Lajmet

FSK nga muaji mars në mision paqeruajtës me ushtrinë amerikane

Published

on

Forca e Sigurisë së Kosovës në pranverë të këtij viti pritet t’i bashkohet ushtarëve amerikanë në misione paqeruajtëse. Marrëveshjet janë arritur dhe kanë mbetur vetëm procedurat administrative deri kur FSK për herë të parë do të marrë pjesë në një mision paqeruajtës.

Këtë për KosovaPress e konfirmon komandanti i FSK-së, Rrahman Rama që ndër të tjera thotë se ushtria ka nevojë për më shumë buxhet për të përfunduar procesin e transformimit. Gjenerallejtënant Rama flet edhe për presionin që Serbia po vazhdon të ushtrojë mbi pjesëtaret serb në FSK-së, përkundër të cilit ata po vazhdojnë shërbimin në Forcë.

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Iowa-s. Ky vendim do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane.

Një numër simbolik i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkë me Gardën Nacionale të Iowa-s, pritet që në muajin mars të jenë pjesë e një misioni paqeruajtës në botë.

FSK do të marrë pjesë për herë të parë në një mision paqeruajtës, pas së cilit pritet që në numër më të madh pjesëtarët e Forcës të marrin pjesë në misione të tjera paqeruajtëse në botë.

“Do të bëhet shumë shpejt realitet që do të jemi pjesë e misionit paqeruajtës bashkërisht me Gardën Nacionale të Iowa-s, ne jemi tash në proces të përfundimit të punëve administrative që janë marrëveshje me shtetin që do të jemi në mision bashkërisht. Kemi bërë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë procedura administrative që ne duhet në të ardhmen edhe në Parlament, sepse llogaritet një mision paqeruajtës, sado simbolik dhe numër i kufizuar të oficerëve dhe nënoficerëve që do të jenë, por po do e kemi një numër simbolik, por që është shumë i rëndësishëm për institucionin, por edhe vet vendin. Për herë të parë do i kemi pjesëtarët tanë që do të japin kontributin e tyre në misione paqeruajtëse”, thotë Rama.

FSK ka përfunduar fazën e parë të tranzicionit, ndërsa tani po fillon të dytën e cila lidhet me ndërtimin e kapaciteteve të reja që janë ato për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit.

“Top prioritet janë këto dy njësi, për ndërtimin e kapaciteteve trajnuese bazuar në mandate dhe mision të ri dhe njëjtën kohë edhe regjimenti i parë për certifikimin e kapaciteteve të para që do të jenë mbi bazën e standardeve të NATO-së”, thotë Rama.

Komandanti i FSK- thotë se faza e dytë e tranzicionit do të jetë më komplekse dhe e njëjta kërkon përkrahje më të madhe financiare.

“Ne planin e tranazicionit ne kemi planifikuar për çdo vit të kemi 5.5 milionë rritje në buxhet, dhe kjo është një deklaratë financiare që është nga ana e shtetit dhe Qeverisë, këtë duhet ta kuptojmë, ky plan i tranzicionit është i aprovuar nga Qeveria dhe ne si institucion jemi të obliguar ta zbatojmë këtë synim dhe këtë obligim që e kemi dhe krejt varet prej përkrahjes që do ta kemi, qoftë në kuptimin financiar qoftë të tjera që neve na duhen prej institucioneve tjera, dhe ne duhet t’i realizojmë ato obligime”, thotë ai.

Megjithatë, gjeneral Rama thotë se tkurrja e buxhetit për ushtrinë që u bë në vitin e kaluar, nuk i ka penguar ata të ecin përpara me planin e paraparë, duke theksuar këtu përkrahjen që kanë marrë nga partnerët.

Siç mëson KosovaPress, janë rreth tre pjesëtarë serb që sivjet janë larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

E në këtë intervistë, komandanti i Forcës thotë se numri i të larguarve ka qenë dukshëm më i vogël se në vitet e kaluara, por siç thekson ai, presioni nga Beogradi është duke vazhduar.

“Këtë vit nuk kemi pasur shumë largime, kemi pasur një numër të caktuar. Është shumë më i vogël krahasuar me vitet e kaluara, pavarësisht presioneve kanë arritur t’u mbijetojnë dhe po u mbijetojnë atyre presioneve, dhe ne jemi në përkrahje të tyre me atë mundësi dhe kapacitete që kemi, por ne nuk mund të ndikojmë në deklaratat ose presionet që vinë nga jashtë vendit. Presioni fatkeqësisht vazhdon, një lloj presioni sistematik ndaj pjesëtarëve që janë në shërbim në FSK, ka ndërruar pak strategjia, tash edhe përmes rrjeteve sociale janë duke bërë njëfarë lloj presioni, jo vetëm të ta, por edhe familjarët e tyre”, thotë komandanti i FSK-së.

