Kulturë

Fotografia e Angjelin Nenshatit sjell atmosferën e Shkodrës së vitit 1981

Fotografia dëshmon për atmosferën në qytet, ndërsa përurohej “Ekspozita Kombëtare e Kulturës”.

Published

on

“Muaji i Fotografisë” përcolli këtë të hënë një foto të nxjerrë nga fondi i fototekës “Marubi”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi foton me autor Angjelin Nenshatin, e shkrepur në Shkodrën e vitit 1981 dhe që dëshmon për atmosferën e krijuar në qytet, ndërsa përurohej “Ekspozita Kombëtare e Kulturës”.  Siç shkruan edhe Margariti në rrjetet sociale, dikur, hapja e një ekspozite ishte festë.

Fotografi Angjelin Nenshati, lindi në Shkodër në vitin 1929. Studimet e para i kreu në Kolegjin Saverian e mbas mbylljes së tij, në gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër. Formimi i tij zë fill në mënyrë autodidakte. Impakti me fotografinë erdhi nga rasti fatlum i të rënit në dorë që herët i një aparati fotografik, me të cilin bëri shkrepjet e para në kontekstin e një qyteti me traditë në këtë fushë. Me vendosjen e regjimit komunist, për t’iu shmangur disi persekutimit për prirjet e tij demokratike e fetare, nga viti 1948 kur vendoset në Pukë e deri në 1957, është arsimtar pranë shkollave të ndryshme, por kjo nuk e pengon të punojë edhe në fushën e fotografisë. Që herët, edhe falë lidhjeve familjare, ai qëndron pranë fotografit të njohur në Shkodër, Pjetër Rraboshta, gjë që e plotësoi formimin e tij në drejtim të proçeseve të laboratorit. Në vitin 1958 hyn në kooperativën shtetërore ku punon si fotograf. Në vitet ’70 i bashkohet Gegë Marubit në aktin e dhurimit të fondit fotografik personal. Ky fond i ruajtur në Fototekën Marubi dhe i pasuruar më tej prej tij, numëron mbi 228.000 imazhe të shkrepura në film rul 24x36mm.

Angjelin Nenshati ishte fotografi që ndiqte eventet social-kulturore të vendit, por edhe familjet qytetare në ritualet e ndryshme të jetës së tyre. Aktiviteti i tij u realizua më shumë jashtë studios se brenda saj.

Punoi në repartin e fotografëve deri sa arrin moshën e pensionit në vitin 1989. Realizoi fotografi të zhanreve të ndryshme, por është shumë afër atij të reportazhit. Krahas fondit të tij në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, famija zotëron një fond të pasur me fotografi, kryesisht me ngjyra.

Ai ishte autori që ndoqi nga afër ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, lëvizjet e ndryshme demokratike të viteve ’90, momentet e kthesave të rëndësishme, rifillimin e kremtimeve fetare, rihapjen e kishave e xhamive. Më 1993 fotografoi vizitën e Papa Gjon Palit II dhe Nënë Terezës së Kalkutës në Shqipëri. Më 1996 bashkë me djemtë e tij hap studion fotografike “Nenshati”. Angjelin Nenshati u nda nga jeta në vitin 2008. /atsh

Kulturë

Filharmonia e Kosovës nderon Nënë Terezën me koncert të veçantë në Prishtinë

Published

on

By

Filharmonia e Kosovës ka mbajtur të shtunën mbrëma një koncert kushtuar Nënë Terezës, duke bashkuar traditën muzikore shqiptare dhe atë polake në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Nën drejtimin e dirigjentit polak Wojciech Czepiel, janë interpretuar vepra të kompozitorëve Krzysztof Penderecki, Fahri Beqiri, Karol Szymanowski dhe Mendi Mengjiqi.

Pjesa kryesore e mbrëmjes ishte oratoriumi monumental “Homagium Matri Teresiae” i Mendi Mengjiqit, kushtuar Nënë Terezës, i interpretuar nga orkestra, kori dhe solistët e Filharmonisë.

Dirigjenti Czepiel vlerësoi interpretimin e orkestrës, ndërsa solistët e cilësuan koncertin si një përvojë të veçantë artistike.

Bashkëpunimi mes Filharmonisë së Kosovës dhe asaj të Krakovës do të vazhdojë në Poloni, ku i njëjti program do të prezantohet më 16 dhe 17 tetor.

D.L

Continue Reading

Lajmet

John Malkovich: Sot, çmimi “Oscar” i çon njerëzit në kinema

Published

on

By

Aktori i njohur John Malkovich beson se industria e filmit ka ndryshuar ndjeshëm dhe se sot çmimet “Oscar” luajnë rol vendimtar për të tërhequr publikun në kinema, ka shkruar FemaleFirst.

Aktori 72-vjeçar, i nominuar dy herë për “Oscar” si aktori më i mirë në rol dytësor, ka thënë se dikur filmat mund të kishin sukses te publiku edhe pa u mbështetur te çmimet prestigjioze.

Gjatë një bisede në Festivalin e Filmit të Londrës, organizuar nga Instituti Britanik i Filmit (BFI), Malkovich u shpreh se kinemaja dikur kishte ndikim shumë më të madh në kulturë.

“Sot, rruga drejt çmimeve është e vetmja mënyrë për t’i bërë njerëzit të shkojnë në kinema, dhe kjo zgjat me muaj të tërë”, ka thënë aktori.

