Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 16 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

16 shtator 1993

 

Valë e re arrestimesh dhe bastisjesh në Prishtinë

 

Forca të mëdha të policisë serbe sot qysh nga ora 3 e mëngjesit bastisën shumë familje dhe arrestuan disa veprimtarë të LDK-së dhe qytetarë në Prishtinë.

Policia serbe rrethoi shtëpinë e Agim Krasniqit, kryetar i Degës III të LDK-së në Prishtinë. Gjatë bastisjes, e cila zgjati mbi katër orë, policia u soll në mënyrë brutale. Pas bastisjes policia arrestoi Agim Krasniqin dhe mikun e tij Xhevat Balajn, që ndodhej në shtëpinë e Agimit.

Agim Krasniqin para do ditësh, gjykata serbe në Prishtinë e dënoi me 60 ditë burg dhe pritej që ky vendim të ekzekutohej këto ditë.

Po ashtu, sot, disa ekspedita policore serbe, bastisën disa familje të lagjes Kodra e Trimave. Kështu, policia bastisi familjet e Xhelil dhe Mehmet Ramës. Me këtë rast policia arrestoi Xhelil Ramën, ish-epror ushtarak.

Policia bastisi dhe arrestoi në shtëpi Fazli Malokun, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së dhe kryetar i Këshillit Qendror për Solidaritet në lagjen Kodra e Trimave, kërkoi Bilall Sylën, ish-epror ushtarak, por meqë ai nuk gjendej në shtëpi, arrestoi babain e tij Riza Sylën. Po ashtu sot policia serbe bastisi shtëpinë e Bali Hysenit, kryetar i Nëndegës III të Degës së LDK-së të kësaj lagjeje. Pasi Baliu nuk gjendej në shtëpi, policia, arrestoi vëllaun e tij, Bejtë Hysenin në banesë në lagjen “Lakrishta”.

U bastis edhe familja e Zijadin Hoxhës, anëtar i Kryesisë së Nëndegës I-rë të Degës së LDK-së në Kodrën e Trimave dhe ish-i burgosur politik, i cili nuk gjendej në shtëpi, si dhe familja e Rexhep Demollit.

Policia serbe sot bastisi edhe familjen e Hajrush Bahtirit në rrugën “Xhemail Ibishi”. Policët kërkonin Rrahman Bahtirin, ish-i burgosur i ndërgjegjes. Meqë ai nuk gjendej në shtëpi, policia arrestoi babain e tij Hajrushin.

Bastisja e policisë serbe në Familjen Bahtiri zgjati rreth katër orë.

Në të gjitha këto bastisje, policia u soll në mënyrë brutale, demoloi dyer e orendi dhe u soll vrazhdë kundër anëtarëve të këtyre familjeve.

Të gjithë të arrestuarit gjenden në stacionin e policisë.

Kundër këtyre bastisjeve dhe arrestimeve, sot reagoi Kryesia e Degës së LDK-së në Kodrën e Trimave, në të cilën thuhet se kjo valë e re e represionit serb, ka për qëllim ngritjen e tensionit, si dhe të pengimit të aktivitetit parazgjedhor në LDK. Kryesia e kësaj dege, kërkon që policia të lirojë menjëherë të arrestuarit dhe të ndërpres represionin mbi veprimtarët dhe qytetarët e kësaj lagjeje.

 

 

16 shtator 1994

 

Fushatë represioni në komunën e Podujevës

 

Forcat serbe kanë ndërmarrë gjatë ditës së djeshme një fushatë të re represioni në komunën e Podujevës.

Gjatë ditës së djeshme u arrestua dr. Muharrem Avdiu, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë. Ai u mbajt dy orë në stacionin e policisë, ndërsa në bazë të urdhrit të policisë ai u ishte i detyruar të paraqitej në stacion edhe sot në mëngjes. Nga Podujeva nuk ka njoftime se cili është epilogu i shkuarjes së tij në polici sot.

Dje u mor në shtëpinë e tij në Peran dhe pastaj u dërgua në stacionin e policisë Jusuf Salihu, gazetar i “Bujkut”, shkrimtar dhe veprimtar socialdemokratëve dhe veprimtar i arsimit në Podujevë. Komisioni për Informim i Degës së LDK-së njofton se z. Salihu është mbajtur në polici prej orës 13:00 deri në orën 21:00 dhe është torturuar, për çka dëshmojnë lëndimet e rënda në trup. Edhe z. Salihu i është dhënë urdhëri për t’u paraqitur në stacionin e policisë.

Merret vesh se dr. Avdiu dhe z. Salihu janë marrë në pyetje në kontekst të gjoja hetimeve që po bën policia serbe në përpjekje për të gjetur kinse sulmuesit që shtinë me armë kundër veturës së policisë serbe më 12 shtator në afërsi të fshatit Sibofc të Podujevës.

Fushata represive përfshiu dje edhe fshatin Ballofc të Podujevës, që gjendet shumë larg fshatit Sibofc. Rreth orës 17:00 një ekspeditë e policisë serbe me rreth 30 policë u vendosë pranë shtëpisë së Paun Miloçiqit dhe i torturoi të gjithë kalimtarët që kaluan atypari. Njoftohet se policia i detyronte kalimtarët të shtriheshin për tokë e pastaj i rrahte ata me shkop druri. Deri më tash Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë ka siguruar informata se janë torturuar këta persona: Shaban Mustafa, Enver Bajrami, Agim Sejdiu, Selatin Bajgora, Rrahman Vllasa, Mehmet Visoka, Arben Bajgora, Bekim Bajgora, Hilmi Nisheci, Gazmend Lepaja, Tefik Salihu dhe Shaban, Hilmi e Hazir Ganiu.

Thuhet se janë torturuar edhe shumë persona të tjerë, por emrat e tyre tash për tash nuk dihen. Gjatë torturimit policia serbe iu është kërcënuar se do t’i pushkatojë si në vitin 1941. Gjatë gjithë kohës sa janë torturuar në vetura të policisë është lëshuar me zë të lartë muzikë me këngë çetnike.

Po ashtu dje në fshatin Dumosh policia arrestoi Gani Podvoricën dhe babain e tij. Për fatin e tyre nuk dihet asgjë.

Ndërsa në orët e mbrëmjes forca të mëdha të policisë serbe udhëtuan nga Podujeva në drejtim të Lluzhanit e pastaj në drejtim të Orllanit. Forca të mëdha po ashtu udhëtuan edhe nga Prishtina në drejtim të Lluzhanit e pastaj shkuan në drejtim të Orllanit. Këto forca u takuan në Lluzhan. Thuhet se forcat serbe ishin të pajisura edhe me tanksa, autoblinda, ndihmë të shpejtë, helikopter, e me automjete të tjera. Nuk ka njoftime se për çfarë preteksti ishte ndërmarrë kjo lëvizje e forcave serbe. Thuhet se ato ndaluan në rrethinën e Batllavë, afër Pendës së Liqenit të Batllavës, por nuk ka njoftime për aktivitetin e tyre eventual.

Pavarësisht prej kësaj, lëvizjet e forcave serbe kaq të mëdha shkaktuan shqetësim dhe panik në vendbanimet përskaj rrugës Prishtinë – Podujevë dhe Lluzhan – Batllavë.

 

 

 

16 shtator, 1995

 

Plane të mëdha serbe në letra për kolonizimin e Kosovës

 

Bashkëpunëtori ynë nga Gjeneva Hevzi Kryeziu njofton se në Gjenevë ka shkuar përfaqësuesi i Serbisë, Todoroviq për të kërkuar nga organizatat humanitare të OKB-së ndihmë urgjente për refugjatët serbë.

Todoroviq, pranë KNKK dhe KLR kërkoi 630 milionë dollarë nga këto organizata për të mbajtur refugjatët serbë për këtë dimër.

Ndërsa në Prishtinë, serbët e instaluar në Kuvendin e komunës, në një mbledhje të mbajtur dje, në kuadër të fushatës për kolonizimin e Kosovës, morën disa vendime që mund të kenë pasoja të rënda për Prishtinën, kryeqytet i Republikës së Kosovës.

Në mbledhje u mor vendimi për ndryshimin e planit urbanistik të lagjes “Dragodani” në Prishtinë, të planit urbanistik në hapësirën në mes të objektit të “Eksimkosit” dhe selisë së xeherores Kishnicë dhe Novobërdë, si dhe vendimi për ndryshimin e planit urbanistik të lagjes “Dardania”.

Këto vendime, siç mund të shihet nga një njoftim i botuar në gazetën e sotme “Jedinstvo”, u bënë me qëllim të krijimit të parakushteve për ngritjen e banesave, shtëpive, godinave dhe lokaleve për kolonistët serbë.

Në njoftim thuhet më tutje se në vendbanimin në Hajvali të Prishtinës planifikohet të ngriten 83 shtëpi me nga dy banesa, si edhe 100 shtëpi të tjera familjare.

Në mes të Hajvalisë dhe Matiçanit planifikohet të ngriten 200 shtëpi të tjera, ndërsa në lagjen e “Dragodanit” 88 shtëpi dhe 7 godina me 281 banesa.

Në Lagjen e Spitalit planifikohet ngritja e 70 banesave dhe në fshatin Lebanë, afër Prishtinës, planifikohet të ndërtohen 150 shtëpi.

Ky plan ambicioz, që nuk fsheh fare synimet për kolonizimin e Kosovës, do të realizohet në rast se gjenden mjete financiare.

Bën përshtypje edhe fakti se lajmin e kanë botuar sot të gjitha gazetat serbe.

Në një reportazh nga Podujeva të botuar po në këtë gazetë thuhet se në shkollën e mesme të okupuar “Gjuro Gjakoviç” janë vendosur 67 kolonë, të cilët kanë arritur më 1 shtator.

Njëfar Millosh Malkoviq, i cilësuar si fitues i “përkujtimores partizane” të vitit 1941, që gjatë jetës së tij kishte ngritur 6 shtëpi dhe se tash mbeti pa asnjë, shprehu kënaqësi me faktin se është vendosur në Kosovë!

Në këtë reportazh thuhet më tutje se serbët e instaluar në administratën komunale planifikojnë që në shkollën e mesme, ku janë vendosur tash kolonët, të adaptohen dhoma banimi me 50 metra katrorë për banimin e kolonëve.

Në fund të këtij reportazhi thuhet se në komunën e Podujevës mund të vendosen madje edhe deri në 10 mijë kolonë serbë.

Mirëpo, në një shënim thuhet se problem të madh paraqet mungesa e ushqimit për kolonët dhe pranohet fakti se nga 450 kolonët që kanë arritur deri më tash në këtë komunë, një numër i tyre tashmë është larguar nga Gjakova.

Disa serbë janë larguar prej Gjakovës gjoja për t’u bashkuar me anëtarët e familjeve të tyre në Serbi.

 

 

16 shtator 1997

 

Pas incidenteve të pasqaruara keqtrajtime të shqiptarëve

 

Lidhur me incidentet e pasqaruara në disa stacione të policisë serbe në Kosovë, policët kanë keqtrajtuar shumë shqiptarë, kryesisht kalimtarë të rastit.

Kështu dy ditë pas dezinformimit të Radio Prishtinës në gjuhën serbe se na qenkësh sulmuar stacioni i policisë në Kijevë të Malishevës, policia serbe me pretekst të këtij sulmi të pandriçuar ka keqtrajtuar Refki Berishën nga Gurbardhi, Jonuz Kryeziun nga Pagarusha, Resmi Kryeziun nga Bubaveci, Ymer Kryeziun e të birin e Florinin nga Mleçani si edhe Hysni, Bashkim e Nazmi Gashin nga Kijeva.

Trillimi i sulmit në stacionin e policisë në Kijevë i njoftuar tri ditë më parë nga masmediat serbe dhe ndodhja dy ditë më vonë, ka zgjuar indinjatë dhe dyshim të natyrshëm për ndërlidhje dhe autorësi serbe të këtij sulmi.

 

 

16 shtator 1998

 

Podujevë: Vazhdon granatimi i fshatrave të Shalës së Bajgorës – kontroll i rreptë në hyrje-daljet e qytezës

 

Forcat serbe të vendosura në fshatin Dobratin të Podujevës vazhdojnë edhe më tej të granatojnë fshatrat e Shalës së Bajgorës.

Burime të LDK-së në Podujevë njoftojnë se në fshatin Dobratin kanë mbetur disa familje në lagjen Ahmetaj, të cilat nuk kanë arritur të largohen nga fshati.

Prani e shtuar e forcave policore vërehet edhe sot në Podujevë. Këto forca janë stacionuar në disa pika të qytetit dhe po ushtrojnë kontroll të rreptë të qytetarëve. Sipas njoftimeve, kontrolli po bëhet në qendër të qytezës, në afërsi të objektit të postës, te Fabrika e tjegullave, afër Fabrikës së Armaturës, në të dalë të rrugës për Dumnicë, si dhe në të dalë të rrugës për në Shajkoc.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se sot rreh orës 11 nga Serbia në drejtim të Prishtinës erdhi një konvoj i forcave serbe, i përbërë nga 40 automjete.

Bëhet me dije se në drejtim të Prishtinës sot ka qarkullim më të shtuar të veturave e autobusëve në krahasim me ditën e djeshme, ndërsa në hyrje të Prishtinës policia ndalon dhe kontrollon qytetarët.

 

 

Tre të vrarë në Stantërg – dyshohet edhe për të vrarë e të plagosur në fshatrat tjera të Shalës së Bajgorës

 

U granatuan edhe fshatrat Tarllabuq e Sumë të Vushtrrisë

 

Forcat serbe kanë vrarë dje në Stantërg tre shqiptarë.

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se në oborrin e shtëpisë së tyre u vranë Halim (Halil) Ferizi (60), djali i tij Enveri (38) dhe mysafiri i tyre, Rizah Tahiri (55) nga fshati Selac.

Pas vrasjes, policia arrestoi dy djemt tjerë të Halimit, Fadilin (35) dhe Adilin (32), të cilët u mbajtën 8 orë në arrest dhe u keqtrajtuan rëndë fizikisht.

I njëjti burim bën me dije se në disa fshatra të Shalës së Bajgorës kanë hyrë pjesëtarë të forcave serbe, të cilët ishin me fytyra të ngjyrosura, dhe të cilët plaçkitën e pastaj dogjën shumë shtëpi, si në Stantërg, Mazhiq e Rahovë.

Njëkohësisht mësohet se në këto fshatra ka edhe të vrarë e shumë të plagosur, por deri tash nuk as numri e as identiteti i tyre.

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se sot në orën 7 të mëngjesit forcat serbe granatuan fshatrat Tarllabuq e Sumë të Vushtrrisë, por, përveç dëmeve materiale, nuk pati të vrarë e të plagosur.

Bëhet me dije dje në orën 14.30, në hyrje të Mitrovicës, forcat policore arrestuan Besnik Z. Pecin (27) e Kujtim Xh. Pecin (16) nga Boletini dhe Smajl pecin (23) e Afrim Xh. Pecin (20) nga Rahova e Mitrovicës. Ata u mbajtën katër orë në polici dhe u keqtrajtuan rëndë fizikisht e pastaj u liruan.

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Eksperti i shitjes dhe marketingut, Fisnik Behxheti, ndan përvojën 25-vjeçare me studentët e UBT-së

Published

on

By

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT, në kuadër të lëndës “Marketing dhe Menaxhim i Shitjeve”, të ligjëruar nga Prof. Rajan Arapi, mirëpritën në një ligjëratë të hapur ekspertin e shitjes, operacioneve dhe marketingut, Fisnik Behxheti.

Me mbi 25 vjet përvojë profesionale, Behxheti ndau me studentët rrugëtimin e tij në industrinë e shitjes dhe menaxhimit, duke sjellë shembuj konkretë nga përvoja në pozita drejtuese në disa prej institucioneve dhe kompanive të njohura në Kosovë, përfshirë TEB, PriBank, SPAR Kosovo, DEPO Market dhe KosInvest. Aktualisht, ai udhëheq ekipe ndërkombëtare të shitjes me mbi 100 profesionistë në katër vende.

Gjatë ligjëratës, vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si teoria e marketingut zbatohet në praktikën e përditshme të bizneseve. Përmes rasteve të kompanive globale si McDonald’s, Apple, Zara, Red Bull dhe Coca-Cola, studentët analizuan zbatimin e marketingut miks (4P), sjelljen e konsumatorit dhe ndikimin e emocioneve në vendimmarrjen për blerje.

Po ashtu, u diskutua për ndërtimin dhe menaxhimin e ekipeve të shitjes, matjen e performancës, rëndësinë e etikës profesionale në raport me klientët, si dhe ndikimin gjithnjë në rritje të inteligjencës artificiale në mënyrën se si konsumatorët informohen, kërkojnë dhe blejnë produkte e shërbime në vitin 2026.

Pjesa më interaktive e ligjëratës u zhvillua përmes ushtrimeve praktike, ku studentët analizuan marka vendore, testuan përmes telefonave të tyre mënyrën se si inteligjenca artificiale rekomandon bizneset kosovare dhe u përfshinë në simulime të skenarëve të shitjes B2B (biznes me biznes).

Përmes këtyre aktiviteteve, studentët patën mundësi të sfidojnë njohuritë e tyre, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të kuptojnë më nga afër dinamikën e proceseve të shitjes në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe të digjitalizuar.

UBT vazhdon të promovojë një qasje bashkëkohore të mësimdhënies, duke ndërthurur njohuritë akademike me përvojën e profesionistëve nga industria dhe duke krijuar ura të drejtpërdrejta bashkëpunimi ndërmjet studentëve dhe tregut të punës.

 

Continue Reading

lajme

UBT International Smart Schools lanson Edicionin e III-të të Testit Provues të Arritshmërisë

Published

on

By

UBT International Smart Schools ka lansuar Edicionin e III-të të Testit Provues të Arritshmërisë, një mundësi e veçantë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në tërë territorin e Kosovës, që duan të testojnë njohuritë e tyre, të përgatiten për Testin e Semimaturës dhe të përfitojnë bursa shkollimi deri në 100%.

Testi do të zhvillohet më 27 shkurt 2027, në ora 12:00, online dhe falas, duke u mundësuar nxënësve të marrin pjesë nga kudo dhe të dëshmojnë njohuritë dhe potencialin e tyre.

Në kuadër të Edicionit të III-të, nxënësit që arrijnë rezultatet më të larta do të kenë mundësi të përfitojnë bursa shkollimi nga 25% deri në 100%, duke e shndërruar këtë test në një mundësi për të vlerësuar përgatitjen akademike dhe për të fituar mbështetje për vazhdimin e shkollimit.

Testi Provues i Arritshmërisë është konceptuar si një mundësi për nxënësit e klasave të nënta që të matin nivelin e njohurive të tyre dhe të përgatiten më mirë për sfidat e Testit të Semimaturës. Përmes testimit, ata do të kenë mundësi të identifikojnë nivelin e tyre të përgatitjes dhe të dëshmojnë aftësitë e fituara gjatë arsimit të mesëm të ulët.

Me lansimin e këtij edicioni, UBT International Smart Schools vazhdon të krijojë mundësi të reja për nxënësit, duke ndërthurur vlerësimin e njohurive me mundësitë për përfitime akademike dhe duke i inkurajuar ata të sfidojnë veten dhe të synojnë rezultate të larta.

Mos e humb mundësinë për të testuar njohuritë, për t’u përgatitur për Testin e Semimaturës dhe për të fituar bursë deri në 100%! APLIKO TANI ONLINE!

Continue Reading

Vendi

Shiroka-Pula kërkon mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Published

on

By

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka kërkuar mbështetjen e mëtejshme të Zvicrës për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe avancimin e procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Këtë kërkesë e bëri gjatë një takimi të zhvilluar në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, i cili njëkohësisht kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, Shiroka-Pula lartësoi marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve dhe shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës. Ajo theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe promovimin e investimeve zvicerane në Kosovë.

Presidentja veçoi mundësitë që ofron marrëveshja me Asociacionin Evropian të Tregtisë së Lirë (EFTA) për zgjerimin e partneritetit ekonomik, si dhe vlerësoi lart rolin e mërgatës shqiptare në Zvicër si urë kryesore lidhëse mes dy popujve. Po ashtu, u shpreh mirënjohje për angazhimin e palodhshëm të kontingjentit zviceran në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999.

Nga ana e tij, diplomati zviceran Ignazio Cassis rikonfirmoi përkushtimin e shtetit të tij për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës edhe në të ardhmen. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Petrit Kllokoqi ligjëron para studentëve të nivelit master në UBT: Motivimi, sfidat dhe rrugëtimi drejt suksesit në biznes

Published

on

By

Në kuadër të lëndës “Sjellja Konsumatore e Avancuar”, studentët e nivelit master në programin e Fakultetit MBE – Marketing dhe Shitje në UBT patën mundësinë të zhvillojnë një ligjëratë të hapur me të ftuarin special, Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ndërmarrës i suksesshëm dhe pronar i franshizës Bagolina.

Gjatë këtij takimi, Kllokoqi ndau me studentët përvojën e tij profesionale dhe rrugëtimin në botën e biznesit, duke u ndalur veçanërisht te motivimi, sfidat, vendimmarrja dhe qëndrueshmëria përballë ngritjeve dhe rënieve që e karakterizojnë ndërmarrësinë.

Përmes shembujve konkretë nga përvoja e tij, ai prezantoi sfidat me të cilat është përballur, përpjekjet për t’i tejkaluar ato dhe rëndësinë e këmbënguljes në ndërtimin dhe zhvillimin e një biznesi të suksesshëm.

Një dimension veçantë i ligjëratës ishte edhe rrëfimi për ekspeditën e tij drejt majës së Everestit. Kllokoqi ndau me studentët përvojat, sfidat fizike dhe mendore, si dhe përkushtimin e nevojshëm për të përballuar një sfidë të jashtëzakonshme, duke përcjellë mesazhin se suksesi, qoftë në biznes apo në jetë, kërkon guxim, disiplinë dhe vendosmëri.

Ligjërata u karakterizua edhe nga bashkëbisedimi interaktiv, ku studentët patën mundësi të parashtrojnë pyetje, të ndajnë mendimet e tyre dhe të marrin përgjigje e këshilla të vlefshme nga i ftuari.

Kjo ligjëratë e hapur përfaqëson një tjetër mundësi për studentët e UBT-së që njohuritë teorike t’i ndërlidhin me përvojat konkrete të profesionistëve dhe ndërmarrësve të suksesshëm, duke pasuruar përvojën e tyre akademike me perspektiva praktike nga tregu.

 

Continue Reading

Të kërkuara