Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit, duke lënë në fuqi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.
Sipas Supremes, gjykatat më të ulëta kanë analizuar në detaje të gjitha provat, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizës, provat materiale dhe video-incizimet nga banesa ku qëndronin i akuzuari dhe viktima. Nga këto prova është konstatuar se viktima kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e dhunës së ushtruar nga i akuzuari.
Raporti i autopsisë dhe ekspertët mjeko-ligjorë kanë vërtetuar se vdekja erdhi si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore të shkaktuara me mjet të fortë, duke mbështetur kualifikimin e veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.
Gjykata Supreme rrëzoi edhe pretendimet e mbrojtjes për parregullsi procedurale, ekspertizë psikiatrike dhe ndikim të substancave narkotike, duke theksuar se i akuzuari ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.