Ai ka shtuar se fitimi i një çmimi “Oscar” duket se është bërë mënyra kryesore për ta bindur publikun të shohë një film në ekranin e madh.

Megjithatë, Malkovich e pranon se ndryshimi është pjesë e natyrshme e jetës dhe karrierës.

“Gjërat ndryshojnë dhe ti ose ndryshon bashkë me to, ose vdes. Unë preferoj të përshtatem me ndryshimet”, u shpreh ai.

Aktori ka folur më herët edhe për fillimet e karrierës, duke pranuar se në rini nuk ishte aq i përkushtuar ndaj punës sa sot. Ai ka treguar se, kur nisi të merrej me aktrim, nuk ishte plotësisht i sigurt nëse kjo ishte ajo që dëshironte të bënte me jetën e tij.

Malkovich u bë pjesë e trupës teatrore Steppenwolf menjëherë pas universitetit, kur ishte rreth 20-22 vjeç. Edhe pse ishte i kënaqur me disa prej shfaqjeve dhe rezultateve të arritura, në atë kohë ende po përpiqej të kuptonte nëse aktrimi ishte rruga e duhur për të.

 

Continue Reading

Lajmet

Hapet ekspozita fotografike “Kronologjia e Lirisë” nga Ridvan Slivova në Prishtinë

Published

on

By

Sot, më 9 tetor 2026, me fillim nga ora 18:00, në hapësirat e Barabar Centre në Prishtinë, do të hapet ekspozita fotografike e titulluar “Kronologjia e Lirisë”, me autor fotografin e njohur Ridvan Slivova.

Ngjarja organizohet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”. Ekspozita sjell një kronikë të fuqishme vizuale të periudhës së luftës në Kosovë, duke dokumentuar ngjarje tragjike – përfshirë Masakrën e Gollakut – si dhe momente të tjera kyçe të rezistencës dhe rrugëtimit të popullit të Kosovës drejt lirisë.

Të gjithë të interesuarit dhe dashamirët e artit e historisë mund të marrin pjesë në këtë ngjarje ose të informohen më shumë përmes uebfaqes zyrtare të festivalit, www.fotoist.org.

Continue Reading

Lajmet

“Neighbours – From Motherland” bashkon kulturën shqiptare dhe kurde në Prishtinë

Published

on

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë janë bashkuar në skenën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë, përmes shfaqjes koreografike “Neighbours – From Motherland”, e cila trajton rrënjët, identitetin dhe të përbashkëtat mes kulturave shqiptare e kurde.

Shfaqja, e realizuar nga koreografët Brigel Gjoka dhe Rauf Yasit, u prezantua të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, pas paraqitjeve më 3 dhe 4 tetor në Tiranë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit.

Koreografia ndërthur kërcimin bashkëkohor me elemente të vallëzimit tradicional, ndërsa lëvizjet, ritmi dhe muzika krijojnë një dialog mes kulturave. Në performancë janë ndërthurur tinguj të muzikës kurde, turke dhe shqiptare, përfshirë këngën tradicionale “Fustanin që ta solla mbrëmë”.

Koreografi Rauf Yasit ka treguar se vepra është zhvilluar në disa etapa. Pjesa e parë u krijua në vitin 2019, fillimisht në heshtje, ndërsa në vitin 2021 u ndërtua pjesa e dytë, me përfshirjen e muzikës.

“Ne festojmë rrënjët tona dhe prejardhjen tonë”, ka thënë Yasit, duke shpjeguar se koncepti është zhvilluar gradualisht përmes hulumtimit të lëvizjes dhe identitetit kulturor.

Për koreografin Brigel Gjoka, i cili për herë të parë ka punuar me Baletin Kombëtar të Kosovës, ky bashkëpunim ka qenë një përvojë e veçantë dhe emocionale.

“Unë nuk do të them se ka të bëjë me humbjen e rrënjëve; do të them se ka të bëjë me rikthimin te rrënjët. Mendoj se jemi më afër secilit person tjetër, pavarësisht kombësisë së tij”, ka deklaruar Gjoka.

Edhe balerina Rovena Shqevi ka theksuar se mesazhi i shfaqjes shkon përtej kulturave shqiptare dhe kurde, duke përcjellë një thirrje për mirëkuptim, respekt dhe bashkëjetesë.

“Në fund të ditës, të gjithë jemi njerëz, pavarësisht kombësive të cilave u përkasim. Marrëdhënia jonë duhet të jetë gjithmonë e mirë, e bukur, me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, pa dhunë, pa luftë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, balerina e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli, e ka vlerësuar lart bashkëpunimin mes dy trupave, duke thënë se gjatë rreth pesë javëve të punës intensive në Tiranë, artistët kanë funksionuar si një trup i vetëm.

Në shfaqje kanë interpretuar edhe dy koreografët, si dhe Isa Gjocaj, Aulonë Nuhiu, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi, Isida Mollaymeri, Livia Lara, Armando Meci dhe Enea Qiriçi.

“Neighbours – From Motherland” sjell në skenë një rrëfim për afërsinë mes kulturave dhe rikthimin te rrënjët e përbashkëta, duke përcjellë mesazhin se arti mund të krijojë ura komunikimi përtej dallimeve kombëtare./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara