Aktualitet

Dokumentari për myslimanët e lumtur kundërshtohet nga aktivistët

Published

on

Një i ri i përkatësisë etnike ujgure ka hapur një kafene në zemër të qytetit të vjetër historik Kashgar dhe në këtë mënyrë e ka realizuar një ëndërr të tij.

Një grua e re myslimane është zhvendosur nga fshati në qytet për një “pagë më të mirë”, që i ka mundësuar asaj të sigurojë një jetë të rehatshme për familjen e saj.

Një biznesmene ujgure u ofron grave të blejnë fustane nusërie të stilit perëndimor për ditën e martesës së tyre.

Të gjithë këta që u ceken më lartë pretendojnë se janë të kënaqur me jetën e tyre. Me begatitë, lirinë e zgjedhjes dhe mundësitë e shumta. Ata thonë se këto i gëzojnë në Ksinjiang, rajonin e tyre të lindjes në veriperëndim të Kinës.

Kjo është mënyra sesi dokumentari kinez “Përtej Maleve: Jeta në Ksinjiang” paraqet jetën e ujgurëve etnik dhe të pakicave tjera myslimane në rajon.

Ky dokumentar u shfaq në Ambasadën e Kinës në Kazakistan. Aty nuk përmendet me asnjë fjalë shtypja brutale që Kina ushtron ndaj myslimanëve në Ksinjiangut. Në këtë rajon llogaritet se 1 milionë njerëz mbahen në kampe masive të internimit që nga viti 2017.

Dokumentari u transmetua nga Rrjeti Global Televiziv i Kinës, një transmetues shtetëror. Dokumentari u transmetua në anglisht dhe rusisht në përpjekje për paraqitur rrëfimin e Pekinit për Ksinjiangun në audiencat globale.

Përmes këtij prodhimi televiziv, Kina synon të kundërshtojë akuzat e shumta të banorëve të Ksinjiangun të cilët thonë se myslimanët jetojnë në një klimë frike dhe shtypjeje derisa autoritetet shënjestrojnë kulturën, fenë, jetën familjare dhe traditat e tyre.

Në dokumentar paraqiten gjoja mundësitë që qeveria kineze ka krijuar për të rinjtë në mënyrë që të ndjekin ëndrrat e tyre në muzikë, sport, biznes dhe drejtime tjera.

Disa aktivistë të Ksinjiangut i thanë Radios Evropa e Lirë se ky dokumentar është një propagandë e qartë kineze dhe paraqet një shtrembërim të tmerrshëm të realitetit.

Dokumentari flet për një kafene në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në qytetin e Kashgarit.

Pronari i këtij biznesi, Mardan Ablimit e përshkruan vetën si një “djalë i sinqert i Kashgarit” që ka një ëndërr të madhe.

Ablimit thotë se ideja e tij ishte që të ofrojë një përzierje të historisë dhe kulturës së komunitetit të tij me elementet moderne.

Kafetë që shet ai thotë të jenë një “përzierje e përkryer e kafesë perëndimore dhe bimëve lokale”.

Ablimit e quan kafenë e tij një “version miniaturë të Kashgarit” ku “brezi i vjetër po provon gjëra të reja” dhe të rinjtë si ai “po ndjekin ëndrrat e tyre”.

Sipas tij, njerëzit në këtë qytet po përqafojnë ndryshimin dhe po lënë pas mënyrën e vjetër të të menduarit.

Por, është e vështirë të verifikosh historinë e suksesit të Ablimit në një biznes që ai thotë se është falë historisë, kulturës dhe traditave të komunitetit të tij.

Realiteti është ndryshe.

Qeveria kineze ka mbyllur qendrat kulturore të myslimanëve Ksinjiang, ka dëmtuar ose rrafshuar mijëra xhami dhe objekte historike myslimane dhe ka burgosur liderë të komunitetit.

Në shumë zona myslimanëve u është ndaluar të hyjnë në xhami derisa të mbushin 18 vjeç. Mijëra të tjerë janë burgosur për shkak të lutjeve islamike, apo edhe shënimit të festave tradicionale.

Aktivistët thonë se autoritetet po bëjnë “shpërlarje të trurit” për shumë fëmijë myslimanë të cilët janë vendosur në konvikte të shkollave të veçanta.

Pekini gjithashtu ka dërguar më shumë se 1 milionë nëpunës civilë nga shumica e popullsisë kineze për të jetuar me familjet myslimane në Ksinjiang si pjesë e përpjekjes së asimilimit si dhe për të monitoruar lëvizjet dhe kontaktet e tyre.

Komiteti për Liritë Fetare Ndërkombëtare në SHBA në një raport të lëshuar më 28 prill 2020 tha se “individët dërgohen në kampe për shkak të mjekrave të gjata, refuzimit të alkoholit ose për shkak të sjelljeve tjera që autoritetet gjykojnë se janë shenja të ekstremizmi fetar”.

“Mirënjohëse për punën e re”

Një pjesë e madhe e dokumentarit kinez u kushtohet grave të reja myslimane, të cilat paraqiten sikur kanë sfiduar stereotipet e komunitetit të tyre dhe bëjnë një jetë moderne.

Në dokumentar paraqitet një e re myslimane, Zileyhan Eysa, e cila ka gjetur një punë në një fabrikë në pjesën veriore relativisht të pasur të Ksinjiangut.

Ajo fiton rreth 600 dollarë në muaj, të mjaftueshme për jetën e saj në qytet dhe për të mbajtur familjen e saj të varfër, në një fshat të quajtur Kuqa.

Nga paratë që dërgon Eysa në shtëpi, nëna e saj, Tursungul Rejep, shfaqet në dokumentar duke paguar faturat e saj mjekësore ndërsa babai i saj është në gjendje të blejë një makinë.

“Unë jam mirënjohëse ndaj fabrikës ku punoj”, thotë Eysa.

Ajo ka “mësuar shumë gjëra të reja” në qytet, sipas dokumentarit, dhe nuk e ka ndërmend të kthehet në fshatin e saj, si dhe nuk planifikon të martohet së shpejti.

Në familjet tradicionale ujgure, martesat zakonisht rregullohen nga prindërit. Por familja e Eysa “do të pranojë këdo që ajo zgjedh të martohet”, thotë babai i saj.

Eysa, sikurse të gjithë të rinjtë tjerë në këtë dokumentar, flet gjuhën mandarin.

Dokumentari paraqet anëtarët e familjes së saj, të veshur jashtëzakonisht mirë, duke biseduar mes vete plot gëzim.

Prodhimi i rrjetit shtetëror kinez paraqet një grua tjetër myslimane, Samira Arkin, që thuhet se ka thyer traditat e komunitetit të saj dhe “ka dhënë një shembull për shumë të rinjë të tjerë”.

Arkin ka në pronësi një dyqan në Kashgar dhe ndihmon gratë myslimane të zgjedhin rrobat për martesën e tyre.

Arkin thotë se në vitin 2010, në martesën e saj kishte zgjedhur të veshë një fustan të stilit perëndimor, pavarësisht dyshimeve nga të afërmit e saj.

Ashtu si shumë të tjerë në dokumentar, ajo nuk e përmend asnjë fjalë siç janë: myslimanë, islam apo ujgur. Ajo thotë se ka qenë e pakënaqur kur ka parë gratë që “mbulonin fytyrat e tyre” dhe që nuk kishin të drejtë të dilnin të vetme jashtë shtëpisë. Protesten e saj, ajo thotë se e ktheu në biznes dhe kështu e hapi dyqanin e saj.

Kina e ka ndaluar grave mbulesën islamike si një shenjë e ekstremizmit fetar. Legjislacioni është i formuluar në mënyrë të paqartë. Pekini i ka shpallur joligjor edhe disa emra islamikë dhe “shenja të tjera të ekstremizmit” të paspecifikuara.

Disa gra myslimane kanë raportuar se janë ngacmuar nga policia për shkak të veshjeve të tyre.

Janë detyruar të flasin?

Është e pamundur të zbulohet nëse Arkin, Eysa, Rejep dhe të tjerët që janë paraqitur dokumentar po flisnin me bindjen e tyre apo ishin detyruar nga autoritetet të thoshin ato gjëra.

Njerëzit janë të detyruar të “ndjekin urdhrat” nga Partia Komuniste, thotë Qairat Baitolla, një aktivist nga Ksinjiangu që jeton në Kazakistan.

“Nëse ata refuzojnë, përballen me burgim madje edhe qëllohen për vdekje”, thotë Baitolla.

Continue Reading

Live

SHBA-ja urdhëron një pjesë të personelit të largohet nga Arabia Saudite

Published

on

By

Departamenti Amerikan i Shtetit ka urdhëruar largimin e stafit jo-thelbësor dhe anëtarëve të familjes në ambasadën e tij në Riad, një veprim që vjen mes sulmeve intensifikuese ndaj Arabisë Saudite nga rebelët Houthi, aleatë të Iranit, në Jemen.

“Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një urdhër largimi për punonjësit e qeverisë amerikane që nuk janë emergjentë dhe anëtarët e familjeve të tyre në Arabinë Saudite”, ka shkruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, në X.

“Houthit e mbështetur nga Irani janë angazhuar gjithnjë e më shumë në armiqësi kundër Arabisë Saudite, duke përfshirë sulme ndaj aeroporteve civile dhe infrastrukturës tjetër kritike që rezulton në viktima civile dhe ndërprerje të rënda të udhëtimit”, thuhet më tej në njoftimin e tij.

Ndërsa Departamenti i Shtetit po zvogëlon gjurmën e tij në Arabinë Saudite mes rreziqeve në rritje, disa poste të tjera diplomatike amerikane në rajon po përshtatin gjithashtu stafin e tyre në përgjigje të kërcënimit të Houthit, ka thënë një burim për CNN.

Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar gjithashtu në një alarm sigurie të mërkurën se qytetarët amerikanë duhet të jenë të vetëdijshëm për sulmet e mundshme ndaj aeroporteve dhe ndërprerjet e përgjithshme të udhëtimit.

Ky mesazh për amerikanët erdhi pas një serie sulmesh vdekjeprurëse të Houthit në javët e fundit që kanë synuar Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid në Riad, objektet ushtarake saudite, infrastrukturën e naftës dhe trafikun detar.

Forcat e mbështetura nga Arabia Saudite, të lidhura me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, kanë zgjeruar operacionet kundër pozicioneve të Houthi-t në shumë vija fronti, ndërsa fuqia ajrore saudite vazhdon të ofrojë mbulim ushtarak.

Të mërkurën, Arabia Saudite ka thënë se ka kapur të paktën shtatë dronë, përfshirë një që synonte fushën e naftës Shaybah në Provincën Lindore të mbretërisë, në një sulm që vrau dy punëtorë emigrantë dhe plagosi dy të tjerë. /CNN/

 

Continue Reading

Vendi

Sot mot me diell e vranësira, në disa zona priten reshje shiu

Published

on

By

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) bën të ditur se sot në vendin tonë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në zona të caktuara parashihen edhe reshje shiu.
Sipas parashikimeve të IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 7 gradë Celsius, kurse ato maksimale të ditës pritet të arrijnë nga 17 deri në 21 gradë Celsius.
Era do të fryjë lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë.

Continue Reading

Vendi

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë plenare

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare duke filluar nga ora 10:00, ku në rend dite do të jenë pesë pika të ndryshme shqyrtimi.

Pikat kryesore të kësaj seance lidhen me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) — dy nga komuniteti shqiptar, një nga ai serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë — si dhe me votimin e propozimit të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.

Përveç këtyre, deputetët do të miratojnë procesverbalin e seancës së kaluar, do të ngrenë çështje të interesit publik në kuadër të deklarimeve jashtë rendit të ditës, si dhe do t’u parashtrojnë pyetje parlamentare anëtarëve të kabinetit qeveritar. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Asambleja e Përgjithshme e EOQ-së mbahet në UBT, në fokus Kongresi i 67-të në Kosovë

Published

on

By

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ) është mbajtur në UBT, në kuadër të përgatitjeve për Kongresin e 67-të të kësaj organizate, i cili mbahet në Kosovë më 21–23 tetor 2026. Ky organizim merr rëndësi të veçantë pasi përkon me 70-vjetorin e themelimit të EOQ-së dhe 20-vjetorin e organizatës “Quality Kosova”, duke e vendosur Kosovën në qendër të një ngjarjeje me rëndësi ndërkombëtare në fushën e cilësisë.

Gjatë Asamblesë, përfaqësuesit e organizatave kombëtare anëtare diskutuan për përgatitjet dhe koordinimin e kongresit, i cili do të mbledhë ekspertë, akademikë, profesionistë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Takimi shërbeu gjithashtu për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e cilësisë.

Kongresi i 67-të i EOQ-së do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, nën temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”. Diskutimet do të përqendrohen në rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe transformimin digjital, me theks të veçantë në ndikimin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e besimit e të vlerave njerëzore.

Për EOQ-në, ky vit shënon 70 vjet nga themelimi i saj në vitin 1956. Gjatë këtyre dekadave, organizata ka kontribuar në avancimin e standardeve, zhvillimin e kulturës së cilësisë dhe ndërtimin e një rrjeti ndërkombëtar të ekspertëve dhe organizatave profesionale.

Në të njëjtën kohë, 20-vjetori i “Quality Kosova” shënon dy dekada angazhim në promovimin e cilësisë në Kosovë dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin evropian të kësaj fushe. Organizimi i kongresit në vend përbën një mundësi për të rritur dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe për të prezantuar kapacitetet e saj në cilësi, inovacion dhe zhvillim institucional.

Continue Reading

Të kërkuara