Në ndryshimin e madh të koeficienteve të basteve, aktori britanik Callum Turner, i cili është i fejuari i shqiptares së famshme, Dua Lipa, është shfaqur si kandidati surprizë për të marrë rolin e ardhshëm të agjentit “James Bond”, duke sfiduar favoritët e deritanishëm.
Turner, i njohur për rolin e tij në “Fantastic Beasts”, tani qëndron menjëherë pas aktorit Aaron Taylor-Johnson, 34 vjeç, i cili prej kohësh shihet si pretendent kryesor.
Sipas kompanive të basteve, shanset për Callum, 35 vjeç, u rritën ndjeshëm pas një vale bastesh gjatë fundjavës. Ndërkohë, Henry Cavill, 41 vjeç, dhe Theo James, 40 vjeç, mbeten në garë, por nuk kanë fituar të njëjtën mbështetje së fundmi, ka raportuar FemaleFirst.
“Callum Turner ka qenë i popullarizuar në bastet për ‘James Bond’ gjatë fundjavës, duke na detyruar të ulim ndjeshëm kuotat që ai ta zëvendësojë Daniel Craigin. Meqenëse Turner po mbështetet shumë, dhe me Dua Lipën si favorite për të kënduar kolonën zanore të filmit të ardhshëm të ‘Bond’, ky çift i fuqishëm mund të jetë e ardhmja e kësaj franshize”, tha zëdhënësi i kompanisë, “Coral”, John Hill.
Turner është i fejuar me Lipën, që prej verës. Këngëtarja shqiptare prej kohësh shihet si kandidate për të interpretuar këngën të një “Bond”, duke ndjekur gjurmët e artisteve si Billie Eilish dhe Adele. Favorit mbetet Aaron Taylor-Johnson, pasuar nga Callum Turner, Henry Cavill e Theo James vijnë më pas. Në listë mbeten edhe emra të tjerë si Harris Dickinson, 28 vjeç, Tom Holland, 29 vjeç, dhe Jacob Elordi, 27 vjeç.
Romanca brenda botës së “James Bondit” nuk është e re. Vetë ylli Sean Connery, i cili vdiq në vitin 2020, kishte lidhje me aktoren Lana Wood gjatë xhirimeve të “Diamonds Are Forever” në vitin 1971, dhe thuhej se kishte qenë i lidhur edhe me Jill St John.
Spekulimet për Aaron Taylor-Johnson si “Bond” u ndezën sërish këtë qershor, gjatë premierës së filmit “28 Years Later” në Londër, kur ai u pyet nga Deadline për projektet e ardhshme.
“Nuk mund të flas për këtë”, u shpreh ai para se të largohej nga ekipi i tij.
Në maj, ka shtuar edhe më shumë dyshime pasi nënshkroi një marrëveshje me Omega, partneri historik i “Bond” për orët luksoze. Më parë ishte raportuar se producentja e “Bond”, Barbara Broccoli, e kishte preferuar për rolin, përpara se Amazon të merrte kontrollin e franshizës.
“Nuk është me të vërtetë puna ime të them asgjë”, ka thënë Aaron për Esquire.