Lajmet

Edward Luttwak: Sa herë që rusët nisin një luftë dështojnë, kur mbrohen fitojnë

Ai thotë se plani i Putinit ka dështuar tashmë.

Published

on

Strategu i njohur amerikan, Edward Luttwak, që ka shërbyer për shumë vite në Pentagon dhe Shtëpinë e Bardhë, thotë se katastrofa ushtarake e Rusisë në Ukrainë, do të studiohet ndër breza. Ai thotë se plani i Putinit ka dështuar tashmë, dhe ai nuk ka asgjë për të festuar në paradën e 9 Majit. Lutwak është i bindur se për Carin, ka vetëm një rrugëdalje nga lufta në Ukrainë.

Parada vjetore për të përkujtuar fitoren e sovjetikëve ndaj nazistëve do të organizohet të hënën. A mund të pretendojë Putin se ka fituar në Ukrainë?

Sigurisht që jo. Ushtria ruse luftoi shumë keq, dhe plani i saj i luftës dështoi që në fillim. Putin synonte një grusht shteti në Kiev, duke e marrë si të mirëqenë arratisjen e Zelensky jashtë vendit, shpërbërjen e qeverisë ukrainase, dhe rebelimin e ushtrisë së saj ndaj udhëheqjes.

Por gjërat shkuan ndryshe…

Një katastrofë. Ata u përpoqën ta pushtonin kryeqytetin ukrainas me një forcë prej më pak se 300 parashutistësh, të cilët u transportuan me helikopterë. Më pas u përpoqën të merrnin në kontroll aeroportin Gostomel, në rrethinat e Kievit, plan që gjithashtu dështoi. Dhe e gjithë kjo falë një supozimi dramatikisht të gabuar.

Cilit?

Rusët menduan se ushtria ukrainase ishte e njëjtë me atë afgane apo siriane, dhe jo një ushtri e patriotëve evropianë. Rusët e ndërtuan fushatën ushtarake me supozimin e rezultatit më të mirë të mundshëm, atë të një skenari ideal. Është një gabim, për të cilin gjithmonë paguhet.

Në këto kushte, a ka Putin një rrugëdalje?

Po, dhe unë e di që edhe ju jeni në dijeni të saj. Duhet rënë dakord që të mbahen dy referendume në rajonet e kontestuara Donetsk dhe Luhansk. Më pas të nënshkruhet një armëpushim midis palëve, me kushtin që Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të heqin të gjitha sanksionet për të siguruar respektimin e tij.

Por ka një problem:Ukraina nuk do të pranojë të dorëzojë territoret e pushtuara…

Duhet gjetur gjithsesi një kompromis. Referendumi duhet të organizohet me të gjitha rregullat e lojës. Cilido që ka banon në ato zona mund të marrë pjesë në të, dhe duhet ta vërtetojë pa mëdyshje identitetin e tij.

Ju keni shkruar libra të rëndësishëm mbi strategjitë ushtarake. Çfarë duhet të mësojnë brezat e ardhshëm të strategëve rusë nga lufta në Ukrainë?

Rusët duhet t’i kishin përvetësuar tashmë leksionet e historisë së tyre. Ata e sulmuan Finlandën në vitin 1939 me një disproporcion të madh forcash. Kishin rreth 1500 tanke, ndërsa Finlanda vetëm 15. Edhe ato në një muze ushtarak. E megjithatë rusët humbën 100.000 ushtarë në atë luftë.

Çfarë do të thotë kjo?

Mësimi është i thjeshtë:kur rusët nisin një luftë, ata dështojnë. Kur mbrohen, fitojnë. Pësojnë vërtet humbje, por më pas tërhiqen, dhe rezistojnë, derisa e lodhin armikun.

Por ata kanë një “As” nën mëngë, të cilin ne po e harrojmë: armët bërthamore. A mund të konkurrojë Rusia me arsenalin perëndimor?

Me armët bërthamore nuk ka konkurrencë:mjafton lëshimi i një bombe, dhe gjithçka merr fund. Armët bërthamore taktike janë një fantazi e viteve 1960. Prandaj si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusia, kanë çmontuar përgjatë viteve në mënyrë të njëanshme mijëra bomba, silurë dhe raketa bërthamore. Me luftën bërthamore humbasin të gjithë.

Vendi

LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend

Published

on

By

Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.

Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.

Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.

Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.

Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.

Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.

Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.

 

Continue Reading

Vendi

Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt

Published

on

By

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.

Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.

Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.

Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.

Continue Reading

Lajmet

Përplasje në Kuvend për naftën: LDK kërkon uljen e akcizës, LVV e cilëson propozim populist

Published

on

By

Seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës këtë të premte është shoqëruar me një debate të ashpra mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me çmimin e naftës. Përmes një rezolute, opozita ka kërkuar ndërhyrje emergjente në politika fiskale për të lehtësuar barrën e qytetarëve, ndërsa pushteti e ka refuzuar këtë nismë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar se rritja e kostos së karburanteve po rrezikon të thellojë krizën sociale në vend. Ajo theksoi se nafta është çmim bazë që dikton zinxhirin e shtrenjtimeve në çdo sektor.

“Nafta është çmim bazë i ekonomisë dhe çdo rritje e saj përkthehet automatikisht në rritje të çmimeve të produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit. Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës,” deklaroi Lushaku-Sadriu.

Rezoluta e LDK-së propozon tri masa konkrete: Uljen e akcizës nga 36 në 20 centë për litër; Uljen e TVSH-së për karburante nga 18% në 8%; Subvencionimin e naftës për bujqit, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, e ka kundërshtuar ashpër këtë kërkesë, duke argumentuar se ulja e të hyrave publike do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe financimin e sektorëve kyç si arsimi dhe shëndetësia.

“Ne si Grup Parlamentar me qeverisjen tonë kemi ndërhyrë aty ku duhet, kemi formalizuar tregun e naftës, kemi evituar kostot e panevojshme dhe kemi rritur transparencën. Këto masa janë efekt real dhe afatgjatë,” tha Hajdari, duke e quajtur propozimin e opozitës si ekonomikisht të papërgjegjshëm.

Hajdari shtoi se rritja e çmimeve është pasojë e krizave gjeopolitike globale dhe se masat e propozuara nga LDK-ja nuk garantojnë një ulje reale të çmimit në pompë për konsumatorët fundorë. Debati po vazhdon me akuza të ndërsjella, ku opozita kërkon veprim të menjëhershëm, ndërsa pozita mbron stabilitetin buxhetor.

 

Continue Reading

Të kërkuara