Lajmet

Gjykata Speciale liron me kusht Sabit Jonuzin dhe Ismet Bahtijarin

Published

on

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka marrë vendim për lirimin me kusht të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit më 21 shkurt, duke përmendur që ata kanë plotësuar kriterin për modifikim të dënimit, meqë i kanë vuajtur dy të tretat e dënimit me burgim.

Më 4 shkurt të këtij viti, Januzi dhe Bahtijari janë dënuar me nga dy vjet burgim, duke u shpallur fajtorë për pengim të drejtësisë, më konkretisht frikësim të dëshmitarëve. Në dënim u është llogaritur edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Të dy janë arrestuar më 5 tetor 2023.

Gjykata Speciale – institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës – e ka marrë këtë vendim pas një marrëveshjeje të fajësisë që ka arritur Prokuroria e Specializuar me të akuzuarit.

Në vendimin për dënimin e këtyre dy personave nuk është bërë e ditur se për cilët dëshmitarë bëhet fjalë, apo për cilin rast gjyqësor.

Kryetarja konstatoi se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Januzi dhe z. Bahtijari u shpallën fajtorë janë padyshim të rënda, duke pasur parasysh pasojat që ka frikësimi i dëshmitarëve për administrimin e drejtësisë, ekzistonin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tyre”, është thënë në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Speciale.

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 6 dhjetor të vitit 2024, Thaçit i është konfirmuar edhe një aktakuzë e re për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin e parë gjyqësor.

Përveç Thaçit, në aktakuzën e dytë janë përfshirë edhe emrat e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajt, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliut.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Deri më tani kjo Gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të administrimit të drejtësisë./REL/

Lajmet

KURIOZITETET E DITËS

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Zhurma mund të jetë minus decibel. Vendi më i qetë në Tokë është dhoma anekoike e Microsoft në Redmond, WA, SHBA, me -20.6 decibel. Këto dhoma anekoike janë ndërtuar nga betoni i rëndë dhe tulla dhe janë montuar në susta për të ndaluar dridhjet që të hyjnë nëpër dysheme.

 

  1. Një kalë normalisht ka më shumë se një kuaj fuqi. Një studim në vitin 1993 tregoi se fuqia maksimale që një kalë mund të prodhojë është 18,000W, rreth 24 kuaj fuqi.

 

  1. Nënshkrimi juaj mund të zbulojë tipare të personalitetit. Një studim në vitin 2016 pohon se tek burrat, një nënshkrim më i madh korrespondon me guxim më të lartë shoqëror dhe, tek gratë, një nënshkrim më i madh korrespondon me tipare narcisiste.

 

  1. Një në 18 persona kanë një thithkë të tretë. E njohur si politelia, thithka e tretë shkaktohet nga një mutacion në gjenet joaktive.

 

  1. Bananet janë radioaktive. Për shkak se janë të pasura me kalium, çdo banane është në fakt paksa radioaktive falë përmbajtjes së izotopit natyror të kaliumit – 40. Është interesante se trupi juaj përmban rreth 16 mg kalium-40, që do të thotë se jeni rreth 280 herë më radioaktiv se një banane. Çdo kalium-40 i tepërt që fitoni nga një banane nxirret jashtë brenda pak orësh.

Continue Reading

Lajmet

UBT, institucioni i parë në Kosovë që merr Quality Recognition nga AESOP në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban

Published

on

By

UBT tashmë është bërë pjesë e rrjetit evropian të institucioneve të njohura nga AESOP – Association of European Schools of Planning, organizata evropiane që promovon cilësinë në edukimin dhe kërkimin në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban.

Kjo arritje është pjesë e një rrugëtimi 20-vjeçar të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili gjatë këtyre viteve është zhvilluar në shkollën më të madhe të arkitekturës në vend, duke krijuar mundësi për gjenerata të reja të arkitektëve dhe profesionistëve të planifikimit hapësinor.

Në këtë kuadër, programi Master në Planifikim Urban dhe Zhvillim të Qëndrueshëm është vlerësuar me Quality Recognition nga AESOP, duke e bërë UBT-në institucionin e parë në Kosovë që merr këtë njohje.

Ndër komponentet kyçe të vlerësimit është edhe konteksti global i temave të adresuara nga programi, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar duke u mundësuar studentëve të shkëmbejnë përvoja dhe të marrin njohuri edhe nga universitetet tjera partnere.

Përmes një procesi të detajuar të evaluimit nga “Excellence in Education Board”, programet pjesëmarrëse analizohen në aspektin e pedagogjisë, përmbajtjes akademike, praktikave profesionale dhe ndikimit në zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe rajonal.

Continue Reading

Vendi

Prishtinë: Arrestohet i dyshuari për lëndim të rëndë trupor

Published

on

By

Një person ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e një sulmi fizik që ka ndodhur në rrugën “Nikolla Tesla” në Prishtinë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes dy personave, me ç’rast i dyshuari e ka sulmuar viktimën duke i shkaktuar lëndime të rënda në kokë.

Viktima është dërguar menjëherë për trajtim të nevojshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndërkaq, i dyshuari është arrestuar nga policia dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje.

Continue Reading

Vendi

Tre të mitur arrestohen në Pejë pas përleshjes, një person dyshohet se u ther me thikë

Published

on

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, tre të mitur meshkuj janë arrestuar në Pejë pas një përleshjeje, gjatë së cilës një person dyshohet se është therur me thikë.

Rasti ka ndodhur më 18 gusht, rreth orës 09:40, në rrugën “Agim Qela”. Sipas Policisë, gjatë përleshjes, njëri nga viktimat ka pësuar lëndime nga therja me thikë, ndërsa një person tjetër ka marrë lëndime të lehta trupore.

Të dy viktimat janë dërguar për tretman mjekësor.

Gjatë intervenimit, nga të dyshuarit janë konfiskuar një thikë dhe një pistoletë me gaz.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara