Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 17 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

Foto: Serbëve shpeshherë u pengoi edhe Teatri Popullor i Kosovës

 

17 qershor 1993

Havë Ajeti viktimë e një shpërthimi në shtëpinë e saj në Prishtinë

Havë Ajeti, nga Prishtina, e lindur më 1942, nënë e katër fëmijëve, vdiq sot në orën dhjetë nga plagët që iu shkaktuan nga një shpërthim i fuqishëm i një lënde eksplozive të hedhur në shkallët e shtëpisë së saj.

Ajet (Ahmet) Ajeti, bashkëshort i të ndjerës, tha se lënda eksplozive, tash për tash e paidentifikuar, shpërtheu në orën 7,30 min. kur e ndjera deshi ta largonte një qese najloni, ngjyrë të gjelbër, në të cilën ishte maskuar lënda shpërthyese në shkallët e shtëpisë. Se si u gjet kjo lëndë shpërthyese në shkallët e shtëpisë së familjes Ajeti, tash për tash nuk dihet. Nga eksplodimi i fuqishëm, Haves iu shkaktuan plagë vdekjeprurëse në bark dhe, ndonëse u dërgua menjëherë në spital, ajo vdiq në orën dhjetë.

Dëshmitarët thonë se eksplodimi në shtëpinë e Ajet Ajetit, që gjendet në rrugën “Zef Lush Marku” nr. 1 në Prishtinë, ishte shumë i fuqishëm. Gjurmë të eksplodimit kanë mbetur në shumë vende në shtëpinë e Ajet Ajetit.

Policia serbe shkoi në vendin e ngjarjes në orën tetë.

 

Eksplodim pati edhe në Fushë-Kosovë

Parmbrëmë, rreth orës 1 pas mesnates, në portën e oborrit të shtëpisë së Gani Beqirit, rruga e “Drenicës”, nr. 1, në Fushë-Kosovë, u bë një shpërthim i një lënde eksplozivi. Shpërthimi dëmtoi një pjesë të portës dhe të murit.

Policët serbë dolën pas disa orësh në vendin e ngjarjes, hetuan rastin, por deri tash nuk dhanë kurrfarë informacioni për këtë ngjarje.

 

17 qershor 1994

 

U hoqën të gjitha mbishkrimet shqipe në Teatrin Popullor të Kosovës

Sot në orën 10 “drejtuesit” e instaluar në Teatrin Popullor të Kosovës urdhëruan heqjen e të gjitha mbishkrimeve në gjuhën shqipe, duke përfshirë edhe mbishkrimin “Teatri Popullor i Kosovës”. U hoqën edhe pllakatet e pakëta të shfaqjeve shqipe që i kishte përgatitur Drama Shqiptare e këtij teatri.

Gjendja e Dramës Shqiptare në këtë teatër është bërë e padurueshme pas vendosjes së Radoslav Stojanoviqit për drejtor të dhunshëm. Ai dëboi nga teatri aktorin e njohur dhe drejtorin e Dramës Shqiptare Dibran Tahirin dhe aktoren Drita Boshnjaku.

Ndërsa heqja e gjuhës shqipe nga komunikimi publik tashmë është në përfundim e sipër.

Muajëve të fundit, me qindra pronarëve shqiptarë të firmave janë dënuar me pretekst se nuk i kanë shkruar me alfabet cirilik emrat e firmave të tyre.

 

17 qershor 1995

Dhuna e përditshme në Kosovë

Mitrovicë: – Më 14 qershor, katër policë, me pretekst të kërkimit të armëve, shkuan në shtëpitë e Musli B. Ibishit (72), Riza I. Beqirit (60) dhe Mehmet E. Beqirit (50), në fshatin Tërstenë të Mitrovicës.

Me këtë rast, policët morën me vete Musli Ibishin, të cilin në stacionin e policisë në Stantërg e rrahën deri në alivanosje dhe e liruan me kusht që në polici të paraqitet sërish më 19 qershor. Thirrje për t’u paraqitur në polici me këtë datë, policët i lanë edhe Mehmet Beqirit.

Gjilan: – Më 14 qershor, një patrullë e policisë sebre shkoi në shtëpinë e Xhymshit Arifit (1924) në fshatin Bilincë të Gjilanit, nga i cili kërkuan të dorëzojë një pushkë. Por, meqë ai u deklarua se një revole e ka dorëzuar para një viti, policët e urdhëruan që, së bashku me vajzën e tij Bislimen (16), të paraqitet në stacionin e policisë në Gjilan.

Më 16 qershor, në polici u mor Ramadan Hashani (1945) nga fshati Verbicë. Me pretekst se duhet të dorëzojë një automatik, ai u mbajt në polici rreth dy orë dhe gjatë kësaj kohe u keqtrajtua edhe fizikisht.

Ai u urdhërua që në polici të paraqitet sërish sot.

Viti: Më 13 qershor, policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve mori në shtëpinë e tij, Tafë Mustafën nga fshati Lubishtë, i cili u dërgua në stacionin e policisë në Viti.

Në stacionin e policisë ai u keqtrajtua nga polici Rajko Bullatoviq.

Pas gjysmë ore ai u dërgua në stacionin e policisë në Gjilan, ku u mbajt deri të nesërmen në mesditë dhe u keqtrajtua rëndë nga kusilingu Ramadan Sermaxhaj e Sërgjan Gjorgjeviqi.

Tafë Mustafa është liruar, por prej tij është kërkuar që të paraqitet sërish më 16 qershor në stacionin e policisë në Gjilan.

 

17 qershor 1997

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

Kaçanik: – Më 11 qershor, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armëve ishte në shtëpinë e Arif Samakovës në fshatin Kërbliq. Njoftohet se policët serbë morën Arifin dhe djemtë e tij Emrushin e Muhabiun, të cilët u dërguan në stacionin e policisë serbe në Kaçanik dhe rreth tri orë ata janë keqtrajtuar brutalisht.

Njoftohet se Arifi dhe djemtë e tij Emrushi e Muhabiu nga keqtrajtimet e rënda fizike kërkuan ndihmë mjekësore, ndërsa janë liruar me urdhër që të paraqiten sërish sot në polici.

Deçan: – Dje, në stacionin e policisë serbe në Deçan, për herë të tetë u mor në të ashtuquajturën bisedë informative, Hilmi Muçaj, aktivist i KKF-së në Deçan. Njoftohet se z. Muçaj është pyetur rreth mënyrës së grumbullimit të mjeteve, si dhe për çështje të tjera.

Mitrovicë: – Dje, rreth orës 17 të mbrëmjes, në afërsi të tregut në Mitrovicë, policia ndaloi të rinjtë Shemsi R. Kola 918) dhe Arsim M. Seferi (18) dhe i mbajti në rrugë rreth gjysmë ore, për shkak se ata nuk kishin letërnjoftimet. Policët i provokuan ata duke u thënë se do t’i lirojnë nëse u tregojnë se kush ka armë në fshatin e tyre dhe i kërcënuan ata se do t’i arrestojnë dhe do t’i dënojnë me burg për shkak të mosposedimit të dokumenteve personale.

Ferizaj: – Më 13 qershor, inspektorët serbë morën në pyetje Rrustem Sefedinin, kryetar i KKA dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Ferizaj. Z. Sefedini nga inspektorët e sigurimit serb u pyet për veprimtarinë e Degës së LDK-së dhe Këshillit komunal për Arsim të Ferizajt. Ai u urdhërua që të paraqitet sërish nesër në polici.

Po këtë ditë, në postkomandën e policisë serbe në Shtërpcë u mor në pyetje edhe Afrim Mehmeti, ish i dënuar në procesin politik të Paraçinit nga fshati Firajë. Ai nga inspektorët serbë u pyet pse pse është dënuar, ku e ka vuajtur dënimin, si e kishin pritur fshatarët lirimin e tij nga burgu, kush e ka vizituar pasi është liruar etj.

 

17 qershor 1998

Deçan: Dihet edhe për 7 të vrarë gjatë ditëve të fundit

Gjatë luftimeve të djeshme dhe të pardjeshme në rajonin e Vokshit supozohet se ka të vrarë, por nuk dihet numri e as identiteti i tyre.

Ndërkohë sot u bë e ditur se në luftimet e javës së kaluar janë vrarë edhe shtatë të vrarë, kështu që numri i të vrarëve ditëve të fundit në Deçan nga 58 ngjitet në 65, numër ky që nuk mund të jetë përfundimtar.

Mësohet të vrarit janë Mire Lataj (80), motra e saj 75-vjeçare, nëna e Have Balajt (80) dhe Cufë Balaj (85), ndërkohë që supozohet se personat e vrarë e të dërguar në Bashkësinë Islame në Pejë mund të jenë persona të vrarë në luftimet e ditëve të fundit në komunën e Deçanit.

 

Ushtarët serbë vranë Ymer R. Krasniqin nga Caralluka e Malishevës

 

Dje, rreth orës 17, ushtria serbe vrau me snajper Ymer Ramë Krasniqin (41) nga Caralluka e Malishevës. KI i Degës së LDK-së njofton se z. Krasniqi u vra në mes fshatit Bllacë dhe Sllapushan të Suharekës nga ushtarët që shtinë nga vendi i quajtur Bregu i Dushit. I ndjeri që nga ditët e para ishte i angazhuar në radhët e forcave mbrojtëse dhe la pas vetes dhjetë fëmijë.

 

Dje në kufirin Kosovë-Shqipëri janë vrarë pesë shqiptarë

Dje në orët e hershme të mëngjesit në kufirin Kosovë-Shqipëri afër karakollit “Likeni” në një incident kufitar janë vrarë tre shqiptarë, njofton shtypi i sotëm serb duke cituar burimet ushtarake serbe. Me atë rast është konfiskuar një sasi e madhe armësh.

Ndërkaq, në një incident tjetër që ndodhi poashtu dje pas mesnatës, agjencia Beta njofton se ushtarët serbë kanë vrarë dy shqiptarë dhe kanë konfiskuar një sasi të madhe armatimi e municioni. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe dokumentet e gazetarit norvegjez Pal Refsdal, nga stacioni TV2 Bergen.

Continue Reading

Lajmet

Vdes një 85-vjeçar shqiptar nga një arrest kardiak gjatë uljes së avionit në Bolonjë

Published

on

By

Një shtetas shqiptar 85-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, teksa avioni me të cilin po udhëtonte po kryente fazën e uljes në aeroportin “Guglielmo Marconi” të Bolonjës.

Sipas të dhënave paraprake, i moshuari po udhëtonte së bashku me familjen e tij dhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore kishte kërkuar ndihmë mjekësore gjatë fluturimit. Pavarësisht përpjekjeve, ai pësoi një goditje fatale pikërisht gjatë manovrës së uljes së mjetit fluturues.

Me të prekur token avioni, në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës mjekësore dhe njësitë e Policisë që shërbejnë në ambientet e aeroportit për kryerjen e procedurave të nevojshme. /Abcnews/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 17 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Cen Dugolli

17 gusht 1993

Forca të mëdha të policisë dhe ushtrisë serbe në Prishtinë

Që nga orët e hershme të mëngjesit, njësi të shumta të policisë serbe, po kontrollojnë të gjitha hyrje-daljet e Prishtinës. Grupe policësh kanë zënë pozicionet në pikat kryesore brenda në qytet.

Patrulla të policisë kanë zënë pozicione edhe në rrugët margjinale.

Nëpër qytet vërehen lëvizje të shtuara të policisë. Ndërsa, në udhëkryqin para ndërtesës së Komandës së ushtrisë serbe në Prishtinë, kanë dalë automjete përplot ushtarë. Lëvizje të ushtrisë gjatë ditës pati edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Qytetarët e Prishtinës dhe njerëzit që ishin nisur për Prishtinë, pasi sot është ditë tregu, i janë nënshtruar një kontrolli të rreptë të policisë. Për këtë arsye shumë fshatarë nuk mundën të hyjnë në qytet.

Nuk dihen shkaqet e pranisë kaq të madhe të policisë në Prishtinë. Rreth orës 10 policë të armatosur ndërhynë në mënyrë brutale në tregun e devizave dhe arrestuan disa qytetarë.

Policët serbë plaçkitën mallëra të ndryshme në tregun e Prishtinës.

Forca të shtuara të policisë, siç njoftojnë degët e LDK-së, vërehen sot edhe në Prizren e në Gjilan.

 

 

17 gusht 1995

Në Gjakovë u instaluan rreth 350 refugjatë serbë

Mbrëmë në Gjakovë, arritën 7 autobusë me rreth 350 refugjatë serbë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gjakovë.

I ashtuquajturi “shtab i krizës”, 110 refugjatë i vendosi në konviktin e nxënësve dhe të studentëve “Sadik Stavileci”, të tjerët në hotelin “Pashtriku” dhe në lokalet e shkollës fillore “Hysni Zajmi” të qytetit.

Në njoftim bëhet me dije se refugjatët serbë, menjëherë pasi u vendosën në ndërtesën e konviktit thyen bustin e Sadik Stavilecit, i cili ishte i vendosur në kopshtin e konviktit.

 

 

 

17 gusht 1998

Gjakovë: Bastisje në Osek Hylë, mbi 10 mijë veta ende nën qiellin e hapur

Sot paradite, një ekspeditë policore serbe ka bllokuar hyrje-daljet në fshatin Osek-Hylë dhe ka ndërhyrë në disa familje me pretekst të kërkimit të armëve, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.

Edhe sot, në Gjakovë kanë vazhduar të vijnë banorë të ikur nga fshatrat e goditura në ofensivën e fundit të forcave serbe.

Njoftohet se një pjesë e popullatës, rreth 10 mijë veta, kryesisht gra, pleqë dhe fëmijë, vazhdojnë të qëndrojnë të pastrehuar, pa ushqim dhe pa kujdes mjekësor, në malet e anës së Dushkajës, Anësdrinit dhe në malet e Rekës së Keqe. Gjendja e tyre është mjaft e keqësuar dhe përveç urisë janë të kërcënuar nga sëmundjet e ndryshme. Ndërsa brenda në qytet dhe në paralegjet e qytetit janë rreth 50. 000 të ikur nga vatrat e tyre.

Edhe më tutje nuk dihet për fatin e shumë qytetarëve. Sot është bërë me dije se nuk dihet për Pjetër Tal Krasniqin dhe Zef Gjon Krasniqin nga fshati Meqë, që të dytë rreth moshës 62-63 vjeç, si dhe për Jusuf Ahmetin nga fshati Stubëll.

 

 

Prishtinë: Nga torturat në burg vdiq Cen Dugolli nga Ferizaji

Cen Dugolli, veprimtar i LDK-së nga Ferizaj, vdiq sot në klinikën e kirurgjisë në Prishtinë, ku u dërgua dje mha policia serbe.

Ai u arrestua më 21 qershor nga policia serbe, ndërsa dje u dërgua në spital, në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të torturave të rënda në burg. Mësohet se në spital ai iu nënshtrua intervenimit kirurgjik, por për trupin e tij të dërmuar nga rrahjet gjithçka ishte vonë.

Të përkujtojmë se në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut policia serbe ndërmorri një fushatë të gjerë të arrestimit të veprimtarëve politikë e humanitarë të komunës së Ferizajt, të cilët më vonë u torturuan në mënyrën më mizore nga sigurimi serbe. Për shkak të torturave, më 22 korrik, pasi qëndroi disa ditë në gjendje kome në spital, vdiq veprimtari humanitar nga Ferizaj Rexhep Bislimi, i cili u arrestua nga policia më 6 korrik. Ndërsa, më 30 qershor, veprimtari i LDK-së Ylber Topalli, u plagos nga policia para gjykatës serbe në Prishtinë, kur tentoi të ikte derisa në gjendje të rëndë shëndetësore e i dërmuar nga të rrahurat po dërgohej për t’u marrë në pyetje.

Me rastin e Cen Dugolli lidhet edhe fati i avokatit të tij, Destan Rukiqi. Më 23 korrik ai shkoi për të marrë leje për ta vizituar në burg klientin e tij, por të njëjtën ditë u arrstua e u dërgua në burg, ku pas disa ditësh u keqtrajtua rëndë fizikisht dhe tash në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhet i shtrirë në spitalin e burgut të Beogradit.

Continue Reading

Lajmet

PDK i dërgon letër Avni Deharit, kërkon vazhdimin e seancës konstituive të martën

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar sërish me letër zyrtare kryesuesit të seancës, Avni Dehari, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të martën, më 18 gusht, në orën 11:00.

Sipas letrës së siguruar nga mediat, grupi parlamentar i PDK-së ka theksuar se vonesat në këtë proces përbëjnë shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit.

Në letrën drejtuar Deharit thuhet se “Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

21 armë zjarri të sekuestruara dhe mbi 4 mijë gjoba në Rajonin e Prishtinës

Published

on

Policia e Kosovës në Rajonin e Prishtinës ka realizuar gjatë javës së kaluar një sërë aktivitetesh në kuadër të sigurisë dhe zbatimit të urdhëresave gjyqësore.

Sipas Policisë, janë realizuar 125 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 45 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca dhe verifikime të ndryshme.

Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 21 armë zjarri, ndërsa 8 prej tyre janë konfiskuar gjatë ahengjeve familjare.

Policia ka shqiptuar gjithashtu 4,179 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të rregullave të trafikut. Prej tyre, 566 janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobilë.

Personat e dënuar me burgim, pas përfundimit të procedurave policore, janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë janë liruar pas përmbushjes së obligimeve të përcaktuara në urdhëresat gjyqësore./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara