Teknologji
Ekosistemi i Kosovës në duar të teknologjive gjeohapësinore
Published
10 months agoon
By
UBT NewsDita ditës kur ndikimet e ndryshimeve klimatike po shkaktojnë tronditje të mëdha në çdo cep të botës, Kosova nuk është imune nga pasojat shkatërruese që po mbajnë peshë në ekosistemet natyrore dhe gjithashtu në strukturat ekonomike e shoqërore. Ngrohja globale, thjesht e matshme përmes rritjes së temperaturave mesatare dhe shfaqjes së fenomeneve ekstreme si thatësira dhe reshje të pakontrolluara, ka ndikuar drejtpërdrejt në fushat më jetike të zhvillimit të Kosovës: bujqësinë, biodiversitetin, dhe shëndetin publik.

Këto ndryshime po sfidojnë jo vetëm infrastrukturën dhe natyrën, por gjithashtu kërkojnë angazhim të menjëhershëm dhe strategji afatgjata për të ndihmuar komunitetin kosovar të përballojë pasojat e këtij fenomeni të paevitueshëm.
Në këtë kontekst të rëndësishëm, Faruk Foniqi, gjeograf dhe specialist në fushën e Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe Remote Sensing, ndihmon për të ofruar një kuptim më të thellë të asaj se si këto ndryshime po ndikojnë në mjedisin dhe sektorët e ndryshëm të Kosovës. Foniqi shpërndan njohuri dhe shembuj konkret që tregojnë përmasat e kësaj krize ekologjike, si dhe për rolin jetik të teknologjive gjeohapësinore për një të ardhme më të qëndrueshme dhe rezistente ndaj ndryshimeve klimatike.
Në pyetjen se si po ndikon ndryshimi i klimës në Kosovë dhe cilat janë fushat më të prekura nga këto ndryshime, profesori vlerëson se efektet e këtij fenomeni janë tashmë të dukshme dhe po ndikojnë në sektorë kyç të ekonomisë dhe mjedisit. Ai thotë se ndryshimet klimatike kanë sjellë rritje të temperaturave mesatare, çka ka ndikuar ndjeshëm në bujqësi, duke ulur prodhimtarinë dhe duke ndryshuar ciklet e të mbjellave. Po ashtu, profesori shprehet se fenomenet ekstreme, si thatësirat dhe përmbytjet, kanë krijuar sfida të mëdha për infrastrukturën dhe jetesën e komuniteteve.
“Në vitet e fundit, thatësirat e shpeshta dhe reshjet ekstreme kanë dëmtuar rëndë sektorin e bujqësisë duke rrezikuar të ardhurat e fermerëve dhe sigurinë ushqimore, ashtu edhe ekonominë e vendit”, thekson profesori.
Përflitet se degradimi i tokës dhe shpyllëzimi po avancojnë me ritme të shpejta, duke e bërë edhe më të brishtë ekosistemin e Kosovës përballë ndryshimeve klimatike. Se cilët janë disa shembuj konkret të ndikimit të ndryshimeve klimatike në mjedisin dhe sektorët kryesorë të Kosovës, profesori vlerëson se këto ndryshime tashmë po e sfidojnë seriozisht stabilitetin ekonomik dhe ekologjik të vendit. Ai thotë se bujqësia është ndër fushat më të prekura, ku reduktimi i rendimentit dhe mungesa e ujit po e vështirësojnë ndjeshëm jetesën e fermerëve dhe sigurinë ushqimore. Në të njëjtën kohë, profesori Foniqi shprehet se biodiversiteti po pëson dëmtime të mëdha, pasi ndryshimi i klimës po shkatërron habitatet natyrore, duke rrezikuar zhdukjen e shumë specieve autoktone.
“Temperaturat e larta dhe kushtet e reja klimatike po ndikojnë drejtpërdrejt në përhapjen e sëmundjeve të lidhura me ngrohjen globale, duke vënë në rrezik shëndetin e popullatës, veçanërisht të grupeve më të ndjeshme, si fëmijët dhe të moshuarit”, u shpreh ai.
Vlerësohet se, përballë këtyre sfidave Kosova duhet të veprojë me urgjencë, duke zbatuar politika të qëndrueshme mjedisore dhe duke investuar në teknologji të gjelbra, në mënyrë që të zbutë efektet e ndryshimeve klimatike dhe të garantojë një të ardhme më të sigurt për qytetarët e saj.

Si mund të përdoren teknologjitë gjeohapësinore për të monitoruar dhe vlerësuar pasojat e ndryshimeve klimatike në Kosovë, profesori vlerëson se këto teknologji luajnë një rol thelbësor në analizën dhe parandalimin e fenomeneve klimatike ekstreme. Ai thotë se Sistemet e Informacionit Gjeografik (GIS) dhe sensorët në distancë mundësojnë mbledhjen e të dhënave në kohë reale, duke ndihmuar në monitorimin e ndryshimeve në përdorimin e tokës dhe mbulimin e pyjeve. Po ashtu, profesori shprehet se imazhet satelitore ndihmojnë në vlerësimin e përmbytjeve dhe modelimin e thatësirave, duke i dhënë institucioneve mundësinë të hartojnë politika të qëndrueshme për menaxhimin e burimeve natyrore.
“Përdorimi i teknologjisë gjeohapësinore ka mundësuar hartimin e zonave të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe krijimin e strategjive efektive për mbrojtjen e komuniteteve lokale”, thekson Foniqi, i cili tutje shton se përmes këtyre teknologjive, Kosova ka mundësi të rrisë kapacitetin e saj në parashikimin dhe reagimin ndaj ndryshimeve klimatike, duke krijuar një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të mbrojtur ndaj krizave ekologjike.
Kur flitet për mundësitë dhe sfidat që ka Kosova në integrimin e teknologjive gjeohapësinore në strategjitë e saj për luftimin e pasojave të ndryshimeve klimatike, profesori vë në theks se vendi ka një potencial të madh për të përfituar nga këto teknologji, por përballet edhe me pengesa të konsiderueshme. Ai thotë se një nga mundësitë më të rëndësishme është bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare, si ESA dhe NASA, për transferimin e njohurive dhe teknologjisë, duke lehtësuar kështu ndërtimin e kapaciteteve të brendshme. Po ashtu, qasja në të dhëna të hapura, si ato nga programi Copernicus, mund të ndihmojë në monitorimin në kohë reale të fenomeneve klimatike dhe në marrjen e masave parandaluese.
“Kosova ka nevojë për një qasje më të organizuar dhe investime të qëndrueshme për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e teknologjive gjeohapësinore”, shprehet profesori Foniqi.

Gjithnjë duke ju referuar profesorit, sfidat kryesore përfshijnë koston e lartë të pajisjeve dhe softuerëve të specializuar, si dhe mungesën e ekspertëve të trajnuar për përdorimin e këtyre teknologjive. E sipas tij, një tjetër pengesë është fragmentimi i të dhënave mjedisore dhe mungesa e një platforme të centralizuar, e cila do të mundësonte shkëmbimin e informacionit mes institucioneve relevante.
“Në këtë kontekst, Kosova duhet të investojë në ndërtimin e kapaciteteve teknike dhe krijimin e një infrastrukture të qëndrueshme digjitale, për ta bërë teknologjinë gjeohapësinore një mjet të fuqishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike”, tha profesori.
Në temën se si të dhënat e mbledhura nga satelitët dhe sistemet GIS mund të ndihmojnë në parashikimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore të lidhura me ndryshimet klimatike në Kosovë, profesori i gjeoinformatikës, Foniqi, thekson rëndësinë e integrimit të teknologjisë në politikat mjedisore dhe strategjitë e menaxhimit të rreziqeve.
Sipas tij, përdorimi i imazheve satelitore dhe analizave të avancuara gjeohapësinore ka mundësuar identifikimin e zonave të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, veçanërisht në rajonet malore të Kosovës. “Falë sistemeve GIS dhe të dhënave satelitore, ne kemi mundësi të parashikojmë ndikimet e reshjeve intensive dhe të përcaktojmë masat që duhen ndërmarrë për të mbrojtur komunitetet lokale”, shpjegon profesori Foniqi.
Përveç kësaj, ai thekson se këto teknologji po përdoren gjithnjë e më shumë për të monitoruar ndryshimet në mbulesën bimore dhe përdorimin e tokës, çka ndihmon në identifikimin e thatësirave dhe hartimin e strategjive për menaxhimin e burimeve ujore. “Në një kohë kur ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme, është thelbësore që institucionet të investojnë në platformat e të dhënave të hapura dhe në krijimin e një infrastrukture të integruar të informacionit mjedisor”, thotë ai.

Sipas ekspertëve, integrimi i teknologjive gjeohapësinore në Kosovë mbetet ende sfidë për shkak të kostove të larta dhe mungesës së një databaze të centralizuar. Megjithatë, profesor Foniqi thekson se me bashkëpunimin e duhur mes institucioneve akademike, qeveritare dhe sektorit privat, vendi mund të përfitojë nga përparësitë e këtyre teknologjive për të përmirësuar menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe për të siguruar një zhvillim më të qëndrueshëm.
Kur profesori Foniqi ndalet në pyetjen se si mund të përmirësohet infrastruktura e të dhënave dhe kapacitetet teknologjike në Kosovë për monitorimin dhe menaxhimin e ndryshimeve klimatike në një periudhë afatgjatë, ai vlerëson se “përmirësimi i infrastrukturës së të dhënave dhe kapaciteteve teknologjike mund të arrihet përmes një qasjeje të integruar që përfshin investime, bashkëpunim ndërinstitucional dhe zhvillim të fuqisë punëtore”.
Ai argumenton se “krijimi i një platforme të centralizuar për të dhënat mjedisore, e cila mundëson akses të hapur dhe të koordinuar për të gjitha institucionet përkatëse, do të ishte një hap thelbësor”. Kjo platformë, sipas tij, duhet të mbështetet nga “teknologji të avancuara si GIS (Sistemet e Informacionit Gjeografik) dhe Remote Sensing, duke lehtësuar analizat e sofistikuara të ndryshimeve klimatike dhe parashikimin e fatkeqësive natyrore”
![]()
Profesori thekson gjithashtu se investimi në kapacitetet njerëzore është po ashtu thelbësor. Trajnimet dhe programet arsimore në fushën e teknologjive gjeohapësinore, në bashkëpunim me universitetet dhe institucionet ndërkombëtare, janë të domosdoshme për “krijimin e një grupi të kualifikuar ekspertësh vendas”. Ai thekson se “përfshirja e sektorit privat dhe startupeve teknologjike në zhvillimin e zgjidhjeve digjitale për menaxhimin e klimës mund të sjellë risi dhe qasje të reja”.
Për më tepër, profesori sugjeron se, angazhimi në programe ndërkombëtare si Copernicus, Galileo ose projekti ESA për monitorimin e tokës do të mundësonte qasje në të dhëna të sofistikuara satelitore dhe burime financiare për zhvillimin e infrastrukturës teknologjike. Ai vlerëson gjithashtu rëndësinë e forcimit të legjislacionit dhe krijimit të politikave të qarta për menaxhimin e të dhënave mjedisore, duke shtuar se këto masa “do të siguronin qëndrueshmëri institucionale dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemeve të monitorimit”.
Duke përfunduar fjalën dhe jo diskutimin mbi temën që kërkon trajtim të vazhdueshëm, profesori Foniqi thotë se duke shfrytëzuar avancimin e teknologjive gjeohapësinore dhe angazhimin institucional të koordinuar, Kosova ka mundësinë të përballojë sfidat e ndryshimeve klimatike dhe të krijojë një të ardhme më të qëndrueshme për brezat që vijnë./UBTNews/
Gazetare: DIONESA EBIBI
Teknologji
TikTok nënshkruan marrëveshje për ndarjen e aseteve në ShBA
Published
3 weeks agoon
December 19, 2025By
UBTnews
TikTok ka nënshkruar një marrëveshje të mbështetur nga Presidenti Donald Trump për të ndarë asetet e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të krijuar një entitet të ri të përbashkët, të kontrolluar kryesisht nga investitorë amerikanë.
Lajmi u konfirmua nga CEO i TikTok, Shou Chew, në një memo drejtuar punonjësve të enjten, e siguruar nga CNN. Edhe pse transaksioni nuk është finalizuar ende, marrëveshja e çon platformën një hap më afër sigurimit të së ardhmes së saj afatgjatë në tregun amerikan.

Ky zhvillim vjen pas një ligji të miratuar vitin e kaluar, i cili kërkonte që TikTok në ShBA të shkëputej nga kompania mëmë kineze ByteDance, ose përndryshe të përballej me ndalim. Presidenti Trump e ka shtyrë zbatimin e ligjit disa herë, duke favorizuar një marrëveshje që do ta kalonte kontrollin e aplikacionit në duar amerikane.
“Sapo kemi nënshkruar marrëveshje me investitorët për krijimin e një sipërmarrjeje të re të përbashkët TikTok në ShBA, duke u mundësuar mbi 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë të zbulojnë një botë me mundësi të pafundme,” shkroi Chew në memo.
Sipas marrëveshjes, 50% e entitetit të ri do të jetë në pronësi të një konsorciumi investitorësh që përfshin Oracle, Silver Lake dhe MGX, një firmë investimesh e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Rreth 30% do të zotërohet nga bashkëpunëtorë të investitorëve ekzistues të ByteDance, ndërsa 19.9% do të mbetet në pronësi të vetë ByteDance.
Chew theksoi se ka ende hapa për t’u përfunduar, por palët synojnë finalizimin e marrëveshjes deri më 22 janar 2026. ByteDance dhe TikTok tashmë kanë rënë dakord për kushtet kryesore të transaksionit.
Administrata Trump njoftoi në shtator se kishte arritur një marrëveshje paraprake për transferimin e kontrollit të operacioneve amerikane të TikTok te investitorë kryesisht amerikanë. Presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e cilëson marrëveshjen si një “shitje të kualifikuar” dhe shtyu zbatimin e ndalimit për 120 ditë.
Sipas ligjit amerikan, i cili teknikisht hyri në fuqi në janar, TikTok do të ndalohej nëse ByteDance nuk shiste rreth 80% të aseteve të saj në ShBA investitorëve jo-kinezë.
Entiteti i ri amerikan do të ritrajojë algoritmin e TikTok mbi të dhënat e përdoruesve amerikanë, ndërsa Oracle do të mbikëqyrë ruajtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike. Gjithashtu, ndërmarrja e re do të jetë përgjegjëse për moderimin e përmbajtjes për përdoruesit në ShBA. Megjithatë, ByteDance pritet të vazhdojë të menaxhojë tregtinë elektronike, reklamimin dhe marketingun global të platformës.
Marrëveshja do të kërkojë gjithashtu miratimin e qeverisë kineze, i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ndërsa Trump ka deklaruar se Presidenti kinez Xi Jinping është dakord me marrëveshjen, Pekini ka mbajtur një qëndrim të rezervuar, duke theksuar se pozicioni i Kinës për çështjen e TikTok mbetet “i qartë dhe konsistent”./CNN/UBTnews
Teknologji
OpenAI ka prezantuar një gjenerator të ri imazhesh
Published
3 weeks agoon
December 17, 2025By
UBT News
Kompanitë e teknologjisë po avancojnë me shpejtësi në fushën e inteligjencës artificiale, dhe OpenAI sapo ka prezantuar një gjenerator të ri imazhesh të quajtur ChatGPT Images.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të imazheve me anë të inteligjencës artificiale, duke u mundësuar përdoruesve të shprehin kreativitetin e tyre në mënyra të reja dhe më të avancuara.
Sipas deklaratave, ky gjenerator është katër herë më i shpejtë se versionet e mëparshme, ndjek udhëzimet që përdoruesit japin dhe bën më pak gabime në detaje.
Ky përmirësim teknik e bën procesin e krijimit të imazheve më të saktë, më efikas dhe më të kënaqshëm për përdoruesit, duke lehtësuar punën kreative dhe duke reduktuar nevojën për redaktime të mëvonshme.
Sam Altman, CEO i OpenAI, kishte paralajmëruar prezantimin e këtij modeli më parë dhe e përshkroi atë si një “model argëtues”, duke lënë të kuptohet se përdoruesit mund të presin një përvojë interaktive dhe kreative.
Krijimi i imazheve me cilësi të lartë bëhet i thjeshtë: mjafton të japësh komandat e duhura, dhe inteligjenca artificiale punon për të gjeneruar rezultatin në mënyrë të shpejtë dhe të saktë. ChatGPT Images synon të thjeshtojë procesin e krijimit të imazheve e të ofrojë një eksperiencë më të shpejtë, më të saktë dhe më argëtuese për përdoruesit.
Përveç përdorimit personal, ky mjet ka ndikim edhe në fusha të ndryshme profesionale, si dizajni grafik, marketingu, arsimi dhe krijimi i përmbajtjes digjitale, duke e bërë AI një partner të dobishëm për inovacion dhe krijimtari. /A.Z/UBT News/
Teknologji
Gjysma e makinave të Ford do të jenë elektrike ose hibride deri në 2030
Published
3 weeks agoon
December 16, 2025By
UBT News
Industria automobilistike po përshtatet vazhdimisht me kërkesat e tregut.
Pas një përqendrimi agresiv në automjetet elektrike (EV), Ford po ndryshon strategji për shkak të kostove të larta, mungesës së infrastrukturës dhe klimës politike, duke u orientuar më shumë drejt modeleve hibride.
Aktualisht, automjetet hibride dhe elektrike përbëjnë 17% të shitjeve globale të Ford, ndërsa synimi është që kjo shifër të arrijë 50%.
Kjo do të mbështetet nga një platformë e re universale EV dhe më shumë modele hibride e me rreze të zgjatur.
Një kamionçinë elektrike e mesme pritet të hyjë në prodhim në vitin 2027, ndërsa F-150 Lightning EREV do të ofrojë rreth 700 milje autonomi.
Ford po redukton investimet në automjete elektrike të mëdha, të cilat nuk po gjenerojnë kërkesë të mjaftueshme, dhe do të fokusohet në modele më të përballueshme me benzinë, hibride dhe elektrike.
Deri në fund të dekadës, kompania planifikon të prezantojë pesë automjete të reja me çmime më të ulëta.
Gjithashtu, Ford synon të hyjë në tregun e ruajtjes së energjisë, duke përdorur kapacitetet e prodhimit të baterive për qendra të të dhënave dhe banesa.
Këto lëvizje janë pjesë e strategjisë Ford+ dhe përputhen me objektivin për neutralitet karbonik deri më 2050, duke synuar njëkohësisht qëndrueshmëri dhe fitim. /A.Z/UBT News/
Teknologji
Pamja e ndarë e kamerës vjen në Pixel 9 Pro Fold me përditësimin e ri
Published
4 weeks agoon
December 15, 2025By
UBT News
Me rritjen e vazhdueshme të popullaritetit të telefonave të palosshëm, pritet që gjithnjë e më shumë aplikacione të palëve të treta të optimizohen për këtë faktor forme.
Kjo vlen edhe më tepër për aplikacionet e sistemit. Pikërisht për këtë arsye, Google po përmirëson përvojën e aplikacionit Camera për përdoruesit e Pixel 9 Pro Fold, duke sjellë një veçori të re që debutoi fillimisht në Pixel 10 Pro Fold.
Funksioni në fjalë mundëson shikimin paraprak të fotove në gjysmën e majtë të ekranit të brendshëm, ndërsa pamësi (viewfinder) i kamerës mbetet aktiv në anën e djathtë. Kjo e bën procesin e fotografimit më praktik dhe më efikas,.
Sinqerisht, është disi befasuese që Google-it i është dashur kaq shumë kohë për ta implementuar këtë veçori, pasi pamja e ndarë është tashmë standard në shumicën e telefonave të tjerë të palosshëm.
Për më tepër, ekziston një buton i dedikuar poshtë qepenit, i cili ju lejon të shikoni jo vetëm fotot e realizuara gjatë seancës aktuale, por edhe gjithë galerinë tuaj – një shkurtore praktike drejt Google Photos. /A.Z/UBT News/
Rënie e ndjeshme e temperaturave dhe reshje bore në Kosovë, autoritetet bëjnë thirrje për kujdes
Deri në një orë e gjysmë pritje për dalje nga Kosova
Sot nis numërimi i fletëvotimeve të fundit nga diaspora
Arrestime nëpër Kosovë, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara
Disa zona në Prishtinë me reduktime uji
SHBA-ja tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare
Evakuohen 15 familje në Mitrovicë
100 qytetet me ushqimin më të mirë në botë
25 divorcet të shtrenjta në histori
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Aktualitet2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet3 months agoProfesoresha e UBT-së, Dr. Fatbardha Qehaja Osmani boton studim ndërkombëtar në revisten prestigjioze të Quartile-it 1- Reading Psychology, Taylor & Francis- Routledge
