Op-Ed

Fundi i një lufte apo një “konflikt i ngrirë”?!

Published

on

(Rifillimi, “Ngrirja e një konflikti” për t’u ndezur një tjetër)

Shkruan: Prof.dr. Bahri Gashi

Invazioni ushtarak rus po vazhdon ende nën ritme dhe të njëjtin intensitet brenda territorit ukrainas, duke u karakterizuar me përshkallëzim të konfliktit Rusi – Ukrainë, në një luftë me përmasa shkatërrimtare, të sinkronizuar, poligon i gjerë i testimit të gjeneratës së fundit të arsenalit të armëve dhe sistemeve shumëfunksionale raketore, dronëve bombardues, aftësive të mjeteve të tjera luftarake, aspektit të mbijetimit, sinkronizimi i një propagande të vazhdueshme kërcënuese bërthamore.

Treguesit e këtij intensiteti, i cili kohë paskohe po shpërfaqej me fuqi demostruese të armëve të shkatërrimit në masë, si efekte parapsikologjike, një gatishmëri evidente e kërcënimit bërthamor, mjete plasëse termobarike të palejuara për përdorim në luftëra konvencionale, janë pjesë e fushatës së përditshme të Rusisë karshi Ukrainës dhe Evropës, përfshirë Ballkanin me intensifikm të një “lufte hibride”.

Kjo luftë me përmasa të përshkallëzimit, ka treguar edhe një dimension në rritje të fuqizimit të rolit dominues të paralajmërimeve të hershme nga shërbimet inteligjente dhe aktivizimit të diplomacisë ushtarake, si domosdoshmëri.

Këto instrumente, paralajmëruese nga faktorë të jashtëm, përshkroi ngjarjet e invazionit dhe të rezistencës së ukrainasëve, duke mos lejuar përshkallëzim dhe përplasje të drejtpërdrejtë NATO – Rusi. Kjo situatë e re lufte, do të shkaktonte: “Luftën e Hapur” apo thënë ndryshe “Luftën e Tretë Botërore”, ku përmasat e saj nuk do të menaxhoheshin shpejt dhe lehtë dhe do të tejkalonin çdo parashikim.

Në fakt, pa këto dy lloj shërbimesh, të inteligjencës dhe diplomacisë ushtarake – parandaluese, lufta në vend se të përfundonte, ajo do të fillonte me shkatërrime kolosale dhe të paimagjinueshme.

Në situata të këtilla, vështirë se do të ekzistojë parimi i nënshtrimit apo kapitullimit të nxitësit të këtij konflikti shkatërrues, edhe pse fajtori kryesor mbetet kreu i saj në Kremlin, Putini. Parë në shumë dimensione, gjerësisht kontekstin historik të rajonit, atë politik dhe gjeostrategjik të ndikimit të Rusisë në rajonet e synuara dhe ato të invaduara, pjesët e aneksuara nga Rusia, si dhe shumë qytete të mëdha në Ukrainë, pothuajse janë shkatërruar në mbi 90% të tyre, përfshirë gjithë infrastrukturën vitale, ku shkatërrimet përbëjnë dëme në disa dhjetra miliardë, pa përfshirë humbjet njerëzore.

Në këtë këndvështrim, mbi 20 milionë njerëz janë zhvendosur dhe një pjesë e tyre kanë braktisur Ukrainën. Lufta e këtyre përmasave do të përfundonte me shumëfish katastrofa në njerëz dhe dëme materiale, ende të pallogaritshme për fazën e deminimit, pastrimit nga rrënojat dhe në programin e rindërtimit.

Përllogaritjet e një bilanci të vetëm një dite, në një raportim të gjeneralit Valery Zaluzhny, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, u theksua se forcat ruse po vazhdonin të avanconin dhe të dominonin në Donbas.

Sipas Zaluzhny, “armiku vazhdon të përparojë përgjatë gjithë linjës. Në të njëjtën kohë, armiku kryen çdo ditë rreth 700-800 granatime të pozicioneve tona, duke përdorur nga 40 deri në 60.000 raketa”.

Në këtë arenë sistemesh predhash raketore, përpjekjet, gjithandej për të zhbllokuar të korrat, miliona sasi gruri të bllokuara, ndikimi i OKB së dhe roli i Turqisë, është treguar i fuqishëm dhe determiniues.

Në këtë dimension të negociatave detyrimisht, palët do të pranojnë parimin e dirigjuar për ndaljen e luftës në prag të stuhive dimërore.

Për pasojë të realitetit të krijuar, Ukrania duket se nuk do të ekzistojë në kufijtë aktual. Ndarjet e territoreve janë evidente dhe ato do të ndodhin; Ukraina do të riorganizohet në kuptimin e administrimit territorial. Edhe në raport ndaj NATO-s, duke ruajtuar të drejtën e subjektivitetit shtetëror në orientime strategjike. Riorganizimet territoriale, nënkuptojnë zgjerim dhe administrim në provincat e dy republikave, disa territore shtesë rusofolëse dhe territorin e Krimesë, duke u siguruar të ruaj resurset strategjike në tokë dhe në det.

Negociatat për fundin e kësaj lufte do të prekin edhe sektorin e reaktorëve nukleare – bërthamore, të cilët do të përfitonin një rivitalizim dhe modernizim me një monitorim tre palësh apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

Fundi i këtij konflikti të tmerrshëm do të karakterizohet me revolta civile kundër Putnit, të cilat do të shpërthejnë në Moskë. Putini do të bie si diktator dhe kriminel lufte nga pushteti dhe akuzohet për krime lufte, vrsaje kundër civilëve dhe krime kundër njerëzimit.

Si duket, fundi i kësaj lufte do të rinisë një “konflikt të ngrirë” në mes Rusisë, Ukrainës dhe NATO-s, i cili po ashtu do të shënojë edhe rimendimin dhe riorganizimin edhe të NATO-s, me zgjerim drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, fundi i kësaj lufte po rinis një tjetër “konflikt të ngrirë”, i cili edhe po shënon hapjen e një konfliktit të ri në Azi në mes Kinës dhe Taivanit, i cili nga konflikti ekonomik, ekzistojnë shqetësimet dhe paralajëmrimet serioze për një konflikt të përshkallëzuar të karakterit konvencional, duke demonstruar stërvitje intenzive ushtarake nga flota detare kineze. Derisa Tajvani e konsideron veten si shtet sovran, Kina e sheh atë si provincë të shkëputur, prandaj historia e konflikteve dhe e luftërave të ndezura ka treguar se “konfliktet e ngrira”, rrjedhimisht problemet e pazgjidhura, zakonisht shpërthejnë kurdo. Ato gjiithnjë janë burim dhe vatra (mina të pashpërthyera) të krizave të përhershme.

Potencialisht “Konfliktet e ngrira” janë pranë shpërthimit në çdo kohë, për sa kohë zgjidhja të mos artikuloj karakterin gjithpërfshirës të interasave nacionale dhe atyre gjeostrategjike të palëve të përfshira në konflikte, zakonisht të ndodhura për resurse dhe territore të reja strategjike dhe gjeoekonomike.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, profesor në Fakultetin për Studime të Sigurisë në UBT, i specializuar dhe njohës i Politikave të Sigurisë dhe Inteligjencës)

Op-Ed

Gazetaria e sotshme dhe ajo hulumtuese, e skajshme, periferike dhe larg problemeve akute që po na rrethojnë

Published

on

Nga Musa Sabedini – E tërë lufta në gazetarinë ditore dhe informative ka për qëllim që të tregoj të vërtetën, që të thuhet ajo kur dhe si duhet. Gazetaria kosovare fatkeqësisht e ka devalvuar këtë maksimë dhe në vend të saj, në të gjitha mediet nacionale, dominojnë lajmet protokollare të zbehta dhe të pa vlera.

E kam thënë edhe më herët se gazetaria online në Kosovë, duke mos përjashtuar as TV nacionale e radiot, po dominohet nga lajmet protokollare, të cilat ekskluzivisht përshkruajnë një hark të ngushtë Parlament – Qeveri – Presidencë – Shtabe të partive politike, e portrete me politikanët e subjekteve politike.

Dikur në mediet qendrore kishte edhe paralajmërime nga gazetar me zë dhe media kredibile në stilin “Super intervistë”, “Ekskluzive ose super ekskluzive me Albin Kurtin..etj”.

Ky trend me gjasë sivjet pak ka ndryshuar, pikërisht sepse u pa që as kryeministri e as kushdo tjetër, nuk ua rregullon gazetarëve, as kushtet financiare e as vendin e punës. Duke i dhënë hapësirë përherë lajmeve të kota nga Qeveria, Parlamenti, Presidenca dhe çfarëdo informacioni që del nga “klubet institucionale”, qytetari i rëndomtë mbetet larg realitetit dhe përditshmërisë.

Personalisht as nuk i postoj e as publikojë shtëpitë kafaz të tipit “Big Brother”, sepse për mua nuk kanë asnjë vlerë etike dhe të mos flas mediatike. Por kështu nuk po e shohin televizionet qendrore të cilat për interesa të tyre, e për klikime po janë në gjendje të shkaktojnë lloj – lloj krize me publikun.

Ndërsa kur erdhi puna te protestat e rrymës, u ndalë turri mediatik sepse nuk kishte ndonjë interes të theksuar prej asaj pune.

Media parasë gjithash ka rol edukues, ka rol këshillues e sensibilizues për të përkrahur çdo iniciativë të shoqërisë, të grupeve të shëndosha të interesit dhe të gjithë atyre që vërtet punojnë e veprojnë për një vend ligjor e demokratikë.

Unë parimisht përherë i kam përkrahur të gjitha nismat e gazetarëve kundër institucioneve kokëforta, por “Shefat” e medieve kryesore nuk duhet të dërgojnë gazetar të rinj e të papërvojë dhe të shohin si realizim të “ëndrrës” një përgjigje nga Albin Kurti apo Vjosa Osmani, e ndonjë lider tjetër politik.

Për mua këto prononcime dhe ky vrapim i gazetarëve shpërfaq një gjendje kaotike të vet medieve kryesore, që tolerojnë, që aq ulët e aq jo profesionalisht, lejohen të nëpërkëmbën nga ndonjë kryeministër që i mungon sjellja etike.

Gazetaria sot dhe ajo që do të vije pas nesh, duhet të fokusohet në tema problemore, tema të nxehta, trajtim serioz ndaj të gjitha dukurive negative, një hulumtim dhe hetim profesional për të gjitha dilemat e dyshimet, që lidhen me korrupsion e krim të organizuar.

Gazetaria hulumtuese sikur nuk ekziston fare në këtë Kosovë të dërmuar nga politikat shterpe. Gazetaria hulumtuese mund të praktikohet orë e çast në Kosovë, duke i parë defektet që i kemi si shoqëri.

Po kush e zhvillon dhe e avancon gazetarinë profesionale dhe atë hulumtuese. Sigurisht të gjithë ata, që e duan me shpirt e zemër gazetarinë, dhe të gjithë ata profesionist të vërtet që nuk tremben nga e vërteta që përshkruhet nga argumenti dhe vërtetësia e fakteve.

Hetoni, hulumtoni, zbuloni, verifikoni dhe raportoni, pa u ndaluar përkundër pengesave dhe presioneve tuaja. E dua një gazetari vërtet kredibile e cila i nënshtrohet një rregulli bazik e funksional, e kjo lidhet edhe me guximin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

Nuk po them që s`ka fare gazetari në Kosovë, e as hulumtuese, por kjo për momentin është e pamjaftueshme, për ta bërë më të përgjegjshme klasën politike, ndaj obligimeve shtetërore që kanë ata.

Media ka obligime publike për ta avancuar saktë, drejtë, shpejt, objektivisht, me argumente e saktësi çdo zhvillim që ndodhë rreth nesh.

Porosia për gazetarët e mediet servile ndaj pushteteve. Kurrë mos harroni se politika është jetëshkurtër, kurse profesioni e karriera e juaj në gazetari nuk vdes, e as shuhet kurrë. Gazetaria e mirë dhe e vërtetuar jeton gjithmonë në zemrat e çdo lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi.

Autori është gazetar profesionist dhe ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT. /UBT News/

Continue Reading

Op-Ed

A është Putini vërtet i interesuar për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë?

Published

on

By

Shkruan: Alfred Marleku

Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka shprehur mbështetje të kushtëzuar për propozimin amerikan, i cili më parë është pranuar edhe nga pala ukrainase, për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Megjithatë, ekzistojnë disa arsye kokëforta dhe strategjike që shpjegojnë se përse Putinit në fakt nuk i konvenon një marrëveshje e tillë, edhe pse ai me elegancë diplomatike dhe për të mos ofenduar Presidentin Trump, pohoi se është një propozim “me vend”.

Rusia ka aktualisht një avantazh strategjik në terren. Forcat ruse kanë arritur të rikthejnë gradualisht territore të humbura më parë dhe momentalisht janë në një pozicion të favorshëm për të forcuar më tej kontrollin e tyre në rajone strategjike. Sipas burimeve të shumta, në rajonin e Kurskut dhe në lindje të Ukrainës, forcat ruse janë afër spastrimit të plotë të forcave ukrainase pas muajsh të tërë inkursionesh të dështuara nga pala ukrainase. Në këtë kontekst, një armëpushim tani do të lejonte Ukrainën të rimarr frymë, të siguroj mbështetje shtesë ushtarake nga aleatët perëndimorë dhe të përgatitet për kundërofensivë, duke rrezikuar humbjen e avantazhit që Moska ka fituar me shumë kosto.

Putini e specifikoj se çdo marrëveshje për armëpushim duhet të çoj në “paqe të qëndrueshme dhe të eliminoj shkaqet rrënjësore të krizës”. Por, ajo që ai e quan “shkaqe rrënjësore” janë në fakt kërkesat maksimale të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Perëndimit. Ndër këto kërkesa, e para është mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO. Që prej fillimit të konfliktit, Kremlini ka theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën kërcënimin kryesor ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë dhe se një Ukrainë e lidhur me aleancën ushtarake perëndimore është e papranueshme për Moskën. Rusia kërkon një Ukrainë neutrale sa i përket rreshtimeve ushtarake, pra një shtet që nuk lidhet me asnjë bllok ushtarak dhe që nuk pranon trupa të huaja në territorin e saj.

Një tjetër kërkesë qendrore e Rusisë është njohja zyrtare si territor rus e rajoneve që Moska i ka aneksuar. Donetsku, Luhansku, Khersoni, Zaporizhzhia dhe Krimea konsiderohen nga Putini si pjesë integrale e Federatës Ruse dhe çdo armëpushim, sipas Moskës, duhet ta përfshijë pranimin e këtij realiteti të krijuar me forcë. Kjo kërkesë, natyrisht, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me vetë parimet e sovranitetit të Ukrainës.

Një kusht tjetër i shpallur nga Kremlini është refuzimi kategorik i vendosjes së trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ukrainë. Rusia kundërshton çdo ide që do të sillte forca ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin ose për të mbikëqyrur zbatimin e tij, pasi kjo do të dobësonte kontrollin rus dhe do të nënkuptonte pranimin e një roli të drejtpërdrejtë të Perëndimit në zgjidhjen e krizës.

