Lajmet

Përmbyllet protesta kundër Gjykatës Speciale

Published

on

Lajm i përditësuar

Me përfundimin e fjalimit të Ali Ahmetit, njërit prej ish-themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është shpallur e përfunduar protesta kundër gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së nga ana e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Qindra qytetarë nga e gjithë Kosova, por edhe nga treva të tjera shqiptare, u mblodhën në sheshin qendror të Prishtinës për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj, siç u cilësua, “padrejtësive” që po u bëhen ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Motoja e protestës “Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës” u shoqërua me pankarta dhe flamuj kombëtar, të cilët protestuesit i mbanin lart gjatë gjithë tubimit.

Ndërsa disa komuna ofruan transport falas për qytetarët që dëshironin të merrnin pjesë në protestë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kishte arritur në Prishtinë që në orët e hershme të mëngjesit.

Gjatë fjalimeve të mbajtura në shesh, u theksua se qëndrimi i protestuesve nuk është kundër drejtësisë, por kundër, siç u tha, njëanshmërisë dhe selektivitetit të Gjykatës Speciale në adresimin e krimeve të luftës.

Protesta përfundoi në mënyrë paqësore, pa incidente, ndërsa organizatorët paralajmëruan se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për luftën e UÇK-së dhe do të vazhdojnë angazhimin qytetar për të mbrojtur, sipas tyre, të vërtetën historike.

17:49 – Hetuesja në rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, Neveka Tromp, ka kritikuar zvarritjen e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Tromp, në protestën kundër Gjykatës Speciale, ka thënë se të akuzuarit mbështetën krijimin e Speciales sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri.

“Ata që sot po akuzohen ishin vetë ata që mbështetën krijimin e Dhomave të Specializuara, sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri,” u shpreh Tromp.

Ajo theksoi se ligjet që rregullojnë luftën janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët, e jo për t’i ndëshkuar ata.

“Gjykata duhet të veprojë në mënyrë profesionale. Nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, ajo rrezikon të kthehet në padrejtësi. Në raste të tilla, gjykimet nuk janë për të zbuluar të vërtetën, por janë gjykime të inskenuara.

Ja ku jemi, pesë vjet më vonë, dhe ata ende ndodhen në paraburgim, pa një gjykim të drejtë. Besimi i tyre në drejtësinë e shpejtë është thyer. Por mos harroni – udhëheqësit që sot po akuzohen, janë ata që mbështetën krijimin e këtyre dhomave. E bënë këtë duke qenë të vetëdijshëm për rrezikun.

Pse? Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre. Besuan se lufta ishte e drejtë, një luftë e lejuar. Ata luftuan dhe fituan. Shkuan në Hagë sepse besonin në drejtësi dhe ndershmëri – besonin në sundimin e ligjit dhe në aftësinë e gjykatës.

Ata besuan se ligjet që rregullojnë luftën janë krijuar për të mbrojtur çlirimtarët e lirisë, dhe jo për t’i ndëshkuar”, ka thënë ajo.

17:15 – Nën brohoritjet e shumta UÇK në Prishtinë ka nisur protesta gjithëpopullore në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe ish-krerëve të saj që po mbahen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

Në protestë po marrin pjesë një numër i madh i qytetarëve nga e gjithë Kosova e më gjerë, raporton KosovaPress.

‘Skënderbeu’ nis të mbushet me qytetarë në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së

“Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës” është motoja e protestës.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020.

Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.

Lajmet

Jashari pret në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy forcave, me fokus të veçantë në arsimimin dhe edukimin ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mundësitë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Jashari ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak, si dhe të shkëmbimit të përvojave për zhvillimin e aftësive profesionale të personelit ushtarak.

Në përfundim të takimit, të dy gjeneralët kanë riafirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Liga e Kampionëve rikthehet sonte me nëntë ndeshje, vëmendja te Arsenal – Dortmund dhe rikthimi i De Bruyne në “Etihad”

Published

on

By

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me nëntë ndeshje në kuadër të fazës së ligës, ku spikasin disa përballje mes skuadrave të njohura evropiane.

Vëmendja kryesore pritet të jetë te dueli mes Arsenalit dhe Borussia Dortmundit, dy skuadra që kanë treguar formë të mirë në këtë edicion. Po ashtu, me interes të veçantë pritet edhe përballja Manchester City – Napoli, ku Kevin De Bruyne rikthehet në “Etihad Stadium” si kundërshtar i ish-klubit të tij, pas dhjetë sezonesh të kaluara në Angli.

Në Madrid, Real Madridi synon të vazhdojë serinë e fitoreve ndaj PSV Eindhovenit për të ruajtur bilancin perfekt pas katër ndeshjeve të para. Ndërkohë, Como, pas fitores 9-1 ndaj Lensit, luan ndaj AEK Athinës në kërkim të vazhdimësisë së rezultateve pozitive.

Në Stamboll, Galatasaray pret Aston Villan, ndërsa Feyenoord dhe Porto përballen në një duel të rëndësishëm për pikë në tabelë. Në dy takimet e tjera të mbrëmjes, Leipzig e pret Lensin, kurse Slovan Bratislava luan ndaj Real Betisit në kërkim të pikëve të para në këtë fazë të garës.

Programi i mbrëmjes hapet në orën 18:45 me ndeshjen Bodo/Glimt – LASK, ndërsa shtatë përballjet e tjera fillojnë nga ora 21:00. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ndërron jetë një fëmijë dyvjeçar në Ferizaj, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

By

Një fëmijë i moshës dyvjeçare ka ndërruar jetë të hënën në Ferizaj.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, fëmija është dërguar nga familjarët në Qendrën Emergjente në gjendje të rëndë shëndetësore, por më pas ka vdekur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion dhe rasti po hetohet si “hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kori i Filharmonisë së Kosovës sjell koncert në Prizren më 25 nëntor

Published

on

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Prizren, me një program të përzgjedhur të muzikës korale, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.

Në koncert do të interpretohen vepra të kompozitorëve Jennifer Lucy Cook, Hajrullah Syla, Eric Whitacre, Anders Edenroth, Rafet Rudi dhe Ko Matsushita.

Koncerti do të mbahet më 25 nëntor 2026, duke filluar nga ora 19:30, në hapësirën “Autostrada Hangar” në Prizren.

Të interesuarit mund t’i rezervojnë biletat përmes këtij linku./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara