Lajmet

​Ekspertët: Kina po përdor balonat për të ushtruar ndikim mbi zgjedhjet në Tajvan

Që nga dhjetori, ministria tajvaneze e mbrojtjes thotë se ka parë gati 20 balona kineze në lartësi të mëdha që kaluan vijën qendrore të ngushticës së Tajvanit.

Published

on

Ministria tajvaneze e Mbrojtjes tha se ndoqi lëvizjet e tri balonave të tjera të Kinës mbi ngushticën e Tajvanit të hënën, që janë pjesë e një numri në rritje të balonave kineze mbi ishullin e qeverisur që nga muaji i kaluar.

Që nga dhjetori, ministria tajvaneze e mbrojtjes thotë se ka parë gati 20 balona kineze në lartësi të mëdha që kaluan vijën qendrore të ngushticës së Tajvanit, shumë prej të cilave kanë fluturuar mbi territorin e Tajvanit dhe tre prej tyre në javën e kaluar madje kanë kaluar mbi baza të rëndësishme ushtarake.

Ministria tajvaneze e Mbrojtjes akuzoi të shtunën Pekinin për kërcënim të sigurisë së aviacionit civil dhe luftë psikologjike me balona përpara zgjedhjeve presidenciale të 13 janarit në ishullin e vetëqeverisur.
E pyetur të hënën nëse balonat paraqesin një kërcënim për aviacionin civil ndërkombëtar, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning tha për agjencinë e lajmeve Reuters se “Unë nuk jam në dijeni të detajeve që përmendët dhe kjo çështje nuk ka të bëjë me punët e jashtme të Kinës”.

Disa ekspertë besojnë se balonat e Kinës janë pjesë e përpjekjeve të Pekinit për të ndikuar në zgjedhje.

Michael Mazza, një drejtor i lartë në organizatën kërkimore me bazë në Virxhinia, “Project 2049 Institute”, thotë se balonat në lartësi të mëdha i shtohen avionëve ushtarakë dhe luftanijeve të Kinës rreth Tajvanit.

“Mendoj se Kina po përpiqet të ndikojë në zgjedhje”, tha ai për Zërin e Amerikës përmes një emaili.

“Dërgimi i tre balonave direkt mbi Tajvan është një paralajmërim. Kina po sinjalizon se është e gatshme të shkelë hapur kufijtë e Tajvanit”, shtoi zoti Mazza. “Me këtë veprim, ajo ka kaluar një prag, përshkallëzimi i mëtejshëm mund të përfshijë shfaqje më kërcënuese në hapësirën ajrore të Tajvanit. Mesazhi për popullin e Tajvanit është ky: gjërat mund të përkeqësohen, por ju mund të votoni për t’i përmirësuar ato”.

William Lai i Partisë Demokratike Progresive, që mbështet pavarësinë e ishullit, është kandidati kryesor në garën, në të cilën po merr pjesë edhe Hou Yu-ih nga Partia Nacionaliste, cili ka qëndrime më miqësore ndaj Pekinit. Kjo parti, e cilia njihet edhe me emrin Kuomintang ose KMT, është partia kryesore opozitare e Tajvanit. Në garë merr pjesë edhe kandidati i Partisë Popullore të Tajvanit, Ko Wen-je.

Brian Hart, një studiues në Projektin Fuqia e Kinës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington, tha për Zërin e Amerikës pas një diskutimi më 5 janar se gjatë vitit, Kina ka përdorur lloje të reja aktivitetesh, duke përfshirë përdorimin e shtuar të dronëve, për të rrethuar ishullin.

“Ata po përdorin taktika të ndryshme për të kërcënuar Tajvanin dhe për të ushtruar trysni mbi administratën (e presidentes Tsai Ing-wen)”, tha ai për Zërin e Amerikës. “Mendoj se do të shohim një vazhdim të këtyre aktiviteteve në përmasa të ndryshme. Nëse Lai fiton presidencën, ka shans që Pekini të intensifikojë këto veprime”.

Balonat e Kinës ishin në qendër të vëmendjes ndërkombëtarë në shkurt të vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkaura rrëzuan njërën prej tyre pasi ajo hyri në hapësirën ajrore të Amerikës. Pekini mohon se përdor balona për spiunazh dhe thotë se ato janë thjesht balona meteorologjike që kanë devijuar nga linja e fluturimit.

Raymond Kuo, drejtor i Iniciativës mbi Politikat për Tajvani në Korporatën RAND, tha se “fluturimet me balona janë në përputhje me strategjinë e shtrëngimit të zonës gri të Kinës ndaj Tajvanit”.

“Balonat udhëtojnë në lartësi shumë të mëdha, duke e bërë të vështirë rrëzimin e tyre”, shkroi ai në një email. “Ato janë gjithashtu platforma relativisht të mira për mbledhjen e informacioneve të zbulimit, janë në gjendje të lëvizin ngadalë në një zonë dhe ndoshta të kapin informacione të detajuara”.

Për Pekinin, thotë eksperti Kuo, balonat dëshmojnë se Kina mund të shkelë hapësirën ajrore tajvaneze sipas dëshirës dhe të sfidojë sovranitetin e ishullit, gjë që mund të jetë demoralizuese për popullsinë tajvaneze në zgjedhjet e ardhshme.

Zoti Kuo tha se megjithatë ka dyshime mbi efektshmërinë e taktikave të Kinës, pasi Taipei mund t’i përdorë këto incidente për të thelluar marrëdhëniet në fushën e sigurisë me Shtetet dhe partnerët e tjerë aziatikë.

Su Tzu-yun, një ekspert ushtarak në Institutin e Mbrojtjes Kombëtare dhe Sigurisë me bazë në Taipei, thotë se Tajvani ka treguar vetëpërmbajtje deri më tani, por në të ardhme mund të vendosë t’i rrëzojë ato.

“Qeveria tajvaneze tani po dëshmon se është përgjegjëse për territorin e saj, ashtu siç e kërkon ligji ndërkombëtar”, tha ai. “Për më tepër, ajo u tregon qytetarëve tajvanezë se qeveria mund të zbulojë këtë lloj kërcënimi dhe të identifikojë nivelin e rreziqeve që paraqesin balonat për Tajvanin”.

Zoti Su tha gjithashtu se veprimet e Taipeit janë një demonstrim i një reagimi të matur ndaj një kërcënimi.

“Tajvani po demonstron artin e përcaktimit të nivelit të duhur të përgjigjes ndaj kërcënimeve”, tha ai. “Kjo nuk do të thotë se durimi i Tajvanit nuk ka fund. Kur balonat fillojnë të përbëjnë një kërcënim për Tajvanin, autoritetet do të duhet të marrin masa të vendosura për t’i rrëzuar ato.”

Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile. Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës, por Pekini e sheh atë si një provincë të shkëputur, e ka deklaruar se do ta rimarrë me forcë, nëse do të jetë e nevojshme.

Kina e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si pjesë të teorritorit të saj dhe ka rritur presionin ushtarak në vitet e fundit në përpjekje për të detyruar ishullin të pranojë sovranitetin kinez.

Qeveria e Tajvanit thotë se vetëm banorët e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.

Shtetet e Bashkuara ndjekin politikën e një Kine të vetme, dhe nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Tajvanit dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike me ishullin.

Megjithatë, ligji amerikan kërkon një mbrojtje të besueshme për Tajvanin dhe që Uashingtoni t’i trajtojë si çështje të rëndësisë së lartë të gjitha kërcënimet ndaj ishullit.

Lajmet

Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë

Published

on

By

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.

Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.

“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.

Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.

Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.

Continue Reading

Lajmet

UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës ‘Modernizmi në Kaçanik 1945–1990’

Published

on

By

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i kushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike.

Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne. Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve

Published

on

By

Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

Kosova, plotësisht e varur nga importi

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbishkrime nacionaliste serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Published

on

By

Mbishkrime me përmbajtje fyese dhe shoviniste në gjuhën serbe janë vendosur në objektin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Për këto veprime ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si ‘Nuk ka dorëzim’, ‘Kosova është Serbi’ dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD njofton se, pas identifikimit të këtij akti, janë informuar autoritetet gjermane.

“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, bën të ditur Ministria.

Gjithashtu, MPJD ka dënuar këtë akt vandalizmi dhe çdo përpjekje tjetër për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara