Lajmet

Gashi për zjarrin në IML: Qeveria po digjet nga flakët e pushtetit

Published

on

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi deklaroi se zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore mund të jetë shkaktuar me qëllim të zhdukjes së rasteve kriminale. Ai numëroi tri skandalet, që sipas tij, ka bërë qeveria gjatë një jave. Në seancë plenare, Gashi u shpreh se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte deklaruar se nuk ka dëmtim të mostrave dhe të arkivës.

Ai theksoi se bazuar në raportimet, deklarimi i tillë nuk është i vërtetë. Po ashtu ai tha se skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar.

“Skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar, për të cilën në detaje do të flas pas meje deputeti Avdullah Hoti. Skandali i dytë është djegia për herë të dytë e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që për në vetvete jo vetëm që është skandal por është një rast jashtëzakonisht i rëndë, i cili nuk mund të tolerohet. Nuk mund të tolerohet sepse flitet për Institutin e Mjekësisë Ligjore, i cili ka për detyrë dhe funksion të merret me hulumtimin shkencor të rasteve të vdekjeve, vrasjeve, vdekjeve të dyshimta e të tjerë. E më e rëndë bëhet akoma kur kjo ndodhë për herë të dytë. Ndodhë për herë të dytë djegia e këtij instituti dhe po ashtu nëse e marrim dhe e shohim qëndrimet e ministres së Drejtësisë, kjo situatë merr përmasa kriminale. Pra ministrja e Drejtësisë deklaron publikisht se nuk ka dëmtim të arkivës, nuk ka dëmtim të mostrave mortore që mbahen në këtë Institut dhe ndërkohë në media raportohet dhe rezulton se jo që ka dëmtim të arkivës, jo vetëm që ka dëmtim të mostrave, por ka dëmtim të mbetje mortore të komandantit legjendar Adem Jashari, ka dëmtim të mostrave të komandantit tjetër Isa Boletini, e mos të flasim për raste të qytetarëve të tjerë, të cilat mund të kenë dhe përmbajtje të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale”, ka thënë ai.

Ai tha se kjo qeveri erdhi me flakë në pushtet, por ai akuzoi pushtetin për qeverisje kriminale.

“Një qeveri e cila erdhi me flakë në pushtet, po digjet nga flakët e pushtetit si rezultat i paaftësisë qeverisëse dhe qeverisjes kriminale. Këtu kemi dy elemente, paaftësi qeverisëse dhe qeverisje kriminale. Dhe këto dyja kur bëhen bashkë janë fatale. Pra, fataliteti i këtyre rasteve dhe i paaftësisë qeverisëse vërehet edhe në shtimet e grabitjes me dhunë dhe rastet tjera të cilat janë vërejtur ditëve të fundit”, shtoi ai.

Gashi përmendi edhe pagën e këshilltarit Gani Jakupi, i cili është angazhuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Ne e kemi pas një rast të ngjashëm ku për gjysmën e kësaj page, ka qenë i angazhuar nga presidenca e Kosovës, një person me renome të jashtëzakonshme ndërkombëtare, ambasadori Ëilliam Ëalker. Ka qenë i angazhuar me një pagë diku rreth 3500 euro për Kosovën. Është denigruar në këtë kuvend nga LVV, është poshtëruar angazhimi i tij për të punuar për institucionet e Kosovës duke e ditur çfarë reputacioni ka ai person, duke ditur çfarë kontributi ka dhënë ai për Republikën e Kosovë. Dhe ai denigrim që i është bërë për një angazhim me pagë 3500 euro me qëllim politik nga LVV, çka ndodh tash me një person anonim i cili angazhohet me një pagë rreth 7500 euro dhe Lëvizja Vetëvendosje hesht. Duhet të kemi sqarime për këto”, përfundoi ai.

Lajmet

Sot 30 vjet u hap Zyra Amerikane në Kosovë

Published

on

Si sot, para 30 vitesh, më 5 qershor 1996, u hap Zyra Amerikane në Kosovë në praninë e shumë qytetarëve të gëzuar shqiptarë, me pjesëmarrje nga zyrtarë të lartë amerikanë. Presidenti Ibrahim Rugova ishte aty për ta ngritur flamurin amerikan në përfaqësinë e SHBA-ve në Prishtinë.

Kjo ka qenë ngjarje e madhe për Kosovën.

Nën udhëheqjen e Presidentit Rugova, në rrugën e vet të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë, Kosova ishte ankoruar me Perëndimin. “Ditë historike për Kosovën” e ka quajtur Rugova vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë.

Në ceremoninë e hapjes së Zyrës Amerikanë morën pjesë John Kornblum, ndihmës sekretar amerikan i shtetit, Kongresmeni Eliot Engel, Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, diplomatë të tjerë amerikanë dhe zyrtarë vendor.

Hapja e Zyrës përbën një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës dhe në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro‑amerikane. Kjo zyrë ishte përfaqësia e parë zyrtare amerikane në Kosovë dhe shënoi një hap të rëndësishëm diplomatik disa vite para fillimit të luftës.

Ajo u hap në një kohë kur Kosova ndodhej nën një regjim të ashpër politik dhe administrativ, ndërsa kërkesa për pavarësi dhe përkrahje ndërkombëtare ishte në rritje. Hapja e kësaj zyre u pa si një sinjal i qartë i interesimit të Shteteve të Bashkuara për situatën në Kosovë dhe si një mbështetje morale për popullin shqiptar.

Zyra Amerikane në Prishtinë  shërbeu si kanal komunikimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve politike e shoqërore në Kosovë, duke ndihmuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Pas luftës së vitit 1999, kjo zyrë mori një rol edhe më të madh, duke shërbyer si misioni kryesor diplomatik i SHBA‑së në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë më 2008, kur u shndërrua zyrtarisht në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Foto: Ridvan Slivova

 

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu: E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në proceset evropiane dhe ka kërkuar trajtim të barabartë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në deklarimin e saj para mediave, ajo theksoi se e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Evropian. Pjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit Haxhiu e quajti shumë të rëndësishme.

“Siç e dini, sot do të diskutojmë tema të rëndësishme që lidhen me sigurinë dhe zgjerimin e BE-së. Duhet të theksoj se e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian i bashkuar dhe më i gjerë është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që duan të krijojnë paqëndrueshmëri në Evropë”, u shpreh ajo.

Haxhiu ka thënë se Kosova ka bërë reforma të rëndësishme dhe se po punon për të ardhmen evropiane, duke qenë plotësisht në përputhje me forumin e BE-së dhe politikën e sigurisë.

“Nga ky samit presim diskutime të frytshme nga të gjithë përfaqësuesit dhe rezultate pozitive. Kjo është arsyeja pse Kosova meriton pyetësorin, statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Duhet të theksoj se integrimi në BE nuk është vetëm një proces teknik. Ka të bëjë me prosperitetin, ka të bëjë me paqen, demokracinë dhe dinjitetin për Evropën dhe për popullin tonë”, ka thënë Haxhiu.

Continue Reading

Lajmet

Mbi 100 prokurorë do të mbikëqyrin zgjedhjet e 7 qershorit

Published

on

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se mbi 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial do të angazhohen për mbikëqyrjen e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, me qëllim garantimin e integritetit të procesit zgjedhor në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe për sigurimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe transparent.

“Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, Prokurori i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve, subjekteve politike dhe organizatave që të raportojnë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim apo manipulim të votës.

“Ftojmë qytetarët dhe të gjitha palët e përfshira që të denoncojnë çdo rast për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre”, theksohet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Aktori i Hollywood-it James Handy vdes në moshën 81-vjeçare pas sulmit me thikë

Published

on

Aktori veteran i Hollywood-it, James Handy, ka vdekur në moshën 81-vjeçare pasi u sulmua me thikë për vdekje në shtëpinë e tij në Tarzana të Los Angelesit, ka raportuar The Guardian.

Sipas Policisë së Los Angelesit (LAPD), Handy është gjetur pa ndjenja në oborrin e shtëpisë së tij me plagë të shumta në kraharor.

Për rastin është arrestuar 44-vjeçari Michael Gledhill, djali i partneres së aktorit, i cili jetonte në të njëjtën shtëpi me nënën e tij dhe viktimën. Ai po hetohet për vrasje.

Sipas autoriteteve, personi që kishte telefonuar në numrin emergjent 911 ka deklaruar: “Unë jam biri i njeriut, sapo e vrava njeriun e mëkatit”. Ndërkohë, i dyshuari më vonë u ka thënë policëve: “Jam personi që po kërkoni”, kur ata mbërritën në vendngjarje.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari banonte në këtë adresë së bashku me nënën e tij, e cila ishte partnerja e viktimës.

James Handy ka lindur në New York dhe ka ndërtuar një karrierë që ka zgjatur pothuajse pesë dekada. Ai është bërë i njohur për role në filma si “Jumanji”, “Logan” dhe “Top Gun: Maverick”, si dhe në seriale të njohura si “Law & Order”, “NCIS: Los Angeles” dhe “Criminal Minds”.

Karrierën e nisi në vitin 1977 me serialin “Ryan’s Hope”, ndërsa paraqitja e tij e fundit në film ishte në vitin 2022 me “Top Gun: Maverick”.

Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se hetimet për motivin e ngjarjes vazhdojnë.

Continue Reading

Të kërkuara