Lajmet

Erdogan kundërshton vendimin e SHBA-së për armë me rreze të gjatë për Ukrainën

Published

on

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të lejuar Ukrainën të përdorë raketat amerikane me rreze të gjatë, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në përshkallëzimin e konfliktit dhe do të nxisë një përgjigje të fortë nga Rusia. Në një deklaratë të bërë të mërkurën, zyra e Erdoganit e paraqiti këtë veprim si një hap që mund të ndezë edhe më shumë tensionet dhe të përshkallëzojë luftën mes Ukrainës dhe Rusisë.

Në ditën e martë, Ukraina përdori raketat ATACMS, të cilat kanë një rreze shumë më të gjatë se armët e tjera, për të sulmuar territorin rus, duke shfrytëzuar lejen që administrata e ish-presidentit Joe Biden ia dha Kievit në përvjetorin e 1,000-të të luftës. Leja për përdorimin e këtyre armëve të avancuara u dha si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Erdogan, i cili ka qenë kritik i disa veprimeve të Perëndimit në këtë konflikt, e quajti këtë vendim të SHBA-së si një nxitje të mëtejshme të luftës. Ai e paralajmëroi se përdorimi i raketave ATACMS nga Ukraina mund të nxisë një reagim shumë më të ashpër nga Rusia, duke theksuar se ky veprim do të përshkallëzojë edhe më tej dhunën dhe të bëjë që konflikti të zgjasë, përkundër përpjekjeve për ta ndalur.

“Ky hap, jo vetëm që do ta përshkallëzojë konfliktin, por do të nxisë një përgjigje më të fuqishme nga Rusia,” tha Erdogan për gazetarët në avionin e tij, ndërsa po kthehej nga Samiti i G20-ës në Brazil. Ai bëri thirrje për vetëpërmbajtje nga të dyja palët, duke theksuar se është e rëndësishme që Rusia dhe Ukraina të jenë të kujdesshme për të mos provokuar një eskalim të mëtejshëm të luftës.

Turqia, anëtare e NATO-s, ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës dhe ka dënuar pushtimin rus të vitit 2022. Megjithatë, Erdogan ka theksuar gjithashtu rëndësinë e një politike të balancuar, duke kërkuar një zgjidhje diplomatike dhe duke u përpjekur të mbajë marrëdhënie të mira me të dyja palët, duke përfshirë Rusinë, me të cilën ka lidhje të rëndësishme në sektorët e turizmit, energjisë dhe mbrojtjes.

Në të njëjtën ditë, presidenti rus Vladimir Putin bëri një ndryshim të rëndësishëm në doktrinën e tij bërthamore, duke e ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore si përgjigje ndaj sulmeve nga një armik që përdor armë konvencionale. Ky ndryshim, i cili erdhi pas përdorimit të raketave me rreze të gjatë nga Ukraina, është interpretuar nga shumë analistë si një sinjal se Rusia mund të jetë më e gatshme për të përdorur forcë të madhe nëse ndihen të kërcënuar nga armiqtë e saj.

Për Turqinë, ky zhvillim i fundit është një sfidë diplomatike e vështirë. Edhe pse Ankara mbështet të drejtën e Ukrainës për të mbrojtur integritetin e saj territorial, ajo gjithashtu ka kundërshtuar disa prej sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta ekonomike dhe strategjike me Rusinë. Kjo qasje ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, pasi Turqia ka shfrytëzuar rolin e saj si ndërmjetës në përpjekjet për të ndërmarrë hapa drejt një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit./UBTNews/

 

Lajmet

Nga UBT në skenën botërore të robotikës: Kosova drejt Koresë së Jugut

Published

on

By

Në mesin e ekipeve më të mira të robotikës nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon, Kore e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor me temën “Igniting Innovation”, e cila sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e një prej sfidave më të mëdha mjedisore të kohës – zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës edhe këtë vit i është besuar ekipit të UBT, i cili do të garojë me gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj, të cilët po punojnë intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë me përmasa globale.

