Lajmet

Gjykata urdhëron që Adelina Ismaili dhe dy motrat e saj të sillen me shoqërim në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

Një vendim i tillë, është marrë të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi.

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë do të kërkojë nga Policia e Kosovës që dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, të sjellen me shoqërim në seancën e radhës në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Një vendim i tillë, është marrë të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, prokurori special Dren Paca ka deklaruar se mbetet pranë propozimit të dhënë në shqyrtimin gjyqësor më 19 janar 2022, që edhe në rigjykim të dëgjohen dëshmitaret Ismaili apo të lexohen deklaratat e tyre dhëna në polici, prokurori dhe në gjykatë.

Propozimin për leximin e deklaratave të dëshmitareve Ismaili e kundërshtoi i akuzuari Sekiraqa, ndërsa nuk e kundërshtoi që të njëjtat të dëgjohen sërish në gjykatë.

Po ashtu, në këtë seancë prokurori Paca e ka njoftuar gjykatën që lidhur me dëshmitarin D2, i cili po ashtu është propozuar që të dëgjohet, por prokuroria ende nuk ka arritur që ta sigurojë kontaktin me të njëjtit dhe sipas tij posa të sigurohet ky kontakt do ta njoftojë gjykatën.

Ndryshe, në këtë seancë ka munguar mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, për të cilën gjykatësi Kuçi ka njoftuar se më 27 qershor 2022, të njëjtës gjykata i ka dërguar ftesën, mirëpo deri më 12 korrik 2022 nuk është njoftuar për këtë seancë pasi që fletë-dorëzuesi i ftesave ka qenë në pushim vjetor.

“E njëjta e ka lajmëruar sot gjykatën dhe mungesën e ka arsyetuar me arsyetimin se sot ka të caktuar një shqyrtim tjetër në Ferizaj”, shtoi tutje gjykatësi Kuçi.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 15 shtator 2022.

Për seancën e radhës gjykatësi Kuçi deklaroi se për dëshmitaret Ismaili nga Policia e Kosovës do të kërkohet sjellja e tyre me shoqërim, ndërsa për mosrealizimin e urdhëresave të hershme ai tha do të njoftohet komandanti i stacionit policor Jugu në Prishtinë.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Lajmet

Qeveria e Kosovës mban mbledhje, në rend dite 35 pika

Published

on

By

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e saj të radhës, me fillim nga ora 10:00, në ndërtesën e Ekzekutivit.

Në këtë takim, kabineti qeveritar pritet të shqyrtojë dhe të marrë vendime për një sërë çështjesh të rëndësishme, pasi në rendin e ditës janë paraparë gjithsej 35 pika për shqyrtim e miratim. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Partitë shqiptare të Luginës bëhen bashkë për zgjedhjet në Serbi në listën “Koalicioni Shqiptar”

Published

on

By

Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë me një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se ky dakordësim erdhi pas bisedimeve dhe përpjekjeve intenzive për të afruar qëndrimet politike.

Kurti shprehu falënderimet e tij për liderët e subjekteve politike në Luginë për gatishmërinë që të gjejnë gjuhën e përbashkët përtej dallimeve partiake. Kryetarët që i u bashkuan këtij koalicioni janë: Shaip Kamberi (PVD); Visar Memeti (APN); Nagip Arifi (PD); Agim Sabedini (PDSH); Shqiprim Musliu (LPD); Sami Salihu (LR); Armend Aliu (AL); Naser Aziri (UDSH)

Krahas bashkimit politik, Kryeministri Kurti ngriti edhe çështjen e përfaqësimit proporcional dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duke e krahasuar atë me sistemin kushtetues të Kosovës.

“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë njësoj si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e pakicave. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Të kërkuara