Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 27 tetor 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

27 tetor 1993 

Kosova qe disa ditë është pa të vetmen gazetë në gjuhën shqipe

Po bëhen disa ditë që nuk po botohet gazeta e vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, “Bujku”.

Udhëheqja e instaluar serbe në shtypshkronjën e “Rilindjes” (tash “Graçanica”) nuk po e shtyp gazetën me pretekst se nuk ka letër.

Redaksia e “Bujkut” vazhdimisht e ka bërë gati gazetën për shtyp. Edhe gazeta serbe “Jedinstvo”, që shtypet në po këtë shtypshkronjë, pas disa ditë botimi, po bëhen katër ditë që nuk është botuar.

Drejtori i instaluar serb i ndërmarrjes fantom “Panorama”, Jordan Ristiq, si edhe kryeredaktori i “Jedinstvos”, Voislav Zhivkoviq, në disa deklarata për Radiotelevizionin e Serbisë, kanë theksuar se kjo ndërmarrje, në të cilën bënë pjesë edhe shtypshkronja, është para shkatërrimit. Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Serbisë për të ndihmuar këtë ndërmarrje, por këto thirrje, siç theksojnë ata, nuk kanë hasur në mirëkuptim.

Siç dihet Qeveria serbe e shkatërroi ndërmarrjen “Rilindja” dhe e krijoi ndërmarrjen “Panorama” me arsyetim se “në këtë mënyrë do të ndihmohet gazetaria në Kosovë”.

Mirëpo, prej se u ndoqën nga Pallati i Shtypit redaksitë e revistave, të botimeve të librit, administrata e të tjera, hapësira e këtij pallati ka mbetur e zbrazët, ose një pjesë e tij e vogël u është dhënë me qira firmave të ndryshme që nuk kanë lidhje me publicistikë.

Njerëzit që kanë pasur rast të hyjnë ditëve të fundit në Pallatin e Shtypit, thonë se drejtoria e instaluar serbe në ndërmarrjen “Panorama” po shet çdo gjë që mund të shitet.

Siç shihet qëllimi i parë i Qeverisë së Serbisë dhe i udhëheqjes së instaluar të ndërmarrjes fantom “Panorama”, ishte përvetësimi i pasurisë së “Rilindjes” dhe shuarja e plotë e botimeve dhe e gazetarisë në gjuhën shqipe. Serbët, duke e “vajtuar” hallin e “Jedinstvos”, dëshirojnë që të neutralizojnë kritikat dhe akuzat në adresë të tyre për mosbotimin e “Bujkut”. Dihet fare mirë se serbët i kanë katër gazeta të përditshme, siç janë: “Borba”, “Politika”, “Ekspres politika”, “Novosti” dhe me dhjetëra revista.

Një taktikë të tillë të shuarjes së plotë të gazetave dhe botimeve të popujve joserbë, Beogradi e ka përdorur edhe në Vojvodinë. Siç dihet mosdaljes së gazetës “Magjar So” në Novi Sad i parapriu gjoja njëfarë krize në gazetën e përditshme serbe të Novi Sadit “Dnevnik”.

 

27 tetor 1994

SHBA i kanë dhënë 6.6 milionë dollarë ndihmë humanitare Kosovës për vitin 1994

Në një informatë të marrë nga Agjencia për Zhvillimin Ndërkombëtar e Zyrës për Ndihmë vendeve tjera në rast fatkeqësish natyrore, thotë se SHBA-të i kanë dhënë 6.683.765 dollarë amerikanë organizatave joqeveritare për ndihmë humanitare Kosovës për vitin 1994, i cili përfundoi më 30 shtator. Rreth 3.727.891 dollarë u kanalizuan përmes Mercy Corps International për medikamente, shporetë për ngrohje dhe gatim, miell gruri, deterxhente dhe sapun. Catholic Relief Services mori 2.264.120 dollarë për materiale higjienike, ushqim dhe ndihma të tjera. Doctors of the World (Mjekët e Botës morën 691.754 dollarë për vaksinim masiv dhe shërbime mjekësore, raporton Ruder Finn Global Public Affairs nga Uashingtoni.

 

27 tetor 1995

Adem Demaçit iu dha çmimi i Universitetit të Osllos

Çmimi më i lartë dhe tradicional i Universiteti të Osllos “Lizel dhe Lio Aitinberg” për vitin 1995 iu dha Adem Demaçit, njoftoi TVSH.

Siç dihet, Adem Demaçi është mes tjerash edhe fitues i Çmimit “Saharov” dhe i Çmimit të Rektorëve të Universiteteve të Evropës.

  1. Demaçi është propozuar qe dy vite radhazi nga Komiteti i Parlamentit Norvegjez për Çmimin Nobel për Paqe për hir të angazhimit të tij për të drejtat njerëzore.

Me rastin e dhënjes së Çmimit, në Universitetin e Osllos pritet që z. Demaçi të mbajë disa ligjërata për të drejtat e njeriut dhe shkeljen e tyre drastike që pushteti okupues serb në Kosovë.

Adem Demaçi (1936) u dënua tri herë nga gjyqet e ish-Jugosllavisë dhe qëndroi në burg 28 vjet.

Para burgosjes ai kishte botuar një roman të rëndësishëm në Kosovë.

Aktualisht Adem Demaçi është kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

 

27 tetor 1997

Amnesti Interneshënëll tërheq vërejtjen se gjykimet kundër shqiptarëve janë tejet të padrejta

Prishtinë, 27 tetor (QIK)

Në një komunikatë për opinion të lëshuar 24 tetor të këtij viti, organizata më e madhe ndërkombëtare për të drejta e njeriut “Amnesti Interneshënëll” tërheq vërejtjen për gjykimin që filloi sot në Prishtinë ndaj 19 të akuzuarve shqiptarë, duke shprehur shqetësimet se ky gjykim si dhe gjykimet e tjera të mëparshme mund të jetë tejet i padrejtë. Në komunikatë thuhet se Nait Hasani dhe 18 shqiptarë të tjerë, gjykimi i të cilëve pritet të filloj të hënën në Prishtinë, rrezikon të jetë një gjykim tejet i padrejtë. Në fillim të këtij viti Nait Hasani është mbajtur për një muaj në arrest në një vend të panjohur. Nait Hasani thuhet të jetë torturuar me shok elektrik, meqë hetuesit kishin për qëllim që të detyronin atë që të nënshkruaj deklaratë vetakuzuese.

Këta 19 persona aktakuza i ngarkon për “terrorizëm” dhe “vrasje” për veprimet që përfshin edhe tentimin për vrasje ndaj rektorit serb të Universitetit të Prishtinës në vitin 1996. Supozohet të jenë anëtarë të organizatës terroriste “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Duke mos e kundërshtuar nevojën për dënimin e akteve të tilla, Amensti Internashënëll bën thirrje autoriteteve që ky gjykim të përkoj me normat dhe standardet ndërkombëtare për gjzkime të drejta.

“Gjykimet e njëjta të cilat përfunduan në maj dhe korrik të këtij viti kishin të meta serioze; të akuzuarit kanë deklaruar në gjyq se deklaratat e nxjerra nga ata janë bërë nën ndikimin e torturës”, thotë Amensti Internashënëll.

“E drejta e të akuzuarve për një gjykim të drejtë ishte shkelur edhe përmes formave të tjera. Mbrojtësve iu pamundësua shikimi i dokumentacionit si dhe takimi me klientët e tyre”, thotë organizata.

Seria e tanishme e gjykimeve pason pas sulmeve të dhunshme ndaj civilëve, policëve dhe zyrtarëve serbë si dhe shqiptarëve të cilët shihen si “besnik” të autoriteteve serbe. Pjesa dërmuese e këtyre akteve kanë ndodhur në vitet 1996 dhe 1997. Organizata ilegale “UÇK” ka marrë përgjegjësinë për pjesën dërmuese të sulmeve, në të cilat së paku 12 persona janë vrarë.

Policia serbe ndërmorri një valë arrestimesh në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997 në të cilën valë u arrestuan mbi 100 shqiptarë. Të dhënat për përdorim të dhunës dhe torturës ndaj të arresturve janë të shumta. Njëmbëdhjetë nga njëzet të akuzuarit në maj deklaruan në gjyq se ata kanë “pranuar veprën” pasi që janë torturuar dhe keqtrajtuar. Nait Hasani, i akuzuari i parë në gjykimin e tanishëm, është arrestuar më 28 janar të këtij viti dhe brenda 48 orëve është dërguar në spital për shërimin e plagëve të shkaktuara gjatë mbajtjes në arrest. Më 31 janar ai “u zhduk”, autoritetet kanë mohuar se kanë ndonjë të dhënë për të derisa ai u “rishfaq” më 28 shkurt. Atë ditë një gjykatës hetues serb formalisht e mori atë në pyetje në prezencë të avokatit mbrojtës të tij. Nait Hasani pohoi se ai është marrë nga policia prej spitalit dhe është mbajtur në një vend të panjohur për te ku është i mbajtur i lidhur për shtrati. Ai ka deklaruar se është torturuar me shok elektrik me qëllim për ta detyruar që të nënshkruar deklaratën vetakuzuese.

Rasti më i freskët është më 17 tetor, Jonuz Zeneli i cili është arrestuar për t’u gjykuar në gjykimin e të hënës së bashku me 19 të tjerë, vdiq në arrest në spitalin e burgut të Beogradit. Familja e tij dyshon se ai ka vdekur nga pasojat e keqtrajtimit. Një tjetër person, Adrian Krasniqi, që fillimisht ishte i akuzuar me të tjerët, është mbytur nga policia më 16 tetor të këtij viti. Gjithashtu thuhet se ai ka marrë pjesë në një sulm të armatosur në një stacion policor në një fshat afër Pejës.

Dy nga 19 të akuzuarit do të dënohen në mungesë.

Që nga 1989 kur Krahinës së Kosovës iu hoq autonomia, pjesa dërmues e shqiptarëve, që llogaritet të jenë 90 për qind të popullsisë së Kosovës, kanë refuzuar që ta njohin administrimin serb në Krahinë. Pjesa dërmuese e tyre ka mbështur partinë kryesore politike të shqiptarëve, LDK, e cila ka thirrur për njohje të Kosovës shtet i pavarur dhe që vazhdimisht ka ndjekur metodat paqësore.

Të dhënat e mjerueshme për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, në të cilën përgjatë viteve me mijëra shqiptarë janë rrahur apo keqtrajtuar në forma të ndryshme nga ana e policisë, dhe me qindra të tjerë të burgosur përmes gjykimeve të padrejta, ka akumuluar një ndjenjë të rrezikshme urrejtjeje në mesin e shumë shqiptarëve etnikë. Udhëheqësit e shqiptarëve etnikë dhe të tjerët kanë tërhequr vëmendjen se po qe se nuk merren hapa urgjent për të zgjidhur problemin e Kosovës përmes bisedimeve paqësore mund të rritet përkrahja e popullit ndaj atyre që duan t’i kthehen dhunës, thuhet në komunikatën e Amnesti Interneshënëll-it.

 

27 tetor 1998

Forcat serbe janë tërhequr nga disa postblloqe në Kosovë

Njoftimet nga disa komuna të Kosovës kanë bërë të ditur se policia serbe është tërhequr nga shumë postblloqe, dis atë vëna këtë vit, e disa që nga pushtimi i Kosovës. Por, edhe më tej, policia ka mbetur në stacionet policore dhe në disa postblloqe.

Gllogoc: KI i Degës së LDK-së në Gllogoc njoftoi se forcat serbe janë tërhequr nga Tërsteniku, nga Komorani, ushtria është tërhequr nga Çukat e Zabelit, ndërsa forca janë tërhequr edhe nga objekti i “Feronikelit, por nuk dihet nëse janë tërhequr të gjitha.

Ky burim bëri me dije se forca serbe ka ende në Korroticë, si dhe në lagjen Sopi në Llapushnik.

Podujevë: Mbrëmë, para orës 20, forcat policore serbe janë tërhequr nga postblloku afër moteli “Besiana”, në hyrje të Podujevës. Thuhet se një pjesë e madhe e policëve janë tërhequr edhe nga moteli “Besiana”.

KI i Degës së LDK-së në Podujevë njofton se mbrëmë pas orës 21, në drejtim të Serbisë kanë shkuar mbi 100 autobusë me policë serbë.

Lugu i Baranit: Një veprimtar i LDK-së në Lug të Baranit njoftoi se policia serbe u tërhoq nga postblloqet në Kosuriq e Gllogjan, porse sot një autoblindë e forcave serbe shkoi deri në Baran e Nepole dhe pastaj u kthye sërish prapa.

Para largimit, forcat serbe kanë demoluar objektin e shkollës fillore në Gllogjan dhe shtëpinë e Zymer Çekut në Kosuriq.

Lipjan: Forcat serbe janë tërhequr mbrëmë nga postblloqet në Vërshec, Çylagë, Gracë e Vogël, afër Gllavicës dhe nga objekti i shkollës fillore “Jeronim de Rada” në Magurë, njoftoi KI i Degës së LDK-së në Lipjan.

Suharekë: Forcat serbe janë tërhequr sot nga fshati Samadraxhë, por banorëve të shtëpive ku kanë qenë të vendosur u kanë thënë që të mos ua largojnë thasët me rërë, sepse sërish do të kthehen.

KI i Degës së LDK-së në këtë komunë njofton se forcat serbe vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej në Reshtan, Bllacë e Mohlan, ndërsa në Suharekë sot ka pasur lëvizje të shtuara të forcave serbe, të cilat edhe kanë legjitimuar kalimtarët.

Malishevë: Nga një minë e vendosur – një i vrarë dhe dy të plagosur

Sot rreth orës 15, 30, duke u kthyer në shtëpitë e tyre në fshatin Dragobil të Malishevës, nga një minë e vendosur, u vra Ali Murat Paçarrizi dhe u plagosën Haki Jakup Paçarrizi e Arsim Kajtaz Paçarrizi, njofton KMDLNJ.

Në Likoc u gjetën trupat e tre shqiptarëve të vrarë e të masakruar

Prishtinë, 27 tetor (QIK) – Pas tërheqjes së forcave policore- ushtarake serbe nga Likoci, u gjetën trupat e tre shqiptarëve të vrarë e të masakruar. Këta janë: Xhavit Halit Kadriu (22) nga Likoci, i masakruar dhe pa kokë, Cen Gjinovci (67) nga Makërmali, i vrarë më 25 shtator dhe Idriz Gashi (60) nga Rezalla, i vrarë më vonë, njofton KMDLNJ.

Në Shtupeq të Rugovës u gjetën trupat e dy të vrarëve

KMDLNJ njofton se në Rugovë pas dy mujave, në afërsi të Shtupeqiti të Vogël, u gjetën trupat e Mustafë Isuf Lajçit (58) dhe Dude Isuf Lajçit, të vrarë gjatë ofensivës serbe më 24 gusht të këtij viti.

Foto: Adem Demaçi

Continue Reading

Lajmet

Edi Rama refuzon dorëheqjen pas protestave studentore

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar prerazi se nuk do të japë dorëheqje përballë protestave studentore që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera gjatë muajit tetor, ku kërkohet ulja e kostos së jetesës, përmirësimi i arsimit dhe lufta kundër korrupsionit. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama i quajti të drejta shqetësimet e studentëve, por dënoi ashpër përdorimin e dhunës gjatë tubimeve.

Kryeministri nërvijëzoi se populli shqiptar i ka dhënë një mandat të qartë dhe se në demokraci pushteti ndërrohet vetëm përmes zgjedhjeve dhe jo përmes koktejve molotov. Ai bëri një ndarje të qartë mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të maskuara, midis të cilave pretendoi se ka edhe pjesëtarë të lëvizjes Antifa që kanë sulmuar ndërtesat publike dhe pronën private.

Rama u shpreh i hapur për dialog me studentët dhe pedagogët, ndërsa bëri me dije se buxheti i ardhshëm i vitit 2027 do të përfshijë masa shtesë për arsimin, shërbimet publike dhe familjet. Pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme me policinë dhe përdorimit të gazit lotsjellës në rrugë, kreu i qeverisë u zotua se do të vazhdojë punën për integrimin e Shqipërisë në BE dhe nuk do të tërhiqet përpara një pakice që kërkon të vijë në pushtet përmes forcës. /E,A/

Continue Reading

Lajmet

Caktohet seanca për paraburgimin e ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i dyshuari për vrasjen ende në arrati

Published

on

By

Gjykata Themelore në Pejë shqyrton sot kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj J.S., ish-bashkëshortit të të ndjerës Arlinda Zekaj, nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

Hetimet tregojnë se i pandehuri e ka shkelur hapur urdhrin mbrojtës të nxjerrë nga gjykata më 16 tetor 2026. Mbrëmjen e 25 tetor—vetëm pak orë para aktit makabër—ai dyshohet se e ka kërcënuar sërish A.Z. me dhunë psikologjike dhe i ka nxjerrë e hedhur rrobat në oborr, duke nxitur denoncimin e fundit të viktimës në polici rreth orës 19:00.

Pak minuta pas rikthimit të saj në shtëpi, Arlinda Zekaj u vra tragjikisht nga goditjet me mjet të fortë. I dyshuari kryesor për këtë krim është kunati i saj, Albert Sylaj, i cili vazhdon të jetë në arrati dhe është shpallur në kërkim të menjëhershëm nga Policia e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Rrahën një grua, arrestohen bashkëshorti dhe vëllai i viktimës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pasi të njëjtit dyshohen se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.

Sipas raportit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur me 26 tetor, rreth orës 19:00, ku dy të dyshuarit – bashkëshorti dhe vëllai i viktimës – kanë sulmuar fizikisht këtë të fundit.

Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i është ofruar tretman i nevojshëm mjekësor.

Me vendim të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Continue Reading

Lajmet

Policia sekuestron armë dhe municion në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion dhe mjete të tjera gjatë kontrollit të shtëpisë së një të dyshuari në fshatin Vitomiricë të Pejës, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Sipas raportit shtesë të Policisë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje të armës.

Po ashtu, zyrtarët policorë kanë sekuestruar tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë. Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Sekuestrimi i këtyre sendeve është pjesë e veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të vrasjes. Megjithatë, nga informacionet e bëra publike nuk është sqaruar nëse sendet e gjetura ndërlidhen drejtpërdrejt me ngjarjen.

Vrasja e Arlinda Zekajt, e ndodhur më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka nxitur reagime dhe diskutime për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe përgjegjësinë institucionale.

Një ditë pas ngjarjes, më 26 tetor, Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme për vrasjen e Zekajt, rastet e tjera të vrasjes së grave dhe dhunën në familje. Gjatë diskutimeve, deputetët kërkuan shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse, si dhe u ngrit iniciativa për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për të trajtuar përgjegjësinë institucionale në këtë rast.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara