Aktualitet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 nëntor 1992-1998?
Published
57 minutes agoon
By
UBTNewsNë rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
3 nëntor 1992
Në Suharekë planifikohet nxjerrja e 300 familjeve shqiptare nga banesat
Një përgjegjës serb, i ngarkuar me çështjet për urbanizëm në Suharekë, deklaroi në emisionin informativ të TVPsë,të shtunën, se në atë komunë është ndërmarrë një aksion i gjerë për nxjerrjen e shqiptarëve nga banesat. Ai tha se planifikohet të mirren 300 banesa. Deri më tash, tha ai, janë nxjerrë nga banesat 65 familje shqiptare, ndërsa në to janë vendosur familje serbe. Në 30 banesa janë vendosur refugjatët serbë nga Kroacia e Bosnja e Hercegovina. Ai tha se ditëve të ardhshme pritet marrja edhe e 200 banesave të tjera.
Përgjegjësit serb të instaluar nga Serbia paralajmërojnë rrëzimin e shumë shtëpive të banimit dhe të objekteve të tjera, me arsyetim se gjoja janë ngritur pa plane përkatëse.
Shtypi serb paralajmëron aksione të ngjashme edhe në komunat tjera të Kosovës.
3 nëntor 1993
Në Prizren policia serbe bastisi disa qytetarë shqiptarë
Komisioni për Informim i LDK-së së Prizrenit, njofton se gjatë ditës së djeshme, policia serbe bastisi një numër të konsiderueshëm qytetarësh, të cilët gjendeshin nëpër kafenet dhe çajtoret e qytetit.
Merret vesh se policët serbë gjatë tërë kohës i detyronin shqiptarët që t’i ngrejnë duart lart për gjoja kërkimin e armëve.
3 nëntor 1994
Në disa komuna të Kosovës policia në emër të tatimit plaçkiti dhjetëra dyqane e familje shqiptare
Pushteti i instaluar serb i KK të Klinës, ditëve të fundit përmes tagrambledhësve ka filluar grumbullimin e të hollave në emër të tatimit të bujqësisë e këtë po e bënë në fshatrat Kijevë, Mleçan, Pllaçicë, Bubavec, Drenoc, Llazicë, Vërmicë, Balincë, Carrallukë etj., njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Malishevë.
Një formë e këtillë e plaçkitjes po ndodh edhe në komunën e Gllogovcit, Suharekës, Rahovecit etj.
Kështu në komunën e Suharekës, janë mbyllur edhe zyrat e vendit si në fshatrat Bellanicë, Banjë etj., me ç’rast autoritetet serbe i kanë bartur librat e amzës në qendrën komunale dhe në këtë mënyrë nxjerrja e një dokumentacioni qytetarëve shqiptarë po u kushtëzohet me pagesën e tatimit të pronës bujqësore.
Ndërkaq tagrambledhësit serbë të komunës së Rahovecit, nga pronarët e firmave dhe dyqaneve shqiptare të komunës së Malishevës po i kërkojnë që t’u paguajnë gjobë edhe nga 1.900 dinarë, pa i llogaritur tatimet tjera të qarkullimit. Ka raste kur nga një pronar dyqani, policia serbe po kërkon që të paguaj edhe nga 3 mijë dinarë. Shuma e kërkuar nga ana e policisë serbe për 200 dyqane të pronarëve shqiptarë kap vlerën prej rreth 200 mijë dinarësh, pa i llogaritur plaçkitjet tjera nga ana e policisë financiare serbe.
Vlenë të theksohet se komuna e Malishevës gjatë këtij viti ishte komuna më e plaçkitur nga ana e policisë serbe. Gjatë këtij viti pothuajse çdo javë policia ndërhyri në tregun e Malishevës, me ç’rast plaçkiti sasi të mëdha devizash nga ana e qutetarëve dhe tregtarëve shqiptarë.
3 nëntor 1995
Dhuna e përditshme në Kosovë
Malishevë: – Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Malishevë bënë të ditur se policia serbe edhe më tej ushtron dhunë kundër Abdyl Krasniqit dhe familjes së tij nga Drenoci i Malishevës. Familja e Abdyl Krasniqit ka dy vite që vazhdimisht bastiset nga ana e policisë serbe, si zakonisht me pretekst të dorëzimit të armëve.
Bëhet e ditur se policia serbe bastisi shtëpinë e tij edhe më 25 e 31 tetor, nga i cili kërkon që të dorëzojë një automatik. Më 25 tetor së bashku me policinë serbe, në bastisje të shtëpisë së tij mori pjesë edhe kuislingu shqiptar, Xhemajl Dysheku.
Më 24 tetor, në stacionin e policisë në Rahovec u maltretua për disa orë, Zeqir Kryeziu, kryetar i Aktivit të LDK-së në Pagarushë të Malishevës. Njoftohet se në pyetje, me pretekst të dorëzimit të armëve u mor edhe babai i tij, Ramadan Kryeziu.
Me të njëjtin pretekst është bastisur edhe familja e Hasan Kryeziut nga Pagarusha. Ai është marrë tri herë në pyetje dhe është maltretuar.
Më 31 tetor dhe më 1 e 2 nëntor, me pretekst të dorëzimit të armëve, në postkomandën e policisë serbe në Kijevë është marrë edhe Adem Krasniqi, arsimtar nga Drenoci i Malishevës. Njoftohet se Adem Krasniqi është keqtrajtuar rëndë fizikisht.
Me të njëjtin pretekst, në postkomandën e policisë në Kijevë është
marrë edhe Bilall Hoti nga Carralluka.
Vushtrri: – Dje rreth orës 11:00, një patrullë e policisë serbe, me pretekst të kërkimit të armëve ishte në shtëpinë e Salih Musliut në Dumnicë të Epërme të Vushtrrisë. Ai u urdhërua që të paraqitet sot në stacionin e policisë në Vushtrri.
Junik: – Kryetari i Komisionit për Solidaritet në Junik, Hysen Gjota, u mor më 1 nëntor në pyetje në polici, ku u pyet për aktivitetin e Degës së LDK-së në Junik, për punën e komisioneve të saj, si dhe për kuvendin e kësaj dege. Inspektorët serbë e pyetën atë edhe për vizitën e delegacionit të Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, i cili qëndroi para nëntë muajve në Junik dhe për bisedën e zhvilluar me atë rast.
- Gjota u lirua me kusht që në polici të paraqitet sërish më 6 nëntor.
3 nëntor 1996
Kryepolici serb akuzon shqiptarët për sulme terroriste
Kryepolici serb Vukashin Jokanoviq në një deklaratë dhënë gazetës “Dnevni telegraf” për dy vrasjet e fundit të policëve në Kosovë i akuzoi “terroristët” shqiptarë. Ai tha se nuk përjashton mundësinë që këtë ta ketë bërë edhe “ushtria për ^lirimin e Kosovës”, e cila sipas tij “është një grup shumë ekstrem që ndërmerr edhe aksione terroriste”.
Sipas kryepolicit serb tashmë gjoja janë zbuluar “shumica e grupeve” që kanë bërë sulme “terroriste” dhe se policia serbe është duke gjurmuar pas grupeve të tjera. Jokanoviqi thotë se “ekstremistët dhe terroristët shqiptarë” së shpejti do të nxirren para gjyqit. Ai theksoi se “ekstremistët nuk kanë gjasa, sepse po bëjnë punë të liga, para së gjithash popullit të vet”.
3 nëntor 1997
Në Gjenevë u përurua busti i Skënderbeut
Të shtunën në Gjenevë, pas përgatitjeve paraprake, në prani të mijëra shqiptarëve u bë inaugurimi i bustit të heroit tonë të madh kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në këtë solemnitet madhështor, pos autoriteteve shqiptare nga Prishtina, Tetova dhe Komiteti Shqiptar në Zvicër, mori pjesë edhe delegacioni shqiptar nga Tirana në krye me z. Rexhep Meidani, i shoqëruar nga autoritetet e shtetit të Gjenevës dhe ato zvicerane.
3 nëntor 1998
Malishevë: S’ka tërheqje të forcave serbe nga disa fshatra
As sot nuk ka tërheqje të forcave serbe nga shumë fshatra të komunës së Malishevës.
KI i Degës së LDK-së në këtë komunë njofton se këto forca vazhdojnë të qëndrojnë edhe më tej në Malishevë, Carrallukë, Smonicë, Kijevë e Mleçan.
Prezenca e madhe e forcave serbe pengon edhe më tej kthimin e popullatës në shtëpitë e veta, si dhe fillimin e procesit mësimor në disa fshatra.
Foto: Suhareka
You may like
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 5 nëntor 1992-1998?
Published
53 minutes agoon
November 5, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
5 nëntor 1993
Bastisje, plaçkitje dhe keqtrajtime të policisë serbe në Kosovë
Është bërë pothuajse e zakonshme që policia serbe çdo të enjte, e cila është ditë tregu në Malishevë, t’i plaçkitë qytetarët dhe tregtarët e kësaj ane.
Edhe gjatë ditës së djeshme, policia serbe në Malishevë bllokoi të gjitha hyrje-daljet e kësaj qyteze, ndërsa më vonë nga tregtarët dhe qytetarët shqiptarë plaçkiti një sasi të konsiderueshme malli me vlerë prej afro 3.000 markash gjermane.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Malishevë, njofton se policia serbe rreth orës 13, arrestoi tre veta, të cilët i dërgoi në stacionin e policisë në Rahovec.
Ndërsa në Ferizaj, siç njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së, më 2 nëntor në mëngjesi, një ekspeditë e policisë serbe, bastisi familjet e Muharrem, Izet, Kurtesh, Nazmi, Muhabi, Hamdush dhe Ejup Kurtit në fshatin Zllatar të Ferizajt.
Pretekst i kësaj bastisjeje ishte kërkimi i Shaban dhe Ejup Kurtit për vuajtjen e një dënimi, ndërsa policia mori me vete Halil Kurtin dhe të vëllanë e tij Shabanin, të cilët i mbajtën disa orë në stacionin e policisë në Ferizaj.
Pardje, rreth orës 15, policia serbe bastisi shtëpinë e Habib Çerkinit, si dhe të vëllezërve të tij: Ibrahimit dhe Baftiut. Pas bastisjes që u bë me pretekst të kërkimit të armëve, morën me vete Habibin dhe djalin e tij, Nazmiun, i cili ishte ish-epror ushtarak në armatën jugosllave, si dhe bashkëshorten e tij Muhabijen. Merret vesh se policët arrestuan edhe Xhemrush Çerkinin, nga të cilët deri tash është liruar vetëm bashkëshortja e Nazmiut, Muhabija, ndërsa të tjerët ende po mbahen në arrest.
Në Vushtrri, pardje, rreth orës 13, me pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe bastisi shtëpinë e Bajram Pushkollit. Gjatë bastisjes, policët serbë thyen dhe demoluan të gjitha orenditë në këtë familje, ndërsa më vonë në prani të anëtarëve të familjes keqtrajtuan fizikisht Bajramin, si dhe dy djemtë e tij, Sheqirin dhe Agronin.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Vushtrri, njofton gjithashtu se dje policia serbe mori në pyetje në stacionin e policisë në Vushtrri për dy orë Bajram Latifin nga Sllatina, ish i burgosur i ndërgjegjes.
Në Mramor të Prishtinës, sot rreth orës 4 të mëngjesit, policia serbe bastisi shtëpinë e Sylë Gashit, nga i cili kërkonin një revole dhe një automatik. Më vonë Sylën dhe djalin e tij Fadilin, policët i dërguan në stacionin e policisë në lagjen Kodra e Trimave, ku i keqtrajtuan rëndë.
5 nëntor 1994
Mr. Ukshin Hotin e vizitoi në burg avokati i tij
Sot u mbushën 193 ditë që kur e paraburgosën mr. Ukshin Hotin, kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar, i cili, siç dihet, më 28 shtator në gjykatën serbe të qarkut në Prizren e dënuan me 5 vjet burg për veprën penale sipas neneve 116 e 138 të ligjit penal me “firmë” të së vetëshpallurës RFJ.
Njëri nga mbrojtësit, mr. Hazër Susuri, Ukshin Hotin e vizitoi pardje në burgun e Prizrenit dhe, me këtë rast i deklaroi gazetës “Bujku” se klienti i tij e ndien veten mirë, edhe pse lëngon nga sëmundja e sheqerit.
Po ashtu avokati Susuri i tha kësaj gazete se që nga koha e kumtimit të aktgjykimit, më 28 shtator, e deri më tash Ukshin Hotit nuk i është dorëzuar me shkrim aktgjykimi, kundër të cilit, së bashku me katër kolegët e tij, do të ankohej në “shkallën e dytë”, në Gjykatën Supreme të Serbisë.
Mendojmë se organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut duhet më me ngulm ta ngrenë zërin kundër këtij dënimi, theksoi ndër të tjera Hazër Susuri.
5 nëntor 1995
Familjes Çetta dhe kryetarit Rugova po u arrijnë telegrame ngushëllimi
Familjes së profesor Anton Çettës dhe kryetarit të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova, po u arrijnë telegrame të shumta ngushëllimi nga institucione, parti, shoqata e individë nga Kosova dhe jashtë vendit.
Telegrame ngushëllimi dërguan shqiptarët me qëndrim të përkohshëm në Hagen të Gjermanisë, përkatësisht klubi shqiptar “Anton Çetta”, aktivi i LDK-së dhe anëtarë të PSHDK-së në këtë ë qytet.
Me rastin e vdekjes së profesor Çettës, telegrame ngushëllimi dërguan Ismail Bytyqi, kryetar i Degës së LDK-së për Beneluks, kryesia e shoqatës “Anton Çetta” në Bruksel, sekretari i Qendrës për Informim të Republikës së Kosovës për beneluks dhe Unionin Evropian – Ramadan Gashi, Art Klubi i Ulqinit, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës dhe Judikaturës së Kosovës – Ukë Bashota dhe institucione e individë të tjerë.
5 nëntor 1996
Dhuna e përditshme
Podujevë: Më 4 nëntor, policia keqtrajtoi disa banorë të fshatit Llugë të Podujevës dhe shtatë udhëtarët e shoferin e një autobusi, i cili për shkak të një defekti ishte ndalur në këtë fshat. Për të ndihmuar në eliminimin e defektit ndihmë ofruan Haki B. Bulliqi, Ismail F. Bulliqi dhe Bedri R. Bulliqi, por derisa ata, bashkë me shoferin Jakup Jupolli, po punonin në eliminimin e defektit, atypari kaloi policia me një autoblindë dhe pasi legjitimoi të pranishmit i dërgoi në stacionin e policisë dhe i keqtrajtoi ata fizikisht deri në orën 3 pas mesnate. Të gjithë janë liruar nga policia, përveç Hakiut, njoftime për lirimin e të cilit nuk ka.
Po këtë ditë, policia ishte në disa familje të komunës së Podujevës me pretekst të kërkimit të armëve. Policia ishte në shtëpitë e Nezir, Sabit, Hamdi e Nazmi Restelicës në Podujevë, në shtëpitë e Ruzhdi e Hamdi Agushit, si dhe në shtëpinë e Islam Ademit në Pollatë.
Policia ndaloi në rrugë gjithashtu Naser Demën, i cili po ruante bagëtinë. Pasi ai nuk kishte letërnjoftimin me vete, policia e keqtrajtoi atë dhe shkoi bashkë me të në shtëpinë e tij. Policia urdhëroi Ademin dhe vëllain e tij Faikun që të paraqiten më 6 nëntor në polici.
Prishtinë: Për shkak të një mosmarrëveshje rreth rrugës së përbashkët mëse 26 vjet ndërmjet fqinjve Abdyl Llabjanit dhe Idriz Cakollit, banorë në rrugën “Jabllanica” në Prishtinë, Idrizi e denoncon Abdylin në policinë serbe. Më 20 tetor policia shkon në shtëpinë e Abdylit dhe e dërgon në stacionin e policisë ku e keqtrajton fizikisht, në prezencën e Idrizit. Policët iu kërcënuan Abdylit se nuk ka të drejtë të kalojë nëpër atë rrugë!
Vlen të theksohet se për këtë rast këshillat e pajtimit në kuadër të Degës së LDK-së në Kodrën e Trimave u munduan ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje, mirëpo Idriz Cakolli nuk pranoi, por kërkoi ndihmë nga organet policore serbe.
5 nëntor 1997
Shpërthim në qendër të Podujevës
Mbrëmë rreth orës 20. 15, në afërsi të ndërtesës së kuvendit komunal në Podujevë u dëgjuan dy shpërthime të njëpasnjëshme dhe një breshëri nga armët automatike.
Menjëherë pas kësaj, policia serbe keqtrajtoi kalimtarët e rastit.
Ndërsa, rreth orës 21, një ekspeditë e policisë serbe, e përbërë nga dhjetëra policë të armatosur dhe të shoqëruar me mjete të blinduara, bastisën shtëpinë e Shefki Maliqit në Podujevë. Pas bastisjes, në polici u morën Shefkiu me djalin e tij Hajdinin, si dhe dy mysafirët që ndodheshin në këtë familje, Bekim e Arben Fazliu nga Sveçla. Ata u mbajtën një kohë në polici, ku Hajdini, Bekimi e Arbeni u keqtrajtuan fizikisht, si dhe u liruan më vonë, thuhet në njoftim.
Ndërsa Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke njoftuar për këtë rast, thekson se shpërthimi ndodhi në afërsi të lokalit “Milloshev konak”, përballë ndërtesës së okupuar të Kuvendit Komunal, në një largësi 50 metra prej stacionit të policisë. KMDLNj thekson gjithashtu se lokali para të cilit ndodhi shpërthimi sot është i mbyllur dhe në të nuk vërehen dëmtime të mëdha.
Për këtë shpërthim njoftoi sot edhe radioja serbe e Prishtinës, e cila njoftoi se në momentin e shpërthimit të bombave, në ndërtesën e kuvendit komunal po mbahej mbledhja e këshillit të PSS-së për Podujevë. Nga shpërthimi i bombave nuk pati viktima, ndërsa u dëmtuan dy vetura private, si dhe pëlcitën xhamat në ndërtesën e komunës. Kjo radio thekson se në këtë kohë në rrugë nuk kishte kalimtarë.
5 nëntor 1998
Rahovec: Defilimet e policisë pengojnë kthimin e popullatës
Në fshatrat e komunës së Rahovecit edhe më tej ka lëvizje të vazhdueshme të forcave serbe. Burimet e LDK-së nga kjo komunë bëjnë të ditur se këto lëvizje janë sidomos të intensifikuara në fshatrat Opterushë e Drenoc, ku forcat serbe po provokojnë popullatën e pakët të kthyer në këto fshatra të cilat në masë të madhe janë shkatërruar gjatë ofensivave të fundit serbe. Për këtë shkak një numër i të kthyerve janë detyruar të largohen sërish nga shtëpitë e tyre.
Njoftohet se një ekspeditë e policisë serbe e përbërë nga dy autoblinda, një pizgauer e një kamion u vendosë në qendër të fshatit Drenoc në oborrin e kooperativës bujqësore “Bujku” dhe vetëm falë prezencës së rastësishme të vëzhguesve ndërkombëtarë u evitua konflikti i provokuar nga forcat serbe.
Nga Kosova janë larguar 144.500 shqiptarë
Sipas shënimeve të OKB-së, UNHCR-së, BE-së etj., që nga fillimi i luftës, në marsin e këtij viti, jashtë Kosovës janë larguar së paku 144.500 shqiptarë.
Më poshtë po japim shifrat dhe vendet ku janë vendosur të larguarit, gjithnjë sipas shënimeve të organizatave të lartpërmendura.
Në Mal të Zi janë vendosur më së shumti të larguar nga Kosova, 43.000, në Shqipëri 26.000, në Maqedoni 20.000, në Bosnje Hercegovinë 9.000, në Gjermani 23.000, në Zvicër 14.000, në Itali 1.500, në Austri 3.000, në Belgjikë 300, në Turqi 2.500, në Francë 500 dhe në SHBA e Angli 2.000.
Foto: Podujeva
Aktualitet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 4 nëntor 1992-1998?
Published
55 minutes agoon
November 5, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
4 nëntor 1992
Bill Klinton president i ri i SHBAve
Demokrati nga Arkanzasi, Bill Klinton u zgjodh dje president i 42të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke mundur në vota presidentin e deritashëm, republikanin Xhorxh Bush duke i dhënë fund kështu udhëheqjes 12vjeçare të republikanëve në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas rezultateve të para Bill Klinton fitoi 53 për qind të votave kundruall Xhorxh Bushit i cili fitoi 46 për qind. Sipas gjasave përkundër përvojës së pakontestueshme të Xhorxh Bushit në planin e jashtëm të politikës amerikane, votuesit amerikanë edhe një herë i kushtuan parësi aspektit të brendshëm ekonomik të programit presidencial të Bill Klintonit, programi ekonomik i të cilit në shtetin e vogël Arkanzas u tregua i suksesshëm. Sllogani kryesor i Klintonit në fushatën zgjedhore ishte: “Tash kur e kemi ndryshuar botën, është koha ta ndryshojmë Amerikën”.
Në planin e jashtëm Bill Klinton do të ballafaqohet me një sërë problemesh dhe vatrash të krizave që paraqesin testim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si lider botëror. Në fushatën e tij parazgjedhore Bill Klinton kritikoi administratën e Bushit për paaftësi për t’u marrë energjikisht me krizat e jashtme, posaçërisht me luftën në BosnjëHercegovinë. Ai ishte për një reagim dhe angazhim shumë më të ashpër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonet e ishJugosllavisë. Komentatorët politikë amerikanë pohojnë se Klintoni mund të kompensojë mospërvojën e tij në politikën e jashtme me krijimin e një ekipi të fortë ekspertësh në këtë fushë.
Gazeta shqiptaroamerikane “Illyria”, e cila i pasqyron pikëpamjet e pjesës më të madhe të opinionit shqiptar në Amerikë, i dha përkrahje Klintonit. Shqiptarët në Amerikë ndihmuan fushatën parazgjedhore të Klintonit dhe përkrahën programin e tij të jashtëm dhe të brendshëm politik.
4 nëntor 1993
Ekspeditë plaçkitëse e policisë në tregun e devizave në Prishtinë
Sot në Prishtinë, rreth orës 15, policia serbe ndërmori edhe një ekspeditë plaçkitëse kundër qytetarëve dhe kalimtarëve që gjendeshin në vendin ku bëhet shitblerja e devizave.
Dëshmitarët thonë se policia plaçkiti shumë qytetarë e kalimtarë. Një ekspeditë të tillë plaçkitëse policia serbe ndërmori edhe të martën e kaluar në tregun e plaçkave dhe në atë të devizave.
4 nëntor 1994
Për arsim edhe stolitë e arit
Aksioni “Për shkollën shqipe”, i cili në komunën e Gjilanit po vazhdon ende, po jep rezultate mjaft të mira.
Kështu, për këtë dedikim Isa Veliu nga fshati Sllubicë, në Këshillin komunal për financim, solli 100 DM, si dhe stolitë e arit të grave të kësaj familjeje – dy lira e gjysmë, që është shembull unikat në këtë komunë, e që dëshmon se arsimi kombëtar shqiptar s’do të shuhet kurrmë.
Vlen të theksohet edhe me këtë rast se Isa Veliu, në një aksion të ngjashëm të vitit të kaluar të kësaj komune, e pat shitur të vetmen lopë qumështore që kishte, e tërë të hollat i pat dhënë për shkollën shqipe, shkruan “Bujku” i sotëm.
4 nëntor 1995
Vdiq Anton Çetta
Mbrëmë vdiq në moshën 75-vjeçare Anton Çetta, studiues i njohur i folklorit dhe veprimtar i shquar e deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Anton Çetta u lind më 3 janar 1920 në Gjakovë. Shkollën e mesme e kreu në Tiranë dhe Korçë, ndërsa tri vjetët e fundit të liceut i kreu në Milano të Italisë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit më 1950, ku u emërua asistent në katedrën e albanologjisë në Beograd.
Me hapjen e Fakultetit Filozofik në Prishtinë (më 1960) Anton Çetta u emërua ligjërues për Letërsinë e vjetër shqipe. Këtë lëndë e ligjëroi deri në vitin 1968. Prej vitit 1967, kur u rihap Instituti Albanologjik, ai punoi në Degën e folklorit deri më 1985, kur u pensionua. Një kohë ishte edhe kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike -foklor e etnologji” dhe shef i Degës së folklorit në Institutin Albanologjik.
Anton Çetta është marrë intensivisht me mbledhjen e letërsisë gojore shqiptare në terren dhe me krijimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve në vjeljen e folklorit dhe në studimin e tij. Mbledhjen e folklorit ai e filloi më 1954 në Drenicë, ndërsa e vazhdoi me hulumtimin dhe tubimin e materialit folklorik në të gjitha trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Prej vitit 1953 Anton Çetta, vetëm ose si bashkautor botoi këto vëllime nga folklori: “Këngë popullore shqiptare të Kosovës-Metohisë”,(1953), “Tregime popullore” (Drenicë) (1963), dy vëllime me titull “Nga proza popullore e Drenicës” (1972), “Përralla I” (1979) dhe “Përralla II” (1982), ku përfshiheshin mbi 230 përralla, “Anekdota I” (1987) dhe “Anekdota II” (1988), “Balada dhe legjenda” (1973), “Këngë kreshnike I” (1974), “Këngë dasme I” (1980), “Këngë dasme II” (1984), “Vajtime, gjamë dhe elegji” (1987), “Këngë kreshnike III”, “Kashelashe shqipe” (1981), “Nga folklori ynë I” (1980), “Nga folklori ynë II” (1990), “Kërkime folklorike” (1981) dhe nga “Folklori ynë III-Pleqni dhe tregime etnografike” (1995).
Anton Çetta është marrë edhe me krijime letrare për fëmijë dhe është autor i njohur i librit të poezive “Në prehën të gjyshes” (1958) dhe i teksteve shkollore të letërsisë shqipe për shkollat fillore që nga viti 1954.
Anton Çetta ishte përkthyes i disa veprave të njohura letrare nga gjuha frenge, italiane, serbe e kroate.
Anton Çetta ishte edhe njëri prej themeluesve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Prishtinë më 1989.
Në vitin 1990, kur filloi lëvizja e pajtimit të gjaqeve dhe ngatërresave në Kosovë, Anton Çetta u vu në krye të kësaj lëvizjeje, e cila u shndërrua në një aksion të madh gjithëpopullor dhe me rëndësi të madhe kombëtare.
Gjatë dy viteve (2 shkurt 1990 – 17 maj 1992) kjo lëvizje bëri 2461 pajtime: 1117 gjaqe, 466 plagë dhe 878 ngatërresa, pra u pajtuan rreth 5000 familje.
Në një deklaratë që e pat dhënë Anton Çetta lidhur me këtë aksion, pat thënë se aksioni i pajtimit dhe i zhdukjes së gjakmarrjes lindi nga nevoja dhe nga rreziqet e mëdha që e rrethonin popullin shqiptar: segregacioni, agresiviteti, masat ndëshkimore të llojllojshme dhe trajtimet jonjerëzore që i bëheshin popullit shqiptar nga qarqet zyrtare represive serbe.
Për hir të autorietetit të madh të Anton Çettës, njerëzit thonin në atë kohë se Kosova po ia fal gjaqet profesor Antonit, mirëpo, ai thoshte Kosova po ia fal gjaqet rinisë që di të çelë udhë.
Anton Çetta ishte edhe një studiues dhe analitik i çështjeve të ndryshme kulturore dhe letrare.
Në zgjedhjet e para presidenciale dhe shumëpartiake parlamentare, Anton Çetta u zgjodh deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës.
Me rastin e vdekjes së Anton Çettës, në Institutin Albanologjik të Prishtinës (rruga “Dubrovniku”) sot në orën 16:00 mbahet një mbledhje komemorative, ku do të flasë drejtori i Institutit dr. Sadri Fetiu.
Nesër në orën 11:00, në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës mbahet mbledhje komemorative e institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës.
Në orën 12:00, nga shtëpia e të ndjerit në rrugën “Dubrovniku”, bëhet nisja e kortezhit funeral për në Prizren, ku do të bëhet varrimi në orën 14:00.
4 nëntor 1996
The Times: 2 milionë shqiptarët e Kosovës i bojkotuan zgjedhjet serbe
Në një artikull rreth zgjedhjeve në Jugosllavinë e vetëshpallur, gazeta londineze The Times shkruan se 2 milionë shqiptarët e Kosovës i bojkotuan prapë këto zgjedhje.
Gazeta përkujton se prej vitit 1989, kur Milosheviqi hoqi autonominë e Kosovës dhe zbatoi regjimin ushtarak në Kosovë, shqiptarët e Kosovës kanë zgjedhur qeverinë dhe parlamentin e tyre, të udhëhequr nga presidenti i tyre dr. Ibrahim Rugova.
Ata janë të vendosur dhe të durueshëm për pavarësinë e tyre, të bindur se një ditë Milosheviqi përfundimisht do të pajtohet me atë çka i thotë Perëndimi.
Duke përshkruar atmosferën e zgjedhjeve në Beograd gazeta thotë se në mëngjes kishin dalë për të votuar kryesisht njerëz të moshuar, të cilët shumë pak dinin për njerëzit për të cilët duhej të votonin.
Pleqtë janë votuesit më besnikë të regjimit, sepse ata druajnë se mund të mbeten edhe pa atë që kanë, apo, siç thuhet në artikull, pa “pagat e vogla, të cilat nuk i marrin rregullisht”.
Pasi përshkruan gjendjen kaotike në Serbi, gazeta citon qytetarët serbë të kenë thënë se nuk kanë shumë mundësi të zgjedhin mes pozitës dhe opozitës, sepse të dy palët janë njësoj.
The Times thekson se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për Milosheviqin, i cili nuk ka të drejtë të zgjedhet edhe njëherë kryetar i Serbisë, por qëllimi i tij është që të zgjedhet kryetar i Jugosllavisë vitin e ardhshëm. Sipas kushtetutës, edhe me vetëm gjysmën e votave të parlamentit jugosllav ai mund të zgjedhet kryetar i Jugosllavisë.
Një indikacion që dëshmon se Milosheviqi do të bëhet gjithsesi kryetar i Jugosllavisë, është fakti se rezidenca presidenciale e Titos po rikonstruktohet, ndoshta pikërisht për të, thuhet në artikull.
4 nëntor 1997
Gjatë tetorit u keqtrajtuan mbi 30 studentë e qytetarë nga Malisheva
Gjatë protestave paqësore të studentëve shqiptarë më 29 tetor të këtij viti, policia serbe ka keqtrajtuar 25 studentë e qytetarë shqiptarë të komunës së Malishevës, njofton KI i Degës së LDK-së në Malishevë.
Bëhet e ditur se policia serbe gjatë këtij muaji bastisi 2 familje shqiptare, ndërsa i maltretoi edhe 6 qytetarë. Njoftohet se 10 qytetarë shqiptarë nga keqtrajtimet fizike të policisë serbe kanë pësuar lëndime trupore.
Ndërkaq, dje policia serbe për të katërt kërkoi në shtëpinë e tij Enver Z. Morinën (1967) nga Ostrozubi. Policia urdhëroi familjen e tij që Enveri të paraqitet në polici, me pretekst se kohë më parë atij i është konfiskuar një armë pa leje.
4 nëntor 1998
Shtime: Forcat serbe granatojnë Petrovën dhe fshatrat e Grykës së Devetakut
Sot rreth orës 12.50 forcat serbe filluan të granatojnë dhe të shtijnë me armë të tjera në drejtim të fshatit Petrovë dhe fshatrave të tjera të Grykës së Devetakut, njoftoi Dega e LDK-së në Shtime.
Në njoftim thuhet se forcat serbe po shtijnë nga dy autoblinda dhe dy pizgauerë, me të cilët shkuan nga Shtimja në drejtim të Petrovës, duke kaluar më parë nëpër fshatin Reçak.
Dega e LDK-së thekson se ditëve të fundit në Reçak janë kthyer më shumë se gjysma e banorëve, ndërsa shumë banorë janë kthyer edhe në Petrovë dhe ata sot rrezikohen nga të shtënat e forcave serbe.
Aktualitet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 nëntor 1992-1998?
Published
59 minutes agoon
November 5, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
2 nëntor 1992
As sot mësimi nuk filloi në 28 shkolla fillore
Nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë të 28 shkollave fillore në Kosovë, autoritetet serbe nuk ua lejuan hyrjen në lokalet shkollore as sot. Sipas marrëveshjes së arritur më 29 tetor në bisedimet në mes Dr. Rugovës e z. Paniq, me ndërmjetësimin e bashkëkryetarëve të Konferencës së Gjenevës, sot duhej të fillonte procesi i rikthimit të nxënësve dhe arsimtarëve në lokalet shkollore, ku deri më tash nuk ishte lejuar mbajtja e mësimit.
Rexhep Osmani, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, i deklaroi Qendrës së LDKsë për Informim, se organet e dhunshme serbe të urdhëruara nga Beogradi, hyrjen në lokalet shkollore e kushtëzuan me pranimin e planprogrameve shkollore të Serbisë. Në këtë mënyrë, pala serbe nuk e përfilli marrëveshjen e arritur javën e kaluar.
- Osmani tha se veprimi i këtillë i organeve serbe, do t’i rëndojë bisedimet e delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, në prani të ambasadorit Arens, që janë paraparë të vazhdojnë nesër në Gjenevë.
2 nëntor 1993
Më 15 nëntor TVSH në programin satelitor
Në Drejtorinë e përgjithshme të Radiotelevizionit Shqiptar, drejtori i përgjithshëm Skender Buçpapaj zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e departamenteve në televizion, si dhe me koordinatorin e projektit të programit të përbashkët satelitor, drejtorin teknik të Televizionit të Kosovës, Kolë Lumezi.
Në takim u përcaktua 15 nëntori – ditë kur Televizioni Shqiptar do të fillojë transmetimin e programeve me satelit.
Kohëzgjatja e këtij transmetimi është parashikuar dy orë në ditë që nga ora 18,30 deri në orën 20,30 minuta.
Për t’ia arritur këtij qëllimi një grup specialistësh të vendit dhe të huaj po punojnë në montimin e antenës që do të mundësojë transmetimin nëpërmjet satelitit dhe transmetimi do të kryhet në studion e re të ngritur në Televizion, e cila është përvetësuar dhe montuar nga inxhinierët e teknikët e televizionit dhe besohet se u përgjigjet plotësisht parametrave cilësorë të nevojshëm për transmetim satelitor me aparatura moderne të firmave të njohura japoneze siç është “SONY” njofton Televizioni Shqiptar.
2 nëntor 1994
Aeroporti i Prishtinës për fluturime ndërkombëtare – nën embargo
Lidhur me paralajmërimet se së shpejti do të hapet për fluturime ndërkombëtare aeroporti i Prishtinës, gazeta e sotme “V. novosti” shkruan se tash për tash asgjë nuk është vendosur. Në bisedë me përfaqësuesit e JAT-it gazeta shkruan se fluturime direkte nga bota e jashtme për në Prishtinë nuk mund të ketë, sepse në bazë të Rezolutës 943 për zbutjen e sanksioneve, pos aeroportit të Beogradit, asnjë aeroport tjetër nuk është paraparë të jetë i hapur për fluturime ndërkombëtare. Pasagjerët nga Beogradi me aeroplanë të tjerë do të transportohen deri në aeroprtet e destinuara për këtë qëllim, bën të ditur kjo gazetë.
2 nëntor 1995
Rreth 1000 demonstrues shqiptaro-amerikanë protestuan para bazës ushtarake në Dejton
Rreth 1000 demonstrues shqiptaro-amerikanë që erdhën nga Detroiti, Çikago, Nju-Jorku dhe qytete të tjera të SHBA-ve e Kanadasë, protestuan dje para bazës ushtarake në Dejton, ku filluan negociatat paqësore për Bosnjën.
Demonstruesit shqiptarë kërkuan që edhe përfaqësuesit legjitimë të Kosovës të ftohen për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për zgjidhjen globale të çështjeve në ish-Jugosllavi, si dhe për njohjen e Kosovës – shtet sovran dhe i pavarur.
Demonstruesit shqiptarë në mënyrë dinjitoze me flamuj e transparente tërhoqën vëmendjen e masmedias, që kishte vërshuar hyrjen e Gate 12A, që në orët e mëngjesit.
Këtë demonstratë si asnjëherë më parë e ndoqi masmedia amerikane dhe ajo e disa shteteve evropiane, si dhe u dhanë shumë deklarata për shtyp e televizion.
Bëhet e ditur se demonstratën e ndoqën edhe CNN, ABC, NBC, dhe CBS.
Ramazan Bekteshi, funksionar i lartë për degët e LDK-së në SHBA i tha QIK-ut se demonstrata pati jehonë të jashtëzakonshme në mediumet amerikane dhe ato të Evropës.
Kjo demonstratë u organizua me iniciativën e degëve të LDK-së, të cilën e organizoi komuniteti shqiptaro-amerikanë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Nju Jork.
Njoftohet se një demonstratë e këtillë do të organizohet edhe sot.
2 nëntor 1996
Shkollat shqipe për zgjedhjet serbe
Nëpër disa shkolla shqipe në komunën e Gllogocit dje shkuan administratorë dhe policë serbë dhe kërkuan që objektet shkollore të hapen nesër në mëngjes dhe të jenë në dispozicion të zgjedhjeve serbe.
Në një njoftim të KI të Degës së LDK-së në këtë qytet thuhet se dy administratorë serbë shkuan dje në mesditë në shkollën fillore “Bashkimi” në Gllogoc, por meqë nuk gjetën as drejtorin e as sekretarin e shkollës u kthyen prapa. Po dje, në lokalet e shkollës fillore “Shaban Palluzha” në Korroticë shkuan policët serbë, të cilët nga drejtori i shkollës kërkuan që shkolla të hapet gjithsesi nesër. Ata i tha drejtorit gjithashtu se nëse nuk e hap shkollën në kohën e caktuar do të dënohet për vepër penale, ndërsa ata do ta hapin atë me dhunë.
Raste të ngjashme janë shënuar edhe në anë të tjera të Kosovës.
2 nëntor 1997
Policia legjitimoi pjesëmarrësit e manifestimit për 70-vjetorin e vdekjes së Shote Galicës
Pas përfundimit të një manifestimi për 70-vjetorin e vdekjes së heroinës Shote Galica në Skënderaj, në organizim të Forumit të Gruas së LDK-së, pjesëmarrësit u nisën në drejtim të Radishevës, vendlindje e heroinës. Mirëpo një patrollë e policisë serbe ndaloi në të dalë të Skënderajt karvanin prej dhjetë veturash me pjesëmarrësit që po shkonin për të marrë pjesë në vënien e gurthemelit të shkollës me emrin e heroinës.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se policia ndaloi për një kohë të gjatë, legjitimoi dhe u mori shënimet shkrimtarit Jakup Cerajës, Murteza Berishës – kryetar i Këshillit të Arsimit në Mitrovicë, Mustafë Shalës – drejtor i shkollës fillore “Ismail Qemali” në Mitrovicë, Çamëri Cerajës – aktore nga Mitrovica, Halit Baranit – kryetar i KMDLNJ-së në Mitrovicë dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së, Ismail Smakiqit – kryetar i Komisionit për Informim në Degën e LDK-së në Mitrovicë, Ymer Balës – kryetar i Nëndegës së LDK-së në Koshtovë, dr. Edi Shukriut – kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së, mr. Abdyl Ramajt – anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për arsim, Shqipe Gashit – anëtare e Kryesisë së Forumit të Gruas së LDK-së, pastaj Sabit Idrizit, Brahan Çitakut, Fazli Hajrizit, e tjerë.
2 nëntor 1998
Pejë: 11 shqiptarë nga komuna e Gjakovës u dënuan me 53 vjet burg
Më 29 e 30 tetor të këtij viti, në gjykatën e instaluar serbe të qarkut në Pejë, 11 shqiptarë të komunës së Gjakovës, me pretekst se kanë kryer vepra terroriste u dënuan me gjithsej 53 vjet burg, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Njoftohet se 10 nga gjithsej 11 të akuzuarit janë anëtarë të familjes Jetishi.
Kështu, Qerim Jetishi u dënua më 12 vjet burg, Fadil Jetishi me 8 vjet, Hekuran Qorri me 8 vjet, Valdet Jetishi me 5 vjet, Burim Jetishi me 3 vjet, Agim Jetishi me 3 vjet, Kastriot Jetishi me 3 vjet, Behar Jetishi me 3 vjet, Kujtim Jetishi me 3 vjet, Zenel Jetishi me 3 vjet dhe Avdyl Jetishi me 2 vjet burg.
Njoftohet se nga 14 të arrestuarit, në mungesë provash janë liruar Adem, Flamur, Valon e Mustafë Jetishi.
Granatime të fuqishme të ushtrisë dhe policisë serbe në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës
Fshati Jabllanicë i komunës së Gjakovës po granatohet që tri ditë radhazi dhe po përballet me forcat e ushtrisë dhe policisë serbe. Të dielën, duke filluar nga ora 22,00 e deri në orët e sotme të mëngjesit, këto gjuajtje kanë vazhduar. Mbi këtë lokalitet u përdorën edhe raketat ndriçuese, kurse granatimet bëheshin nga pozicionet ushtarake serbe të stacionuara në fshatin Gllogjan të Pejës, nga fshati Naznik i Deçanit dhe nga fshati Volljakë i komunës së Klinës.
Nga Hasi i Gjakovës bëhet e ditur se pozicionet ushtarake nuk janë tërhequr nga fshati Demjan në lagjen Pnish dhe Muhadër.
Forcat ushtarake të dislokuara që nga 22 qershorit vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e SH.F. “Pjetër Bogdani”, me gjithë armatimin ushtarak. 300 nxënës të kësaj shkolle akoma nuk vazhdojnë mësimet.
Ushtarakët sebë janë futur edhe në shtëpitë e Bali Bratit dhe të Isa Pnishit, ndërsa këto familje janë detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e veta.
Foto: Peja
Aktualitet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 nëntor 1992-1998?
Published
1 hour agoon
November 5, 2026By
UBTNews
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.
1 nëntor 1997
Norvegjia do t’i kthejë 300 azilkërkues shqiptarë
Ditëve të fundit, shtypin dhe median norvegjeze e ka vërshuar çështja e azilkërkuesve shqiptarë, për fatin e të cilëve, sipas shtypit dhe kanaleve televizive të këtushme, qeveria norvegjeze e ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë serbe të Beogradit, që parsheh kthimin e të gjithë refugjatëve shqiptarë nga Kosova.
Gazeta “Dagavisen” e datës 30 tetor, botoi një artikull prej tri faqesh me titull “Shqiptarët e Kosovës do të kthehen në vendlilindje”.
Kjo gazetë theksonte se në Norvegji gjinden diku rreth 200‑300 azilkërkues politikë nga Kosova, të cilët kanë marrë përgjigje negative nga Ministria e Drejtësisë dhe duhet të kthehen në Kosovë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë Terje Shjegestat nuk saktësoi se kur do të realizohet marrëveshja e nënshkruar, por ai është i kënaqur që deri diku janë pajtuar për këtë çështje dhe thekson se pala norvegjeze ka arritur atë që ka kërkuar, respektivisht ka arritur ta bindë Beogradin për pranimin e refugjatëve shqiptarë.
Politika norvegjeze, thotë Shjegestat, ka kohë që sinjalizuar një liberalizim të politikës ndaj të huajve, dhe kjo nuk do të thotë se nuk do t’i liberalizojmë marrëdhëniet edhe me Beogradin.
Ne, thotë ai, në çdo moment jemi në kontakt dhe e përcjellim për së afërmi gjendjen në Kosovë. Nëse ne e vertetojmë se dikush nga të kthyerit do të burgoset apo do të maltertohet nga policia serbe, ne nuk do ta depërtojmë në Kosovë.
Kryesorja është se ne e kemi marrëveshjen dhe nëse dëshirojmë ne mund t’i kthejmë azilkërkuesit nga Kosova. Problemi është se sa do të jetë shifra e personave që do të kthehen dhe kur do të fillojë kthimi i tyre nuk dihet, përfundon Shjegestat.
Nënshkrimi i marrëveshjesë në mes Qeverisë norvegjeze dhe asaj serbe e ka habitur Prof. Svein Moneslandin, ekspert për çështjen e Ballkanit. Monesland thot për gazetën “Dagavisen” se është i shqetësuar për kthimin e qindra shqiptarëve në Kosovë.
Kjo është me të vertetë për të shqetësuar, pasi dihet se në këtë territor në çdo kohë mund të ndezet lufta. Situata në Kosovë ka kohë që është tensionuar, sidomos pas protestave të studentëve shqiptarë. Gjithashtu, thotë Monesland, “dje mijëra studentë kanë protestuar për t’i liruar objektet shkollore dhe universitare. Policia serbe e armatosur deri në dhembë, e ka përdoruar dhunën mbi shqiptarët e pambrojtur.
Qeveria serbe është kërcënuar se nëse studentët shqiptarë do të shkaktojnë ndonjë problem, reagimet do të jenë të ashpra.
Grupet militante mendojnë që ta marrin situatën në dorë, dhe kthimi i qindra shqiptarëve do ta tensiononte edhe më tepër gjendjen në atë rajon”, thotë mes tjerash prof. Svein Monesland.
Me pas “Dagavisen” thekson se obsevatorët ndërkombëtarë janë të frikësuar se në rast të kthimit të një numri kaq të madh të refugjatëve shqiptarë konflikti në Kosovë do të jetë i paevitueshëm.
Ndërsa, Maki Shinohara, përfaqësuse e Komisariatit të Lartë për refugjatë pranë zyrës së OKB‑së i deklaroi kësaj gazete se në përgjithësi ne nuk i përkrahim vendet perëndimore të cilat kanë vendosur dhe kanë nënshkruar marrëveshje për kthimin e refugjatëve shqiptarë në Kosovë. Por, nëse ndodhë kjo, besoj se ato vende do ta sigurojnë kthimin e tyre normal, që nënkupton mosburgosjen dhe mosmaltretimet nga policia serbe, shton ajo.
Komesariti për refugjatë i OKB‑së nuk e njeh sa duhet situatën në Kosovë, sepse deri më tani e kemi vetëm një zyrë informative në Prishtinë që na njofton për gjendjen në atërajon, thotë Shinohara.
Gazeta citon edhe një organzatë humanitare zvicerane, e cila deri më tani ka grumbulluar një numër faktesh rreth keqtrajtimit që kanë pësuar refugjatët e kthyer shqiptarë nga Zvicra dhe Gjermania.
Marrëveshja e nënshkruar mes Oslos dhe Beogradit për kthimin e 300 azilkërkuese shqiptarë ka hasur në reagime të partive politike norvegjeze.
Lidhur me këtë çështje, siç njofton NRK‑1, të mërkurën do të debatojë Parlamenti norvegjez.
Erik Solheim, i Partisë së Majtë (SV), i shtron pyetje qeverisë se si do t’i kthejë shqiptarët, kur dihet se çfarë gjendje mbretëron në atë rajon.
Pytjet që do ti shtrohen qeverisë së Kjell Mange Bundevikut do të jenë një provim i rëndë, pasi ajo gjithnjë ka mbajtur një qëndrim human ndaj të huajve.
Partia e Djathtë Ekstreme (FRP) e ka përshëndetur këtë marrëveshje, ndërsa Partia Konserveative dhe partia Socialdemokrate ende nuk janë prononcuar.
Anita Apethul Sale (KRF) i ka deklaruar NRK‑së se ajo do t’i kërkoj qeverisë që të mos e realizoj në praktikëkëtë marrëveshje.
Sipas analistëve politikë, kjo marrëveshje është përgatituar nga ish‑partia në pushtet (SPD), e cila gjithnjë ka mbajtur qëndrim të heshtur ndaj të huajve.
Kjo marrëveshje do t’i dëmtojë edhe ata refugjatë, që tani e pesë vite kanë qëndruar nëpër kampe të refugjatëve, ndërsa disa prej tyre kanë kaluar edhe nga tri e më shumë vjet të strehuar në kishat norvegjeze.
1 nëntor 1998
Në Junik forcat serbe zhvarrosën 9 viktima shqiptare
Ditëve të fundit në Junik, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe zhvarrosën kufomat e 9 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Gjakovë.
Bëhet e ditur se forcat serbe në Junik kanë zhvarrosur kufomat e Bekim Shalës (48) nga Ferizaj, Bedri Shalës (50) nga Drenica, Përmet Vulës (20) nga Gjakova, Elton Zherkës (21) nga Gjakova, Bajram Ramës (70) nga Juniku, Zejnije Krasniqit (27) nga Juniku, si dhe të një vajze 12 vjeçare dhe të 2 fëmijëve po ashtu nga Juniku, emrat e të cilëve ende nuk dihen.
Dëshmitarët okularë kanë njoftuar se policia serbe kufomat e zhvarrosura i ka dërguar në drejtim të panjohur. Ekziston dyshimi se forcat serbe do të inskenojnë diç me të zhvarrosurit, siç ka ndodhur disa herë gjatë muajve të fundit në vatrat e luftës në Kosovë.
Foto: Anton Pashku
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 5 nëntor 1992-1998?
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 4 nëntor 1992-1998?
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 3 nëntor 1992-1998?
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 nëntor 1992-1998?
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 nëntor 1992-1998?
Alarm për bombë në fluturimin Dublin–Romë: Avioni i “Aer Lingus” devijohet me urgjencë drejt bazës ushtarake në Francë
Kurti bën homazhe në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit
Kryeprokurori pranon në takim aktivistet pas protestave para Prokurorisë për vrasjen e Arlinda Zekajt
Justin Timberlake me dokumentar të ri në “Apple TV”: Trajtohen incidenti me Janet Jackson dhe deklaratat e Britney Spears
Të kërkuara
-
Sport3 months agoTrumpi mbron Infantinon: “Do të ishte gabim i tmerrshëm nëse FIFA e zëvendëson”
-
Aktualitet3 months agoTrump konfirmon ndërrimin e fshehtë të avionit në Turqi pas kërcënimit nga SHBA-ja
-
Sport3 months agoTronditet pozita e Infantinos, shumica e federatave kundër mandatit të katërt
-
Sport3 months agoMohamed Salah merr një dhuratë të pazakontë në Turqi, mbetet i befasuar nga propozimi i kryetarit të komunës
