Lajmet

Haga dhe vrasja e drejtësisë – Për ata që ende besojnë te drejtësia ndërkombëtare

Published

on

Nga Musa Sabedini – Haga, fatkeqësisht, nuk e kreu misionin për të cilin ishte krijuar; në fakt, ajo e kreu shërbimin për të qetësuar Serbinë e Rusinë dhe, krejt kjo, në dëm të shqiptarëve. UNMIK-u dhe EULEX-i ishin pararoja të Hagës, të cilët punuan natë e ditë për të dërguar dosje e materiale të fabrikuara kundër njerëzve të luftës dhe kundër atyre që mendonin se mund të ishin heronjtë e gjallë të Kosovës edhe pas luftës. Haga, në vend që të dëshmonte një standard të pakompromis të drejtësisë, u perceptua nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare si një proces që e vuri vetë drejtësinë përballë një krize të thellë besimi. Dënimi i shqiptuar, në këndvështrimin tim, nuk ishte vetëm një goditje ndaj individëve të gjykuar, por një goditje e rëndë mbi kujtesën e një populli që e përjetoi luftën, humbi mijëra jetë, pa mijëra gra të dhunuara dhe mijëra njerëz të plagosur e të dëbuar.

Si mund të flitet për drejtësi ndërkombëtare kur mbi mijëra viktima të luftës në Kosovë rëndon ende heshtja e drejtësisë?

Kur mijëra viktima pritën drejtësi dhe drejtësia heshti

Për familjet e më shumë se 13 mijë shqiptarëve të vrarë dhe për mijëra grave të dhunuara e të keqtrajtuara, drejtësia nuk ishte një koncept abstrakt, por një pritje e mbetur pezull për dekada.

Në arkivat e institucioneve ndërkombëtare kanë kaluar dëshmi, kallëzime, dosje dhe materiale për krime të luftës, ndërsa një pjesë e madhe e këtyre rasteve nuk morën përgjigjen penale që familjet e viktimave prisnin.

Pikërisht këtu lind pyetja më e rëndë dhe më e parehatshme: pse drejtësia ndërkombëtare u tregua kaq e ngadaltë dhe kaq e kufizuar përballë krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, ndërsa më vonë u vu në lëvizje me një intensitet të jashtëzakonshëm për hetimin e pretendimeve ndaj pjesëtarëve të UÇK-së?

Për UNMIK-un, EULEX-in dhe më pas Hagën, kjo nuk është vetëm një çështje procedurash; është një pyetje mbi barazinë e viktimave, standardin e hetimit dhe besueshmërinë e vetë drejtësisë ndërkombëtare. Sepse drejtësia që kërkon llogari vetëm në një drejtim rrezikon të perceptohet jo si drejtësi universale, por si drejtësi selektive.

Kur drejtësia ndërkombëtare harron viktimën dhe ndjek narrativën, drejtësia pushon së qeni drejtësi.

Haga nuk ishte vetëm një sallë gjyqi; ajo u shndërrua në arenën ku u vu në provë vetë besueshmëria e drejtësisë ndërkombëtare. Për ne që e kemi përjetuar nga afër pasluftën në Kosovë, pyetja nuk është vetëm se çfarë vendosi Haga, por nëse rruga që çoi deri te ai vendim ishte e barabartë, e paanshme dhe e mbështetur në të njëjtin standard drejtësie për të gjithë.

E tani, ata që ende mendojnë se Haga ka ofruar drejtësi, është mirë të kuptojnë se aty më së paku pati drejtësi. Aty u tregua dhe u luajt loja më e poshtër dhe më intriguese që ka mundur t’i ndodhë popullit të Kosovës. Do të duhen vite e vite për ta riparuar këtë padrejtësi që shkaktoi Haga.

 

Afrim Zeqiri dhe Haga: dy kohë, një pyetje mbi drejtësinë

Në vitin 2003 botova librin “Vrasja e drejtësisë në Kosovë”, një dëshmi e shkruar në një kohë kur ende ishin të freskëta plagët e luftës dhe kur, nën administrimin ndërkombëtar, drejtësia në Kosovën e pasluftës po përballej me sprova të mëdha.

Në atë libër trajtova rastin e të riut Afrim Zeqiri nga Cërrnica e Gjilanit, i cili, sipas qëndrimit tim të shprehur atëherë, u vu në qendër të një procesi të rëndë akuzues pa një bazë bindëse provash. KFOR-i dhe UNMIK-u e paraqitën publikisht si të dyshuar për vrasjen e trefishtë të 28 majit 2000 në Cërrnicë, ku humbën jetën Tihomir Simjonoviqi, Millosh Vasiqi dhe fëmija katërvjeçar Millosh Petroviqi.

Një tragjedi e tillë, natyrisht, kërkonte hetim të thellë, profesional dhe të paanshëm; por mënyra se si rasti u administrua krijoi një klimë ku akuza mori përmasa publike përpara se përgjegjësia të përcaktohej juridikisht.

Rasti u shndërrua shpejt në një çështje me peshë politike e etnike, duke u përdorur edhe në diskursin publik të Beogradit për të ushqyer një narrativë mbi dhunën ndaj serbëve në Kosovën e pasluftës. 

Në këtë atmosferë, prezumimi i pafajësisë u përball me një gjykim publik që kishte filluar para se të përfundonte gjykimi juridik. Afishet e shpërndara në Gjilan me pretendime mbi “historinë kriminale” të të akuzuarit e bënë edhe më të rëndë këtë situatë: një njeri po përballej me damkën publike të fajtorit, ndërkohë që fajësia e tij ende duhej të provohej.

Thelbi i akuzës, sipas materialeve që kam trajtuar, mbështetej kryesisht në dëshminë e një dëshmitari të vetëm okular, Zoran Stoliqit, i cili pretendonte se kishte parë një person që i ngjante Afrimit duke shtënë me armë. Por një dëshmi e tillë, veçanërisht në një proces penal me pasoja kaq të rënda, nuk mund të qëndrojë e shkëputur nga kërkesa për verifikim objektiv.

Ajo duhet të përputhet me provat materiale, të dhënat kriminalistike, kronologjinë e ngjarjes dhe dëshmitë e tjera. Sipas asaj që kam dokumentuar, këto elemente nuk arritën të krijonin një lidhje të qëndrueshme ndërmjet Zeqirit dhe krimit.

Edhe rrethanat e kohës, sipas dëshmive të dokumentuara, nuk përputheshin me skenarin e akuzës. Më 27 dhe 28 maj 2000, Zeqiri ndodhej në Gjilan, kishte pësuar një aksident trafiku, kishte qenë në kafiterinë “Morea” dhe më pas kishte qëndruar te një mik për shkak të orës policore. Këto rrethana, të marra së bashku me mungesën e provave teknike që ta lidhnin drejtpërdrejt me vendin e krimit, krijonin një hendek serioz ndërmjet akuzës dhe standardit të provueshmërisë që kërkon drejtësia penale.

Megjithatë, ai kaloi 617 ditë në paraburgim, përfshirë 90 ditë me urdhëresë ekzekutive të Bernard Kouchnerit. U mbajt në Bondsteel, në burgjet e Mitrovicës, Prishtinës dhe Gjilanit dhe, sipas rrëfimit të dokumentuar, iu nënshtrua marrjeve të përsëritura në pyetje. Ndërkohë, pas 23 seancash gjyqësore, dëgjimit të dhjetëra dëshmitarëve shqiptarë e serbë dhe shqyrtimit të provave kriminalistike, Gjykata e Qarkut në Gjilan arriti në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme që ta lidhnin atë me krimin. Më 14 qershor 2002, Afrim Zeqiri u shpall i pafajshëm.

Ky rast, për mua, nuk është thjesht një kapitull i së kaluarës. Është një mësim juridik dhe njerëzor mbi çmimin që mund të paguajë një njeri kur akuza paraprin provën dhe gjykimi publik paraprin vendimin gjyqësor. Një pafajësi e shpallur pas 617 ditësh paraburgim nuk mund ta kthejë kohën e humbur, reputacionin e dëmtuar dhe pasojat e një akuze të rëndë. Prandaj, kur flasim për drejtësinë, duhet të kujtojmë se pas çdo dosjeje gjyqësore qëndron një njeri, një familje dhe një jetë që nuk mund të kompensohet gjithmonë me një vendim të vonuar.

Fatmirësisht, Afrim Zeqiri pati në krah një mbrojtës si Bajram Kadriu, profesionist me integritet të lartë, me përgatitje të jashtëzakonshme juridike dhe me guxim të rrallë profesional. Në një proces ku pesha e akuzës ishte e madhe dhe presioni publik e institucional nuk ishte i vogël, Kadriu nuk u tërhoq para vështirësive dhe nuk lejoi që zhurma politike e publike ta zëvendësonte argumentin juridik.

Me këmbëngulje, profesionalizëm dhe kurajë, ai e mbrojti parimin themelor se asnjë njeri nuk mund të shpallet fajtor pa prova dhe se drejtësia duhet të fitojë mbi akuzën, sado e rëndë të jetë ajo. Kontributi i tij në këtë rast mbetet një shembull se çfarë do të thotë të jesh avokat jo vetëm me profesion, por edhe me ndërgjegje, karakter dhe përgjegjësi ndaj drejtësisë.

Pikërisht për këtë arsye e titullova librin “Vrasja e drejtësisë në Kosovë”: jo për të mohuar nevojën për drejtësi, por për të ngritur pyetjen se çfarë ndodh kur vetë procesi i kërkimit të drejtësisë shndërrohet në burim të një padrejtësie të re.

Pse e tregova këtë histori?

Po dëgjoj e po lexoj një lumë shkrimesh, komentesh e analizash nga analistë, publicistë, të vetëquajtur gazetarë dhe grupe të ndryshme, të cilët, në vend që ta analizojnë me përgjegjësi juridike dhe historike aktgjykimin e Hagës, po e përshëndesin atë me një cinizëm të rrezikshëm, sipas logjikës së vjetër: “pa hangër hudra nuk të vjen era”.

Sikur çdo aktgjykim të ishte vetvetiu e vërteta absolute dhe sikur vula e një gjykate ta mbyllte përgjithmonë çdo debat mbi provat, dëshmitë, rrethanat dhe standardet e drejtësisë. Kjo qasje është edhe më shqetësuese kur përqafohet pa rezervë nga një pjesë e mërgatës, e cila duket se ende beson se çdo institucion ndërkombëtar është apriori i pagabueshëm dhe se ndërkombëtarët thjesht “e zbatojnë ligjin”.

Ky besim naiv nuk është argument juridik; është dorëzim i gjykimit kritik. Drejtësia nuk kërkon besim të verbër, por prova, transparencë, arsyetim dhe standard të barabartë për të gjithë. Dhe pikërisht për këtë arsye, askush nuk duhet të turpërohet që ngre pyetje mbi një aktgjykim, pavarësisht se kush e ka shqiptuar atë.

Haga, në perceptimin tim, më së paku arriti të bindë se po ofronte drejtësi të barabartë, transparente dhe të pakushtëzuar nga ndikimet e narrativave politike. Një proces i gjatë, me kosto të jashtëzakonshme njerëzore, institucionale dhe financiare, nuk mund ta zëvendësojë standardin themelor të drejtësisë: prova konkrete, përgjegjësi individuale dhe një lidhje e qartë mes të akuzuarit dhe veprës penale.

Në vend të kësaj, në pjesë të procesit u krijua përshtypja e një mbështetjeje të tepruar në dëshmi të kontestuara dhe në interpretime të tipit “Thaçi kishte dijeni”, “Thaçi e dinte se çfarë po ndodhte” – formulime që, pa u shoqëruar me prova të drejtpërdrejta dhe të verifikueshme për përgjegjësi individuale, nuk mund të shndërrohen vetvetiu në bazë bindëse për përgjegjësi penale. Drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi hamendësime; ajo duhet të ngrihet mbi prova.

Kur drejtësia dënon çlirimtarët dhe hesht për plagët e luftës

Haga, në vend që të dëshmonte një standard të pakompromis të drejtësisë, u perceptua nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare si një proces që e vuri vetë drejtësinë përballë një krize të thellë besimi.

Dënimi i shqiptuar, në këndvështrimin tim, nuk ishte vetëm një goditje ndaj individëve të gjykuar, por një goditje e rëndë mbi kujtesën e një populli që e përjetoi luftën, humbi mijëra jetë, pa mijëra gra të dhunuara dhe mijëra njerëz të plagosur e të dëbuar.

Përballë kësaj dhimbjeje kolektive, mënyra se si u trajtuan disa prej dëshmive në proces krijon pyetje serioze: a mjafton një dëshmi e kontestuar, një pretendim i pjesshëm apo një interpretim i rrethanave për të ndërtuar përgjegjësi penale të një peshe të tillë?

Për mua, jo. Drejtësia nuk mund të mbështetet në rrëfime periferike, në episode të shkëputura apo në pretendime që nuk arrijnë të ndërtojnë një lidhje të qartë dhe të provuar mes individit dhe veprës penale.

Dhe pasojat nuk përfundojnë në sallën e gjyqit. Një drejtësi që nuk arrin të bindë shoqërinë për paanshmërinë e saj nuk prodhon vetëm një vendim; ajo prodhon mosbesim.

Haga, në vend që të shërbente si urë drejt pajtimit, sigurisë dhe konsolidimit të një Kosove evropiane, ka lënë pas hendeqe të reja, plagë të reja dhe një krizë të thellë besimi që ndihet jo vetëm në Kosovë, por kudo ku jetojnë shqiptarët. Sepse drejtësia, në fund, nuk matet vetëm me atë që shkruhet në një aktgjykim, por edhe me atë nëse njerëzit që e lexojnë atë aktgjykim besojnë se e vërteta është kërkuar me të njëjtin standard për të gjithë.

Haga nuk ofroi as stabilitet, garanci dhe të ardhme për një Kosovë evropiane. Haga krijoi hendeqe dhe boshllëqe edhe në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe kudo që ka shqiptarë nëpër botë.

Këta mijëra të rinj që po dalin në rrugë, në Kosovë dhe kudo në botë, në mbrojtje të çlirimtarëve, nuk janë thjesht turma protestuesish: janë një brez që po formon sot mënyrën se si do ta lexojë të nesërmen e Kosovës.

Ata janë fëmijë të familjeve që e kanë përjetuar luftën, pasojat e saj dhe gjithë rrugëtimin e vështirë të shtetndërtimit. Dhe pikërisht për këtë arsye, mënyra se si ky brez e percepton drejtësinë, luftën dhe raportin me komunitetin serb do të ndikojë drejtpërdrejt në perspektivën e bashkëjetesës në Kosovë.

Në këtë kuadër, unë e shoh kontributin e Hashim Thaçit si një faktor të rëndësishëm të periudhës së pasluftës, veçanërisht në përpjekjet për krijimin e një ambienti institucional e politik ku të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të mund të jetonin në siguri. 

Nëse sot po rihapen plagë që mendohej se po mbylleshin, atëherë pasojat e një procesi të tillë nuk maten vetëm me vite burgimi; ato maten edhe me besimin e brezave, me marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve dhe me vështirësinë për ta ruajtur paqen e ndërtuar me aq shumë sakrificë.

Lufta përfundoi në vitin 1999, por sfida e vërtetë e pasluftës ishte të ndërtohej paqja — dhe pikërisht aty, sot, rrezikojmë të kthehemi te një pikë ku mosbesimi bëhet më i fortë se arsyeja dhe bashkëjetesa më e brishtë se më parë.

Integriteti nuk blihet, as historia nuk rishkruhet

Porosia ime vjen nga pozita e një profesionisti që tërë jetën e ka ndërtuar mbi integritetin, etikën dhe përgjegjësinë publike; një njeri që nuk ka jetuar kurrë nga djersa, mundi apo privilegjet e të tjerëve. Nuk kam pasur asnjë përfitim personal nga askush prej atyre që sot ndodhen në Hagë dhe, pikërisht për këtë arsye, qëndrimi im nuk buron nga borxhi, interesi apo varësia. Buron nga ajo që kam parë, përjetuar dhe analizuar në Kosovën e para dhe pasluftës.

