Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 tetor 1993-1998 

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

26 tetor 1993

U dogj Hamami i Prishtinës

Mbrëmë në Prishtinë, rreth orës 19,40, nga shkaqe të panjohura, u dogj Hamami i Prishtinës.

Dëshmitarët thonë se zjarri përfshiu me të shpejtë gjithë godinën e Hamamit të Prishtinës, ku ishin vendosur zyrat e shoqatave dhe firmave të ndryshme.

Hamami i Prishtinës ishte njëri prej objekteve më të bukura dhe më interesante të vjetërsisë në Kosovë.

Arkeologët shqiptarë për shumë vite ishin përpjekur t’ia siguronin këtij objekti mbrojtjen institucionale por, me instalimin e udhëheqjes serbe në Entin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe të Historisë së Kosovës, ky objekt u përdor për destinime të tjera. Udhëheqjet serbe, si edhe në rastet tjera, kanë shfrytëzuar çdo hapësirë për fitimin e padjersë të parave.

Ndonëse është absurde, Hamami i Prishtinës iu dha shoqatave e firmave të ndryshme për shfrytëzim.

Ekspertët e krijuesit shqiptarë kishin planifikuar pas restaurimit të Hamamit, krijimin e një hapësire të përshtatshme për galeri artesh. Hamami kishte ndriçim natyral, përmes kupollave, ndërsa gjendej në një ambient të mbushur me objekte të vjetra dhe të bukura.

Këto plane i dogji zjarri, që megjithëse duket i rastësishëm, ishte, në esencë, i qëllimtë.

Djegia e Hamamit të Prishtinës është një paralajmërim serioz se një fat i këtillë i pret edhe të gjitha objektet tjera të vjetra e të rëndësishme të Kosovës, që nuk u shërbejnë qëllimeve e miteve serbe. Këto objekte që nuk i ka rrënuar dhëmbi i kohës, do t’i rrënojë zjarri e fatkeqësi të tjera, në dukje të parë të rastësishme, por esencialisht të planifikuara.

 

26 tetor 1994

Doli nga shtypi libri anglisht “Dimensionet e çështjes së Kosovës në Ballkan”

Në botim të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Qendrës për Informim të Kosovës doli nga shtypi në anglisht libri i akademik Gazmend Zajmit “Dimensions of the question of Kosova in the Balkans” (“Dimesionet e çështjes së Kosovës në Ballkan”).

Në libër përfshihen 10 njësi tematike, të cilat i referohen temës bosht të individualitetit politik të Kosovës dhe zgjidhjes së çështjes së Kosovës, të vështruar në rend të parë si çështje e vetëvendosjes së popullatës së Kosovës me shumicë dominante demografike – etnike shqiptare.

Librit i paraprin parathënia e autorit me titull: “Identifikimi i bërthamës së individualitetit dhe i çështjes së Kosovës”, ndërsa më tutje renditen këto njësi tematike: “Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare si sfidë e kohës dhe ndaj kohës”; “Subjektet e suksesionit në raport me ish-Federatën jugosllave – Kosova si subjekt i suksesionit”; “Çështja e Kosovës dhe Evropa Juglindore”; “Etniciteti, Kosova, dehumanizmi dhe humanizmi”; “Indikime metodologjike mbi etikën dhe oplitikën në raport me strukturën shoqërore dhe osaçërisht në raport me strukturën etnike si një nga trajtat e saj – përshkimi i politikës dhe i joetikës në Kosovë dhe ndaj Kosovës si rast ekzemplar (key-case); “Ndrydhja e çështjes shqiptare si faktor i degradimit dhe i zhbërjes së Jugosllavisë”; “Qasja ndaj çështjes shqiptare dhe çështjes së Kosovës mbi bazën e principit demokratik të vetëvendosjes”; “Rrjedhat e konfliktësisë shqiptaro-srebe të ish-federatës multinacionale të Jugosllavisë”, dhe “Dimensionet e çështjes së Kosovës në Ballkan”.

Siç shihet emërtimi i librit “Dimensionet e çështjes së Kosovës në Ballkan” mbështetet në titullin e punimit të fundit në dorëshkrimin e librit, i cili për kah përmbajtja e tij në esencë paraqet pjesën konkludive të librit dhe e pozicionon çështjen e Kosovës në kornizë ballkanike.

Të gjitha këto punime dhe studime i lidh një qasje e përbashkët metodologjike, një fill i përbashkët tematik mbi bërthamën e individualitetit dhe të çështjes së Kosovës si dhe një sfond i përbashkët shoqëror dhe politik kohor dhe hapësinor, në të cilën sajohet dhe shpalohet çështja e Kosovës si çështje madhore në Ballkan. Kështu të gjitha këto studime përbëjnë një tërësi organike në kuadër të temës bosht.

Botimi anglisht i këtij libri është përgatitur nga Skënder Hyseni dhe Avni Spahiu.

Libri ka 190 faqe.

26 tetor 1995

Tre veprimtarë nga Gllogoci u dënuan me nga 30 ditë burg

Një mbledhje e aktivit të LDK-së në Zabel të Poshtëm të Gllogocit, e mbajtur më 25 maj 1994, ishte pretekst i mjaftueshëm për gjykatën e instaluar serbe në Prishtinë që tre veprimtarëve politikë t’ua shqiptojë dënimet me nga 30 ditë burg, njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc.

Kështu, me pretekst se kanë mbajtur tubim me qytetarë pa e lajmëruar mbajtjen e tij tek organet serbe, gjykata serbe dënimet ua shqiptoi Izet Ibrahimit (1962), kryetar i KKF dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Gllogoc, Jakup Krasniqit (1951), kryetar i Këshillit Komunal të arsimit, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe deputet i Parlamentit të Kosovës dhe Tahir Zenelit (1955), kryetar i aktivit të LDK-së në Zabel të Poshtëm.

Në vendimin e lëshuar nga gjykata serbe thuhet se ata duhet të paraqiten në vuajtjen e dënimit 15 ditë pas marrjes së vendimit.

26 tetor 1997

Gelbard vjen në Kosovë

Gazeta serbe “Nasha borba” njoftonte dje se të hënën pritet të arrijë në Beograd Robert Gelbard, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Bill Klinton për ish-Jugosllavinë.

Në njoftim thuhej se diplomati amerikan do të vizitojë së pari Prishtinës, e pastaj do të qëndrojë në Beograd.

Pavarësisht prej këtij njoftimi dhe paralajmërimeve të mëparshme jozyrtare se vizita do të realizohet më 29 tetor, ende nuk dihet data e saktë e arritjes së z. Gelbard në Prishtinë.

 26 tetor 1998

19 kosovarë u mbytën në ujërat e detit Adriatik

Roja bregdetare e Shqipërisë bëri të ditur se, natën mes të shtunës e të dielës, në ujërat e Detit Adriatik, në afërsi të ishullit të Sazanit, janë mbytur 19 shqiptarë nga Kosova. Ata ishin nisur me një motoskaf në drejtim të Vlorës, prej nga duhet të vazhdonin lundrimin për në Itali. Por, për shkak të prishjeje në motor, motoskafi kishte shpërthyer.

Bëhet e ditur se roja bregdetare e Shqipërisë ka ndaluar edhe një motoskaf tjetër me 250 veta. 180 prej tyre ishin shqiptarë nga Kosova.

Foto: Hamami i Prishtinës

Continue Reading

Lajmet

Tre të arrestuar për vjedhje të rëndë në Skenderaj, sekuestrohet edhe një pistoletë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në fshatin Ticë të Skenderajt, nën dyshimin për vjedhje të rëndë.

Sipas raportit të Policisë, rasti është regjistruar më 26 tetor, rreth orës 00:30, kur të dyshuarit janë ndaluar në një veturë ku kishin ngarkuar sende të ndryshme që dyshohet se i kishin vjedhur nga një lokal.

Gjatë kontrollit janë gjetur cigare, motosharrë, maska, kapela, orë dore, sëpatë, çekan, si dhe para metalike dhe letërmonedha. Po ashtu, policia ka sekuestruar një pistoletë me karikator dhe gjashtë fishekë.

Në konsultim me prokurorin, dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i tretë, i mitur, i është dorëzuar Stacionit Policor në Malishevë. Sipas Policisë, ai ishte liruar me kusht për dy vjet në lidhje me raste të mëparshme të vjedhjeve.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të armëmbajtjes së paautorizuar në Kosovë, sekuestrohen armë dhe fishekë

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të armëmbajtjes së paautorizuar në Prishtinë, Podujevë, Vushtrri dhe Gjakovë, gjatë të cilave janë sekuestruar armë zjarri dhe municion.

Në fshatin Dumosh të Podujevës, gjatë kontrollit të një personi, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me karikator dhe gjashtë fishekë. Pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, në konsultim me prokurorin.

Në Stacionin Policor Veri në Prishtinë, një grua ka dorëzuar një pistoletë me një fishek, për të cilën ka deklaruar se i përkiste xhaxhait të saj të ndjerë. Arma është sekuestruar, ndërsa e dyshuara është liruar me vendim të prokurorit.

Ndërkaq, në Prishtinë, një i mitur është ndaluar gjatë kontrollit policor, pasi iu janë gjetur 11 fishekë të kalibrit 7.65 mm. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Në rrugën “Ramë Govori” në Prishtinë, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me shtatë fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në fshatin Novolan të Vushtrrisë, gjatë bastisjes së shtëpisë së një personi janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë gjuetie. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

Ndërsa në Gjakovë, një i mitur është arrestuar nën dyshimin se kishte shtënë me armë zjarri. Nga ai janë sekuestruar një armë, dy fishekë dhe një gëzhojë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tre persona të maskuar tentojnë grabitjen në Magure të Lipjanit

Published

on

Një punëtor i sigurimit në një kompani private ka raportuar se ka hasur në tre persona të maskuar dhe me dorëza në një objekt në fshatin Magure të Lipjanit.

Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 26 tetor, rreth orës 02:11. Njëri nga personat e dyshuar kishte një pistoletë në dorë, të cilën ia kishte drejtuar punëtorit të sigurimit, duke i kërkuar të largohej nga vendi i ngjarjes.

Pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilat, në konsultim me prokurorin, kanë iniciuar rastin si grabitje.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Raportohen disa raste të dhunës në familje në Kosovë, të dyshuarit arrestohen

Published

on

Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit, ku viktima kanë qenë familjarë, përfshirë bashkëshortet, motrat dhe prindërit.

Në Prishtinë, më 24 tetor është raportuar se një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij. Rasti është duke u hetuar. Ndërkaq, më 26 tetor është raportuar edhe një rast që përfshin ish-bashkëshortin e një viktime.

Në Ranillug, një person është arrestuar pasi dyshohet se, pas një fjalosjeje, ka sulmuar fizikisht motrën e tij. Të dy kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është raportuar në Viti, ku bashkëshorti dhe vëllai i një gruaje dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa të dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në Pejë, një person është arrestuar nën dyshimin se e kishte kanosur ish-bashkëshorten përmes telefonit dhe më pas, më 26 tetor, kishte dëmtuar xhamat e shtëpisë së nënës së saj. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec, një baba dhe vajza e tij kanë raportuar se djali dhe vëllai i tyre dyshohet se ushtron vazhdimisht dhunë psikike ndaj familjarëve. Rasti, me vendim të prokurorit, vazhdon në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Gjakovë, një grua ka raportuar se është keqtrajtuar nga bashkëshorti. I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

Edhe në Vushtrri është arrestuar një person, i dyshuar se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe më pas e ka larguar nga shtëpia. Ai është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Po ashtu, në Greqi është raportuar një rast i kanosjes ndaj një gruaje nga ish-bashkëshorti i saj, shtetas i Kosovës. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara