Live

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 2 mars, në vitet 1993-1999

Published

on

Sot lajmet janë nga më të ndryshmet. Bota ka ndryshuar. Teknologjia ka ndryshuar shumëçka në jetën tonë, edhe në mënyrën tonë të informimit. Edhe ngjarjet janë të tjera. Të kohës. Por, cilat ishin lajmet që mund të lexonin kosovarët, dekada më herët. Ta zëmë, në kohën më të rëndë për shqiptarët e Kosovës (1990-1999), kur Serbia kishte bërë përpjekje ta instalojë terrin informativ.

Ishin gazetarët shqiptarë që nuk heshtën, edhe pse Serbia mbylli Radiotelevizionin e Prishtinës, gazetën “Rilindja” dhe të gjitha revistat e tjera.

Ishin edhe korrespondentët e mediave të huaja, që ndihmuan që, megjithatë, shqiptarët e Kosovës të mos mbesin në terr informativ.

 

2 mars 1993

Një nga lajmet kryesore ishte vazhdimi i grevës së refugjatëve shqiptarë në Norvegji. Greva e urisë, është organizuar në vendbanimin “Frostaveion”, në qytetin Trondhaim, që nga 11.02.1993, duke filluar nga ora 14.00. Kërkesat e grevistëve shqiptarë janë:

– rishqyrtimi dhe anulimi i vendimit për kthimin e refugjatëve shqiptarë nga Norvegjia dhe

– kërkesa që të gjithë kërkuesit e strehimit, të marrin statusin e refugjatit.

Titujt e tjerë ishin: Kongresi i Internacionales Demokristiane për Kosovën, në Bruksel; Konferencë për shtyp e Partisë Shqiptare Demokristiane e Kosovës.

Lajme të përditshme kishte për dhunën serbe në Kosovë. Në lajmin “Serbia ka intensifikuar aktivitetet ushtarake në Kosovë”, njoftohet edhe për sulme fizike ndaj shqiptarëve në anë të ndryshme të Kosovës.

Lajmi tjetër është se veprimtari i njohur i të drejtave të njeriut dhe i pajtimeve të gjaqeve, dr. Zekeria Cana u mor përsëri në polici. Pastaj se katër policë serbë sot rreth orës 13 arrestuan Mehmet Aliun, pronar i objektit ku mbajnë mësim nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” të Prishtinës.

Titujt e tjerë: Plane për kolonizime të Prishtinës; Arsimtarët serbë në Istog bëjnë grevë; Presion i shtuar në komunën e Gjakovës; Në komunën e Klinës po intensifikohet dhuna; “Quotidien de Paris”: Në mbrojtje të një fuqie baruti; AFP: Kontakte sekrete greko-maqedonase të nivelit të lartë në kufi;

 

2 mars 1994

Lajmi kryesor: Kryetari Rugova organizoi pritje me rastin e 550-vjetorit të Kuvendit të Lezhës.

Lajme të tjera: Prizren: Policia financiare serbe konfiskoi mall në vlerë më se 5 milionë marka;

Gjashtë shqiptarë në Pejë akuzohen për armë; Në Petrovë të Shtimes serbët plaçkitën pajisjet e ambulancës; Lëvizje të ushtrisë serbe në Kosovë; “Evening standard”: Ëndrra për Serbinë e Madhe po shkapërderdhet.

Në kuadër të rubrikës “Represioni i policisë serbe në Kosovë” jepen këto lajme:

Lipjan: – Sot në orët e hershme të mëngjesit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Ramiz Ajetit në fshatin Çollapek të Lipjanit. Policia në shtëpinë e Ramizit nuk gjeti kurrfarë arme, ndërsa të e mori me vete në stacionin e policisë në Lipjan dhe ende po mbahet në arrest.

Prizren: – Dje rreth orës 12, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e Zeqir, Haki dhe Osman Qunajt në Dushanovë të Prizrenit.

Meqë asnjë nga kryefamiljarët nuk gjendeshin në shtëpi, policët gjatë bastisjes shkaktuan dëme të mëdha materiale duke thyer e demoluar shumë orendi.

Ferizaj: – Pardje rreth orës 10, dy policë serbe bastisën familjen e Shaip Sopës në Ferizaj. Meqë Shaipi nuk gjendej në shtëpi, policët i lanë ftesë që të paraqitet dje në stacionin e policisë në Ferizaj në orën 8.

Më 28 shkurt, rreth orës 11, dy policë serbë hynë në shkollën fillore “Skënderbeu” në Jezerc, të cilët i lanë ftesë Jakup Bibës, kryetar i Nëndegës VI-të të për të marrë në pyetje sot në orën 14 në stacionin e policisë në Nerodime.

Fushë-Kosovë: Më 28 shkurt, prej orës 10 deri rreth orës 13, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e Hakif Sogojevës, Asllan Mëziut dhe Latif e Hatip Berishës.

 

2 mars 1995

Lajmi kryesor: Në Gjenevë u mbajt manifestimi për Kosovën i organizuar nga Amnesty International. Morën pjesë rreth dy mijë vetë, ndër të cilët edhe aktivistët të seksionit të Zvicrës dhe të seksionit të Gjenevës të organizatës Amnesty International, të huaj të tjerë, si dhe Z. Xhafer Shatri, ministër për Informim i Republikës së Kosovës, z. Adem Demaçi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut-Prishtinë, drejtues i shoqatës kulturore shqiptare “Ikballe Prishtina”.

Lajme të tjera: Mesazh i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës me rastin e Bajramit të Madh; Në Belgjikë mërgimtarët shqiptarë falën Bajramin; Përfaqësuesi i UNESCO-s u takua me ministrin e qeverisë së Jugosllavisë së vetëshpallur; Gazeta daneze lidhur me zbulimin se veprimtari i kriminelit Arkan ishte angazhuar si avokat nga qeveria daneze; Muaji mars – muaj i solidaritetit në Kosovë; Në dy muajt e fundit në Kosovë policia serbe keqtrajtoi 781 persona;

U mor në pyetje drejtori i SHM “H.Tahsini” në Obiliq;  Kryetari e sekretari i LS u morën në biseda informative; Nga Fabrika e Mobiljeve në Deçan nga puna u përjashtuan 69 punëtorë shqiptarë;

Në rubrikën “Dhuna e përditshme në Kosovë” jepen këto lajme:

Vushtrri: – Më 28 shkurt rreth orës 17:00, një patrullë e policisë serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve “vizitoi” shtëpinë e Ismail dhe Sabri Ismailit në fshatin Pasomë të Vushtrrisë.

Ismail Ismailit, policia ia mori letërnjoftimin dhe e urdhëroi që sërish të paraqitet në stacionin e policisë në Vushtrri.

Më 1 mars, nja patrullë e policisë serbe, nën të njëjtin pretekst “vizitoi” shtëpinë e Sabit Sheremetit në fshatin Gurbardh të Vushtrrisë. Policia e urdhëroi Sabit Sheremetin që të paraqitet në stacionin e policisë në Vushtrri.

Prizren: – Më 17 shkurt, policia serbe, nën të njëjtin pretekst ishte në shtëpinë e Arife Morinës me përkatësi myslimane në Prizren. Ajo u mor në pyetje rreth një orë, me ç’rast u fye në mënyrën më të ulët. Ditë më parë policia ka keqtrajtuar brutalisht bashkëshortin e saj Rifat Morinën.

Kamenicë: – Më 23 shkurt, dy inspektorë serbë, njëri nga të cilët quhej Momçillo Trajkoviq, ishin në shtëpinë e Hetem R.Latifajt në Hogosht të Kamenicës nga i cili konfiskuan një revole. Ata ia lanë thirrjen Hetemit që të paraqitet në stacionin e policisë në Kamenicë. Nga Hetem R.Latifaj kërkuan të dinë se kinse nga kush e ka blerë revolen.

 

2 mars 1997

Lajmi kryesor ka të bëjë me një deklaratë të Kryetarit Rugova për gjendjen kaotike në Shqipëri.

Lajmet në vijim trajtojnë gjendjen në Shqipëri: Gjendje dramatike në jug të Shqipërisë; Kopliku e Serreçi e vlerësojnë dorëheqjen e Meksit; Zëdhënësi i studentëve të Vlorës kërcënohet me sulm të armatosur mbi Tiranën.

Transmetohet një intervistë e Fehmi Aganit, i cili tha se përcaktim themelor i LDK-së është Republika e pavarur e sovrane e Kosovës, e cila do të realizohet me mjete paqësore politike.

Gjithashtu, një tekst nga shtypi norvegjez për gjendjen aktuale në Kosovë.

 

2 mars 1998

Titujt kryesorë: Dhjetëra mijëra shqiptarë protestojnë në Prishtinë ; Vlerësim pozitiv i organizatorit të protestës së sotme me 300 000 pjesëmarrës; Intervenim brutal i policisë serbe kundër protestuesve paqësorë në Prishtinë; Intervenim brutal i policisë te Qendra Sportive; Një kriminel serb shkeli me veturë dhe lëndoi rëndë katër protestues; Policia rrahu në banesa gra e fëmijë që solidarizoheshin me protestuesit; Studentët serbë provokuan me sharje dhe lënduan me gurë disa protestues; Ndërtesa e Presidencës dhe e QIK-ut nën kontroll të rreptë të policisë; U rrahën edhe I. Osmani, A. Spahiu, V. Surroi e Z. Cana; Të shtëna të pasqaruara me armë në Prishtinë; Helikopteri, shoqërues i aksioneve represive serbe edhe në Prishtinë; Shumë të lënduar pranë gjimnazit “Xhevdet Doda”; 320.000 protestues në Podujevë; Protestë e grave shqiptare para selisë së KKN-së në Prishtinë; Deklaratë e Qeverisë së Shqipërisë kundër dhunës e terrorit serb në Kosovë; Të shtëna me armë në disa vende të Podujevës; Policia serbe fortifikohet në Lumëmadh të Vushtrrisë; Përforcime të policisë speciale në Hajvali.

Lajme të tjera – të pasdites: Deklaratë për shtyp e z. Kinkel lidhur me situatën dhe tensionet në Kosovë; Dhjetëra të lënduar po kërkojnë ndihmë në ambulancat private; Intervenimi i policisë po vazhdon në Kodër të Trimave;  Kryetari Rugova dënoi dhunën kundër protestuesve paqësorë në Prishtinë; Kryetari Rugova priti diplomatë amerikanë dhe britanikë; Prishtinë;  Këshilli i Ministrave i UE-së diskuton nesër urgjentisht për Kosovën; Kryetari Rugova ngushëlloi familjet e viktimave të terrorit serb; Ditë zie në Kosovë më 3 mars 1998 (e martë); Shqiptarët protestojnë nesër në Bruksel; Rrahje edhe në stacionin e autobusëve në Prishtinë; U rrah fotoreporteri i QIK-ut; Studentët serbë ndihmuan policinë në rrahjen e protestuesve shqiptarë; Mbi 60 protestues të rrahur nga policia kërkuan ndihmë mjekësore; U mor në polici dhe u keqtrajtua rëndë dr. Jusuf Bajraktari; Policia arrestoi fotoreporterin e gazetës “Fjala Jonë” dhe B. Novosellën; Varrimi i të vrarëve në Qirez të Skënderajt bëhet nesër; Vdiq sepse nuk iu lejua t’i jipej ndihma mjekësore; BE paralajmëron presion më të madh mbi Millosheviqin; Deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës; Gjatë javës së ardhshme në shkollat e Skënderajt nuk do të ketë mësim; Forca të mëdha kanë ardhur nga Serbia në Podujevë; Krisma e shpërthim në Dellofc të Klinës.