Në këtë sfond, edhe pse Putin deklaron publikisht se “në parim” pajtohet me propozimet për ndalim të luftimeve, ai njëkohësisht thekson se “armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme”, duke përsëritur se shumë çështje mbeten të hapura dhe se çdo marrëveshje duhet të garantoj sigurinë afatgjatë të Rusisë. Në të vërtetë, këto janë vetëm mënyra diplomatike për të thënë se pa plotësimin e këtyre kërkesave, armëpushimi nuk është realisht i mundshëm.

   

 

Autori është profesor i Shkencave Politike

 

Continue Reading

Op-Ed

Arabia Saudite si sinjal i qartë strategjik nga ShBA-ja

Published

on

By

Shkruan: Alfred Marleku

Takimi i nivelit të lartë mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite ka provokuar supozime mbi sinjalet strategjike që Uashingtoni dëshiron të përcjellë përmes përzgjedhjes së këtij lokacioni. Në vend që negociatat të mbaheshin në një kryeqytet evropian, siç ka qenë praktikë e zakonshme për çështje të lidhura me luftën në Ukrainë, ShBA-ja ka zgjedhur Riadin si arenën diplomatike për këto bisedime. Ky vendim reflekton një lëvizje të qëllimshme në strategjinë globale të Uashingtonit, e cila shkon përtej Ukrainës dhe përfshin balancimin e fuqisë në skenën ndërkombëtare.

Një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e Arabisë Saudite është sinjalizimi i një zhvendosjeje të interesave strategjike të ShBA-së nga Evropa drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme. Lufta për dominim global nuk është më e kufizuar në konfliktin Rusi-Ukrainë, por përfshin garën për hegjemoni mes ShBA-së dhe Kinës. Uashingtoni e kupton se sfida kryesore dhe afatgjate nuk është Rusia, por Kina, një rival i aftë të sfidoj epërsinë amerikane në aspektin ekonomik, teknologjik dhe ushtarak. Për këtë arsye, ShBA-të po përpiqen të ripërcaktojnë prioritetet e tyre duke e zhvendosur fokusin në Indo-Paqësor dhe Lindjen e Mesme, ku ndikimi kinez është në rritje. Këtë e mbështet edhe deklarata e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili deklaroi se evropianët nuk mund të supozojnë se prania ushtarake e Amerikës në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Një tjetër mesazh i qartë i këtij takimi është dobësimi i rolit të Evropës në negociatat për të ardhmen e Ukrainës. Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, vendet evropiane janë rreshtuar pas Uashingtonit, duke mbështetur Kievin me ndihma ushtarake, humanitare e financiare. Megjithatë, zgjedhja e Arabisë Saudite për këto bisedime nënkupton se ShBA-ja nuk e sheh më Evropën si një aktor kryesor në formësimin e një marrëveshjeje të mundshme. Në vend që të lejoj Brukselin ose ndonjë tjetër kryeqytet evropian të ndikoj dialogun me Moskën, Uashingtoni e pozicionon veten si arbitri ekskluziv i çdo zgjidhjeje të mundshme. Kjo i jep Shteteve të Bashkuara fleksibilitet më të madh për të manovruar sipas interesave të veta, pa qenë i detyruar të marrë parasysh shqetësimet evropiane.

Për më tepër, shumë vende evropiane që për dekada të tëra kishin ruajtur statusin e neutralitetit ushtarak, si Finlanda dhe Suedia, të shtyra nga pushtimi rus i Ukrainës, e braktisën këtë status për t’u anëtarësuar në NATO. Ky ndryshim ka ndikuar në perceptimin e tyre si ndërmjetës të mundshëm në negociatat për të ardhmen e Ukrainës, duke e dobësuar rolin e tyre si vende të përshtatshme për të ndërmjetësuar në bisedimet diplomatike.

Ndërkohë, Arabia Saudite ka ambicie të qarta për t’u pozicionuar si lojtar kyç në diplomacinë globale. Ky takim i jep Riadit një platformë për të forcuar statusin e tij si ndërmjetës në konfliktet ndërkombëtare, duke konsoliduar pozitën e tij si një fuqi rajonale me ndikim global. Për ShBA-në, afrimi me Arabinë Saudite është një investim në një partner të fuqishëm që mund të ndihmoj në ekuilibrimin e pushtetit në Lindjen e Mesme.

Fakti që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar në këtë fazë të bisedimeve ka shkaktuar alarm në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane. Ukraina ka bërë të qartë se nuk do të pranoj asnjë marrëveshje që arrihet pa pjesëmarrjen e saj. Megjithatë, ky hap tregon qasjen realiste dhe pragmatiste të administratës amerikane. Uashingtoni po teston terrenin për mundësinë e një marrëveshjeje me Moskën për të ulur tensionet, pavarësisht qëndrimit të Kievit. Nëse kjo do të thotë një marrëveshje që e lë Ukrainën në një pozicion të pafavorshëm, kjo nuk do të jetë hera e parë që një fuqi e madhe sakrifikon interesat e një aleati më të vogël për të formësuar rendin ndërkombëtar sipas interesave të saj.

Zgjedhja e Arabisë Saudite si vend për negociatat mes ShBA-së dhe Rusisë për konfliktin në Ukrainë nuk është thjesht një çështje e përshtatshmërisë logjistike të palëve. Ajo përcjell mesazhe të qarta strategjike që përfshin zhvendosjen e vëmendjes gjeopolitike amerikane drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme, zbehjen e rolit të Evropës në bisedime dhe pozicionimin e ShBA-së si aktori kryesor në përpjekjet për një zgjidhje diplomatike. Për Ukrainën dhe Evropën ky zhvillim është një sinjal se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për fatin dhe sigurinë e tyre në të ardhmen.

 

Autori është profesor i Teorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Gjeopolitikës në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT

Continue Reading

Op-Ed

Sabedini: Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur, që etikën ta kem në plan të parë

Published

on

By

Prishtinë – Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar. Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë është shprehur profesori, gazetari e publicisti Musa Sabedini, në parathënien e librit: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”.

Pjesë të shkëputura nga parathënia e autorit

Libri im i radhës, “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, po vjen në një kohë kur media kosovare në përgjithësi është e mbuluar dhe e përcjellë me shumë gabime e të meta, që shkojnë në dëm të etikës gazetareske.

Libri, gjithashtu, erdhi si rezultat i punës sime të palodhshme disavjeçare, gjatë së cilës jam përpjekur ta avancoj etikën, në të gjitha dimensionet.

Përvoja ime mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe atë hulumtuese, përvoja tjetër mbi 13-vjeçare si themelues i një portali me ndikim dhe po kaq vite si pjesë e Bordit të KMSHK-së, më mundësuan të mësoj shumë për gabimet e përditshme që bëjnë portalet dhe të metat e shumta, që shfaqen gjatë të bërit gazetari online.

Në libër kam shtjelluar e trajtuar rolin e etikës në gazetari, në media, rolin e etikës në jetën e përditshme, në shkrime e tekstet tona, që i plasojmë çdo çast. Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike.

Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar.

Kuptohet etikën nuk duhet ta ruajnë apo ta avancojnë vetëm mediat e gazetarët, sepse ajo duhet të respektohet edhe nga lexuesit, dhe ata që i kemi sy e vesh, për punën tonë të përditshme. Etikën si teori ose etikën në gazetari e kam dashur qysh nga fillet e para të gazetarisë sime. Por kjo më hyri në shpirt kur startova me portalin tim, prej nga kisha mundësi të shihja gabime të shumta nga portalet e tjera, shikoja sesi etika sakatohej, keq e më keq, dhe askush nuk ndërmerrte masa.

Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur që etikën ta kem në plan të parë, pa anashkaluar shkrimin e fuqishëm ose hulumtues. Në vitin 2009 isha në SHBA, në një trajnim për gazetari hulumtuese, dhe atje pash se etika ishte tema e parë e çdo profesori që ligjëronte në degën e gazetarisë.

Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Kam marrë referenca nga qindra studiues amerikanë, kanadezë, japonezë, turq, gjermanë, austriakë, indianë, kroatë, shqiptarë, studiues e ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhen me etikën. Pra, në libër kam trajtuar edhe shumë raste e shembuj të shkeljes së etikës dhe kam ofruar edhe raste se si duhet të ruhet etika.

Synim imi gjithmonë është alternativa e kompletuar, duke mos e lënë në qiell atë zotësinë, dijen e përvojën time të gjatë në gazetari. Kam folur me shumë kompetencë, mbi shumë dukuri devijante në gazetarinë online në Kosovë dhe në rajon dhe kam ofruar analiza, rezultate e pasqyra të dobishme për studentët, studiuesit, redaktorët e pronarët e portaleve.

Libri është ndërtuar nga arkiva ime shumëvjeçare, me katër çmime të fituara në fushën e gazetarisë hulumtuese dhe është kurorëzuar me vitet e fundit të jetës sime aktive në Kolegjin UBT, si ligjërues i katër lëndëve të gazetarisë, ku sigurisht që e kam avancuar edhe më shumë gazetarinë e nivelit akademik e studimor, duke marrë pjesë edhe në 12 konferenca me karakter ndërkombëtar.

Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë. Unë kam bërë diçka, që deri më tani ka munguar në Kosovë, sepse libër për Etikë të gazetarisë, me përjashtim të përkthimeve, autorë shqiptarë, sa unë kam njohuri, nuk ka, por kjo nuk do të thotë që të mos ecet tutje. Të tjerëve u takon që të shkruajnë e të debatojnë për etikën në televizione, në radio, për etikën në komunikim etj.

Ndryshe libri ka tre kapituj dhe secili prej tyre ngërthen tema, që kryekëput ndërlidhen me Etikën.

Në kapitullin e parë kam trajtuar e ballafaquar teorinë mbi etikën, sferën e etikës, kodet dhe parimet e saj, përkufizimet e etikës, rëndësinë që ka ajo në gazetari, thelbi i etikës, rëndësia e saj, sfidat që bartë me vete, kam shkruar gjerë e gjatë mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, privatësinë, shpifjen, lajmet e rreme, për vlerat etike të lajmit, për parimet etike, për raportimin jo etik në mediet e Kosovës, për dëmet ligjore që shkakton etika, për shkeljet etike, për sfidat e gazetarisë etike.

Kurse, në kapitullin e dytë jam marrë me kredibilitetin e gazetarit, për etikën në gazetari e media, për plagjiaturën dhe copy-paste lajmet, kam ofruar shumë shembuj praktikë të portaleve që kanë bërë shkelje të kodeve të etikës, kam ofruar udhëzime e qëndrime të KMSHK-së, KPM-së, si dy mekanizma që merren me vetërregullimin e mediave online dhe atyre televizive, për etikën në foto, video dhe videografi, për sharjet e dhunën banale në televizionet tona, për vdekjet e personaliteteve nga bota, tek të cilët është shkelur etika dhe raste studimore të vdekjeve, edhe të njerëzve të famshëm në Kosovë, që ishin atakuar me shkelje të etikës nga mediat, për ndershmërinë e gazetarit dhe problemet që medie digjitale ka në zbatim të etikës, për avantazhet dhe disavantazhet e kodeve të etikës.

Edhe kapitulli i tretë përbëhet nga materiale interesante, ku kam trajtuar dilemat e etikës, për dëmet që sjell TikTok, për rrjetet sociale e mediat sociale, që përshkruhen me shkelje ekstreme të etikës, për etikën në Bllog dhe bllogerët, për abuzimin gjatë aksidenteve, vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje, për vetërregullimin dhe standardet e medies online, për parimet më të pranuara etike, për konfliktin e interesit dhe kualitetin e portaleve në fushën e etikës etj

Mirënjohës e falënderues shumë miqve të mi, dhe atyre që më qëndruan afër me këshilla, e sugjerime profesionale dhe përkrahje tjera.

Musa Sabedini

Continue Reading

Të kërkuara