Live

Dita e tretë e protestës, s’ka qarkullim të autobusëve në Prishtinë

Published

on

Përfaqësuesit i punëtorëve të “Trafikut Urban” Ilmi Gashi ka shpresë që në mbledhjen e jashtëzakonshme të cilën e ka thirr Komuna e Prishtinës do të gjendet një zgjidhje për ta dhe do të marrin pagat e tyre.

Ai nga objekti i Komunës së Prishtinës, aty edhe ku janë mbledhur që përmes protestë të kërkojnë pagën e tyre, si të drejtë elementare, ka thënë se mbledhja e nesërme është legjitime.

“Këto kushte të cilat po ndodhemi jo me dëshirën ton po me imponimet për borxhet që na kanë ndërpre karburantin për 1 milion euro kompani në të cilën furnizohemi me naftë, borxhet tjera 800 mijë euro janë për punëtor, 100 mijë euro për sigurimet shëndetësore edhe borxhet tjera për autobusët. Nëse nuk ka zgjidhej nesër greva vazhdon deri në alokimin e mjeteve që është ndaj operatorëve. Në po shpresojmë që nesër do të mbarojë, po shpresojmë që në këtë mbledhje do të mbizotëroj arsyeja, unë nuk kam informacione pse nesër është mbledhje legjitime është e thirrur, ata që e shpallin jo legjitime janë instancat tjera prapa saj se për tu mbajt mbledhja do të funksionoj dhe besoj që do të bëhet votimi në asamble, do të dërgohet ne ministri dhe ministri do t’i alokoj mjetet. Besojmë edhe shpresojmë”, tha ai.

Nga e hëna kryeqyteti nuk ka qarkullim të autobusëve, e kjo u bë siç kanë thënë për shkak të mungesës së pagës dhe karburanteve.


Transportuesit urbanë do të vazhdojnë të mërkurën protestën për të tretën ditë radhazi. Një ditë më parë ata e ndryshuan formën – nga protestë paqësore, në atë që e bllokoi qytetin e Prishtinës.

Protesta në ditën e tretë do të vazhdojë me më pak autobusë, që të mos bllokohet komunikacioni si paraditen e së martës.

Meqë Komuna nuk ka shlyer obligimet financiare shkaku i pasojave që ka prodhuar mosmiratimi i buxhetit me kohë, ata vendosën autobusët në rrugën para objektit të këtij institucioni. Pas kësaj u krijuan kolona të gjata në kryeqytet.

E, nga takimi i së hënës me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, përfaqësuesit e protestuesve ndryshuan mendim dhe të martën kërkuan zgjidhje vetëm nga Komuna.

Përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, tha se Ministria i ka alokuar 3.2 milionë euro te Komuna, e nga to Komuna ia ka ndarë “Trafikut Urban” vetëm 600 mijë euro.

“Nuk i mbulon shpenzimet e naftës që i kemi borxh një milion. 800 mijë punëtorëve në rroga. 100 mijë po na shkëputen kontrata me sigurimin shëndetësor. Ju lutem janë 1.6 milion euro borxh. Komuna nuk po reflekton, po na detyron neve kinse Ministria nuk i ka alokuar paratë”, ka thënë Gashi.

Gashi tha se ministri Murati është zotuar ta kryejë pjesën e tij për gjithë buxhetin, nëse Komuna kryen detyrat.

“Ne ishim në ministri, u takuam me ministrin. Kontaktuam, ata u zotuan se nëse Komuna apo asambleja nxjerr një vendim për bartjen e të hyrave vetanake për vitin 2024, sapo të dalë ai vendim e ia përcjell ministrisë, ajo është e gatshme t’i alokojë mjetet”, ka thënë ai.

Por kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, insistoi se problemi qëndron te Qeveria.

“Faji nuk është te transportuesit, faji është i Qeverisë së Kosovës dhe ata mund të zhbllokojnë këtë gjë. Prandaj shpresoj që të reflektojnë dhe ta kemi një takim me ta”, ka thënë Rama.

E, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, në një konferencë për media ka kritikuar kryetarin Rama, dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se qytetarët po përballen me ditën e dytë pa shërbime të trafikut urban për shkak të “politikave të gabuara” të kryetarit Rama.

Sveçla deklaroi se thirrja e seancës nga legjislatura e kaluar të Kuvendit Komunal tregon “pranimin e fajësisë” nga Rama, ndërsa e akuzoi për “shfaqje teatrale” dhe mungesë empatie ndaj punëtorëve të Trafikut Urban.

“Zhvillimet në kryeqytet janë të jashtëzakonshme, është dita e dytë që qytetarët e Prishtinës janë të privuar nga shërbimet e trafikut urban dhe gjithë kjo si rezultat i politikës dhe qasjes së Përparim Ramës, Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun. Sot kishim deklaratë të Ramës që tha se thirrja e seancës për legjislaturën e kaluar të asamblesë së Kuvendit Komunal të Prishtinës është një mundësi opsionale për t’i inkasuar të hyrat vetanake dhe për të cilat ai tashmë e sa kohë ka ngritur kauzë të vetën dhe të partisë së vet. Vet ftesa për këtë seancë e dëshmon pranimin e fajësisë nga zotëri Rama, i cili ka traumatizuar qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Sveçla. “Ai ka filluar të bëjë shfaqje teatrale, siç ishin ato sot që i pamë në mesin e protestuesve, në mesin e punëtorëve të Trafikut Urban, ku në stilin e një banditesku bërtiste ‘qiti paret, qiti paret’, sepse tashmë ai e ka kuptuar që edhe punëtorët e Trafikut Urban e kanë kuptuar se ku është adresa e dështimit të ndërmarrjes së tyre”.

E, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kundërshtuar deklarimet e presidentes Vjosa Osmanit e cila të hënën tha se nuk mund të kërkojë më nga deputetët të mblidhen për çështjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe RTK-së, duke theksuar se për një gjë të tillë u ishte lutur partive politike ditën kur kishte dështuar të zgjidhet mandatari i dytë për kryeministër.

Osmani ka thënë se ka bërë çdo përpjekje për ta shtyrë përpara dhe të gjejë zgjidhje, por sipas saj, ishin partitë e ish-opozitës që nuk pranuan dhe refuzuan të kthehen dhe njëherë në Kuvend para se ta nënshkruante dekretin për shpërndarje.

Abdixhiku ka shkruar se në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i ka shprehur gatishmërinë Osmanit që të votohet një pako, me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.

Sipas tij, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Osmani e ka kontaktuar, duke i thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide.

“Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit. Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it. Nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë. 15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vetë ai, “u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gatishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht”.

Abdixhiku ka thënë se nuk pati asnjë lëvizje, ani pse ishte vonë.

Abdixhikut i ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“E pse nuk i votuat pra kur e kishit mundësinë? Deri dje keni thënë se seanca ka qenë antikushtetuese, prandaj s’keni marrë pjesë. Tash po del që paskeni pasë me i votu, por s’ju ka pëlqy mënyra e ftesës. Kjo është tallje me qytetarët”, ka shkruar Murati në Facebook.

Edhe mes protestuesve në Prishtinë pati përplasje për adresën se kush është fajtor për këtë situatë të krijuar.

Ndërsa qytetarët u shprehën të mllefosur me bllokadën që u krijua në kryeqytet dhe pamundësinë për të lëvizur me autobusë.

“Faji është se shtazë deputetë kemi. Kur te fiton dikush, del i pari pa marrë parasysh a e ka shumicën a jo, përkraheni. Por kjo nuk ndodh se kemi shtazë deputetë”, ka thënë njëri nga ta, që priste në kolonë me automjetin që e drejtonte.

“Unë dola në pauzë me marrë bukë dhe mbeta këtu. Tash kam mbetë, sigurt vonohem 2-3 orë”, ka thënë një i ri, që po kështu prishte në kolonë./EO

Continue Reading

Live

Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë

Published

on

By

Një seri kërcënimesh të rreme për bomba ka përfshirë katër vende evropiane – Danimarkën, Çekinë, Rumaninë dhe Irlandën – duke prekur aeroporte, fluturime pasagjerësh dhe selinë e transmetuesit publik irlandez RTE.

Incidentet vijnë pas një jave të ngarkuar me alarme të ngjashme, ku më shumë se 20 fluturime kanë pranuar kërcënime anonime, duke detyruar devijimin e disave prej tyre.

Në Rumani, një avion i kompanisë “TAROM” që udhëtonte nga Praga për në Bukuresht mori kërcënim për bombë, mirëpo vazhdoi fluturimin dhe u ul i sigurt në destinacion, ku autoritetet konfirmuan se alarmi ishte i rremë.

Në Danimarkë, policia forcoi praninë në aeroportin e Kopenhagës për të dytën ditë me radhë pas kërcënimeve ndaj trafikut ajror, duke njoftuar se situata mbetet nën kontroll dhe fluturimet po zhvillohen normalisht.

Në Çeki, policia ndërmori masa shtesë sigurie në bashkëpunim me aeroportin “Vaclav Havel” të Pragës pas sinjaleve të reja ndaj avionëve.

Në Irlandë, selia e televizionit publik RTE në Dublin u evakuua pas një kërcënimi për bombë, gjë që solli ndërprerjen e transmetimeve të drejtpërdrejta. Policia irlandeze konfirmoi se po heton kërcënimet e drejtuara ndaj mediave atje dhe në Evropë.

Vëllimi i madh i kërcënimeve brenda një kohe të shkurtër konsiderohet i pazakontë nga ekspertët e sigurisë. Incidentet po ndodhin në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike dhe paralajmërimesh se rajoni mund të jetë cak i sulmeve hibride. /BBC/

Continue Reading

Live

Shtëpia e Bardhë mohon zërat për largimin e Hegseth dhe Rubio pas humbjes së republikanëve në zgjedhje

Published

on

By

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zyrtarisht spekulimet se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të largohen nga detyrat e tyre në kuadër të një riorganizimi të administratës Trump pas zgjedhjeve të fundit.

Njoftimet në mediat amerikane kishin sugjeruar thirrje për zëvendësimin e Hegseth, veçanërisht për shkak të menaxhimit të luftës me Iranin, e cila po cilësohet si shkaktarja kryesore e humbjeve të thella të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve, Demokratët kanë marrë kontrollin e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan.

Një kongresmen republikan në largim ka kërcënuar se do të spastrojë rrugën për një votim shkarkimi (impeachment) ndaj Hegseth që javën e ardhshme. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes ka publikuar një video-deklaratë ku mbron punën e tij dhe dënon këto përpjekje.

“Ata më sulmojnë mua dhe na sulmojnë ne sepse jemi efektivë. Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të terhiqemi”, deklaroi Hegseth.

Edhe pse si presidenti Donald Trump ashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë fajësuar luftën në Iran për rezultatin zgjedhor, Trump konfirmoi se ka ndërmend ta mbajë Hegseth në detyrë, duke vlerësuar punën e tij gjatë muajve të kaluar.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përgënjeshtruar raportimet se po planifikon dorëheqjen për t’u përgatitur për një garë të mundshme presidenciale në vitin 2028.

“Të punoj për Trumpin deri në fund të mandatit ka qenë gjithmonë plani im. E dua punën që po bëj. Po ashtu gjithmonë qesh kur thonë se ai do të largohet nga puna. Unë pyes: ‘Cilën punë?'”, tha Rubio për The New York Times.

Të dyja institucionet, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, i kanë cilësuar si “lajme të rreme” zërat për largimin e mundshëm të Rubios./BBC/

 

Continue Reading

Live

Alarm për bombë në fluturimin Dublin–Romë: Avioni i “Aer Lingus” devijohet me urgjencë drejt bazës ushtarake në Francë

Published

on

By

Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë “Aer Lingus” i llojit Airbus A320, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar me urgjencë drejt bazës ajrore Évreux në Fauville të Francës, pas marrjes së një alarmi për kërcënim me bombë.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit të Francës, Sébastien Lecornu, e cila bëri me dije se autoritetet franceze po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.

“Po e monitorojmë nga afër situatën në lidhje me avionin e devijuar pas një kërcënimi me bombë”, thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së kryeministrit francez.

Sipas të dhënave të fluturimit, avioni i fluturimit EI402 të “Aer Lingus” ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dublinit në orën 06:23 të mëngjesit dhe kishte si destinacion Aeroportin Fiumicino “Leonardo da Vinci” në Romë, ku parashikohej të ulej në orën 10:50. Autoritetet e sigurisë po kryejnë kontrollet e nevojshme në bazën ushtarake në Francë. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Demokratët premtojnë kontroll ndaj Trumpit pas fitores në zgjedhjet mesmandatit: Ditët e nënshtrimit kanë përfunduar

Published

on

By

Demokratët u zotuan se do të përdorin fitoren e tyre të thellë në zgjedhjet mesmandatit për të frenuar presidentin Donald Trump, duke paralajmëruar dy vite të mundshme bllokimi politik në Washington, ndërkohë që Trump e kaloi daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve duke prezantuar sallën e ballos që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.

Një valë pakënaqësie ndaj politikave të Trumpit, veçanërisht ndikimi i luftës SHBA-Iran në rritjen e kostos së jetesës, ndihmoi demokratët të marrin kontrollin e Senatit, ku ata përmbysën rezultatet në shtete me shumicë të thellë republikane duke siguruar një shumicë prej të paktën 54 me 44 vende. Gjithashtu, demokratët fituan të paktën 30 ulëse shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo do të jetë hera e parë që Trump përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga demokratët në të dyja dhomat.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi se shumica e re do të fokusohet në përballueshmërinë e jetesës dhe llogaridhënien institucionale.

“Ne nuk punojmë për Donald Trumpin,” u shpreh para gazetarëve Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne punojmë për popullin amerikan. Ditët kur Dhoma e Përfaqësuesve funksiononte si një degë në pronësi të plotë të administratës Trump kanë përfunduar.”

Në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është shndërruar në një figurë me ndikim kombëtar mes demokratëve, publikoi një video në rrjetet sociale ku i bëri thirrje partisë së tij t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve të ngarkuar nga rritja e çmimeve.

“Nuk mjafton vetëm fitimi i pushtetit. Ne duhet ta përdorim atë,” tha Mamdani. “Tani është koha që ne në Partinë Demokrate të japim rezultate”, tha ai.

Nga ana tjetër, Trump – i cili daljen e tij të fundit publike para zgjedhjeve ia kishte kushtuar punimeve renovuese në Shtëpinë e Bardhë – thirri gazetarët mëngjesin pas humbjes së partisë së tij për t’u treguar ecurinë e ndërtimit të sallës së re të ballos.

“Kur më kritikojnë duke më pyetur pse po merrem me punimet në Shtëpinë e Bardhë, unë e bëj sepse Shtëpia e Bardhë është simboli me i lartë i Amerikës dhe duhet të jetë me pamje të përsosur,” deklaroi Trump. “Për mua, kjo punë është relaksuese”. /REUTERS/

 

Continue Reading

Të kërkuara