Kulturë

E braktisur në jetimore për shkak të albinizmit, tani Xueli Abbing bëhet modele e revistës më të njohur në botë

Published

on

Kur Xueli ishte foshnje, prindërit e saj e lanë në jetimore, pasiqë në Kinë albinizmi shihet nga disa si “mallkim”.

Gjendja e rrallë gjenetike shkakton mungesë të pigmentit, që ndikon që lëkura dhe flokët të jenë të zbehta dhe jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj rrezeve të diellit.

Por dukja ndryshe e ngriti Xueli Abbing në karrierën e saj të modelimit. Tani 16-vjeçare, ajo ka hijeshuar faqet e Vogue dhe kampanjat për dizajnerët më të njohur në botë.

“Stafi në jetimore më vuri emrin Xue Li. Xue do të thotë borë dhe Li do të thotë e bukur. Unë u birësova kur isha tre vjeçe dhe shkova të jetoja me nënën dhe motrën time në Holandë. Nëna ime tha se nuk mund të mendonte për një emër më të përsosur dhe ajo mendoi se duhej të mbaja një referencë për rrënjët e mia kineze”, u shpreh ajo.

Ndërkaq ajo shton se në kohën kur u lind, në Kinë qeveria kishte zbatuar një politikë ku një familje mund të kishte vetëm një fëmijë. Prindërit e saj ndiheshin jashtëzakonisht të pafat kur panë se bija e tyre ishte me albinizëm.

“Disa fëmijë, si unë, u braktisën, të tjerët ishin mbyllur ose nëse shkonin në shkollë flokët e tyre u lyenin me ngjyrë të zezë”, tha Xueli.

Sipas modeles, në disa vende në Afrikë fëmijët si ajo janë cak i sulmeve, ose ju priten gjymtyrët ose vriten. “Mjekët” magjistarë përdorin kockat e tyre për të bërë ilaçe pasiqë besojnë se mund të shërojnë sëmundjen, por sigurisht që kjo nuk është e vërtetë, këto janë mite.


“Jam me fat që vetëm u braktisa”, shtoi ajo.


E gjithë karriera e saj në modelim filloi rastësisht kur nëna e saj e njoftoi me një stiliste biri i së cilës e kishte buzën e çarë dhe ajo vendosi që të krijonte rroba shumë të bukura për të, në mënyrë që njerëzit të mos e shikonin gjithmonë gojën e tij. Fushtata quhej “Papërsosmëri të përsosura” kur Xueli u bë modele që në moshën 11-vjeçare.

Pas kësaj, ajo ishte ftuar në shumë fotosesione si për Brock Elbank në Londër, pastaj agjencia e modelimit Zebedee Talent e mori Xuelin për të përfaqësuar personat me aftësi të kufizuara në industrinë e modës.

Asaj i pëlqen modelimi pasiqë sipas saj, të dukesh ndryshe është një bekim jo një mallkim dhe mundohet të rrisë ndërgjegjësimin rreth albinizmit. Sipas saj, tani njerëzit me aftësi të kufizuara ose dallime po paraqiten më shumë në media dhe kjo është e mrekullueshme – por duhet të jetë normale.

“Modelet me albinizëm shpesh stereotipizohen për të përshkruar engjëj ose fantazma dhe kjo më trishton. Sidomos sepse përjetëson ato besime që rrezikojnë jetën e fëmijëve me albinizëm në vende të tilla si Tanzania dhe Malavi”, përfundoi Xueli./UBTNews

(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Kulturë

Mbrëmje klasike në Prishtinë: Filharmonia e Kosovës ngjitet në skenë më 17 prill

Published

on

Filharmonia e Kosovës do të rikthehet para publikut më 17 prill 2026 me një koncert të radhës, duke sjellë një program të larmishëm me vepra nga kompozitorë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në këtë mbrëmje muzikore do të interpretohen vepra nga Baki Jashari, Francis Poulenc dhe Ludwig van Beethoven, duke ofruar një përvojë artistike që ndërthur traditën dhe klasikën botërore me krijimtarinë vendore.

Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.

Continue Reading

Kulturë

Koncert solemn në Prishtinë për Shën Nënë Terezën dhe Kardinalin Ernest Simoni

Published

on

Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt një koncert solemn, i organizuar në nder të Shën Nënë Terezës, me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të saj, si dhe për të shënuar 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Kardinalit shqiptar Ernest Simoni.

Ky aktivitet u organizua nga Fondacioni “Kardinal Domenico Bartolucci”, në bashkëpunim me Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë, nën patronatin e Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Koncerti u hap nga Kori i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, së bashku me sopranon Arta Jashari, të cilët interpretuan veprën “Rri me ne” të kompozitorit Marco Frisina, nën dirigjimin e motrës Lidvina Marku dhe me shoqërim në organo nga Emanuel Mates.

Në vijim, performoi Kori i Fondacionit “Bartolucci”, nën drejtimin e dirigjentit Adriano Caroletti dhe organistit Josep Solé Coll, duke sjellë një program të pasur me vepra me tematikë pashkore, që u prit me emocione të veçanta nga publiku.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, Kardinali Ernest Simoni, Ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, si dhe përfaqësues institucionalë, diplomatë, artistë dhe besimtarë të shumtë.

Continue Reading

Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Terminal” për herë të parë në Çeki

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës ka prezantuar për herë të parë në Republikën e Çekisë shfaqjen “Terminal”, në qytetin e Trutnovit, duke zgjuar interes të veçantë te publiku vendas.

“Terminal”, me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Roland Petite, solli një rrëfim bashkëkohor, i cili u komunikua fuqishëm me audiencën përmes lëvizjes dhe interpretimit artistik.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Republikën Çeke, Albesjana Iberhysaj Kapitaj, e shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Ilir Tepelena, së bashku me diplomatë dhe dashamirë të artit, të cilët e përjetuan nga afër këtë ngjarje kulturore.

Kjo paraqitje shënon një hap të rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të artit kosovar dhe dëshmon rolin e fuqishëm të diplomacisë kulturore në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe popujve.

Continue Reading

Kulturë

“Nderi” prezantohet në Prishtinë pas rrugëtimit në festivale ndërkombëtare

Published

on

Pas një rrugëtimi të suksesshëm në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe një prezantimi të mëhershëm në Podgoricë, filmi artistik me metrazh të gjatë “Nderi” u shfaq edhe për publikun në Prishtinë në mbrëmjen e së enjtes. Kjo premierë përkoi simbolikisht me shënimin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, vend nga i cili vjen edhe produksioni i filmit.

Me regji të Nikola Vukčević, “Nderi” është rezultat i një pune disavjeçare, që i ka marrë regjisorit rreth tetë vite për ta sjellë në ekran. Filmi ndërton boshtin e tij narrativ mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke trajtuar tema të thella si morali, nderi dhe sakrifica.

Ngjarja bazohet në një histori të vërtetë nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimi ndjek fatin e një fëmije ortodoks që, duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehim te një familje muslimane shqiptare. Pikërisht në këtë raport zhvillohet drama e filmit, duke vënë në pah besën shqiptare dhe vendosmërinë për të mbrojtur jetën e tjetrit, edhe përballë rrezikut ekstrem.

Në rolet kryesore paraqiten aktorët Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski, Elez Adžović dhe emra të tjerë të njohur të skenës.

“Nderi” është propozuar nga Qendra e Filmit të Malit të Zi për çmimin Oscar, megjithatë nuk arriti të përfshihet në listën e ngushtë. Pavarësisht kësaj, filmi ka shënuar suksese të rëndësishme ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmime dhe duke u shfaqur në festivale prestigjioze, përfshirë edhe ato të kategorisë A, si në Kajro, Goa dhe Palm Springs.

 

Continue Reading

Të kërkuara