Sport

Real Madridi synon transferimin e Cherkit, Manchester City kërkon mbi 100 milionë euro

Published

on

Real Madridi raportohet se ka vendosur Rayan Cherkin në mesin e objektivave kryesorë për afatin kalimtar të verës, me kërkesë të trajnerit Jose Mourinho.

Sipas raportimeve të mediave angleze, klubi madrilen po shqyrton mundësinë e përforcimit të repartit ofensiv, ndërsa mesfushori francez shihet si një alternativë që mund të sjellë më shumë kreativitet dhe cilësi në skuadër.

Megjithatë, transferimi i 23-vjeçarit pritet të jetë mjaft i kushtueshëm, pasi Manchester City raportohet se mund të kërkojë mbi 100 milionë euro për lirimin e tij.

Mourinho thuhet se e vlerëson Cherkin për shkathtësinë e tij në fushë, pasi francezi mund të aktivizohet si në krahun e djathtë të sulmit, ashtu edhe në rolin e mesfushorit ofensiv.

Interesimi i madrilenëve lidhet gjithashtu me problemet e vazhdueshme fizike të Rodrygos dhe mundësinë e largimit të Brahim Diazit gjatë afatit kalimtar të janarit.

Ky i fundit raportohet se është i pakënaqur me minutazhin e kufizuar gjatë sezonit 2026/27 dhe mund të shqyrtojë alternativa të tjera për vazhdimin e karrierës.

Nga ana tjetër, Manchester City nuk pritet të heqë dorë lehtësisht nga Cherki, të cilin e konsideron pjesë të rëndësishme të projektit të klubit.

Për këtë arsye, Real Madridi mund të detyrohet të përgatisë një ofertë që tejkalon shifrën e 100 milionë eurove për të bindur klubin anglez të nisë negociatat.

D.L

Continue Reading

Sport

Mbappe në qendër të polemikave në Kinë, disa marka ndërpresin bashkëpunimin me të

Published

on

By

Ylli francez i Real Madridit, Kylian Mbappe, është përfshirë në një valë reagimesh në Kinë, pas disa komenteve të dyshuara për ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun, të cilat kanë nxitur polemika të shumta në rrjetet sociale.

Sipas raportimeve të BBC-së, disa marka të njohura kineze kanë ndërprerë bashkëpunimin me sulmuesin francez, pas shpërndarjes së disa videove në internet.

Polemikat nisën pas publikimit të disa pamjeve nga një emision francez, ku Mbappe dyshohet se ka folur për një imazh humoristik në internet, të njohur si “meme”, ku fytyra e tij ishte vendosur mbi figurën e një personi që i ngjante Mao Ce Dunit.

“Është një nga memet që më bën të qesh më shumë. Ajo ku shfaqet një burrë, besoj se është një diktator kinez. E përdor gjatë gjithë kohës me miqtë e mi”, raportohet të ketë thënë Mbappe.

Megjithatë, autenticiteti i pamjeve nuk është konfirmuar dhe videoja origjinale nuk gjendet më në kanalin zyrtar të emisionit në YouTube. Gjithashtu, futbollisti francez nuk e ka përmendur drejtpërdrejt emrin e Maos.

Pavarësisht kësaj, pamjet janë përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale kineze, duke shkaktuar reagime të shumta nga publiku.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës, duke theksuar se deklaratat apo veprimet që cenojnë ndjenjat e qytetarëve kinezë do të përballen me kundërshtime nga shoqëria.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediumit kinez “The Paper”, transmetuesi shtetëror CCTV ka pezulluar transmetimin e ndeshjeve të La Ligas, ndërsa nga platformat e tij janë larguar edhe materiale që lidhen me sulmuesin francez.

Pas polemikave, kompanitë kineze Mengniu, Dongpeng dhe Milkground raportohet se kanë ndërprerë marrëveshjet e bashkëpunimit me Mbappen, megjithëse nuk kanë dhënë shpjegime të hollësishme për vendimet e tyre.

Mbappe gëzon popullaritet të madh në tregun kinez dhe ka qenë i përfshirë në disa marrëveshje të rëndësishme reklamimi, çka ka bërë që kjo situatë të marrë vëmendje të konsiderueshme.

Sipas BBC-së, nofka “diktator” është përdorur më herët në mënyrë ironike ndaj futbollistit francez, për shkak të ndikimit që i atribuohet në vendimmarrjen sportive. Kjo ka nxitur krijimin e imazheve humoristike me figurën e tij në internet.

Deri më tani, nuk është konfirmuar ndonjë reagim zyrtar i Mbappes lidhur me polemikat.

Burimi: BBC.

D.L

Continue Reading

Sport

Haxhijaj paralajmëron: Dështimi i Lojërave Mesdhetare 2030 mund ta dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës

Published

on

By

Ish-sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Shasivar Haxhijaj, ka ngritur shqetësime lidhur me rrezikun e dështimit të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke paralajmëruar pasoja afatgjata për sportin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

I ftuar në emisionin “SportCast”, Haxhijaj ka theksuar se përplasjet mes dy figurave drejtuese po e rrezikojnë realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme sportive në vend.

Sipas tij, sporti ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, veçanërisht përmes sukseseve olimpike dhe medaljeve të fituara nga sportistët kosovarë.

Ai ka kujtuar medaljen e parë të artë olimpike të Majlinda Kelmendit, duke theksuar se ky sukses shënoi një kthesë të rëndësishme në mënyrën se si Kosova u perceptua nga komuniteti sportiv ndërkombëtar.

“Nëse ka diçka në Kosovë që është krijuar për ta përmirësuar imazhin e Kosovës, le ta dijë secili që sporti i Kosovës ka qenë ai që i ka dhënë imazh Kosovës. Mua më kujtohet, prej medaljes së parë olimpike që e kemi marrë me Majlindën, komplet trajtimi i gjithë lëvizjes olimpike ka filluar të ndryshojë në raport me Kosovën”, është shprehur Haxhijaj.

Ai ka theksuar se arritjet e sportistëve kosovarë ndër vite kanë ndikuar në rritjen e njohjes dhe respektit për Kosovën, ndërsa ka bërë thirrje që këto suksese të mos rrezikohen nga interesat personale.

“Ajo çka nuk dua ta besoj është që ky imazh i Kosovës, i sportit të Kosovës, të prishet për bajraktarizëm. Pse jam unë, mos të jetë ai tjetri”, ka deklaruar ai.

Duke folur për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Haxhijaj ka vlerësuar se mosmarrëveshjet mes drejtuesve duhet të tejkalohen, në mënyrë që Kosova të mos humbasë mundësinë për të organizuar këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas tij, një dështim i mundshëm do të ndikonte drejtpërdrejt në besueshmërinë e Kosovës si organizatore e ngjarjeve të mëdha sportive.

“Mua më intereson që ata t’i kalojnë ato dhe t’i organizojnë Lojërat Mesdhetare. Mos ta dëmtojnë imazhin e Kosovës, e të sportit të Kosovës, sepse po ju garantoj që edhe 20 apo 30 vite të tjera askush nuk do të flasë më për Kosovën për t’i dhënë ndonjë garë serioze për organizim”, ka paralajmëruar Haxhijaj.

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 konsiderohen një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Burimi: KosovaPress.

D.L

Continue Reading

Sport

Harry Kane shkruan historinë, bëhet anglezi i pestë që fiton “Topin e Artë”

Published

on

By

Harry Kane ka shënuar një moment historik për futbollin anglez, duke u bërë futbollisti i parë nga Anglia pas 25 vitesh që fiton çmimin prestigjioz “Topi i Artë”.

Sulmuesi 33-vjeçar i Bayern Munichut është shpallur futbollisti më i mirë në botë për vitin 2026, duke triumfuar në garën për çmimin individual të ndarë nga revista franceze France Football.

Me këtë sukses, Kane i jep fund pritjes 25-vjeçare të futbollit anglez, pasi fituesi i fundit nga Anglia ishte Michael Owen, i cili e kishte rrëmbyer këtë trofe në vitin 2001.

Para Kane, vetëm katër futbollistë anglezë kishin arritur të fitonin “Topin e Artë”: Sir Stanley Matthews në vitin 1956, Bobby Charlton në vitin 1966, Kevin Keegan në vitet 1978 dhe 1979, si dhe Michael Owen në vitin 2001.

Kështu, Kane bëhet anglezi i pestë në histori që fiton këtë çmim, duke iu bashkuar emrave legjendarë që kanë lënë gjurmë në futbollin anglez dhe atë ndërkombëtar.

Ky triumf përbën një nga arritjet më të rëndësishme në karrierën e sulmuesit të Bayern Munichut, duke konfirmuar statusin e tij si një prej futbollistëve më të spikatur të gjeneratës së tij.

D.L

Continue Reading

Sport

Harry Kane fiton “Topin e Artë 2026”, triumfon në garën me Mbappen dhe Yamalin

Published

on

By

Harry Kane është shpallur fitues i “Topit të Artë 2026”, duke rrëmbyer çmimin më prestigjioz individual në botën e futbollit. Sulmuesi anglez u vlerësua për paraqitjet e jashtëzakonshme me Bayern Munichun dhe Kombëtaren e Anglisë, duke lënë pas rivalët kryesorë, Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal.

Kane realizoi plot 73 gola gjatë edicionit të kaluar, duke dëshmuar formën e tij të shkëlqyer para portës kundërshtare. Me Bayernin arriti të shpallej kampion i Gjermanisë, ndërsa me Anglinë siguroi pjesëmarrjen deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua të hënën mbrëma në Londër, në një edicion të veçantë që shënoi 70-vjetorin e “Topit të Artë”. Me këtë triumf, Kane bëhet futbollisti i parë anglez pas 25 vjetësh që fiton këtë çmim.

Gara për trofeun kryesor ishte ndër më të fortat e viteve të fundit, ndërsa emri i fituesit mbeti i paqartë deri në momentin e shpalljes zyrtare.

“Jam pa fjalë. Të jem këtu në Londër e bën këtë moment edhe më të veçantë. Falënderoj të gjithë ata që votuan për mua. E imagjinoj se sa e vështirë ka qenë zgjedhja këtë vit, duke parë cilësinë e futbollistëve të nominuar”, u shpreh Kane pas marrjes së çmimit.

Përveç trofeut kryesor, sulmuesi anglez u nderua edhe me çmimin për golashënuesin më të mirë.

Në konkurrencën e femrave, Alexia Putellas fitoi “Topin e Artë”, ndërsa Charlyn Corral u shpall golashënuesja më e mirë.

Çmimi për klubin më të mirë te meshkujt i takoi Paris Saint-Germainit, ndërsa Barcelona u vlerësua si klubi më i mirë në futbollin e femrave.

Në kategorinë e trajnerëve, Luis de la Fuente u shpall më i miri te meshkujt, ndërsa Pere Romeu triumfoi te femrat. Në mesin e të nominuarave ishte edhe trajnerja shqiptare Elena Sadiku.

Çmimi për portierin më të mirë iu nda Unai Simonit, ndërsa te femrat këtë vlerësim e mori Cata Coll.

Lamine Yamal vazhdoi të shkëlqejë edhe në kategorinë e talenteve, duke fituar për herë të tretë çmimin për futbollistin e ri më të mirë. Ndërkohë, Vicky Lopez u vlerësua si talentja më e mirë te femrat.

Një tjetër çmim i rëndësishëm, ai “Socrates”, iu nda Bukayo Sakës për angazhimin dhe kontributin e tij në aktivitete humanitare.

Në mesin e dhjetë futbollistëve më të mirë të edicionit u renditën edhe Ousmane Dembele, Erling Haaland, Khvicha Kvaratskhelia, Lionel Messi, Michael Olise, Rodri dhe Fabian Ruiz.

Edicioni i 70-të i “Topit të Artë” u karakterizua nga dominimi i futbollit spanjoll në disa kategori, por vëmendja kryesore mbeti te Harry Kane, i cili kurorëzoi sezonin e tij të suksesshëm me trofeun më të rëndësishëm individual në futboll.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara