Botë

Gjykata Supreme rrëzon tarifat e Trump

Published

on

Gjykata Supreme të premten rrëzoi disa nga tarifat e gjera të Presidentit Trump mbi mallrat e importuara, por la të hapur mundësinë që Shtëpia e Bardhë të përdorë mjete të tjera për të vendosur taksat e diskutueshme.

Në një goditje të rëndësishme për Trump, gjykata e lartë me shumicë konservatore vendosi se presidenti kishte tejkaluar autoritetin e tij duke vendosur tarifat e gjera, një politikë kyçe e mandatit të tij të dytë. Gjyqtarët Kavanagh, Alito dhe Thomas dolën kundër vendimit.

“IEEPA nuk e autorizon Presidentin të vendosë tarifa,” shkroi Kryetari i Gjykatës, John Roberts, në vendim, duke iu referuar Aktit për Fuqitë Ekonomike Ndërkombëtare në Rast Emergjence (International Economic Emergency Powers Act).

Roberts theksoi se Trump pretendon që ligji i jep atij autoritet pothuajse të pakufizuar për të vendosur çdo tarifë për çdo arsye, një pretendim që, sipas tij, sfidon logjikën.

“Asnjë President nuk e ka përdorur këtë statut për të vendosur tarifa, e aq më pak tarifa të kësaj përmase dhe shtrirjeje,” shkroi Roberts. “Kjo ‘mungesë precedenti historik’, së bashku me gjerësinë e autoritetit që presidenti tani pretendon, sugjeron se tarifat shkojnë përtej ‘kompetencës së ligjshme’ të presidentit.”

Shtëpia e Bardhë është zotuar se do të lëvizë shpejt për të zëvendësuar tarifat që Gjykata Supreme rrëzoi me taksa të tjera importi. Nuk ishte menjëherë e qartë sa kohë mund të zgjasë kjo apo çfarë pengesash ligjore mund të përballet administrata.

Përveç ligjshmërisë së tarifave, gjykata e lartë duhej të vendoste edhe për çështjen e ndërlikuar të rimbursimit të miliarda dollarëve të mbledhur deri më tani, siç kërkuan paditësit.

Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë do të thotë vendimi për afro 300 miliardë dollarët që SHBA-ja ka mbledhur tashmë nga kompanitë që importojnë mallra të mbuluara nga akti.

Vendimi e kthen çështjen në një gjykatë më të ulët për të vendosur nëse këto para duhet të kthehen.

“Ky proces ka gjasa të jetë një rrëmujë,” argumentoi gjyqtari Brett Kavanaugh në një mendim kundërshtues.

Rasti u përqendrua në Aktin e vitit 1977 për Fuqitë Ekonomike Ndërkombëtare në Rast Emergjence, i cili i jep presidentit të drejtën të “rregullojë … importin ose eksportin” e mallrave nëse ai shpall një “kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm.”

Trump e përdori këtë akt për të vendosur dy grupe tarifash. Njëri synonte produkte nga Kina, Kanadaja dhe Meksika, për të cilat Trump thotë se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ndalur rrjedhën e fentanilit drejt SHBA-së, pa pretenduar madje ndonjë lidhje të mundshme mes kësaj çështjeje dhe tregtisë.

Ai gjithashtu së fundmi ka kërcënuar të vendosë një seri të re tarifash ndaj aleatëve evropianë për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj kërkesës së tij që SHBA-ja të marrë nën kontroll Grenlandën, megjithëse më pas u tërhoq.

Taksat e tjera mbi importet nga pothuajse të gjithë partnerët tregtarë në botë synonin t’i jepnin fund asaj që Trump e quajti kërcënim urgjent nga deficitët e mëdhenj tregtarë, edhe pse SHBA-ja ka pasur deficit tregtar prej dekadash dhe në fakt ka suficit tregtar me disa nga vendet e synuara.

Një grup biznesesh të vogla dhe shtetesh të drejtuara nga demokratët ngritën padi veçmas, duke theksuar se IEEPA nuk është përdorur kurrë për të vendosur tarifa dhe se vetëm Kongresi ka të drejtën të vendosë taksa të tilla mbi mallrat e shitura në SHBA. Ata fituan në gjykatat më të ulëta, duke e çuar çështjen përpara gjykatës së lartë me shumicë konservatore.

Gjatë një seance të gjatë dëgjimore në nëntor, gjyqtarët u shfaqën kryesisht skeptikë ndaj pretendimeve të Trump, por vëzhguesit e gjykatës paralajmëruan se kjo nuk tregon gjithmonë se si do të votojnë përfundimisht.

Trump ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e një vendimi të favorshëm, duke e quajtur të drejtën e tij të pakufizuar për të vendosur tarifa një mjet thelbësor për të ruajtur fuqinë e SHBA-së në skenën globale.

Tarifat janë taksa që paguhen nga kompanitë që importojnë produkte, jo nga vendet e huaja vetë, siç ka pretenduar Trump. Kompanitë zakonisht ua kalojnë kostot shtesë konsumatorëve për të shmangur uljen e fitimeve, por disa analistë thonë se ato shpesh i vonojnë ose i maskojnë rritjet e çmimeve për të mos humbur klientë apo pjesë tregu. /New York Daily News/

 

Continue Reading

Lajmet

Irani kërkon 290 miliardë dollarë dëmshpërblim nga SHBA-ja

Published

on

Gjykatat iraniane kanë vendosur që Shtetet e Bashkuara t’i paguajnë Iranit 290 miliardë dollarë dëmshpërblim, ka deklaruar të hënën një zyrtar i sistemit gjyqësor iranian.

“Kemi siguruar vendime nga gjykatat vendase, të cilat kanë caktuar një dëmshpërblim prej 290 miliardë dollarësh kundër amerikanëve”, ka thënë Hassan Abdolianpour, kreu i qendrës për avokatët pranë sistemit gjyqësor, sipas televizionit shtetëror.

Sipas këtij televizioni, kërkesa për dëmshpërblim lidhet me veprime të Shteteve të Bashkuara që datojnë disa dekada më parë, raportojnë mediat e huaja.

Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një valë sulmesh ndaj Iranit, gjatë të cilave u vra udhëheqësi suprem i vendit, Ali Khamenei.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë drejt disa vendeve të rajonit, duke deklaruar se shënjestronte bazat dhe asetet amerikane e izraelite.

Në qershor, memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në Islamabad mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje paqeje, përfshinte edhe një klauzolë për hartimin e një plani me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.

Irani gjithashtu është përballur prej dekadash me sanksione të rënda amerikane, kryesisht për shkak të programit të tij bërthamor./A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Jensen Huang rikthehet në krye të NVIDIA-s

Published

on

By

Jensen Huang është rikthyer në postin e drejtorit ekzekutiv dhe presidentit të kompanisë teknologjike NVIDIA, njoftoi të hënën Bordi i Drejtorëve.

Vendimi për rikthimin e tij u mor me votë unanime pas një sërë takimesh dhe diskutimesh me Huangun, gjatë të cilave Bordi u bind për sinqeritetin dhe aftësinë e tij për ta drejtuar kompaninë.

“Bordi beson se Jensen është personi i duhur për të udhëhequr NVIDIA-n dhe se rikthimi i tij është në interesin më të mirë të aksionarëve, punonjësve, partnerëve dhe klientëve tanë”, deklaroi kryetari i Bordit, Harvey C. Jones, duke falënderuar njëherësh Colette Kress për drejtimin e përkohshëm të kompanisë krahas detyrës së saj si drejtoreshë financiare.

Sipas njoftimit zyrtar, Bordi ka marrë garanci edhe nga nivelet e larta të qeverisë amerikane, duke u bindur se rikthimi i Huangut në krye të gjigantit të çipave nuk përbën rrezik për sigurinë kombëtare.

Huang kishte dhënë dorëheqjen rreth dy javë më parë, pas raportimeve për lidhje jashtëmartesore me dy gra, njëra prej të cilave dyshohej si spiune kineze, ndërsa tjetra ishte vartëse e tij brenda kompanisë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kërcënime me bomba në qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë

Published

on

By

Qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë kanë pranuar kërcënime për bomba përmes postës elektronike të hënën, duke shënuar vazhdimin e një vale alarmesh të rreme që po godasin së fundmi institucionet arsimore nëpër Evropë.

Autoritetet gjermane bënë të ditur se rreth 450 shkolla në mbarë vendin janë prekur nga këto mesazhe, por theksuan se nuk ka asnjë rrezik real. Policia në Freiburg deklaroi se nuk ekziston asnjë provë për kërcënim konkret, ndërsa edhe policia e Berlinit dhe ajo në landin e Turingisë u kanë kërkuar shkollave të vazhdojnë procesin mësimor normalisht, duke vlerësuar se qëllimi i autorëve është vetëm përhapja e panikut.

Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Danimarkë, ku policia konfirmoi se po heton kërcënimet e dërguara ndaj disa shkollave në të gjithë vendin, por shtoi se aktualisht nuk ka arsye për shqetësim.

Këto raste vijnë pas një serie alarmesh të rreme me bomba dhe sulmesh kibernetike që kanë prekur së fundmi shkolla, supermarkete, sisteme të trafikut ajror dhe media në disa vende evropiane. Vetëm javën e kaluar u evakuuan mbi 10 shkolla në Spanjë, ndërsa në fillim të këtij muaji mijëra shkolla në Itali u përballën me kërcënime të njëjta përmes emailit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Anulohen qindra fluturime dhe ndalet transporti publik

Published

on

By

Qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet hekurudhore e urbane janë ndërprerë në mbarë Belgjikën, si pasojë e një greve të përgjithshme kundër masave të planifikuara qeveritare për shkurtimin e shpenzimeve publike.

I gjithë trafiku ajror është pezulluar në aeroportin Zaventem të Brukselit dhe në atë të Charleroit, ku operojnë kompani me kosto të ulët si Ryanair. Për shkak të bojkotit nga kontrollorët e trafikut ajror, asnjë avion nuk do të ngrihet apo ulet në Bruksel nga ora 07:00 deri në 21:00, duke prekur planet e udhëtimit të mbi 50 mijë pasagjerëve. Paralelisht, janë ndalur trenat, metroja, transporti publik dhe janë raportuar ndërprerje në shkolla e shërbime të tjera publike, teksa mijëra qytetarë po marshojnë në kryeqytet.

Greva zhvillohet në mes të krizës politike për miratimin e buxhetit, pasi kryeministri Bart De Wever ende nuk ka arritur kompromis me partnerët e koalicionit pesëpartiak, ku partia e majtë Vooruit po kundërshton shkurtimet në pensione e shëndetësi dhe po kërkon rritjen e taksave për të pasurit. Mbreti Philippe e kishte refuzuar dorëheqjen e De Weverit në fillim të muajit për t’i dhënë kohë shtesë negociatave.

Udhëheqësit e sindikatave kryesore, Bert Engelaar nga FGTB dhe Ann Vermorgen nga CSC, e kanë akuzuar ekzekutivin për goditje ndaj sistemit të mbrojtjes sociale dhe shkurtim të ditëve të pushimit zyrtar, duke kërkuar tatimim të mirëfilltë të pasurisë dhe heqje të lehtësive fiskale në vend të masave shtrënguese.

Continue Reading

Të kërkuara