Aktualitet

EULEX ofron mbështetje për institucionet e Kosovës në sundimin e ligjit

Përkrahje për sundim të ligjit ofroi edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Published

on

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ndau sot medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) për njësinë rezervë të policisë së specializuar të tij, e cila zbarkoi përkohësisht në Kosovë në muajin mars 2022.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojë në forcimin e demokracisë, fuqizimit të rendit dhe ligjit.

“Sot populli ukrainas po paguan çmimin e agresionit dhe po vuan në vijën e parë të frontit, nesër mund të jetë secili prej nesh. Askush nuk është imun ndaj agresionit. Si një mision civil i CSDP-së, EULEX-i është i përkushtuar të mbështesë institucionet e Kosovës në sundimin e ligjit, duke përfshirë gjyqësorin, shërbimet korrektuese dhe policinë, për t’u bërë më efikase dhe më të përshtatshme. Ne jemi gjithashtu këtu për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur duke mbështetur kapacitetin mjekoligjor të Kosovës. Për më tepër, ne ofrojmë mbështetje teknike për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe ne ofrojmë një mbulesë shtesë të sigurisë civile, duke i siguruar partnerët tanë se BE-ja është e përkushtuar për një Kosovë të qëndrueshme dhe paqësore. Bashkëpunimi ynë afatgjatë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in në mekanizmin e trefishtë të sigurisë është ndoshta më i rëndësishëm tani”, tha ai.

Përkrahje për sundim të ligjit ofroi edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Të gjitha institucionet e BE-së përfaqësohen nga më shumë se 500 persona në terren në Kosovë. Ne jemi të pranishëm edhe me shtetet tona anëtare, me 17 shtete anëtare të pranishme në Kosovë, dhe po mundohemi ta bëjmë punën tonë së bashku. Ky është një investim serioz në Kosovë, i cili tregon qartë përkushtimin tonë për të ndihmuar Kosovën dhe për ta parë Kosovën si pjesë të familjes evropiane”, tha ai.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre medaljeve ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai vlerësoi partneritetin me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës në fushën e sigurisë, derisa theksoi se janë të vendosur në ngritjen profesionale të Policisë së Kosovës, luftimit të krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“Po jetojmë një kontekst krejtësisht të ri, një luftë e tmerrshme po zhvillohet në kontinentin tonë. Mbrojtja dhe siguria, gjeopolitika, gjeosiguria, gjeoekonomike dhe gjeostrategjia kanë përjetuar një tërmet me pasoja të pakthyeshme. Në momentin kur kërcënohet liria dhe të drejtat fondamentale, siç shohim çdo ditë nga invazioni dhe agresioni i federatës ruse në Ukrainë është koha të përkujtojmë vlerat që bëjnë shtetet demokratike dhe janë garanci e paqes dhe respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Mekanizmat evropian të sigurisë duhet të jenë evropian dhe të sigurt si kurrë më parë. Kur krimi dhe korrupsioni kërcënojnë funksionimin efikas dhe transparent të institucioneve, sundimi i ligjit bëhet sfidë”, tha ai.

Njësia Speciale e EULEX ishte e përbërë prej 70 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë nga Portugalia dhe Franca. Ata zbarkuan në Kosovë duke ju përgjigjur nevojës së EULEX-it për të pasur forca shtesë në terren dhe në mënyrë që ky mision të jetë në gjendje t’i mbështesë më mirë homologët e tij kosovarë nëse kjo kërkohet dhe nëse është e domosdoshme, duke e marrë parasysh mjedisin e sigurisë në Kosovë dhe situatën e sigurisë në rajon.

Lajmet

Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në “Warsaw Security Forum 2026”, që po mbahet më 12 dhe 13 tetor në Poloni, ku do të diskutohet për të ardhmen e NATO-s, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse evropiane dhe luftën në Ukrainë.

Gjatë këtij forumi ndërkombëtar të sigurisë, i cili bashkon liderë ushtarakë, diplomatë e përfaqësues shtetërorë, Maqedonci pritet të zhvillojë takime me homologë e partnerë ndërkombëtarë për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi mblidhet të enjten: Në rend dite zgjedhja e anëtarëve të BQK-së dhe Bordit të RTK-së

Published

on

By

Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 15 tetor, me fillim nga ora 10:00.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetarja Albulena Haxhiu.

Në rend të ditës të kësaj seance, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, përfshihen një sërë pikash me rëndësi:

  • Bordi i BQK-së: Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
  • Bordi i RTK-së: Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë).
  • Projektligje dhe komisione: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Përveç caktimit të seancës, Kryesia mori vendim edhe për shpalljen e konkursit për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

 

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet marrëveshja 41-milionëshe për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje financimi në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), e cila ka për synim modernizimin e infrastrukturës mjekësore dhe sigurimin e pajisjeve të avancuara në sistemin shëndetësor publik.

Financimi do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy bankave evropiane dhe do të përfshijë investime direkte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit. Projektet përkojnë me objektivat e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030 për digjitalizimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve dytësore dhe terciare.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se ky investim do të përmirësojë drejtpërdrejt kushtet e punës për profesionistët shëndetësorë dhe shërbimet ndaj pacientëve:

“Marrëveshja e kredisë me BEI dhe CEB në vlerë prej 41 milionë eurosh do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën përcjellëse në QKUK dhe spitalet rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë e Gjilan.”

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënvizoi se ky projekt përbën një shtyllë kyçe të reformës shëndetësore:

“Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025–2030 i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike dhe furnizimit me pajisje moderne mjekësore për një periudhë afatgjatë.”Nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, nënkryetari i BEI-t, Robert de Groot, dhe zëvendësguvernatori i CEB-it, Johannes Böhmer, vlerësuan se investimi do të garantojë diagnostikim më të saktë dhe trajtim më efektiv për qytetarët e Kosovës.

“Përmes këtij operacioni po ndihmojmë që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne për një kujdes më të mirë mjekësor”, u shpreh de Groot.

“Mund të thoshim se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Popullata pret një sistem të fortë shëndetësor si shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë”, shtoi Böhmer. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Lajmet

Turqia, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite dënojnë sulmet e rebelëve Houthi ndaj aeroportit të Riadit

Published

on

By

Turqia, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite – të njohura si grupi R4 – kanë dënuar ashpër sulmet e njëpasnjëshme të rebelëve Houthi të Jemenit ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Riadit, duke i cilësuar ato si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm për sigurinë rajonale.

Sipas autoriteteve saudite, një sulm i ri i kryer të dielën ka lënë një person të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, vetëm një ditë pasi një goditje tjetër nga Houthit shkaktoi 13 viktima dhe mbi 300 të lënduar.

Përmes një deklaratë të përbashkët, katër fuqitë rajonale shprehën solidaritetin e tyre me Riadin dhe konfirmuan mbështetjen për të gjitha masat mbrojtëse që Arabia Saudite do të ndërmarrë. Ato bënë përgjegjës grupin Houthi për pasojat mbi paqen ndërkombëtare dhe kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve.

Zotimi për mbrojtje vjen në kuadër të marrëveshjes ushtarake të nënshkruar në gusht mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, e cila parashikon reagim të përbashkët ushtarak dhe vendosje të shpejtë të forcave mbrojtëse në rast sulmi ndaj ndonjërës prej palëve. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara