Aktualitet

Drejtori i Policisë nuk pranon të përgjigjet për Dhomat e Specializuara

Ai nuk pranoi të përgjigjet në pyetjen për Gjykatën Speciale, as pas insistimeve.

Published

on

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka refuzuar të përgjigjet sot në pyetjen e deputetëve të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje lidhur me Gjykatën Speciale.

Ishte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila pyeti Mehmetin nëse Policia e Kosovës është e gatshme t’iu përgjigjet Dhomave të Specializuara për kërkesat për mbrojtje në liri të personave të akuzuar.

“Mos të më merret se po e shfrytëzoj rastin pse jam unë këtu dhe e kam personin atje dhe po bëj pyetje por vlen të dihet dhe ne si komision ta dimë se a jeni të gatshëm t’iu përgjigjeni kërkesave të Dhomave të Specializuara për mbrojtjen në liri të personave të akuzuar atje”, tha ajo.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti nuk pranoi të përgjigjet në pyetjen për Gjykatën Speciale, madje as pas insistimit të deputetes Mehmeti Selimi se çfarë kushte ofron për mbrojtjen në liri të personave të akuzuar nga Specialja.

“Besoj që opinioni publik tashmë e din që neve na u janë bërë kërkesa nga avokatët mbrojtës dhe ne i kemi adresuar kërkesat nga avokatët mbrojtës. Ndërsa pyetjet rreth Dhomave të Specializuara kisha pasur dëshirë që të na kurseni neve dhe t’ua bëni dhomave të specializuara… Unë u përgjigja që avokatët mbrojtës kanë bërë kërkesa për kushtet për lirim me kusht. Ne i kemi dërgu kapacitetin, aftësinë tonë dhe mundësinë tonë për me siguru lirim me kusht. Ndërsa sa i përket çështjes rreth Dhomave të Specializuara kisha pas dëshirë me na kursy që atë pyetje me ua bë Dhomave të Specializuara dhe jo neve, për shkak se nuk mund të përgjigjemi në këtë pyetje, me keqardhje”, tha ai.

Vendi

Kurti: Zgjedhja e presidentit është emergjente, moszgjedhja na pamundëson mbrojtjen e krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të ri është një çështje emergjente, pa të cilën Kosova nuk do të mund t’iu ndihmojë katër ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelimit të dënimit të tyre nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kurti theksoi se vendi ka nevojë të menjëhershme për një strategji shtetërore e kombëtare, e cila duhet të trajohet gjatë këtij muaji dhe jo vitin e ardhshëm. Sipas tij, nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet presidenti, Kosova rrezikon të mbetet me muaj të tërë pa institucione funksionale për shkak të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Moszgjedhja e Presidentit na çon drejtpërdrejt në zgjedhje. Por jo vetëm kjo, ajo na kufizon edhe mundësinë që të merremi me strategjinë shtetërore dhe me çështjen e apelit. Pa President, Kosova rrezikon të mbetet pa institucione funksionale”, u shpreh Kurti. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

PDK kërkon nënshkrimet e opozitës dhe shumicës për seancë të jashtëzakonshme për Specialen

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, me qëllim votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Gjatë një konference për media, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se deri më tani janë siguruar 29 nënshkrime – 22 nga grupi parlamentar i PDK-së dhe 7 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme sipas Rregullores së Kuvendit nevojiten së paku 40 nënshkrime.

Hamza konfirmoi se i kanë dërguar ftesë zyrtare kryetares së Kuvendit dhe u kanë kërkuar mbështetje me nënshkrime deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje si dhe komuniteteve joshumicë joserbe.

“PDK-ja po pret dhe po kërkon që të thirret seanca në mënyrë që të aprovohet Ligji për Dhomat e Specializuara. Iu kemi dërguar ftesë të gjithë deputetëve të VV-së, LDK-së dhe komuniteteve joshumicë joserbe që të na japin nënshkrimet, meqë kërkojmë me ngulm që ky ligj të miratohet”, deklaroi Hamza. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Mblidhet grupi parlamentar i LVV-së, pritet caktimi i seancës për presidentin

Published

on

By

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mblidhet sot në orën 14:00, mëson Ekonomia Online nga burimet e saj brenda këtij subjekti politik.

Mbledhja e parlamentarëve të shumicës vjen në një moment të tensionuar politik, kur Kuvendi i Kosovës ende nuk ka caktuar një orar zyrtar për mbajtjen e seancës plenare.

Sot është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Nëse deputetët dështojnë të zgjedhin presidentin e ri deri në mesnatë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

UBT ofron 20% bursë studimi për Masterin në Shkenca dhe Teknologji të Ushqimit

Published

on

By

Në një kohë kur siguria ushqimore përbën një nga sfidat më kryesore globale, UBT ka hapur aplikimet për programin Master në Shkenca dhe Teknologji të Ushqimit, duke ofruar 20% bursë studimi përmes skemës “Engaged Scholarship” për të gjithë kohëzgjatjen e studimeve.

Bursa vlen për një sere profesionistësh të fushës, përfshirë teknologët e ushqimit, nutricionistët, infermierët, kontrollorët e cilësisë, inspektorët ushqimorë dhe laborantët ushqimorë.

Programi është i ndërtuar sipas standardeve të universiteteve më të avancuara evropiane dhe synon përgatitjen e kuadrove udhëheqëse për tregun e punës. Përmes punës praktike në laboratorë modernë, studentët trajnohen në kontrollin e cilësisë, inxhinierinë e përpunimit, kiminë e mikrobiologjinë ushqimore, si dhe zhvillimin e produkteve inovative në përputhje me legjislacionin dhe normat ndërkombëtare.

Përveç komponentës teoretike dhe praktike, ky program vë fokus të veçantë te kërkimi shkencor dhe zgjidhja e problemeve reale me të cilat përballet industria ushqimore sot. Studentët aftësohen për të analizuar parametrat dietikë, për të optimizuar linjat e prodhimit industrial me eficiencë energjetike dhe për të garantuar qëndrueshmëri mjedisore në çdo fazë të përpunimit të ushqimit.

Gjithashtu, mjedisi interaktiv, stafi akademik me përvojë ndërkombëtare dhe rrjeti i gjerë i partneriteteve u mundësojnë studentëve përfitimin e kompetencave të nevojshme për pozita drejtuese e ekzekutive në sektorin publik dhe privat, si dhe për vazhdimin e studimeve të doktoraturës.

Për më shumë informata mbi aplikimin dhe përfitimin e bursës prej 20%, të gjithë të interesuarit mund të drejtohen pranë hapësirave të UBT-së apo faqeve zyrtare të këtij institucioni.

Continue Reading

Të kërkuara