Në mbrëmje ishin edhe këto lajme: Një i plagosur me armë zjarri; Një gazetari gjerman iu konfiskua kamera; Shtohet numri i të lënduarve; Protesta edhe në Malishevë; Masmediat i bëjnë jehonë protestës së sotme në Prishtinë; Gënjeshtra të policisë e të mediumeve serbe për protestën e sotme; U rrah plaku 77 vjeçar; Shpërthime në komunën e Deçanit; Një delegacion i Bashkësisë Islame të Kosovës u pengua të shkojë në fshatrat e Drenicës; Forca policore u stacionuan në Kërpimeh të Podujevës; Koncentrim i forcave ushtarake në brezin kufitar me Shqipëri; U varros viktima e parë e terrorit serb në Drenicë; Nuk dihet asgjë për Shaban Mujën nga Gradica; Policia keqtrajtoi Demaçin, disa gazetarë të “Bujkut” dhe ndërhyri në redaksinë e “Kohës”; Pas intervenimit në Kosovë, R. Gelbard kërcënon Beogradin me sanksione të reja; Reagime të ashpra në Shqipëri; Reagime të shumta në botë kundër dhunës serbe.

 

2 mars 1999

Lufta është në kulmin e saj. Përpjekjet diplomatike para dështimit.

Lajme nga politika vendore:

Hashim Thaçi u caktua mandatar për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës; Adem Demaçi tërhiqet nga pozita e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së.

Nga politika ndërkombëtare:

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana: Ekziston vetëm një marrëveshje të cilën duhet ta pranojnë në tërësi të dyja palët në Kosovë;  Në Maqedoni janë vendosur mbi 6000 trupa të NATO-s për Kosovën; Ministri i jashtëm britanik Robin Kuk sot shkon në Moskë.

Lajmet kryesore vinin nga terreni: 

Forcat serbe po granatojnë fshatrat shqiptare në kufi me Maqedoninë;  Vushtrri: Forcat serbe kanë shtënë drejt fshatrave të Qyqavicës; Policia serbe arrestoi tre shqiptarë nga Okrashtica e Vushtrrisë; Vazhdojnë sulmet ndaj fshatrave shqiptare të Kaçanikut e Hanit të Elezit;  Në Rahovec arritën forca të reja të policisë serbe; Në Rahovec policia serbe tentoi të kidnapojë një të ri shqiptar;  Rahovec: Policia serbe arrestoi një shqiptar nga Opterusha; Në fshatin Tupec të Prizrenit janë gjetur dy trupat e shqiptarëve të vrarë; Dje afër fshatit Koliç të Prishtinës është sulmuar një patrullë e policisë serbe; U identifikuan dy viktimat e gjetura në Tupec të Prizrenit; Rahovec: Në Brestoc u vra një shqiptar; Mitrovicë: Forcat serbe provokuan pjesëmarrësit e varrimit të dy pjesëtarëve të UÇK-së në Vaganicë; Klinë: Koncentrime të mëdha të forcave serbe në Sverkë; Prizren: Disa serbë sulmuan dy verifikues të OSBE-së; Prishtinë: Forcat serbe kaluan nëpër fshatrat Barilevë e Drenoc;

Pejë: Në gjykatën serbe një shqiptar u dënua me 2 vjet burg; Policia serbe keqtrajtoi rëndë një shqiptar nga Druari i Vushtrrisë; Suharekë: Persona të panjohur dogjën një shtëpi shqiptare në Mushtisht; Nga Suhareka në drejtim të Prizrenit shkoi një konvoj i forcave serbe; Suharekë: Nesër pritet të hapet një Zyrë e Misionit të OSBE-së edhe në fshatin Bllacë; Kërkohet Bashkim (Hashim) Hyseni; Gjakovë: U identifikua kufoma e Shani Thaçit nga Rogova e Hasit; Në Osek Hylë të Gjakovës sot varroset Sylejman Bajrami; Në Dobrosh të Gjakovës policia serbe bastisi tri familje shqiptare; Në Maqedoni kanë kaluar mbi 320 banorë të fshatrave Krivenik e Rezhancë të Hanit të Elezit; Mitrovicë: Granatimet drejt fshatrave shqiptare; Në Trakaniq u gjet kufoma e një personi të paidentifikuar; Policët serbë bastisin shtëpitë e shqiptarëve në Bair të Mitrovicës; U gjet kufoma e një personi të vrarë në Shtavicë të Rahovecit.

 

Foto: Llogaria në Facebook e publicistit Veton Surroi

Continue Reading

Aktualitet

Disa të plagosur pas një sulmi me shpatë në një shkollë në Suedi

Published

on

By

Një sulmues i armatosur me shpatë plagosi disa persona në një shkollë të mesme në Suedinë qendrore, thanë autoritetet të premten, teksa mediat kanë raportuar se autori i dyshuar i sulmit është qëlluar nga policia.

“Një sulmues i armatosur me shpatë ka hyrë në Brinellskolan dhe ka plagosur disa persona”, tha komuna e Fagerstas përmes një deklarate, duke shtuar se sulmuesi ishte arrestuar nga policia.

Gazeta Aftonbladet raportoi se një person i armatosur me një hanxhar ishte plagosur me armë zjarri në këmbë nga policia.

Komuna nuk specifikoi numrin e të plagosurve, por tha se policia po kontrollon shkollën dhe se shkollat e tjera në zonë ishin mbyllur.

Transmetuesi publik SVT tha se ambulanca, makina të policisë dhe një helikopter kanë shkuar në shkollën që gjendet në qytetin me rreth 12.000 banorë.

Suedia është përballur me disa sulme në institucione arsimore.

Në shkurt të vitit 2025, një 35-vjeçar vrau dhjetë persona në një qendër të arsimit për të rritur në Orebro. Policia tha ky sulm kishte për motiv synimin e autorit për të bërë vetëvrasje për shkak të problemeve financiare dhe psikologjike.

Në mars të vitit 2022, një nxënës 18-vjeçar vrau me thikë dy mësues në një shkollë të mesme në qytetin jugor të Malmos.

Ndërsa në tetor të vitit 2015, tre persona u vranë në një sulm me motive racore në një shkollë në qytetin perëndimor Trollhatan, nga një sulmues i armatosur me shpatë, i cili u vra nga policia./REL/

Continue Reading

Aktualitet

Pas 20 vjetësh, izraelitët rikthehen në vendbanimin e braktisur në tokën me palestineze

Published

on

By

Një gjeneratë e re e kolonëve izraelitë është kthyer në vendbanimin Kadim, në Bregun e Perëndimor të okupuar, dy dekada pasi ai u mbyll nga një qeveri e mëparshme izraelite.

Tridhjetë “familje pioniere” kishin mbërritur në vendbanim të enjten nga Tel Avivi, sipas këshillit rajonal të kolonëve, duke kalëruar mbi një valë të nacionalizmit hebraik të nxitur nga qeveria aktuale e Izraelit.

Ata erdhën në grupe të vogla, disa nën shoqërimin ushtarak, me flamuj izraelitë të kaltër e të bardhë që valviteshin nga makinat e tyre ndërsa kalonin pranë fshatrave dhe tokave bujqësore palestineze. Disa të tjerë tërhiqnin rimorkio të ngarkuara me shtretër, mobilie e materiale ndërtimi.

Qeveria e Izraelit ka shfuqizuar ndalimin 20-vjeçar për vendbanimet hebraike rreth Jeninit. Banorët palestinezë po e vëzhgojnë me frikë këtë hov të ri të zgjerimit të vendbanimeve atje.