Përballë politikës së Serbisë dhe zhvillimeve të shumta që kanë përcaktuar rrugëtimin e Kosovës, si dhe duke pasur parasysh kontributin që kjo kategori ka dhënë në procese të rëndësishme të shtetndërtimit, unë do të vazhdoj ta mbroj me dinjitet atë që e konsideroj të drejtë dhe historikisht të rëndësishme.

Nuk kam punuar kurrë për ndasi, nuk kam shkruar për hakmarrje dhe nuk kam ndërtuar asnjëherë qëndrime mbi interesa personale. Por kjo nuk më detyron të hesht kur preken vlerat e luftës dhe kontributi i njerëzve që, sipas bindjes sime, kanë qenë pjesë e rëndësishme e rrugës së Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë. Për këto vlera, për atë brez dhe për sakrificën që lidhet me të, përkulem me respekt – jo për individin si privilegj, por për historinë që kam parë dhe përjetuar.

Ndërsa ju që shkruani, etiketoni dhe gjykoni nga distanca, veçanërisht në rrjetet sociale, duhet ta kuptoni peshën e çdo fjale. Historia nuk është status në Facebook, drejtësia nuk është koment dhe viktima nuk është instrument për beteja politike.

Para se të hidhni gurin e radhës, mendoni mirë se kujt po i shërben ai gur dhe çfarë po lini pas vetes. Mos lejoni që zemërimi, padija apo interesat e ditës t’ju shndërrojnë, pa vetëdije, në zëra që i shërbejnë narrativave të atyre që për dekada kanë punuar kundër lirisë së Kosovës. Kritika është e drejtë; mohimi i historisë dhe relativizimi i krimeve nuk është. Sepse një shoqëri që harron se nga erdhi, rrezikon të humbasë jo vetëm kujtesën, por edhe arsyen pse u desh të luftohej për liri.

Faktet që do të dalin në dritë me kalimin e kohës do ta dëshmojnë se akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve nuk ishin produkt i një kërkimi të paanshëm të së vërtetës, por një konstrukt i fabrikuar me mjeshtëri dhe i ushqyer nga kuzhinat politike të Beogradit dhe Moskës.

Koha do t’i zhveshë një nga një këto konstrukte, do t’i nxjerrë në dritë burimet e tyre dhe do të tregojë se sa prej tyre ishin prova reale e sa ishin pjesë e një skenari të ndërtuar kundër figurave qendrore të luftës dhe shtetformimit të Kosovës.

Historia nuk vendoset nga aktakuza dhe as vuloset përgjithmonë nga një aktgjykim; ajo rishqyrtohet përmes dokumenteve, provave dhe kohës. Prandaj, beteja jonë sot duhet të jetë mbi të gjitha beteja për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës, për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe për një proces të drejtë ku përgjegjësia individuale ndahet qartë nga përgjegjësia kolektive.

Në këtë përpjekje nuk duhet harruar as për një çast se përballë pretendimeve dhe narrativave që burojnë nga Serbia ekziston edhe një kapitull i pazgjidhur i historisë sonë të luftës, ndërsa Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë të përballen me një proces që ka pasoja përtej fatit të tyre individual – pasoja që prekin mënyrën se si lufta e Kosovës, viktimat e saj dhe vetë shtetësia e Kosovës do të lexohen në kujtesën ndërkombëtare.

Tani beteja jonë kryesore është lufta për ta ruajtur kredibilitetin ndërkombëtar të Kosovës, pa e harruar për asnjë sekondë betejën kolektive që e ka Thaçi dhe grupi i tij në raport me Serbinë.

Ne që jetojmë në Kosovë dhe që i kemi njohur nga afër proceset e pasluftës, përfshirë zhvillimet nën UNMIK-un dhe EULEX-in, nuk kemi arsye të turpërohemi që kemi shkruar, argumentuar dhe ngritur zërin kundër asaj që e kemi konsideruar padrejtësi.

Përkundrazi, besoj se koha do të na japë të drejtë të kërkojmë një vlerësim më të thellë edhe të dëshmive të dhëna në Hagë dhe të motiveve që kanë qëndruar pas tyre: dikush mund të ketë dëshmuar për përfitime personale, dikush nga inatet dhe konfliktet e veta, dikush i nxitur apo i orientuar nga porositësit e Serbisë, ndërsa shumë pak, ose fare pak, mund të kenë dëshmuar mbi bazën e faktit se kanë qenë viktima të drejtpërdrejta të krerëve të UÇK-së.

Pikërisht ky dallim është thelbësor dhe, për mendimin tim, meriton të shqyrtohet me seriozitet, sepse vetëm një analizë e tillë mund të ndajë dëshminë e bazuar në përvojën reale nga motivet, interesat apo ndikimet që mund të kenë ndikuar në një proces kaq të rëndësishëm.

 

 

Continue Reading

lajme

Presidentja Shiroka-Pula dekoron gjeneralin amerikan Steven Osborn me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka dekoruar gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant i Përgjithshëm i Gardës Kombëtare të Iowas, me Medaljen Presidenciale Ushtarake të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata i është ndarë gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për lidershipin e tij, kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, si dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë ceremonisë, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, i cili tashmë prej 15 vjetësh ka ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Presidentja gjithashtu ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në zhvillimin e mëtejmë të FSK-së.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet strategjik për Kosovën, duke u mbështetur në besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.

Në fund, Shiroka-Pula ka nënvizuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Kos: Amendamentet për Specialen rrezikojnë të minojnë përparimin e Kosovës në BE

Published

on

By

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë me dije se BE-ja është në dialog me Qeverinë e Kosovës lidhur me amendamentet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializeditura, duke paralajmëruar se këto ndryshime ligjore mund të minojnë ecurinë e vendit në integrimin evropian.

Gjatë një deklarate mbi përparimin e Kosovës në procesin e reformave, zyrtarja e lartë e BE-së shprehu shpresën se me Qeverinë e re vendi do të shfrytëzojë mundësinë për të ecur përpara, por nënvizoi se iniciativat rreth Ligjit për Specialen mbeten një shqetësim serioz që kërkon diskutime direkte.

Lidhur me hapat e mëtutjeshëm të Kosovës drejt anëtarësimit në bllokun evropian, Kos spikati se i takon 27 shteteve anëtare të pajtohen për t’i kërkuar Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës.

Sipas komisioneres, BE-ja është e gatshme të veprojë, mirëpo për t’i bindur shtetet skeptike anëtare, Kosovës i nevojiten institucione të qëndrueshme dhe përparim i vazhdueshëm në reforma kyçe, pasi sa më i fuqishëm të jetë ky proces, aq më i forte do të jetë edhe argumenti i Kosovës në rrugëtimin evropian. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

Gjykata e Apelit lë në arrest shtëpiak Vlora Hysenin: Rrëzohet kërkesa për zbutjen e masës

Published

on

By

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për zbutjen e kësaj mase.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit mbrojtës se nuk ekziston rreziku i largimit nga vendi apo i dëmtimit të provave, togat e zeza në Apel kanë miratuar vendimet e Shkallës së Parë.

Në vendimin e zbardhur theksohet gjithashtu se, në mbështetje të Kodit të Procedurës Penale, ndalohet publikimi i plotë i këtij akti deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Pala mbrojtëse ka të drejtë të ushtrojë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. /Top Chanel/

Continue Reading

Lajmet

Raporti i BE-së: Kosova ngec në reformat kyç për integrim

Published

on

By

Kosova vazhdon të ngecë në disa nga reformat kryesore që duhet ta afrojnë me Bashkimin Evropian.

Gjyqësori nuk ka shënuar asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit ka dhënë rezultate të kufizuara, ndërsa krizat politike kanë dobësuar funksionimin e institucioneve.

Kjo është tabloja që paraqet Komisioni Evropian në raportin e tij për Kosovën për vitin 2026, ku paralajmëron se ndikimet politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë mbeten pengesë serioze për pavarësinë e tij dhe, në disa aspekte, madje janë intensifikuar.

Raporti evidenton rënie të numrit të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe mangësi në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.

Megjithatë, jo të gjitha vlerësimet janë negative.

Komisioni vëren përparim në administratën publike, zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Dokumenti, i titulluar “Raporti për Kosovën 2026”, është pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ai mbulon periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026, por përfshin edhe disa zhvillime të mëvonshme.

Vlerësimi vjen dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në BE.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, lidhur me gjetjet e raportit të Komisionit Evropian, dhe është në pritje të përgjigjes së tij.

Politika pengoi reformat

Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, periudha të gjata bllokadash dhe një qeveri me kompetenca të kufizuara për pjesën më të madhe të periudhës së raportimit kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucioneve.

Sipas Komisionit, Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij me mangësi të konsiderueshme, ndërsa mbikëqyrja e ekzekutivit ka qenë shumë e kufizuar.

Zgjedhjet u vlerësuan përgjithësisht si paqësore dhe konkurruese, por raporti identifikon përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullimin e fushatave dhe trajtim të pamjaftueshëm të dezinformimit.

Një tregues tjetër i ndikimit të krizave politike ishte rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026.

Komisioni vlerëson se kjo sugjeron lodhje në rritje të votuesve dhe pakënaqësi me shpeshtësinë e zgjedhjeve.

 

Drejtësia, një nga pikat më të dobëta

Për funksionimin e gjyqësorit, vlerësimi i Komisionit është i qartë: në përgjithësi, nuk është shënuar përparim.

Ndikimet e papërshtatshme nga interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit, ndërsa paketa e ligjeve për reformimin e drejtësisë mbetet e pamiratuar.

Komisioni ngre shqetësime edhe për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon respektimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, evidenton zhvillime pozitive në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e Këshillit Prokurorial.

Një shqetësim tjetër është përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor, që, sipas raportit, cenon karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.

Vëmendje të veçantë marrin edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor.

Komisioni paralajmëron se ato ngrenë shqetësime serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.

Ai ngre gjithashtu shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, të cilat presidentja i ktheu në Kuvend për rishqyrtim, më 22 tetor.

Më shumë raportime për korrupsion, më pak dënime të nivelit të lartë

Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar.

Ndërsa numri i vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit që nuk i përkasin nivelit të lartë, është rritur ndjeshëm, në rastet e nivelit të lartë ka shënuar rënie.

Raporti thekson se Kosova vazhdon të mos ketë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje të koordinuar për luftimin e tij.

Ndërkohë, numri i raportimeve të sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.

Komisioni kërkon gjithashtu përmirësimin e verifikimit të deklarimeve të pasurisë dhe forcimin e hetimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

 

Media të lira, por me sfida

Përparim i kufizuar është shënuar edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

Komisioni vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një mjedis mediatik pluralist, por evidenton probleme me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave.

Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku mjedisi kufizues nxit autocensurën.

Raporti kërkon miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.

Shqetësime ngrihen edhe për mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë rrënimin e pronave private në veri pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, ndërkohë që kundërshtimet gjyqësore ishin ende në shqyrtim.

 

Dialogu me Serbinë: Pak përparim, shumë detyrime të pazbatuara

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, ndërsa veprimet e njëanshme dhe retorika e të dyja palëve vazhdojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve, vlerëson Komisioni Evropian.

Sipas raportit, dialogu ka vazhduar me takime të rregullta në nivel kryenegociatorësh dhe ekipesh teknike, por zbatimi i detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e dialogut mbetet i kufizuar.

Komisioni kërkon që Kosova të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet të zbatohet pa vonesa apo parakushte.

Situata në veri të Kosovës vlerësohet e qetë, por e brishtë.

Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në sistemin e drejtësisë.

Në anën tjetër, Komisioni kritikon Serbinë për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si dhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj.

Raporti thekson gjithashtu se Serbia nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut mbeten kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve, të cilat rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara