Lajmet

Gjykimi kundër Thaçit dhe të tjerëve, dëgjimi i provave fillon më 11 prill

3 prilli do të jetë data kur fillon procesi gjyqësor kundër tyre.

Published

on

Dëgjimi i provave të prokurorisë në çështjen gjyqësore kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të fillojë nga data 11 prill 2023. Kështu ka bërë të ditur kryetari i turpit gjykues, Charles L. Smith derisa ka lëshuar disa urdhra në fund të konferencës përgatitore për prokurorinë. Gjithashtu ai ka caktuar 1 prillin e vitit 2025 datë për mbylljen e çështjes së prokurorisë.

Pas vendimit që 3 prilli të jetë data kur fillon ky proces gjyqësor, Smith ka bërë të ditur se një tjetër konferencë përgatitore do të mbahet më datën 20 mars.

“Duke pasur parasysh parashtrimet e palëve ekziston një arsye bindëse për ndryshimin e kohës, deklaratat hapëse do të mbahen me datën 3,4 dhe 5 prill 2023. Dëgjimi i provave do të fillojë më datë 11 prill 2023… Si kryegjykatës i këtij trupi gjykues mbaj parasysh gjendjen dhe pajtimin ndërmjet palëve lidhur me çështjet faktike, në pajtim me rregullën 102 (3) të rregullores turpi gjykues urdhëron ZPS-në që të dorëzojë njoftimin e ndryshuar sipas rregullës 102 (3) deri të premten më datë 17 shkurt 2023. Trupi gjykues përcakton datën e mbylljes së çështjes së prokurorisë me datë 1 prill 2025”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Ndërsa mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, avokati Ben Emmerson ka kërkuar që prokuroria të njoftojë grupin e radhës të dëshmitarëve që do të thërrasë për të dhënë dëshmi.

“Prokuroria do të duhet që të njoftojë grupin pasardhës të dëshmitarëve që do të thërrasë për të dhënë dëshmi në mënyrë të tillë që ne të fillojmë me përgatitjet paraprakisht”, ka thënë Emmerson.

Gjithashtu ai ka kërkuar të sqarohet nëse do të ketë dëshmitarë të cilët mbetën në listën e personave të dyshuar të prokurorisë.

“Dëshmitarët që do të thirren nga ZPS në veçanti lidhur me çështje që kanë të bëjnë me zingjirin komandues të UÇK-së, intervistat që janë bërë nga ZPS janë bërë në kuadrin e tyre të thirru si të dyshuar, kështu nëse këta persona do të vinë dhe të japin dëmshmi, me intervistimin e tyre në cilësinë e të dyshuarve, cilat do të jenë pasojat për dëshmitarët, jo pse ne jemi këtu për të përfaqësuar interesat e dëshmitarëve por sigurisht dëshmitarët kanë të drejtën të mos thonë diçka që inkriminojnë vetën e tyre ose fajësojnë vetën e tyre. Nga ana tjetër ata kanë të drejtën të përfaqësohen nga pikëpamja ligjore, kjo është e rëndësishme për ne sepse një dëshmitar i cili mund të inkriminojnë vetën mund të ketë motive të tjera shtesë”, ka thënë avokati i Veselit.

Këtë, gjykatësi Smith ka thënë se do ta marrin parasysh dhe e ka mbyllur konferencën e sotme.

Gjykimi kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte caktuar për 1 mars të këtij viti, por në konferencën e sotme përgatitore, gjykatësi ka dhënë urdhër që i njëjti të fillojë më 3 prill. Data 3 prill ishte kërkesë e avokatëve mbrojtës dhe nuk kishte kundërshtim nga ana e prokurorisë.

Në pjesën e parë të konferencës Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë. Aty ZPS ka deklaruar se nuk ka ndërmend të zvogëlojë akuzat në këtë moment kohor derisa ka shtuar se synon të paraqes prova lidhur me çdo vend të pretenduar krimi. Ndërsa trupi gjykues edhe njëherë ka shprehur shqetësimin lidhur me kohën që ka kërkuar prokuroria për çështjen e saj dhe që arrin deri në 700 orë.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm. Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. 

lajme

Elita nga Kosova përzgjidhet ndër 10 mentorët më të mirë në botë në FIRST Global Challenge 2026

Published

on

By

Elita Hajrizi, mentore e ekipit First Kosova, është përzgjedhur ndër 10 mentorët më të mirë në botë në garën e mbajtur në Incheon të Koresë së Jugut, duke vënë në pah rëndësinë e mentorimit dhe përkushtimit në zhvillimin e talenteve të reja.

Ky vlerësim vjen pas një procesi përzgjedhës, në të cilin mentorët pjesëmarrës në garë u ftuan për intervista, ndërsa një juri përzgjodhi dhjetë mentorët që u dalluan për kontributin e tyre. Përzgjedhja e Elita Hajrizit në mesin e tyre përbën një mirënjohje për angazhimin e saj në mbështetjen dhe zhvillimin e të rinjve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe robotikës.

Roli i mentorëve në FIRST Global Challenge shkon përtej përgatitjes teknike. Ata i udhëheqin të rinjtë në procesin e të nxënit, i mbështesin në zgjidhjen e problemeve dhe i motivojnë të punojnë si ekip, duke zhvilluar aftësi që u shërbejnë edhe përtej garës.

Përzgjedhja e Elita Hajrizit ndër dhjetë mentorët më të mirë vjen në një edicion ku ekipi First Kosova arriti një tjetër sukses të rëndësishëm, duke u renditur në vendin e katërt në botë bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën.

Continue Reading

Rajoni

Kosova e katërta në botë në FIRST Global Challenge 2026, përmes ekipit të përfaqësuar nga UBT

Published

on

By

Kosova renditet e katërta në botë në FIRST Global Challenge 2026, garën ndërkombëtare të robotikës që u mbajt në Incheon të Koresë së Jugut, ku ekipi First Kosova, i përfaqësuar nga UBT, arriti këtë sukses bashkë me grupin me Greqinë, Poloninë dhe Meksikën, në mesin e 191 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.

Ekipi përfaqësues i Kosovës ka dëshmuar përgatitje të lartë teknologjike, aftësi në robotikë dhe programim, si dhe bashkëpunim të suksesshëm ndërkombëtar, duke arritur deri në fazën e play-off-it dhe duke konkurruar për pozitat më të larta të garës.

Gara e këtij viti kishte në fokus zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve të egra. Përmes robotëve dhe sfidave inxhinierike, ekipet pjesëmarrëse u angazhuan në zgjidhjen kreative të problemeve dhe aplikimin praktik të njohurive shkencore.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lart këtë sukses, duke theksuar rëndësinë e investimit në edukimin teknologjik dhe në zhvillimin e talenteve të reja.

“Renditja e ekipit të Kosovës në vendin e katërt në botë është dëshmi e fuqishme e talentit, dijes dhe potencialit inovativ të të rinjve tanë. Ky sukses dëshmon se, kur të rinjtë kanë mundësi, mbështetje dhe qasje në teknologji e inovacion, ata mund të konkurrojnë denjësisht me ekipet më të mira në botë. UBT do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e gjeneratave të reja, duke i përgatitur për sfidat e së ardhmes dhe duke e përfaqësuar Kosovën me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Rektori Hajrizi.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Instituti Yunus Emre bashkojnë artin dhe komunikimin përmes filmit “The Colors of Nazar”

Published

on

By

Në bashkëpunim me Institutin Yunus Emre në Prishtinë, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi shfaqjen e filmit “The Colors of Nazar” (“Ngjyrat e Mësyshit”), në Bibliotekën e Kampusit Inovativ të UBT-së. Në aktivitet mori pjesë edhe drejtori i Institutit Yunus Emre në Prishtinë, z. Ramadan Yilmaz.

Pas shfaqjes së filmit, aktiviteti vazhdoi me një panel diskutimi, ku ekipi realizues ndau me të pranishmit përvojat nga procesi i krijimit të dokumentarit, duke trajtuar aspektet artistike dhe teknike të produksionit. Panelistë ishin regjisori Dr. Fatih Diren, drejtori i fotografisë Evrim Inci, protagonistja kryesore Gizem Ozdemir dhe profesori Berk Kyqyk.

 

Në këtë aktivitet morën pjesë dekani dhe prodekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, profesorë dhe studentë të UBT-së, të cilët patën mundësi të bashkëbisedojnë me ekipin realizues dhe të njihen më nga afër me përvojën e tyre profesionale në fushën e filmit dokumentar.

Ky aktivitet shënon një tjetër mundësi për bashkëpunim kulturor dhe akademik ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash dhe përfshirjen e studentëve në diskutime me profesionistë të industrisë audiovizuale.

Continue Reading

lajme

Gani Gecit i caktohet një muaj paraburgim

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i cili dyshohet për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi është marrë pas seancës dëgjimore të mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, e cila zgjati rreth dy orë.
Gjatë seancës, Prokuroria ka paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit, ndërsa mbrojtja ka pasur mundësinë të shprehë qëndrimin dhe kundërshtimet e saj lidhur me këtë masë.
Ndërkohë, familjarët e Gani Gecit kanë pritur në ambientet e Gjykatës deri në marrjen e vendimit.
Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, është deklaruar avokati i tij, Besnik Berisha.
Berisha e ka cilësuar vendimin si të panevojshëm, duke pretenduar se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të emrit të Gecit dhe jo mbi bazën e kushteve ligjore.
Ai ka paralajmëruar se mbrojtja do të paraqesë ankesë brenda afatit ligjor, duke shprehur bindjen se Gjykata e Apelit do ta korrigjojë këtë vendim.
Sipas Berishës, klienti i tij e respekton lirinë e shprehjes, por në këtë rast ka pasur një keqkuptim lidhur me kërkesën e tij për largimin e një postimi.
Avokati ka sqaruar se Geci kishte kërkuar që familja e tij të mos ndërlidhej apo asociohej me Serbinë, duke mohuar se qëllimi i tij kishte qenë kanosja e gazetarit.
Berisha ka përmendur gjithashtu një sulm të armatosur të vitit 2001, në të cilin Geci kishte qenë viktimë dhe ku kishin humbur jetën disa nga miqtë e tij të afërt, përfshirë edhe një gazetar.
Sipas mbrojtjes, për shkak të kësaj përvoje, Geci e kishte perceptuar postimin si një rrezik të mundshëm për sigurinë e tij dhe të familjes.
Avokati ka theksuar se kërkesa për largimin e postimit nuk kishte për qëllim kërcënimin, siç pretendohet nga organet e ndjekjes.
Ndërkohë, Gani Geci do të qëndrojë në paraburgim sipas vendimit të Gjykatës Themelore, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar kundërshtimin e kësaj mase në Gjykatën e Apelit.

Continue Reading

Të kërkuara