Botë
Disa vende perëndimore rishqyrtojnë marrëdhëniet me Gjeorgjinë
Published
1 year agoon
By
UBTnewsShtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Suedia kanë paralajmëruar rishqyrtimin e marrëdhënieve me Gjeorgjinë, duke shprehur kritika pas zgjedhjeve parlamentare në të cilat fitoren e shpalli partia proruse në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.
Mbështetësit e opozitës kanë protestuar të hënën pas raportimeve për parregullsi të mëdha në zgjedhje. Ata e akuzojnë Moskën për manipulimin e zgjedhjeve.
Kanadaja dhe Suedia njoftuan për vendime konkrete ndaj Qeverisë së tanishme të Gjeorgjisë.
Suedia njoftoi se do ta ndërpresë bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me Qeverinë gjeorgjiane, ndërsa Kanadaja tha se po i rishqyrton marrëdhëniet me autoritetet në Tbilisi.
Ministri i Suedisë për Bashkëpunimin Zhvillimor dhe Tregti të Jashtme, Benjamin Dousa, tha në një komunikatë se Stokholmi ka pasur “shqetësime të kahershme” për zhvillimet “alarmante” politike në Gjeorgji dhe se parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit perëndimorë i kanë konfirmuar këto shqetësime.
“Prandaj, Qeveria po e pezullon bashkëpunimin e drejtpërdrejtë mes Suedisë dhe Gjeorgjisë, i cili ende po vazhdon, duke përfshirë edhe me administratën tatimore gjeorgjian”, tha Dousa.
Në të njëjtën kohë, Suedia do t’i ndajë rreth 2.3 milionë dollarë për shoqërinë civile të Gjeorgjisë, tha ai.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kanadasë shprehu shqetësim në një komunikatë për ato që i quajti “akte të përhapura të frikësimit të votuesve, blerje votash dhe parregullsi të tjera gjatë ditës së zgjedhjeve” të raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë që monitoruan zgjedhjet.
“Në koordinim me partnerët tanë të G7-ës dhe ata evropianë, dhe pas rezultateve të këtyre zgjedhjeve, Kanadaja do t’i rishqyrtojë marrëdhëniet e saj me udhëheqësinë gjeorgjiane. Kanadaja mbetet e hapur për bashkëpunim me Gjeorgjinë, për aq kohë sa udhëheqësia gjeorgjiane t’i respektojë demokracinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe t’i adresojë ngecjet demokratike të fundit“, thuhet në njoftim.
Senatori amerikan, Ben Cardin, i cili është kryetar i Komisionit të fuqishëm të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, tha se parregullsitë e raportuara janë “shqetësuese dhe zhgënjyese” dhe se vijnë pas paralajmërimeve të përsëritura të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara për ngecjen e demokracisë së Gjeorgjisë.
“Do të vazhdoj ta ndjek me kujdes situatën pas zgjedhjeve dhe të punoj me administratën Biden-Harris për të vendosur për përgjigjen e duhur për marrëdhëniet SHBA-Gjeorgji“, tha Cardin.
Mijëra gjeorgjianë dolën në rrugët e Tbilisit të hënën për të protestuar, pasi presidentja e vendit, Salome Zurabishvili, e akuzoi partinë në pushtet se përdori taktika të stilit rus në zgjedhjet parlamentare, rezultatin zyrtar të të cilave ajo nuk pranon ta njohë.
Vëzhguesit e zgjedhjeve në Gjeorgjia thonë se kanë zbuluar një skemë të madhe mashtrimi që e ndryshoi rezultatin e zgjedhjeve në të mirë të partisë në pushtet.
Sipas rezultatit zyrtar të zgjedhjeve të 26 tetorit, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane i ka fituar mbi 54 për qind të votave, mjaftueshëm për ta ruajtur pushtetin e plotë.
“Ju nuk i humbët zgjedhjet”, u tha protestuesve Zurabishvili.
“Ata vodhën votën tuaj dhe u përpoqën ta vjedhin të ardhmen tuaj, por askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë, dhe ju nuk do ta lejoni askënd ta bëjë këtë!” shtoi ajo./REL/
Aktualitet
WFP: Lufta në Iran mund të zhysë 45 milionë njerëz në uri akute deri në qershor
Published
46 minutes agoon
March 17, 2026By
UBTNews
Sipas analizës së Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të publikuar të martën, dhjetëra miliona njerëz të tjerë do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, raporton Reuters.
Sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, që nisën më 28 shkurt, kanë bllokuar rrugët kryesore të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat jetike për disa nga krizat më të rënda në botë.
Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i WFP-së, Carl Skau, u tha gazetarëve në Gjenevë se parashikohet që edhe 45 milionë njerëz të tjerë të bien në uri akute si pasojë e rritjes së kostove të ushqimit, naftës dhe transportit. Kjo do ta çonte numrin global mbi nivelin rekord aktual prej 319 milionë njerëzish.
“Kjo do t’i çonte nivelet globale të urisë në një rekord historik dhe është një perspektivë e tmerrshme,” tha ai.
“Edhe para kësaj lufte, ne ishim në një ‘stuhi të përsosur’ ku uria nuk ka qenë kurrë aq e rëndë sa tani, si në numra, ashtu edhe në thellësinë e saj,” shtoi ai.
Skau tha se kostot e transportit janë rritur me 18% që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt dhe se disa dërgesa është dashur të ridrejtohen. Ai shtoi se këto kosto shtesë vijnë krahas shkurtimeve të thella të shpenzimeve nga WFP, ndërkohë që donatorët po fokusohen më shumë te mbrojtja. /Reuters/
Aktualitet
Udhëheqja e lartë e Iranit shënjestër e sulmeve
Published
2 hours agoon
March 17, 2026By
UBTNews
Izraeli deklaron se ka vrarë shefin e sigurisë së Iranit, Ali Larijani, në një sulm dhe se do të “vazhdojë gjahun” ndaj liderëve të vendit. Siç tregon edhe grafika e mëposhtme, shumë prej figurave të larta të vendit të periudhës para-luftës janë vrarë.
Vdekja e Liderit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, u njoftua më 28 shkurt, pas ditës së parë të sulmeve amerikano-izraele mbi Iran.
Gjithashtu, në valën e parë të sulmeve u vranë: këshilltari i sigurisë Ali Shamkhani, ministri i mbrojtjes Amir Nasirzadeh, komandanti i Gardës Revolucionare, gjenerali Mohammad Pakpour, si dhe shefi i shtabit të forcave të armatosura, Abdolrahim Mousavi. /BBC/

Aktualitet
Shtetet e Gjirit kërkojnë nga Trump neutralizimin e Iranit
Published
6 hours agoon
March 17, 2026By
UBTNews
Shtetet arabe të Gjirit nuk i kanë kërkuar SHBA-së të hyjë në luftë me Iranin, mirëpo shumë prej tyre tani po bëjnë thirrje që operacioni të mos ndalet pa u siguruar që Republika Islamike të mos ketë më mundësi të kërcënojë rrugët jetike të naftës.
Siç raporton Reuters, burime nga Gjiri bëjnë të ditur se shqetësimi kryesor mbetet mbrojtja e ekonomive që varen tërësisht nga ky rajon.
Sipas burimeve diplomatike perëndimore dhe arabe, Uashingtoni po ushtron presion mbi shtetet e Gjirit që t’i bashkohen luftës SHBA-Izrael. Presidenti Donald Trump dëshiron të tregojë mbështetje rajonale për fushatën, me qëllim që të forcojë legjitimitetin ndërkombëtar dhe mbështetjen e brendshme.
“Ekziston një ndjenjë e gjerë në të gjithë Gjirin se Irani ka kaluar çdo vijë të kuqe me çdo vend të rajonit,” tha Abdulaziz Sager, kryetar i Qendrës kërkimore të Gjirit me seli në Arabinë Saudite. Ai shtoi se sapo Irani nisi sulmet e drejtpërdrejta, u klasifikua si armik.
Irani sulmon gjashtë shtetet e Gjirit
Teherani ka demonstruar tashmë fuqinë e tij duke sulmuar aeroporte, porte dhe objekte të naftës në gjashtë shtetet e Gjirit përmes raketave dhe dronëve. Gjithashtu, është penguar qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit, që shërben si “arteria” kryesore për një të pestën e furnizimit global me naftë.
Udhëheqësit e Gjirit besojnë se mosveprimi tani përbën rrezikun më të madh. Sulmet e fundit kanë dëmtuar imazhin e stabilitetit që këto vende janë përpjekur të ndërtojnë për të tërhequr tregtinë dhe turizmin.
Frika nga një luftë e gjerë
Pavarësisht kërkesave për dobësimin ushtarak të Iranit, brenda Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ende mungon një konsensus i plotë për hapat e mëtejshëm. Ndërsa Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, deklaroi se partnerët e Gjirit po rrisin angazhimin, Emiratet e Bashkuara Arabe janë treguar më të përmbajtura, duke thënë se nuk kërkojnë të përfshihen në eskalime.
Nga ana tjetër, Sager paralajmëroi se Arabia Saudite mund të detyrohet të hakmerret nëse Irani godet pikat kritike, siç janë impiantet e shkripëzimit të ujit ose objektet madhore të naftës. “Në atë rast, Arabia Saudite nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërhynte,” u shpreh ai. /Reuters/
Lajmet
Kallas: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit
Published
7 hours agoon
March 17, 2026By
UBTNews
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të martën se duhen gjetur rrugë diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, teksa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bën thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin mes luftës në Iran.
“Askush nuk është i gatshëm t’i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë (ngushticë) të hapur, në mënyrë që të mos kemi krizë ushqimore, krizë të plehrave artificialë, si dhe krizë energjetike,” tha Kallas në një intervistë për Reuters.
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 17 mars, në vitet nëntëdhjetë
WFP: Lufta në Iran mund të zhysë 45 milionë njerëz në uri akute deri në qershor
Konjufca pret ambasadorin bullgar: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe politikë të jashtme
Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj
REL: Mali i Zi bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim pasi Serbia blen raketa kineze
Udhëheqja e lartë e Iranit shënjestër e sulmeve
5-vjeçari në trajtim intensiv për plagë të rënda nga keqtrajtimi i prindërve
Champions League, City dhe Chelsea luftojnë për rikthim
Konfirmohet heqja e të gjitha masave financiare ndaj Kosovës
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