Të gjitha vendbanimet dhe pikat e avancuara të kolonëve izraelitë janë ilegale sipas së drejtës ndërkombëtare. Pikat e avancuara janë gjithashtu ilegale edhe sipas ligjit izraelit, megjithëse shpesh mbështeten me shërbime dhe financime shtetërore.

“21 vjet pas krimit të dëbimit nga Samaria veriore, ne e kemi përfunduar korrigjimin […] dhe jemi kthyer në vendbanimin Kadim,” tha ministri i ekstremit të djathtë i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, gjatë ceremonisë së hapjes, duke përdorur fjalën biblike për Bregun e Perëndimor verior.

Krah tij ishin Ministri i Drejtësisë i Izraelit, Kryetari i Parlamentit (Knesset) dhe Yossi Dagan, kreu i këshillit rajonal të kolonëve, i cili u zotua se kolonët një ditë do të kthehen edhe në Gazë.

Kadim, i cili ndodhet në një kodër të vogël jashtë qytetit palestinez të Jeninit, u evakuua në vitin 2005 nga një qeveri e mëparshme izraelite si pjesë e një Plani më të gjerë të Tërheqjes Unilaterale. Ky plan solli gjithashtu tërheqjen e të gjithë kolonëve dhe ushtarëve hebraikë nga Gaza, si dhe çmontimin e tre vendbanimeve të tjera në veri të Bregut Perëndimor.

Atëbotë, katër vendbanimet konsideroheshin tepër të izoluara, mjaft të kushtueshme për t’u mbrojtur dhe me pak vlerë strategjike. / BBC/

Continue Reading

Aktualitet

ShBA-ja shpall “D-Day-in Ekonomik” ndaj Iranit me masa të reja presioni

Published

on

By

Pothuajse gjashtë muaj pasi Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, premtoi një fitore të shpejtë ndaj Iranit, konflikti duket se ka ngecur, ndërsa perspektivat për një fitore ushtarake ose një marrëveshje të negociuar po zbehen gjithnjë e më shumë.

Për të thyer këtë ngërç, Trump ka zotuar një “D-Day ekonomik”, sipas të cilit çdo shtet që bën biznes me Iranin do të përballet me pasoja “të jashtëzakonshme” ekonomike.

Megjithatë, Irani është përballur me sanksione prej kohësh dhe deri më tani ka treguar gatishmëri për të duruar vështirësitë, si dhe aftësi për t’iu përshtatur presionit të natyrës ekonomik e ushtarak ndërsa konflikti po zgjatet.

Pyetja kryesore për ShBA-në mbetet: a do të funksionojnë sanksionet e mëtejshme aty ku strategjitë e tjera kanë dështuar?

Mekanizmat e saktë të fushatës së re të presionit ekonomik të ShBA-së mbeten të paqartë, me Sekretarin e Departamentit të Thesarit të ShBA-së, Scott Bessent, i cili ka premtuar t’i zbulojë ato gjatë një konference për shtyp më 24 gusht.

Por në një intervistë për rrjetin televiziv CNBC, Bessent bëri të qartë se ShBA-ja ishte e gatshme të merrte masa kundër çdo shteti — mik apo armik — që sipas saj po i ofron një linjë shpëtimi Iranit.

“Jeni me ne ose kundër nesh,” tha ai. “Nëse këmbëngulni të bëni biznes me [Iranin], qoftë duke transferuar para, duke blerë naftën e tyre apo duke kryer transferime detare, atëherë Departamenti i Thesarit dhe qeveria e ShBA-së do të përdorin të gjithë fuqinë dhe forcën e tyre për të zbatuar masat kundër jush.”

Zëvendëspresidenti JD Vance i ka përshkruar sanksionet si një “fazë të re” të konfliktit, në të cilën presioni ekonomik është mjeti “më efektiv” në dispozicion të ShBA-së.

“Ata do të përpiqen të ushtrojnë presion ekonomik mbi ne, por ajo që ka qenë e vërtetë gjatë javëve të fundit është se ata kanë ndier shumë më tepër presion se ne”, tha Vance gjatë emisionit të Clay Travis dhe Buck Sexton. “Ne do ta vazhdojmë këtë sepse mendojmë se kjo është mënyra më e mirë për të arritur objektivin përfundimtar”.

Irani është përballur me sanksione të konsiderueshme nga ShBA-ja pothuajse që nga fillimi i Republikës Islamike në vitin 1979.

Fushata e presionit ekonomik u intensifikua pasi administrata e parë e Trump u tërhoq nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Action (JCPOA) — një pakt i vitit 2015 mes fuqive botërore dhe Iranit për të kufizuar programin e tij bërthamor.

Dhe në konfliktin aktual, qeveria e ShBA-së ka njoftuar tashmë Operacionin “Tërbimi Ekonomik”, një fushatë ekonomike dy-drejtimëshe që kombinon sanksionet e koordinuara nga Departamenti i Thesarit i ShBA-së kundër rrjedhave financiare të regjimit dhe një bllokadë detare kundër porteve iraniane.

Imran Bayoumi, ekspert i gjeostrategjisë në Këshillin Atlantik (Atlantic Council) në Uashington dhe ish-këshilltar politikash për Departamentin e Mbrojtjes të ShBA-së, tha për BBC se njoftimi i fundit ka të ngjarë të jetë rezultat i frustrimit në rritje se opsionet e tjera nuk kanë dhënë rezultatet që kërkon Trump.

“Kjo është vërtet një pranim se ShBA-ja është pothuajse e bllokuar në këtë luftë”, tha ai. “Është një tjetër përpjekje për presion ekonomik.”

“Kjo është thjesht një mjet tjetër që po përdor ShBA-ja,” shtoi Bayoumi . “Ne nuk kemi parë një strategji të qartë të përcaktuar nga administrata me mjete ushtarake apo ekonomike. Pyetja se çfarë po përpiqet të arrijë ShBA-ja mbetet ende pa përgjigje”. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Të paktën 15 të vrarë nga sulmet ruse në Kiev, goditen ndërtesat e banimit dhe një spital fëmijësh

Published

on

By

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vrarë nga sulmet më të fundit ruse që shënjestruan kryeqytetin ukrainas, deklaroi kryetari i bashkisë së Kievit, ndërsa Ukraina po vazhdon të përballet me mungesë të raketave të mbrojtjes ajrore.

Ndërtesa banimi dhe magazina u goditën në të gjithë qytetin gjatë natës, bëri të ditur Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës, ndërsa u dëmtuan gjithashtu një spital fëmijësh dhe një shkollë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se viktimat erdhën si pasojë e mungesës së raketave të mbrojtjes ajrore, për furnizimin e të cilave Kievi varet nga aleatët perëndimorë.

Duke folur për BBC News pranë një blloku të shkatërruar banesash në Kiev, kryebashkiaku Vitali Klitschko u shpreh se Ukraina ka nevojë për “municione, sisteme kundëraketë — ne kemi nevojë për mbështetje nga partnerët tanë”.

Klitschko ndodhej në lagjen Solomianskyi për të vlerësuar dëmet. Rreth tij, punonjësit e emergjencave vazhdonin kërkimet nëpër gërmadha, ndërsa banorët qëndronin jashtë shtëpive të tyre të shkatërruara.

Midis tyre ishte edhe Valeria Bondaruk, e cila u zhvendos në Kiev pasi shtëpia e saj në jug të Ukrainës u bombardua, duke besuar se do të ishte më sigurt për të dhe të bijën.

Tani ajo është detyruar të largohet nga shtëpia për herë të dytë gjatë kësaj meje.

Një copë xhami e ngulur në murin e dhomës së saj të gjumit shërbente si dëshmi se sa afër ishte rreziku. Ajo u fsheh në korridor gjatë natës, pasi nuk kanë ndonjë strehimore kundër bombardimeve. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara