Lajmet
Gjermania do të dyfishojë numrin e punëtorëve nga Ballkani
Aktualisht ka 1.98 milion vende të lira pune në Gjermani.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiQeveria gjermane do të dyfishojë numrin e punëtorëve nga Ballkani, që pavarësisht kualifikimit të marrin një vizë pune. Sindikatat i tremben fluksit të fuqisë punëtore të lirë nga Ballkani.
Sipas të dhënave të Institutit për Tregun e Punës dhe Studimet e Profesionit (IAB) aktualisht ka 1,98 milion vende të lira pune në Gjermani. Për të vepruar kundër mungesës kronike të fuqisë punëtore, qeveria gjemane planifikon të liberalizojë ligjin përkatës për emigracionin e punës. Një pjesë e paketës ligjore është e ashtuquajtura “Rregullorja e Ballkanit Perëndimor”. Qeveria parashikon dy ndryshime themelore: Nga njëra anë kjo rregullore nuk do të jetë më e kufizuar në kohë – rregullorja e deritanishme zgjat deri në fund të vitit 2023 – nga ana tjetër kontigjenti i punëtorëve nga Ballkani do të dyfishohet në 50 mijë punëtorë në vit.
Leja e punës – pa kualifikim
Kur në gjysmën e dytë të vitit 2015 në kulmin e krizës së refugjatëve erdhën më shumë se 1 milion refugjatë nga Siria, Iraku e Afganistani përmes itinerarit të Ballkanit, atyre iu bashkangjitën edhe shumë njerëz nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Atëherë ata përbënin 30% të kërkesave për azil, megjithëse gati të gjitha kërkesat nuk njiheshin. Qeveria e Merkelit atëherë mbylli marrëveshje me vendet e Ballkanit për pranimin e refugjatëve të kthyer dhe në vitin 2016 u miratua Rregullorja e Ballkanit Perëndimor. Me të lejohej ardhja e një kontigjenti të atyre që kërkonin punë pa pengesat burokratike të paraqitjes së kualifikimit. Dy kritere duheshin plotësuar: Kërkesa për lejen e punës duhet të paraqitej te përfaqësitë gjermane në këto vende dhe më parë nuk duhej të kishe bërë kërkesë për azil.
Një rregullore që duhej të kënaqte të gjitha palët. Në Gjermani do të kishte emigrim të rregulluar të fuqisë punëtore pa kualifikim ose me kualifikim të mesëm. Nga ana tjetër do të lehtësohej gjendja e vështirë e tregut të punës në këto vende, ku sidomos rinia vuan nga papunësia. Në Kosovë për shembull papunësia arrin 21%, ajo e të rinjve madje 55%. Kështu nuk të habit fakti që si pasojë e rregullores Agjencia Federale e Punës deri në fund të vitit 2020 ka dhënë 260 mijë leje parimore për vizë dhe 98 mijë leje për viza pune nga aplikuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Frika nga ulja e rrogave
Këto shifra priten të rriten edhe më tej. Planet e qeverisë gjermane për Rregulloren e Ballkanit Perëndimor përshëndeten nga punëdhënësit gjermanë. Janë pikërisht ata që ushtrojnë presion të rregullt ndaj qeverisë që të liberalizojë kushtet e emigrimit për punë në Gjermani. Shoqata e Sindikatave Gjermane, DGB është më kritike. Evelyn Räder, në bordin e kësaj shoqate thotë se DGB e përshëndet emigracionin për punë, por thekson se kushtet e punës për punëmarrësit nga Ballkani duhen parë me shumë kujdes.
“Njerëzit që vijnë janë në masë të madhe të varur nga punëdhënësi i tyre. Ata kanë një leje pune, por kjo është e lidhur me vendin e punës që kanë. Kjo krijon frikë, që nëse nuk ulin kokën, mund edhe të kthehen”.
Nga ana tjetër ata nuk flasin gjermanisht dhe nuk informohen për të drejtat e tyre. Të gjitha këto bëjnë që në praktikë ata të pranojnë kushte më të këqija pune, thekson Räder.
Jo “forca të kualifikuara”, por punëtorë
Tre të katërtat e punëtorëve nga Ballkani punojnë në ndërtim, në gastronomi dhe në kujdesin shëndetësor për të moshuarit. 44% vetëm në ndërtim. Shumica e këtyre punëve janë punë me rroga relativisht të ulëta. Megjithëse qeveria gjermane e shpjegon reformën në tregun e punës për të huajt me mungesën e fuqisë punëtore, Rregullorja e Ballkanit Perëndimor nuk i përgjigjet kësaj në atë masë, sepse për ta nuk kërkohet kualifikim për të marrë një leje pune.
Sipas vlerësimit të DGB-së nuk bëhet fjalë për të tërhequr forca të kualifikuara, por për të fituar fuqi punëtore për punë të thjeshta të papaguara mirë.
“Ky është thjesht një program punësimi në favor të punëdhënësve, që në këtë mënyrë fitojnë fuqi punëtore, të cilën në rast nevoje mund ta nxjerrin në rrugë sërish”, thotë Räder.
Punë e pasigurt në kantiere ndërtimi
Kjo problematikë vërehet më shumë në degën e ndërtimit. Shoqata e Industrisë së Ndërtimit ka hequr dorë vitin e kaluar nga zgjatja e marrëveshjes për pagesën në bazë tarifash. Punëtorët mund të paguhen vetëm me një pagë minimale prej 12 eurosh në orë, që është shumë më pak se pagesa më parë. Dikur në këtë degë paguheshin 13 deri në 16 euro në orë.
Në këtë mënyrë punëdhënësit mund të ushtrojnë presion ndaj atyre që kërkojnë një rrogë më të lartë – sepse ka gjithmonë forca pune që kushtojnë më pak. Nga ana tjetër ata nuk kanë pse të kenë frikë nga gjyqet. Punëtorët nga Ballkani janë grup veçanërisht i rrezikuar, ata nuk i njohin të drejtat e tyre, dhe për shumë vetë nga Ballkani kushtet e punës janë të papranueshme krahasuar edhe me vendet nga vijnë. Kësaj i shtohet që kontrollet shtetërore janë shumë të pakta.
Mbrojtja e punëtorëve dhe autonomia
“Ne jemi të shqetësuar, se në këtë mënyrë ushtrohet presion për kushtet e punës të të gjithë të punësuarve në këtë degë do të bëhet më e vështirë të arrihet marrëveshje tarifash dhe pa to krijohet një program me drejtim uljen e rrogave”, paralajmëron Evelyn Räder nga DGB.
Zgjidhja për Shoqatën e Sindikatave, DGB qëndron tek ndryshime të tjera të Rregullores së Ballkanit Perëndimor. Një nga ndryshimet kryesore do të ishte mundësia e ndryshimit të punëdhënësit, pa u detyruar të aplikosh sërish për vizë pune, si tek shumë punëtorë të huaj të tjerë.
Sipas rregullores aktuale aplikimi për vizë bëhet në përfaqësitë gjermane në vendin origjinë dhe jepet për një punë të caktuar. Ndryshimi është i mundur në këto përfaqësi, por kërkesa për lejen e vizës së punës duhet të bëhet sërish nga e para tek Agjencia Federale e Punës. Për shumë punëtorë nga Ballkani kjo është një procedurë shumë e komplikuar, shumë vetë as nuk e dinë se ekziston një mundësi e tillë. DGB kërkon punësimin mbi bazën e Rregullores së Ballkanit Perëndimor vetëm aty ku ka marrëveshje tarifash. Nga njëra anë do të mbroheshin kështu punonjësit, nga ana tjetër nuk do të minohej autonomia e taifave të sindikatave.
Evely Räder ka një mesazh për punëtorët nga Ballkani që duan të punojnë në Gjermani: “Informohuni për të drejtat tuaja dhe kërkoni në rast nevoje ndihmë. Nuk duhet të përtypni gjithçka, që ju ofrohet. Në Gjermani punëtorët kanë të drejta”, thekson Evelyn Räder./DW
lajme
FIFA flet pas triumfit të Kosovës: Një hap larg Kupës së Botës
Published
4 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Fitorja spektakolare e Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3 nuk ka kaluar pa u vënë re as në skenën ndërkombëtare, teksa edhe vetë FIFA ka reaguar pas ndeshjes, duke e cilësuar Kombëtaren e Kosovës vetëm një hap larg kualifikimit për Kupën e Botës.
Në një postim zyrtar, FIFA theksoi se “është vetëm edhe një hap për Kosovën drejt Botërorit”, duke e shoqëruar mesazhin me imazhe nga festa e lojtarëve pas një ndeshjeje dramatike.
Kosova arriti këtë fitore pas një përballjeje të vështirë, ku Sllovakia e nisi më mirë dhe mori epërsinë, duke e vendosur në presion ekipin kosovar. Megjithatë, “Dardanët” reaguan me karakter, duke barazuar dhe më pas duke përmbysur rezultatin në pjesën e dytë me një lojë të organizuar dhe efikase në sulm. Edhe pse vendasit tentuan të rikthehen në fund dhe e bënë rezultatin të ngushtë, Kosova arriti ta menaxhojë avantazhin dhe të sigurojë një fitore shumë të rëndësishme.
Ky triumf jo vetëm që i mban gjallë shpresat për kualifikim, por e vendos Kosovën shumë pranë një arritjeje historike në arenën ndërkombëtare. Tashmë, gjithë vëmendja është te sfida e radhës ndaj Turqisë, një ndeshje që mund të vulosë fatin e Kosovës dhe ta dërgojë drejt Botërorit, aty ku do të ishte një moment historik për futbollin kosovar.
Aktualitet
Kosova përmbys Sllovakinë në një dramë të çmendur, tani gjithçka vendoset ndaj Turqisë
Published
4 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Kosova ka marrë një fitore të madhe dhe plot emocion ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3, në një ndeshje ku “Dardanët” treguan karakter dhe kthyen gjithçka në favorin e tyre pas një nisjeje të vështirë.
Vendasit e filluan më mirë takimin dhe kaluan të parët në epërsi, duke goditur herët dhe duke marrë kontrollin e lojës, ndërsa para pushimit arritën ta rikthejnë avantazhin edhe një herë pas barazimit të Kosovës.
Megjithatë, pjesa e dytë foli krejtësisht për Kosovën. Ekipi reagoi fuqishëm, barazoi shpejt rezultatin dhe më pas mori kontrollin e ndeshjes duke realizuar dy gola të tjerë që e çuan drejt një epërsie të rëndësishme. Kur u duk se gjithçka po mbyllej qetë, Sllovakia ngushtoi rezultatin në fund dhe rihapi dramën, por Kosova arriti ta ruajë avantazhin dhe të dalë me një fitore të madhe.
Ky triumf i jep një shtysë të fortë Kosovës në garën për kualifikim, ndërsa tani vëmendja kalon te sfida e radhës ndaj Turqisë, një përballje që pritet të jetë vendimtare për ëndrrën e “Dardanëve” drejt Botërorit.
Vendi
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren
Published
10 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një burri rreth 70-vjeçar, i cili u gjet i vdekur në rrugën “Edit Durham” në Prizren, saktësisht pranë banesave të ish-TMK-së.
Sipas njoftimit zyrtar, mjekët ligjorë kanë konstatuar se vdekja ka ndodhur rreth 2-3 orë para mbërritjes së ekipeve në vendngjarje.
“Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ish TMK-së. Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekjeje të dhunshme”, thuhet në njoftimin policor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e krim-teknikës dhe prokurori i shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “hetim i vdekjes”. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia u bën thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacione mbi identitetin e viktimës të lajmërohen në stacionin më të afërt ose të telefonojnë në numrin emergjent 192.
Lajmet
Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane
Published
14 hours agoon
March 26, 2026By
UBTNews
Izraeli thotë se ka vrarë shefin e marinës së Iranit, i cili mbikëqyrte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit.
Alireza Tangsiri u emërua komandant i Marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në vitin 2018, ndërsa më parë kishte shërbyer si zëvendëskomandant i kësaj marine që nga viti 2010.
Një llogari në rrjetin social X, që i atribuohet atij, ka qenë aktive që nga 10 marsi i këtij viti, me mediat iraniane që citonin postimet e tij. Në këto postime, ai kishte shkruar disa herë për Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “asnjë anije e lidhur me agresorët kundër Iranit nuk ka të drejtë të kalojë”.
Tangsiri njihej si një komandant i ashpër, i cili në të kaluarën kishte bërë deklarata të shumta kundër SHBA-së dhe Izraelit. Në vitin 2019, ai kishte kërcënuar se do të mbyllte Ngushticën e Hormuzit nëse pengoheshin eksportet e naftës së Iranit. Tangsiri u sanksionua nga Thesari i SHBA-së bashkë me komandantë të tjerë të IRGC-së në vitin 2019, pasi Irani rrëzoi një dron vëzhgues amerikan pranë ngushticës./BBC/
FIFA flet pas triumfit të Kosovës: Një hap larg Kupës së Botës
Kosova përmbys Sllovakinë në një dramë të çmendur, tani gjithçka vendoset ndaj Turqisë
Kosova barazon në minutën e 21-të
Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të moshuari që u gjet pa shenja jete në Prizren
Izraeli raporton vrasjen e komandantit të marinës iraniane
HBO lanson trailerin e parë të serialit “ Harry Potter”
Një moment kthese për rrjetet sociale: Çfarë e pret teknologjinë pas vendimit historik për varësinë?
Kosova pa Demakun e Sadriun në gjysmëfinalen ndaj Sllovakisë
Nga Veterniku në Vushtrri: Detajet e operacionit “Delivery” ku u zbulua edhe një “Call Center” i dyshimtë
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