Komandanti i FSK-së thotë se lidhur me këtë problem i janë drejtuar edhe NATO-s duke kërkuar që përmes kanaleve diplomatike të kërkojnë nga Serbia që të ndalë presionin mbi pjesëtarët e FSK-së.

Pas procesit të përzgjedhjes dhe trajnimit bazik, në gjysmën e dytë të këtij viti, FSK pritet të bëhet me 400 ushtarë të rinj.

Në mesin e aplikantëve është një numër nga komunitetet pakicë të cilët, në bazë të kritereve, do të përzgjedhjen të jenë pjesë e FSK-së.

lajme

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

lajme

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Lajmet

Rama fajëson “duart e huaja” për trazirat në Shqipëri

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri thirrje për qetësi të premten, dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore, ndërsa protestuesit u mblodhën sërish në kryeqytet dhe në qytete të tjera.

Që nga e marta, Tirana është përfshirë nga protesta të dhunshme, ku mijëra protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës për shkak të kushteve të këqija në universitete dhe tarifave të larta të studimit.

Protestat janë përhapur edhe në disa qytete të tjera, ndërsa studentët iu bashkuan bojkotit të universiteteve, duke shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm pas muajsh protestash kundër qeverisë në vend.

Përleshjet gjatë natës mes policisë dhe grupeve të protestuesve, shumica e të cilëve të maskuar, vazhduan deri në orët e para të së premtes.

Hyrja e Ministrisë së Financave u përfshi nga flakët, ndërsa xhamat e një kompleksi universitar u thyen.

Sipas një deklarate të Policisë, 160 protestues u ndaluan të enjten në mbrëmje për kryerjen e akteve të dhunshme.

Protestuesit grumbulluan dhe dogjën kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët, si dhe hodhën gurë drejt Policisë, e cila u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji për t’i shpërndarë.

Një gazetar i AFP-së pa, gjithashtu, grupe të maskuara duke thyer vitrina dhe duke plaçkitur dyqane. Të njëjtat incidente u raportuan edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Të premten në mëngjes, qindra protestues marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet një nga pikat kryesore të protestave.

Përleshjet kanë lënë pas ndërtesa qeveritare me dëme të mëdha, vitrina të thyera dyqanesh dhe dhjetëra persona të arrestuar.

Përshkallëzimi i protestave këtë javë vjen pas muajsh të tërë demonstratash kundër qeverisë, të cilat fillimisht u nxitën nga një projekt i diskutueshëm për zhvillimin e një resorti, i lidhur me familjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një deklaratë të premten, Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

“E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.

Ai akuzoi “duar të huaja”, pa i identifikuar ato, se po nxisin trazirat dhe synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Që nga e marta, dhjetëra persona, kryesisht zyrtarë policorë, janë plagosur në përleshje, sipas autoriteteve.

Burimi: AFP / REL

Continue Reading

Rajoni

127 të arrestuar pas protestave në Shqipëri, hetohen thirrjet për akte terroriste

Published

on

Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Shqipëri, Dhimitraq Ziu, ka njoftuar se 127 persona janë arrestuar dhe 244 të tjerë janë proceduar penalisht në Tiranë, në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit.

Sipas tij, janë lënduar 120 punonjës policie në disa qytete të vendit.

Ziu bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit po hetojnë kanale dhe grupe në rrjetet sociale, ku janë shpërndarë mesazhe me thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj punonjësve të Policisë.

“Deri në këto momente në Tiranë, janë arrestuar 127 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 244 shtetas, për ushtrim të dhunës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim të institucioneve shtetërore, shkatërrim të pronës publike dhe private, si dhe të bankomateve, kamerave, automjeteve dhe rrethimeve metalike”, ka thënë ai.

Ziu ka treguar edhe për rastet në qytetet e tjera. Në Durrës, ka thënë se janë arrestuar 23 shtetas dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë, në Korçë janë arrestuar 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 23 shtetas, në Vlorë janë proceduar në gjendje të lirë 20 shtetas, në Shkodër janë proceduar në gjendje të lirë 9 shtetas.

Gjatë protestës në Shkodër Ziu ka deklaruar se është plagosur rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore. Ai theksoi se autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar.

Kurse, në Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas dhe në Kukës janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, shtoi ai.

“Ndërkohë, nga dhuna e ushtruar mbi punonjësit e Policisë, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës, janë dëmtuar deri tani 120 punonjës policie”.

Sa i përket rasteve të dyshuara për akte ekstreme, Ziu ka theksuar po bashkëpunojnë me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.

“Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit”, potencoi ai.

Ziu u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm.

“E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”.

Ndërkohë Ziu ka theksuar se po udhëzojnë punonjësit e policisë që “pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet”.

Gjatë katër ditëve është raportuar për ushtrim dhune nga policët drejt qytetarëve./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara