Lajmet

​Gjaku që kërkon drejtësi, rrëfime rrëqethëse nga Pokleku

Muaji prill kujton ditën e tmerrshme të datës 17, ku mbi 50 persona u masakruan dhe u djegën dy herë.

Published

on

Muret e shtëpisë bartin peshën e madhe të dëshmisë së terrorit. Fletoret e librat me shënime tregojnë për ëndrrat që mbetën në gjysmë. Rrobat e secilit kanë gjurmët e gjenocidit serb, trupat e të cilëve u bën hi. Muaji prill kujton ditën e tmerrshme të datës 17, ku mbi 50 persona u masakruan dhe u djegën dy herë. Kjo shtëpi është kujtim i rëndë për familjarët, ndërkaq dëshmitarët po jetojnë me pamjet më të tmerrshme. Ata kanë peng se si nuk arritën të shpëtojnë të afërmit, të cilët i panë teksa frymojnë. Pothuajse gjithçka ka mbetur e njëjtë në shtëpinë e familjes Muqolli në Poklek të Drenasi. Lëvizje nuk pati as për drejtësi, përkundër dëshmisë së gjallë të gjenocidit.

Për 25 vjet me radhë, kujtimet më të freskëta i ka ato të 17 prillit. Leutrimi, i cili atëherë ishte nëntë vjeçar, u mbulua me gjakun e të vëllait brenda dhomës prej 20 metrave katror, ku u vranë me breshëri plumbash.

“Më 16 prill një ditë para se të ndodh masakra në Doburshevc kanë hyrë serbët, prindi im tha po iu dërgoj në Poklek sepse nga aty me dal më lehtë në Drenas për të ikë në Shqipëri, atë natë kemi ardh në Poklek këtu i kam dajt. Me datën 17 kur jemi zgjuar edhe këtu ishte rrethuar nga ushtria serbe. Ne jemi tubuar të gjithë tek shpija e Sinanit, këtu atë ditë ka pas shumë shi, pastaj jemi bërë të gjithë, kemi dëshiruar që të dalim në Drenas kur kemi mbërri tek xhamia, më kujtohet që dikush u ardh dhe ka thënë që duhet me u kthy dhe e mbaj mend që ka gjuajt”, rrëfen ai mes lotësh.

Ai pa masakrimin e nënës, vëllezërve dhe bashkëfshatarëve, disa prej të cilëve e ka peng që nuk arriti t’i shpëtonte.

“Nga atje u ardh një shpejt dhe i ka gjuajt ata xhama jashtë në korridor që të mos kemi mundësi të dalim nga dhoma, u ardh këtu ka thënë që duhet ta mbyllni derën dhe dikush ka qenë te dera dhe ka bërtit me mbyll derën, e kemi mbyll dhe ka gjuajtur një bombë me gaz një herë. Unë di që të gjitha nënat iu kanë gjuajt nënave mbi dhe e di që mua më janë gjuajtur shumë vet, e kanë gjuajtur edhe një, kur ka kërsit ajo tjetra, mua më ka humb vetëdija aty…Pastaj, ata kanë hyrë me kallash, unë në atë kohë më ka ardh vetëdija pak, e kam hap syrin pak dhe kam shikuar por nuk e kam pas askënd përmbi…05:21 e kam pas kokën e vëllait këtu dhe e kam hap syrin prapë kanë gjuajtur, i shkelke se kush është gjallë kur gjuante. Mua ato të plumbave më kanë ra në qaf, kështu ka gjuajtur, ka shikuar të gjithë deri sa e ka menduar që të gjithë janë të vdekur dhe kanë dal nga këtu, kanë shkuar aty ku kanë qenë të vendosur. Këtu ka pas njerëz të gjallë të cilët nuk kemi mundur që t’i shpëtojmë”, vazhdon rrëfimin ai.

Edhe sot qan për nënën e tij, të cilën nuk arriti ta shoh në momentet e fundit. Çdoherë kujton edhe gjendjen e fëmijëve të cilët vdiqën mizorisht.

“Unë nënën nuk e kam parë se ku e kam. Kam qarë, e kam dashtë vetëm nënën time por nuk kemi mundur me pa, e kam pa vetëm dy vëllezërit e mi. Këtu ku ka ra bomba të gjithë fëmijët i kanë pas trutë jashtë. Kemi shkuar prapë lartë dhe i kemi pa dy persona duke shkuar poshtë dhe ka thënë Lumja, ne duhet të dalim, tani kemi dal prapa shtëpisë, kemi shkuar te një shtëpi, nuk kanë besuar çka iu kemi treguar e çka na ndodhur. Pastaj Lumja ka thënë ‘me mujt me shpëtuar dikën sepse ka të gjallë por derisa kemi shkuar e kemi parë që i kanë kallë, i ka dalë tymi’”, u shpreh i mbijetuari.

Një ditë më pas, ishte Leutrimi i cili i tregoi pronarit të shtëpisë se çfarë ndodhi me familjen e tij dhe shumë bashkëfshatarëve të tjerë.

“Nga mbrëmja kanë ardhur dëshmitarët Elheme Muqolli edhe Leotrimi, na kanë tregu se çka ka ndodh, ka qenë diçka e pabesueshme që ka mundur të ndodh diçka e tillë. Brenga jonë ka qenë se si me hy dhe me i nxjerr. Forcat serbe kanë ardhur të nesërmen në mbrëmje e kanë djeg shtëpinë, edhe ditën tjetër e kanë djeg dhomën dy herë, herën e tretë kanë ardhur, e kanë djeg dhomën dhe të gjithë shtëpinë”, tregon pronari i shtëpisë, Fadil Muqolli.

Fadili bashkë me ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kishin nxjerrë eshtrat e familjarëve, shumë prej të cilave të bëra hi.

“Kemi ardhur afër 60 ushtarë, kemi hyrë brenda, e kemi siguruar rreth shtëpisë mos me ardh forcat serbe që të na sulmojnë, e kemi marrë një bateri të veturës një sy të veturës dhe një qebe e kemi mbyll dritaren, e kemi ndez dritën me bateri të veturës dhe kemi filluar me i mbledh eshtrat që kanë qenë të tubuar në dy qoshet e dhomës për t’i zhdukur. Copat e eshtrave kanë qenë diku sa paqeta e cigares i kemi shti në thasë, kemi shkuar në mal, e kemi ndërtuar një bunker dhe i kemi shti aty që kanë qëndrua aty deri pas përfundimit të luftës, kur e kemi bërë varrimin. Babin dhe Ymerin që i kanë ekzekutuar, ata janë kthyer, i kanë djeg ia kanë lidh në trupat e tyre hekura dhe i kanë hedh në bunar”, u shpreh Muqolli.

Trupat e hedhura në bunar nga forcat serbe, Fadili rrëfen se i kishin tërhequr me litarë. Ai nuk befasohet nga Serbia për terrorin që bëri në shtëpinë e tij.

“Babin dhe Ymerin që i kanë egzekutuar, ata janë kthye i kanë djeg dhe ia kanë lidh në trupat e tyre hekura dhe i kanë hedh në bunar, ne kemi kërkuar sepse dëshmitarët kanë tregu se i kanë vra në këtë vend, aty nuk i kemi gjetë, kam shkuar aty ku i kanë ekzekutuar dhe i kanë djeg, e kam gjet orën e gjepit të babit që edhe sot e kam dhe i kemi kërkuar në shtëpi mos i kanë gjuajt diku apo i kanë gropos, mirëpo një ushtar ka shkuar me shikuar në bunar ka qenë disa shkumë të bardhë dhe tha këtu janë, e kemi gjet një litarë e kemi lidh një ushtar në trup dhe e kemi leshu poshtë, i ka pa, i ka lidh me një litarë tjetër dhe i kemi nxjerr dhe i kemi varros në mal”, tregon Mulliqi.

E gjithë të vratët që më pas janë djegur, po qëndrojnë në një arkivol.

“Në varrezën ku janë 51 persona është në një arkivol sepse ka qenë e pa mundur t’i selektojmë, me i nda në atë dhomë kanë qenë fillimisht.. 59 persona kur kanë ardh i kanë marrë babin dhe Ymerin, i kanë qit jashtë, i kanë vra, kanë mbet 57 pas ekzekutimet, pas krejt atij gjenocidi nga ajo dhomë kanë dal gjashtë persona që sot janë pesë një ka ndërruar jetë mbas lufte. .. Ne nga Serbia e kemi prit, kemi qenë të përgatitur psiqikisht sepse e kemi parë se çka ka bërë në Kroaci e në Bosnje, mirëpo nuk e kemi prit në këtë masë dhe në këtë mënyrë dhe mos me u kursye as foshnja 6 muajsh, ne nuk e kemi prit, mirëpo kjo ka ndodh, ne jemi të zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare deri në funde”, shton ai më tej.

Shtëpia trikatëshe në Poklek të Drenasit po ruan gjurmët e krimit. Fadil Muqolli i cili humbi 13-anëtarët e familjes, tregon për dëshmitë që kanë mbetur brenda katër mureve.

“Këtu i kemi vendosur librat e motrës, ka qenë në klasë të tretë, çika e axhës ka qenë studente, Zarifja, ka ardhur një javë para se me ndodh masakra dhe u vra këtu. Këtu janë librat e Shehides dhe të dy djemve të Naserit dhe Ylberit, çanta e djemve, këto janë gjërat që kanë qenë brenda në shtëpi. Këtë karrige ia kam marrë vajzës kur ka qenë e vogël… Këtë vizatim forcat që e kanë krimin është një figure e njeriut dhe emrin e ka shkruar këtu por prapë e ka fshi… Këto janë fotografitë e dhomës ku është përfunduar masakra, këtu është arkivoli i 51 personave, ajo është shkrimi i vajzës”, tha Muqolli.

Fjalë më të mira nuk ka as për drejtësinë ndërkombëtare, që sipas tij, po bëjnë shkelje të madhe. Muqolli ende jeton me kujtimet e 13 anëtarëve të familjes.

“Institucionin për drejtësi që është në Kosovë, unë thash më herët që nuk i besoj drejtësisë ndërkombëtare sepse është fsheh krimi, departamentit për krime lufte që është në Kosovë, unë nuk pranoj që me dokumente që janë prodhuar nga UNMIK-u dhe EULEX në dosjen e holokaustit në Poklek, ata nuk i pranoj me ato dosje të punojnë rreth kësaj masakre sepse ata vetëm drejtësi nuk kanë bërë, kanë fsheh, kanë bërë pazare se ata duhet ta thonë se çfarë pazare kanë bërë se të fsheh një holokaust, ku janë djeg 23 fëmijë, nga foshnja 6 muajsh deri në moshën 13-vjeçare, kjo nuk dëshiron koment, andaj e them me bindje të plotë se me ato dosje unë nuk i pranoj dhe nuk bashkëpunoj rreth kësaj masakre”, u shpreh Muqolli.

Derisa gjaku nuk është tharë ende në muret e shtëpisë ku ndodhi masakra më e madhe, Muqolli kërkon drejtësi për familjen e tij.

“Më 21 prill kam ardhur, kam hy në podrum me Nehat Sylejmanin, kur e kam hap derën, ajo dera ka qenë ngjit, kur kam hy brenda, kam shkel si në ujë dhe e kam ndez dritën, kam shikuar sepse nuk ka qenë me ujë, kur e kam ndez dritën ka qenë e gjitha me gjak. Këtu ka qenë duke pik gjaku, dhe këtu në muri ka qenë gjak deri në tokë. Ky gjak është duke i pritur për atë drejtësi që fola”, tregonte Muqolli për atë që ka parë.

Atij kujtim i kanë mbetur edhe flokët e djalit, katër vjeçar, të cilin ia vranë forcat serbe.

“Këto janë rrobat e familjes sepse atë ditë ka qenë një ditë me shi kur janë ardhë që janë kthye nga Drenasi, i kanë ndërruar rrobat e lagura dhe i kanë vesh të terura, këtu janë rrobat e tre djemve të mi, këto janë rrobat e gruas, këtu janë pantallonat që i kanë pas atë ditë që i kanë ndërruar, kjo është xhaketa e motrës, ka qenë e plagosur në dorë dhe nuk ka pranru me dal nga shtëpia. E kam pas djalin 4 vjeç i ka pas flokët e gjata dhe ia kam prerë kur ka filluar lufta, pasi që ia kam prerë i kam ruajt flokët, dhe flokët i kam në arkivol që i kanë ruajtut”, përfundon Muqolli.

25 vjet më parë në Poklek të Drenasit u vranë, u masakruan dhe u djegën 53 shqiptarë. Prej tyre 23 fëmijë, 12 vajza, dy djemë, 14 gra, e dy burra.

Continue Reading

Lajmet

Ndërpritet qarkullimi i trenave në Kosovë: Sindikata e Infrakos hyn në grevë, pezullohen të gjitha linjat

Published

on

By

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë sot, më 9 nëntor, si pasojë e grevës së paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos.

Ndërmarrja Trainkos ka njoftuar se treni me numër 4201, i nisur nga Prishtina në orën 07:50, është ndalur në Fushë-Kosovë pasi Infrakos ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve infrastrukturore në orën 08:00.

Pas këtij treni, të gjitha linjat e tjera hekurudhore janë pezulluar deri në normalizimin e plotë të situatës.

Trainkos ka kërkuar mirëkuptim nga udhëtarët, duke theksuar se shërbimet e transportit do të rikthehen sapo të krijohen kushtet e nevojshme, ndërsa qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim. Punëtorët e Infrakos kishin paralajmëruar këtë grevë qysh gjatë protestës së mbajtur më 26 tetor para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Kërkesat e tyre kryesore përfshijnë indeksimin e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë, duke drejtuar akuza ndaj bordit dhe menaxhmentit për mosplotësimin e tyre. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosovari Rexhep Rexhepi fiton çmimin kryesor “Aiguille d’Or” që njihet si “Oscari” i orëndreqjes

Published

on

By

Orëndreqësi me origjinë nga Kosova që jeton dhe vepron në Zvicër, Rexhep Rexhepi, ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar çmimin prestigjioz “Aiguille d’Or” gjatë ceremonisë madhështore të Grand Prix d’Horlogerie de Genève (GPHG).

Ky çmim, i cili konsiderohet si “Oscari” i industrisë së prodhimit të orëve, ishte i hapur për të gjitha kategoritë. Rexhepi triumfoi me modelin e tij “Chronograph Flyback”, duke pasuar gjigantin e industrisë Breguet që e kishte fituar atë një vit më parë.

Ora fituese dallon për përmasat elegante dhe fushën në ngjyrë blu të errët të punuar me teknikën tradicionale Grand Feu, e frymëzuar nga kronografët e vjetër të orëve të xhepit. Çmimi zyrtar i orës fituese është 150 mijë franga zvicerane, rreth 160 mijë euro, mirëpo vlera e saj në tregun e koleksionistëve pritet të jetë dukshëm më e lartë. Rexhepi e nisi karrierën e tij si praktikant 15-vjeçar te kompania e njohur Patek Philippe, ndërsa sot udhëheq markën e tij të pavarur në Gjenevë.

 

Në këtë edicion të GPHG-së garuan 84 orë dhe mekanizma kohorë në 14 kategori të ndryshme. Fituesit u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare ekspertësh, ku për herë të parë organizatorët hoqën ndarjet gjinore duke prezantuar kategori të reja teknike si Essential Watch dhe Complication Watch.

Continue Reading

Lajmet

Shiroka Pula nderon 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka nderuar 14 ushtarët britanikë që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë, në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.

Ceremonia është mbajtur në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar. Në këtë ceremoni, Shiroka Pula ishte e shoqëruar nga ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, përfaqësues të korit diplomatik, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Presidentja Shiroka Pula ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe sakrificën e ushtarëve britanikë, duke theksuar se Kosova do ta kujtojë gjithmonë mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar.

Ajo ka vlerësuar përkushtimin e ushtarëve që dhanë jetën në shërbim të paqes dhe sigurisë së Kosovës.

Nga Ekonomia Online

 

Continue Reading

Lajmet

Trump është një histori e mbaruar, këta janë tre skenarët që e presin Amerikën dhe botën

Published

on

Sipas Kushtetutës së SHBA-së, ai nuk mund të kandidojë më për president, kështu që Partia Republikane, pas dekadash ndikimi politik, duhet të gjejë një pasardhës

 

Edhe pse Donald Trump ka ende pak më shumë se dy vjet të mbetura në mandatin e tij si president, rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit, ku republikanët pësuan debakël, kanë hapur çështjen e trashëgimisë së tij politike, të ardhmen e Partisë Republikane dhe drejtimin që SHBA mund të merr pas largimit të tij.

Në zgjedhjet e mbajtura më 3 nëntor, republikanët humbën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, dhe demokratët arritën fitore në shtetet federale që kishin qenë fortesa republikane për dekada.

Për republikanët, por edhe për Amerikën dhe pjesën tjetër të botës, pyetja më e rëndësishme afatgjatë është se çfarë do të ndodhë pas largimit të Trump. Sipas Kushtetutës së SHBA-së, ai nuk mund të kandidojë më për president, kështu që Partia Republikane, pas dekadash ndikimi politik, duhet të gjejë një pasardhës.

Ndryshe nga republikanët tradicionalë, të cilët mbështesnin tregtinë e lirë, aleancat e forta ndërkombëtare dhe lidershipin amerikan në botë, Trump iu drejtua proteksionizmit dhe politikave që shpesh vinin në pikëpyetje marrëdhëniet e mëparshme ndërkombëtare.

Sa shumë ka ndryshuar politika amerikane tregohet nga një video nga fushata presidenciale e vitit 2008, e cila ka qarkulluar në rrjetet sociale për vite me radhë. Në të, kandidati republikan John McCain mbron kundërshtarin demokrat Barack Obama nga sulmet e mbështetësve të tij.

Hulumtimi tregon gjithashtu se sa larg janë larguar ideologjikisht të dy partitë. Sipas një analize të Gallup, pjesa e republikanëve që e konsiderojnë veten konservatorë është rritur nga 58 për qind në vitin 1994 në një rekord prej 77 për qind në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, pjesa e republikanëve të moderuar ka rënë nga 33 në vetëm 18 për qind.

Gallup arrin në përfundimin se polarizimi ideologjik i partive amerikane ka arritur nivelin e tij më të lartë në të paktën tri dekada. Ky proces filloi shumë kohë para mbërritjes së Trump në skenën politike, por ngritja e tij e ka thelluar më tej atë.

Një mundësi është që Partia Republikane të vazhdojë politikat e Trump edhe pas largimit të tij. Një kurs i tillë do të nënkuptonte vazhdimin e politikave kufizuese të imigracionit, proteksionizmin ekonomik dhe mosbesimin ndaj institucioneve ndërkombëtare.

Kjo është diskutuar brenda partisë për muaj të tërë. Në shtator, zyrtarët republikanë dhe analistët konservatorë vlerësuan se partia nuk ka gjasa të kthehet thjesht në politikat e Ronald Reagan. Pyetja kryesore është se sa radikal do të ishte një Trumpizëm i tillë.

Ndërsa disa republikanë mund të përpiqen të zbusin aspektet më të diskutueshme të politikave të Trump, të tjerët mund të nxjerrin përfundimin krejt të kundërt nga humbja zgjedhore.

Analisti politik Thomas Gift pranë Kolegjit Universitar Londër, në një analizë të publikuar në faqen e internetit të London School of Economics, paralajmëron për mundësinë që disa republikanë të arrijnë në përfundimin se Trump nuk ishte mjaftueshëm radikal. Ndër pasardhësit e mundshëm që mund të tërheqin votues të tillë, ai përmend sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.

Ndarjet brenda lëvizjes MAGA nuk janë aq të thjeshta. Ndër avokatët e Trumpizmit të linjës së ashpër, ka edhe ata që kundërshtojnë ndërhyrjet ushtarake amerikane. Njëri prej tyre është Steve Bannon, ish-strategu kryesor i Trump, i cili mbështet një politikë të fortë nacionaliste dhe proteksioniste, por është fuqimisht kundër një lufte kundër Iranit.

Përveç Bannon, ky krah i lëvizjes MAGA përfshin edhe komentatorin konservator Tucker Carlson, i cili mbështet një politikë “Amerika e Para”, por kundërshton ndërhyrjet ushtarake amerikane. Zëvendëspresidenti JD Vance, i cili kritikoi hapur luftën kundër Iranit pas humbjes së republikanëve, ka filluar të pozicionohet në këtë drejtim.

“Arsyeja pse humbëm është lufta”, shkroi Vance në rrjetin social X. Duke vepruar kështu, ai u distancua publikisht nga vendimi i Trump për të sulmuar Iranin, megjithëse si zëvendëspresident më parë kishte mbrojtur operacionin ushtarak amerikan.

Pas zgjedhjeve, Vance veçoi katër kërkesa nga votuesit e pakënaqur të Trump: një fund të luftës, ulja e kostos së jetesës, kthimi në politikën “Amerika e Para” dhe ndryshimi i marrëdhënies së Amerikës me Izraelin. Analiza e tij u mbështet edhe nga Donald Trump Jr., gjë që tregon se mendime të tilla kanë mbështetje edhe në një pjesë të rrethit më të ngushtë politik të Trump.

Një mundësi e tretë është që pas largimit të Trump, republikanët të përpiqen të rivendosin konservatorizmin tradicional që ka karakterizuar partinë për dekada.

Megjithatë, një kthim te republikanizmi i vjetër do të ishte kompleks sepse Trump ka ndryshuar thellësisht bazën e partisë gjatë dekadës së fundit.

Për pjesën tjetër të botës, pyetja më e rëndësishme është nëse largimi i Trump do të thotë gjithashtu një kthim në politikën e jashtme amerikane të parashikueshme. Përgjigja nuk është e thjeshtë sepse disa procese, mbi të gjitha distancimi gradual amerikan nga Evropa dhe rivaliteti gjithnjë e më i theksuar me Kinën, po zhvilloheshin edhe para se ai të vinte në pushtet.

Çështja e sigurisë është veçanërisht e rëndësishme për Evropën. Edhe kthimi i republikanëve më tradicionalë ose fitorja e demokratëve nuk do të thotë domosdo rivendosjen e rolit amerikan siç e njihte kontinenti para Trump.  Kjo nuk do të thotë që qëndrimi ndaj Rusisë do të mbetet i njëjtë. Kongresi Demokratik mund të mbajë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj Moskës.

Marrëdhëniet me Kinën nuk do të ndryshojnë domosdo ndjeshëm. Kundërshtimi i ndikimit në rritje ekonomik dhe ushtarak të Kinës është një nga fushat e pakta të politikës amerikane për të cilën ka një marrëveshje të gjerë ndërpartiake.

Megjithatë, ekziston një problem tjetër. Trump mbetet president deri në janar 2029, dhe një humbje politike nuk do të thotë domosdo se ai do të udhëheqë një politikë të jashtme më të moderuar gjatë mandatit të mbetur.

Burimi: Kosovapress

Continue Reading

Të kërkuara