Përfaqësimi i këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm për Kosovën në edicionin e kaluar të FIRST Global Challenge, të mbajtur në Panama, ku mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim përforcon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.

FIRST Global Challenge përfaqëson shumë më tepër se një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga e mbarë bota bashkëpunojnë, ndajnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.

Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin që i karakterizon, ekipi i UBT synon ta prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.

UBT vazhdon të jetë lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM, duke krijuar mundësi që nxënësit dhe studentët e Kosovës të jenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare. dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti para takimit me Abdixhikun: Shkoj me vullnet të mirë dhe gatishmëri për marrëveshje

Published

on

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje, me synim konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai tha se dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe më pas edhe presidenti.

Kurti tha se takimi me Abdixhikun do të mbahet në formatin “1+1”, ndërsa ai do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha ai.

Ai theksoi se takimi me LDK-në synon zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.

“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha ai.

Kurti shtoi se në takim do të marrë pjesë me gatishmëri për kompromis, ndërsa rezultatet do të varen nga diskutimet mes palëve.

“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, tha ai. /EkonomiaOnline/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest hapi edicionin e 16-të, “Kujtesa” në qendër të festivalit

Published

on

Edicioni i 16-të i Etno Fest ka nisur mbrëmjen e së dielës me një program të pasur artistik, duke e vendosur në qendër temën “Kujtesa”, si një ftesë për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe identitetin kolektiv.

Ceremonia e hapjes mblodhi artistë, dashamirës të artit dhe vizitorë të shumtë, ndërsa festivali u çel me fjalën përshëndetëse të drejtorit, Fadil Hysaj, i cili falënderoi artistët, partnerët dhe publikun për mbështetjen ndër vite. Të pranishëm në hapje ishin edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Programi nisi me një ekspozitë shumëdimensionale që bashkoi skulpturën, pikturën, fotografinë, mozaikun, muralin dhe instalacionet artistike. Punimet e artistëve trajtuan kujtesën, identitetin dhe përvojat historike, duke sjellë para publikut një rrëfim të pasur përmes artit pamor.

Mbrëmja vazhdoi me interpretimin pianistik të Lule Elezit, ndërsa një nga momentet kulmore ishte performanca antropologjike “MYSAFIRI”, me tekst dhe regji të Fadil Hysajt, muzikë nga Memli Kelmendi dhe interpretim nga aktorët Shpëtim Selmani, Sheqerie Buçaj dhe Shpejtim Kastrati. Shfaqja u pasurua me elemente të traditës shqiptare, përfshirë tingujt e lahutës, tepsisë dhe simbolikën e nuses ilire.

Atmosfera artistike vijoi me interpretimin e kavallistit Vendim Kapaj, i cili solli kolonën zanore të filmit The Odyssey, si dhe me performancën e mysafirëve nga Italia, Soloists of GOB (Ocarina Duo & Piano), të cilët interpretuan vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe melodi tradicionale italiane.

Nata e parë e festivalit u mbyll me koncertin e Edona Reshitajt dhe bendit të saj në “Etno Nejë”, duke përmbyllur një mbrëmje të mbushur me muzikë, art dhe reflektim mbi rëndësinë e kujtesës si pjesë e identitetit kulturor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë hetimet për krimet e luftës në Zubin Potok: Tre të arrestuar dhe gërmime në disa lokacione

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës po vazhdojnë intensivisht hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.

Sipas njoftimit zyrtar, deri më tani janë arrestuar tre persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kontrolluar disa lokacione të ndryshme. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë ende. Përveç këtyre, hetimet aktualisht po zhvillohen edhe në një lokacion të tretë.

Në vendngjarje ka qenë e pranishme edhe prokurorja përgjegjëse, e cila ka mbikëqyrur drejtpërdrejt veprimet hetimore së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë.

Organet e ndjekjes bëjnë të ditur se për shkak të ruajtjes së procesit nuk mund të ndajnë detaje të tjera për momentin. “Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”, thuhet në komunikaten e Prokurorisë Speciale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara