Kreu i KFOR-it gjeneral major Enrico Barduani, priti sot në takim emisarin special të BE-së për dialogun Peter Sorensen, përfaqësuesin special të BE-së për Kosovën, Aivo Orav dhe shefin e EULEX-it Giovanni Pietro Barbano.
Në takim u diskutua mbi zhvillimet më të fundit mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovë dhe Serbisë, raporton KosovaPress.
Gjenerali Barduani nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me institucionet evropiane në Kosovë dhe midis partnerëve ndërkombëtarë të angazhuar në stabilitetin rajonal, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Vizita dëshmon angazhimin e përbashkët të NATO-s dhe BE-së për paqe të qëndrueshme, dialog rajonal dhe një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, Blanca Hereza Atienza, e cila shoqërohej nga delegacioni i saj.
Fokus i këtij takimi ishin zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, situata aktuale, si dhe rëndësia e bashkërendimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Aleancës Veriatlantike.
Gjatë bisedës, ministri Maqedonci vlerësoi lart bashkëpunimin dypalësh dhe rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e më gjerë.
Ai ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij partneriteti dhe për të dhënë kontributin e saj me kapacitetet ekzistuese në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. /E.A/
Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj Xhelal Sveçlës lidhur me rastin e gazit lotsjellës në Kuvend, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 shtator.
Në fjalën përfundimtare Prokuroria ka kërkuar që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, duke renditur disa prova dhe dëshmi që, sipas saj, vërtetojnë kryerjen e veprës penale, raporton”Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Avni Namani ka thënë se në CD-në e administruar si provë materiale, ku është incizuar seanca e Kuvendit, shihet momenti kur Sveçla aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.
Sipas Namanit, pas përhapjes së gazit, personat e pranishëm largohen nga salla. Prokuroria ka përmendur edhe fotoalbumin e përpiluar nga zyrtarët policorë, ku, sipas saj, dokumentohet gjetja e bombolave të gazit lotsjellës, të aktivizuara dhe të paaktivizuara, në sallën plenare.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, në raportin e vendit të ngjarjes janë dokumentuar 18 dëshmi materiale, shumica prej tyre bombola të gazit lotsjellës.
Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, duke pretenduar se nuk është vërtetuar se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Avokati Luar Prenaj ka deklaruar se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij, ndërsa sipas tij, edhe pamjet e video-incizimeve nuk dëshmojnë simptomat e përmendura në aktakuzë te deputetët e pranishëm.
Në fjalën e tij përfundimtare, Sveçla ka thënë se veprimi për të cilin po gjykohet ka qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Si mundet që për humbjen e territorit të mos japë llogari askush, por për pengimin e tij të kërkohet përgjegjësi penale?”, ka deklaruar Sveçla, duke shtuar se territori që, sipas tij, ishte kërkuar të mbrohej nuk është më pjesë e territorit të Kosovës.
Përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë kanë përcjellë sot nga afër zhvillimet brenda sallës së Kuvendit të Kosovës.
Aty u mblodhën deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas kërkesës së sërishme për vazhdimin e seancës konstituive.
Pavarësisht pronisë së diplomatisë ndërkombëtare dhe deputetëve opozitarë, përpjekja mbeti pa rezultat. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u paraqitën në sallë, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e thirri vazhdimin e saj. /E.A/
Sot shënohet përvjetori i lindjes së poetit të madh shqiptar, Ali Podrimja, një prej figurave më të shquara të letërsisë shqipe bashkëkohore.
Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë dhe gjatë karrierës së tij letrare ndërtoi një prej opuseve më të rëndësishme të poezisë shqiptare.
Ndër veprat më të njohura të tij është “Lum Lumi”, një vepër e fuqishme dhe e ndjeshme që është bërë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së letërsisë shqipe.
Poezia e Podrimjes u dallua për gjuhën e veçantë, figuracionin e pasur dhe temat që lidhen me jetën, humbjen, dashurinë, atdheun dhe identitetin.
Ai u nda nga jeta më 21 korrik 2012, por vargjet dhe krijimtaria e tij vazhdojnë të lexohen dhe të vlerësohen nga breza të ndryshëm.
Emri i Ali Podrimjes mbetet i lidhur ngushtë me poezinë moderne shqiptare dhe me një trashëgimi letrare që vazhdon të ketë ndikim edhe sot./A.K/