Spotify ka njoftuar një operacion të gjerë kundër keqpërdorimit të inteligjencës artificiale, duke bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar ka hequr më shumë se 75 milionë këngë “spam”.
Sipas kompanisë, ky hap synon të mbrojë artistët nga paraqitjet e rreme, mashtrimet dhe përmbajtja e dobët e gjeneruar nga AI. Spotify ka prezantuar gjithashtu rregulla dhe mjete të reja që synojnë të mbrojnë identitetin e artistëve dhe të rrisin transparencën për dëgjuesit.
Këto masa vijnë në një kohë kur teknologjia gjenerative e AI po ndryshon rrënjësisht industrinë e muzikës, duke sjellë shqetësime për përmbajtje të padëshiruar, vokale “deepfake” dhe publikime mashtruese.
Spotify ka miratuar politikë të re që ndalon klonimin e zërit të artistëve dhe incizimet “deepfake”, përveç rasteve kur ato janë të licencuara zyrtarisht. Kompania po merr masa për të ndaluar publikimet e rreme që paraqiten si krijime të artistëve të tjerë.
Për të parandaluar manipulimet, këtë vjeshtë Spotify prezanton një sistem të ri që identifikon përmbajtjen e padëshiruar.
Ky filtër do të zbulojë llogaritë që përdorin taktika të tilla si duplikimet, këngët shumë të shkurtra dhe strategjitë mashtruese, duke i ndaluar këto materiale nga rekomandimet e platformës. Gjithashtu, Spotify mbështet standardin e ri për etiketimin e përmbajtjes së krijuar me AI, që u lejon artistëve dhe shtëpive botuese të tregojnë se si është përdorur gjatë krijimit të një kënge, qoftë tek vokalet apo instrumentalet.
Etiketat do të shfaqen direkt në aplikacion, sipas informacionit të dhënë nga distributorët dhe partnerët.
Që nga qershori, përdoruesit e Spotify vunë re një grup të ri të quajtur The Velvet Sundown, dhe shumë dyshuan se ishte i krijuar nga AI.
Megjithëse grupi e mohoi këtë në rrjetet sociale, më vonë u zbulua se këngët ishin vërtet të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, duke treguar se publiku nuk është gjithmonë i lehtë për t’u mashtruar. /A.Z/UBT News/