Lajmet

Edhe pas takimit me ministren Haxhiu, vazhdon greva në Pallatin e Drejtësisë

Këshilli grevist ka pasur takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, por pa ndonjë rezultat.

Publikuar

Në Pallatin e Drejtësisë po vazhdon greva e punëtorëve të administratës për të nëntën ditë me radhë (pa fundjavën). Këshilli grevist ka pasur takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, por pa ndonjë rezultat.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi thotë nuk ka ndërprerje të grevës deri në realizimin e kërkesave.

“Sot është dita e nëntë e grevës në Pallatin e Drejtësisë dhe për këto nëntë ditë sa jemi në grevë ne kemi pasur dy takime, njërin me Ministrinë e Drejtësisë, me ministren Albulena Haxhiu, me zëvendësministrin, Blerim Sallahun, edhe me hierarkinë e komplet sistemit së drejtësisë me cilët kemi biseduar për kërkesat, i kemi njoftuar, madje edhe kërkesat tona datojnë qysh nga 25 maji… Pas tri dite që ka filluar greva ne kemi pasur atë takim mirëpo ka rezultuar pa sukses sepse nuk na është plotësuar asnjë kërkesë e jona. Më 7 mars, ne kemi pasur prapë një takim si këshill grevist dhe sindikata, e kemi pasur në lokalet e këshillit gjyqësor dhe prapë nuk kemi has në mirëkuptim, përjashtim që ata thonë se kërkesat tona janë reale, mirëpo janë të pamundshme sepse nuk kanë buxhet”, thotë ai.

Rrustemi thotë se reflektimin e presin nga institucionet qendrore dhe se grevën do ta vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave.

“Ne presim reflektimin e institucioneve qendrore sepse ata janë kompetentë për kërkesat tona, mirëpo edhe nëse brenda 2-3 dite nuk vijnë dhe nuk reflektojnë atëherë si këshill grevist ne do të ulemi dhe do t’i rishikojmë masat. (Greva do të vazhdojë) deri në plotësimin e kërkesave tona”, thotë Rrustemi.

Përfaqësuesi i Gjykatës Supreme, Qani Rexhepi thotë se nuk do të ndalojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Nuk do të tërhiqemi derisa të plotësohen kërkesat tona. Asgjë nuk kemi, janë kanë në Themelore, por me shkrim nuk kemi ende asgjë”, shprehet Rexhepi.

Kërkesat e Këshillit grevist janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për plotësim dhe ndryshim të ligjit për zyrtarë publikë; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga, si dhe pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro.

I gjithë stafi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është në grevë përpos gjyqtarëve.

Këshilli grevist me kryesitë e sindikatave do t’i përmbahen në përpikëri Ligjit mbi grevat duke lejuar që lëndët e natyrës urgjente si lëndët me paraburgim dhe lëndët me të cilat rrezikohet personaliteti i njeriut (dhuna në familje) të lejohen të punohet si dhe shkresat që i adresohen Gjykatës të pranohen nga stafi i arshivës në kohën e caktuar nga Këshilli grevist.

Lajmet

OBSh-ja thotë se operacioni ushtarak në Rafah duhet të marrë fund tani

Publikuar

nga

Hanan Balkhy, drejtoresha rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Mesdheun Lindor, tha se operacioni ushtarak i Izraelit në Rafah po vë në rrezik jetën e mbi 1.5 milion njerëzve, në mesin e tyre 600 fëmijë, dhe duhet të marrë fund tani.

Ajo shkroi në llogarinë e saj në “X” se pika kufitare në Rafah duhet të rihapet urgjentisht për të mundësuar kalimin e sigurt të ndihmave humanitare.

“Armëpushimi i menjëhershëm duhet të ndodhë tani, për hir të njerëzimit”, deklaroi ajo./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për përdorimin e armëve kimike

Publikuar

nga

Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për përdorimin e toksinave të ndaluara në fushën e betejës.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), e cila ndodhet në Hagë, tha se të gjitha akuzat janë “të pamjaftueshme” për t’u vërtetuar.

Sipas OPCW-së, situata është e paqëndrueshme dhe jashtëzakonisht shqetësuese në lidhje me rishfaqjen e mundshme të përdorimit të kimikateve toksike si armë”. Asnjëra palë nuk i ka kërkuar OPCW-së të hetojë përdorimin e supozuar të armëve kimike.

Javën e kaluar, Rusia mohoi akuzat nga SHBA se ka përdorur agjentin mbytës kloropicrin kundër trupave ukrainase dhe ka përdorur agjentë të kontrollit të trazirave “si një metodë lufte”.

Sipas Konventës për Armët Kimike, çdo kimikat toksik i përdorur me qëllim të dëmtimit ose vdekjes konsiderohet armë kimike./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Policia e Kosovës gjen kamera në një rrugë malore në kufirin lindor me Serbinë

Publikuar

nga

Policia e Kosovës tha se ka gjetur të hënën dy kamera me panele diellore në kufirin lindor me Serbinë, për të cila dyshon se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistë të dyshuar.

Në një njoftim për media të martën, Policia tha se kamerat ishin vendosur në një rrugë malore nga fshati Ranillug i Kosovës, në drejtim të fshatit Konçul të Serbisë.

Policia e ka ndaluar në vendin e ngjarjes një 30-vjeçar, me shtetësi të dyfishtë: kosovare dhe serbe, thuhet në njoftim.

“Në vendin e lartcekur, është ndaluar edhe automjeti me targa serbe me drejtues J. S., 30 vjeçar… I njëjti dyshohet se aty ka shkuar për t’u kujdesur për kamerën që veç e kishin marrë më herët njësitet policore”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti i tij është sekuestrohet, sipas njoftimit.

Policia shtoi se i dyshuari e kishte përdorur “këtë automjet e kishte përdorur vetëm për kontrabandë të mallrave përmes rrugëve ilegale”.

Në korrik të vitit 2023, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, për arsye “sigurie”, kur tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe.

Në dhjetor, Policia e Kosovës hoqi qindra kamera në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Paraprakisht, ajo kishte hequr kamera edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug – komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Gjenden mbetje skeletore në ish-bazën e Hitlerit

Publikuar

nga

Prokurorët polakë kanë përfunduar hetimet mbi mbetjet skeletore që u gjetën në vendin ku diktatori gjerman, Adolf Hitler dhe liderë të tjerë nazistë kaluan kohën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Eshtrat u gjetën më 24 shkurt në Wolf’s Lair, e cila shërbeu si selia kryesore e Hitlerit për Frontin Lindor midis viteve 1941-44, kur Polonia u pushtua nga Gjermania. Ky zbulim ngjalli interes për të zbuluar identitetin e atyre të cilëve iu gjetën eshtrat, por hetimet dështuan për shkak të gjendjes së mbetjeve dhe kalimit të kohës.

Një zëdhënës i zyrës së prokurorit afër qytetit Ketrzyn, Daniel Brodowski, tha se zyrtarët policorë siguruan mbetjet pasi ato u gjetën nga një grup lokal, Latebra, i cili merret me gjurmimin e objekteve historike.

Një ekspert mjeko-ligjor i ka ekzaminuar nën mbikëqyrjen e prokurorisë, e cila po përpiqej të përcaktonte nëse kishte ndodhur vrasja nga pakujdesia. Brodowski njoftoi përmes një deklarate se hetimi u ndërpre në fund të marsit për shkak të mungesës së provave se ishte kryer një krim./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara