Lajmet

Covey për incidentet: Asnjë prej aktiviteteve nuk lidhen drejtpërdrejt me Thaçin

Published

on

Jock Covey, i cili ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner, po e vazhdon dëshminë e tij në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë dëshmisë së tij sot, më 1 tetor, pati edhe pjesë të seancën që kaluan në sesion privat. Në seancë të hapur, dëshmitari tha se deklaratat e tij që kanë të bëjnë me incidentet e pretenduara të UÇK-së, kanë të bëjnë vetëm me vlerësimet e tyre lidhur me rolin e Thaçit.

Ai theksoi se asnjë prej këtyre incidenteve nuk lidhen drejtpërdrejt me Hashim Thaçin.

Dëshmia ime, deklarata ime ka të bëjë me vlerësimet tona lidhur me rolin që ka luajtur zotëri Thaçi, rol të hamendësuar apo real, lidhur me këto incidente. Pra, deklarata ime tregon kryesisht gjykimin tonë lidhur me autoritetin që ka pasur ai për individë të cilët është provuar apo jo që kanë kryer këto krime. Sipas mendimit tim, asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me zotëri Thaçin apo asnjë prej tyre si të thuash kundërshton mënyrën se si ne kemi arritur në gjykimin që kemi arritur. Pra unë nuk mendoj që ju e keni sqaruar këtë çështje duke përsëritur raportin lidhur me këto incidente gjatë gjithë kohës”, tha Covey.

Jock Covey tha se nuk e di se kush kanë qenë themeluesit e UÇK-së dhe as cili ishte roli i Thaçit në Rambuje.

Nga historia e di se në përfundim të Rambujesë ai [Thaçi] ishte caktuar të ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme. Unë siç e thash, isha i përfshirë në një projekt tjetër në universitet, kështu që nuk e di se në çfarë cilësie ishte ftuar apo cili ishte roli që ka luajtur gjatë diskutimeve të brendshme të mbajtura në Rambuje”, tha ai.

Video 10.28

Prokurorja: A keni pasur dijeni kush kanë qenë themeluesit e UÇK-së?

Dëshmitari: Jo.

Prokurorja: A keni pasur njohuri lidhur me rolin e LPK-së për krijimin e UÇK-së?

Dëshmitari: Jo.

Prokurorja: A keni pasur dijeni se kë e ka caktuar LPK-ja si përgjegjës për ta ndërtuar UÇK-në?

Dëshmitari: Jo.

Prokurorja: A e keni lexuar aktakuzën në këtë çështje?

Dëshmitari: Nuk e kam lexuar.

Prokurorja: Pra ju nuk e dini cilat krime janë pjesë e akuzave në këtë çështje gjyqësore?

Dëshmitari: E saktë. Por besoj jam këtu për të folur për përgjegjësinë.

Prokurorja: Raporti i Departamentit të shtetit për Serbinë dhe Malin e Zi për të drejtat e njeriut më 1998, është përgatitur në janar 1999. Këtu thuhet elementë të UÇK-së kanë kryer vrasje, kanë qenë përgjegjës për zhdukjet, kanë rrëmbyer dhe mbajtur në ndalim policë serbë dhe civilë serbë e shqiptarë, ata që dyshoheshin se ishin besnikë ndaj qeverisë së Serbisë…A janë këto lloj raportimesh për të cilat ju keni pasur në dijeni?

Dëshmitari: Këtë dokument konkret nuk e kam parë kurrë. Praktikat e përshkruara në këtë paragraf “ishin diçka që e dinin të gjithë”, por nuk kam qenë i përfshirë në procesin e dokumentit të rasteve konkrete, individuale… Siç e thash, ky lloj raportimi ishte i përhapur por po e përsëris, jam i shqetësuar nëse kjo ka ndonjë lidhje me përfundimet që unë kam shprehur në deklaratë…Si diplomat, diplomati ka vetëm integritetin dhe kredibilitetin për të ofruar dhe më duket sikur kjo po kundërshtohet në bazë të cilën nuk e kuptoj.

Më tej prokurorja e pyeti atë lidhur me KFOR-in gjerman ndërsa e paraqiti një dokument në gjuhën gjermane.

“Kontingjenti i KFOR-it gjerman ka për detyrë ndër të tjera që të ndalojë kriminelët dhe t’i mbaj në ndalim, me përjashtim të anëtarëve të kontingjenteve ndërkombëtare për të siguruar rendin publik, në kuadër të rendit publik, për të parandaluar krime të mëtutjeshme dhe nëse është e nevojshme, të ndihmojë ndjekjen penale të kryesve të këtyre veprave. Trupat e KFOR-it gjerman do të arrestojnë persona që dyshohet se kanë kryer vepra të rënda penale, një krim apo vepër penale të një natyre të rëndë të cilët janë kapur në flagrancë ose ishin duke e kryer këtë vepër penale. Ata mund të ndalohen pa urdhër gjykate derisa të caktohet një gjykatës nga prania e sigurisë civile”, lexoi prokurorja ndërsa e pyeti dëshmitarin a ka qenë kjo pjesë e detyrave të KFOR-it në atë kohë apo jo?

Nuk mendoj se është përshkrim i saktë kjo që pamë. Ka kaluar shumë kohë dhe gjermanishten nuk e njoh mirë por nuk mendoj se përkthimi është i saktë. Nuk do të thotë arrestim por ndalim, të ndalosh një person. Ky është një dokument i përgatitur nga kontingjenti gjerman, as nga selia e NATO-s, as nga komanda qendrore e Jackson. Secili prej kontigjentëve, kishte disa autonomi, disa kishin më shumë se të tjerët. Francezët njiheshin që ishin shumë autonom në llojin e tyre, edhe amerikanët po ashtu autonomë, gjermanët nuk e kundërshtonin autoritetin qendror por askush nuk e shikonte çka bënin nga qendra. Prandaj më duket se është tepruar pak në përshkrimet që janë bërë kur flitet për detyrimet e forcave ushtarake sa u takon vepriomtarive kriminale”, tha ai.

Më pas pati ndërhyrje nga gjykatësi Fergal Gaynor.

Gjykatësi: Që ta kuptoj unë këto pyetje kanë për synim të vërtetojnë se KFOR-i në fakt ka ndaluar persona në praktikë, për vepra të rënda penale.

Prokurorja: Jo, është me gjerë, është për të kuptuar mënyrën si e kanë ushtruar mandatin e tyre.

Gjykatësi: Pra ju po vini në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit apo po nxjerrni dëshmi për të mbështeture argumentet tuaja?

Prokurorja: Po përpiqem të kuptoj çfarë ka thënë dëshmitari në deklaratën e vetë.

Gjykatësi: Sepse më duket mua që ju po përpiqeni të përcaktoni se KFOR ka pasur mundësi të ndalonte persona për vepra të rënda penale.

Prokurorja: Nuk jam fokusuar tek mandati i KFOR-it, jam fokusuar te mënyra si është zbatuar.

Më pas seanca vazhdoi private, për t’u kthyer publike pas pushimit të drekës.

Dëshmia e Jock Covey vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan.

Paraqitja e provave të mbrojtjes nisi më 15 shtator. Mbrojtja e Thaçit ka planifikuar t’i sjell 11 dëshmitarë në tërësi, pas së cilëve pritet të dëshmojnë dy të tjerë të thirrur nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.

Paraqitja e provave të mbrojtjes pritet të përfundojë deri në mesin e nëntorit, ndërkaq, turpi gjykues pret që ekipet mbrojtëse të dorëzojnë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020./D.B/KP

Lajmet

25 vjet nga 11 Shtatori, Haxhiu dhe Kurti: Kosova gjithmonë qëndron përkrah Amerikës

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te memoriali “Kosova kujton”, kushtuar viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në 25-vjetorin e sulmeve që tronditën SHBA-në dhe botën, Haxhiu dhe Kurti kanë vënë në pah solidaritetin e qytetarëve të Kosovës me popullin amerikan, duke theksuar lidhjen e veçantë mes dy vendeve dhe mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në periudhat më të vështira të historisë së saj.

U.d. e Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se dhimbja e 11 shtatorit kishte kaluar kufijtë e SHBA-së dhe se qytetarët e Kosovës e kishin përjetuar tragjedinë me një afërsi të veçantë.

“Sulmet e 11 shtatorit ishin sulm ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës, por dhimbja megjithatë kaloi menjëherë kufijtë e saj. Në qytete anembanë botës, njerëzit u mblodhën në heshtje, ndezën qirinj dhe e dërguan mesazhin ngushëllimi. Në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Republikës së Kosovës, njerëzit dolën për të shprehur solidaritet me popullin amerikan, ndezën qirinj, u mblodhën tubime në marsh dhe u paraqitën për të dhuruar gjak. Rrugët u mbushën me qytetarë që mbanin flamuj amerikanë dhe pankarta ku shkruhej ‘Amerikë jemi me ty’. Në shenjë solidaritetit me popullin amerikan, në atë ditë zie, Kosova e vitit 2001 ende po e merrte veten nga lufta. Vetëm 2 vjet më herët, Shtetet e Bashkuara kishin qenë pranë nesh në një nga periudhat më të rënda të historisë sonë. Historitë tona janë të ndryshme dhe secila bart dhimbjet e veta, por ne e dinim nga përvoja jonë e afërt çfarë peshe ka prania e mikut sidomos në ditët e vështira. Prandaj, kur Amerika u godit më 11 shtator, qytetarët e Kosovës nuk e përjetuan atë si një tragjedi, e një vendi tjetër, një vendi të largët, dhimbja e asaj dite hyri në shtëpitë tona, në bisedat tona dhe u përjetua me një afërsi të veçantë, si dhimbja për një mik të madh. Ndërsa vetë sulmi u kuptua si sulm ndaj lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor, vlerat që kishin qenë edhe në themel të mbështetjes amerikane për Kosovën. Disa qytetarë të Kosovës shkuan deri te zyra amerikane në Prishtinë dhe u paraqitën si vullnetarë për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ishte një reagim i jashtëzakonshëm dhe spontan. Që tregonte se afër e ndjente Kosova dhimbjen e Amerikës”, tha Haxhiu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri të ditur se shteti i Kosovës gjithmonë do qëndrojë krah Amerikës.

“Mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite. Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25 të atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme. 2 mijë e 977 ishte numri i të vrarëve atë ditë. Por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5 mijë persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja. Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e vet. Dhe bota pësoi ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike. Kosova qëndron përkrah SHBA-ve, jo vetëm se SHBA-ja kurrë nuk e ka braktisur Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë janë për ti mbrojtur këto vlera”, tha ai. /Kosovapress/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti nuk tregon nëse do të marrë pjesë në marshin për ish-krerët

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka treguar se a do të merr pjesë në marshin për ish-krerët e UÇK-së, e cila do mbahet të shtunën.

Ai tha se më vonë do ketë përgjigje për çështje, që nuk kanë të bëjnë me 25-vjetorin e 11 shtatorit, raporton KosovaPress.

“Më vonë përgjigjemi për çështje të tjera, këtu jemi për 25-vjetorin e 11 Shtatorit”, tha ai.

 

Continue Reading

Lajmet

Tre persona arrestohen për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë në Mitrovicë.

Sipas raportit policor, më 10 shtator janë kontrolluar pesë shtëpi të personave të dyshuar në rrugën “Shala e Bajgorës”, ku janë gjetur dhe konfiskuar disa dëshmi që ndërlidhen me rastin.

Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Katër raste me narkotikë në Prishtinë, konfiskohen mbi 300 gramë marihuanë dhe kokainë

Published

on

Katër raste të lidhura me posedim të paautorizuar të substancave narkotike janë raportuar më 9 dhe 10 shtator në Prishtinë, sipas raportit të Policisë së Kosovës.

Në rrugën “Abdyl Frashëri”, gjatë kontrollit të dy personave që ndodheshin në një motoçikletë, policia ka gjetur dhe konfiskuar 11.99 gramë marihuanë, 0.93 gramë kokainë dhe një telefon. Pas intervistimit, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Hekurudha”, gjatë kontrollit të një personi dhe automjetit të tij, janë gjetur 52.29 gramë marihuanë. I dyshuari është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rrugën “Ramë Govori”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuari, policia ka konfiskuar 19 fishekë, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, tri peshore digjitale, një telefon, para të gatshme dhe një pako me qese të vogla të zbrazura. Sipas raportit policor, sasia e marihuanës është raportuar në 252 gramë. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në rrugën “Holger Petersen”, gjatë kontrollit në shtëpinë e një shtetasi të huaj, është gjetur dhe konfiskuar 3.95 gramë marihuanë. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara