Gjykata Kushtetuese të veprojë me shpejtësi dhe profesionalizëm për të shmangur krizat e mëtutjeshme.

Ajo kritikoi mungesën e konsultimeve paraprake me të si drejtuese e Kuvendit dhe akuzoi deputetët që po pamundësojnë konstituimin e institucioneve duke mos krijuar kuorum për zgjedhjen e presidentit. Haxhiu insistoi se Kuvendi duhet të lejohet të vazhdojë punën e nisur pasi nuk ekziston asnjë bazë ligjore për shpërndarje në këtë fazë.

“Nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës,” shtoi Haxhiu.

/Ekonomia online/

Continue Reading

Vendi

Botërori është afër: “The Guardian” i thur lavde rrugëtimit emocional të Kosovës

Published

on

By

Sytë e botës sonte janë në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku Kosova luan një ndeshje historike kundër Turqisë për një biletë në Botëror, një sukses që ka zgjuar vëmendjen e mediave më prestigjioze globale.

Prestigjiozja britanike “The Guardian” ka botuar një artikull tejet prekës ku përshkruan rritjen e jashtëzakonshme të kombëtares sonë, duke e titulluar: “Besojmë te njëri-tjetri: Rruga e vështirë e Kosovës nga lufta drejt shpresës për Kupën e Botës”.

Gazeta sjell rrëfimin e Samir Ujkanit, i cili kujton kohën kur lojtarët nuk ia dinin as emrat njëri-tjetrit në ndeshjen e parë kundër Haitit dhe stërviteshin në fusha të rënduara nën tymin e termocentraleve të Obiliqit.

Artikulli vë në pah se për një shtet që dikur e kishte të ndaluar futbollin nga autoritetet serbe, ky moment përfaqëson kulmin e një diplomacie të gjatë sportive të nisur nga i ndjeri Fadil Vokrri dhe Eroll Salihu.

Sipas “The Guardian”, ajo që dikur dukej e pamendueshme – kualifikimi i Kosovës në finalet e një Botërori – sonte është vetëm një fitore larg, duke e shndërruar sportin në projektimin më të bukur të një shteti modern dhe të suksesshëm në skenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Sport

Nga ‘Fadil Vokrri’ në Madrid: Një orë, dy sfida të mëdha

Published

on

By

Sot futbolli kosovar përjeton një moment unik pasi në të njëjtën kohë kur ekipi A zbret në fushën e “Fadil Vokrrit” për ndeshjen finale ndaj Turqisë, Kosova U21 do të sfidojë Spanjën në Madrid.

Të rinjtë tanë po luftojnë për një vend në “Europianin Shqipëri-Serbi 2027”, duke u përballur me liderin e grupit A që mban 18 pikë, ndërsa Kosova renditet në vendin e katërt me 8 pikë.

Pas humbjes 1-3 në ndeshjen e parë në Prishtinë, dardanët e rinj kërkojnë hakmarrjen ndaj spanjollëve, duke u mbështetur në formën e mirë që treguan me fitoret bindëse 4-0 ndaj Qipros dhe 7-0 ndaj San Marinos, si dhe barazimet pa gola kundër Rumanisë dhe Finlandës.

Kjo pasdite i gjen tifozët me vëmendje të ndarë mes Prishtinës dhe Madridit, në një përpjekje të dyfishtë për sukses ndërkombëtar.

Continue Reading

Vendi

Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim, Stephen O’Malley. Gjatë këtij takimi, vëmendje kryesore iu kushtua prioriteteve të Planit Strategjik të UNKT-së për periudhën 2026–2030, si dhe zbatimit të Agjendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

Kryeministri Kurti vlerësoi lart faktin që prioritetet e këtij plani janë në përputhje të plotë me agjendën kombëtare të zhvillimit, duke mirëpritur vazhdimësinë e mbështetjes së OKB-së në vend. Gjatë diskutimit, ai vuri në dukje se ky partneritet është dëshmuar edhe përmes veprimeve konkrete financiare.

“Qeveria ka kontribuar edhe përmes bashkëfinancimit në programet e OKB-së në vend, duke nënvizuar përkushtimin e fortë të Kosovës ndaj bashkëpunimit me këtë organizatë,” ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e UNKT-së prezantuan synimet për vitin 2026, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur institucionet e Kosovës si në aspektin zbatues, ashtu edhe në atë normativ. Fokus i veçantë në bisedë u vu mbi reformat dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, ku agjencitë e OKB-së mund të japin kontributin e tyre profesional.

“Jemi të gatshëm të mbështesim Qeverinë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave, duke u fokusuar në fushat ku agjencitë tona mund të japin kontributin më të madh,” u theksua nga ana e përfaqësuesve të UNKT-së.

Takimi u përmbyll me dakordimin e të dyja palëve për të forcuar më tej mekanizmat e koordinimit dhe për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në dobi të proceseve zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet

27 vjet nga mizoria serbe në Rahovec e Malishevë, Osmani: Pa drejtësi s’ka paqe

Published

on

By

Sot, kur shënohet 27-vjetori i masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe asaj në Burim të Malishevës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar viktimat e krimeve barbare të kryera nga regjimi serb në marsin e vitit 1999.

Përmes një komunikate për media, Presidentja Osmani ka theksuar se këto akte ishin pjesë e një makinerie vrasëse që synonte shfarosjen e popullit shqiptar, duke rikujtuar se më 31 mars 1999, në fshatin Pastaselë të Rahovecit, forcat serbe ekzekutuan brutalisht 106 civilë të pafajshëm.

E para e shtetit u shpreh se në Pastaselë u shpërfaqën përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor, duke e cilësuar këtë si një akt të qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli.

“Në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli,” u shpreh Osmani.

Ajo kujtoi gjithashtu se nga kjo masakër mbijetuan vetëm 13 persona, të cilët sot mbajnë mbi supe peshën e rëndë të dëshmisë për tmerrin e përjetuar.

Në të njëjtën ditë, makineria vrasëse e Serbisë goditi edhe fshatin Burim të Malishevës, ku u ekzekutuan mizorisht 42 civilë të tjerë.

Presidentja potencoi se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, duke bërë thirrje që autorët e këtyre krimeve të dalin para përgjegjësisë dhe duke përfunduar mesazhin e saj me nderimin se qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri.

Continue Reading

Të kërkuara