Aktualitet

Die Welt: Vend i korruptuar, a është gati Shqipëria për BE?

Aty theksohet se vendi ka probleme të thella me korrupsionin, drejtësinë dhe lirinë e shtypit.

Published

on

Një nga gazetat më të mëdha në Gjermani, Die Welt, ka publikuar një shkrim të gjatë për Shqipërinë.

Aty theksohet se vendi ka probleme të thella me korrupsionin, drejtësinë dhe lirinë e shtypit. Shkrimi hapet me një pyetje se se me gjithë këto probleme a është gati Shqipëria për në BE? Për negociatat thuhet se u hapën më shumë për shkak të situatës gjeostrategjike të krijuar nga lufta në Ukrainë.

ARTIKULLI I PLOTË:

Probleme me korrupsionin, drejtësinë dhe lirinë e shtypit – a është gati për BE-në?

Nga Mandoline Rutkowski, Die Welt

Krerët e qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kapën dorën e Ursula von der Leyen duke e shtrënguar fort. Thuajse sikur kishin frikë se presidentja e Komisionit Evropian mund të ndryshonte mendje dhe të shkëputej nga shtrëngimi i duarve. Dhe kështu edhe nga një premtim që Bashkimi Evropian ua kishte bërë më parë shtetarëve Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.

Skena u filmua më 19 korrik. Ditën kur nisën zyrtarisht negociatat për anëtarësimin e dy vendeve në BE. Me këtë njoftim, dy shtetet tani janë zyrtarisht në ballë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e zgjerimit të BE-së.

Fotot e unitetit vinin në Bruksel në kohën e duhur. Sepse lufta e Ukrainës në dyert e Evropës u ka dhënë aleancave perëndimore një moment rilindjeje. Ekziston një konsensus se Perëndimi duhet të afrohet më shumë që të përballet me agresorin rus, Vladimir Putin. Jo më pak për shkak të kësaj, Ukraina dhe Moldavia morën statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE në qershor.

Ballkani Perëndimor është gjithashtu i rëndësishëm strategjikisht për BE-në, pasi ata formojnë urën tokësore mes krahut juglindor të NATO-s dhe Evropës Qendrore. Megjithatë, po e bëhet e qartë se, pavarësisht nga momenti aktual, ka ende një sërë sfidash që qëndrojnë në rrugën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e dukshme në Shqipëri.

Shqipëria festoi momentin historik pas gati tre dekadash. Në vitin 2003, Tirana paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim. Në ditët pas shpalljes, një flamur i stërmadh i BE-së zbukuroi ndërtesën e qeverisë në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë.

Afiniteti me BE-në është shumë i lartë në vendin me 2.8 milionë banorë. Sipas Barometrit Publik per Ballkanin, 89% e shqiptarëve e vlerësojnë anëtarësimin në BE si pozitiv. Në bisedat me vendasit, afërsia me BE është e sigurt. Dyqanet evropiane mbulojnë peizazhin e qytetit në Tiranë, kurse euro është të paktën jozyrtarisht monedha e dytë kombëtare.

Me distancë nga Kina

Marrëdhënia e Tiranës me BE-në është e ngushtë. Prej vitesh, vendi, i cili u çlirua nga komunizmi në vitin 1991 dhe iu përkushtua vlerave perëndimore dhe demokratike, është përpjekur të shkojë në të njëjtën linjë me Brukselin në politikën e jashtme.

Në luftën e Ukrainës, Tirana mbështeti pa kushte sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Në ndryshim nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Tirana po përmbahet edhe ndaj investimeve nga Kina, me të cilat Pekini kërkon të forcojë ndikimin e tij në rajon.

Vitet e fundit, një reformë në drejtësi dhe futja e të ashtuquajturës Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit – SPAK si prokurori speciale e pavarur, ka çuar përpara përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

“Ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit” – tha Christiane Hohmann, ambasadorja e delegacionit të BE-së në Shqipëri. Ajo na mirëpret në zyrën e saj me një pamje panoramike të kryeqytetit për një intervistë. “Por puna jonë është larg përfundimit, ka ende një detyrë gjigante përpara”.

Në fakt, korrupsioni është një plagë në Shqipëri, e cila është shumë e vështirë për t’u shëruar. Vendi renditet i 110-ti nga 180 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të ‘Transparency International’. Aranita Brahaj, drejtuese e Institutit Shqiptar të Shkencës/Open Data Albania, e di se sa serioz është problemi.

“Korrupsioni është një problem i jashtëzakonshëm në Shqipëri” – thotë ekspertja e analizës së të dhënave me fokus transparencën, kontrollin dhe anti-korrupsionin. “Nuk është i pranishëm vetëm në rangjet e larta, por edhe në jetën e përditshme të çdo qytetari. Qoftë te vizita te mjeku apo te zgjedhja e shkollës fillore”.

Shqipëria nuk është në gjendje të ushtrojë kontroll gjyqësor, kushtetues dhe parlamentar mbi qeverinë, thotë Brahaj. Pra, de facto, kryeministri Rama e ka dorën e lirë.

Lista e skandaleve rreth Ramës e vërteton këtë deklaratë. Kreu i Partisë Socialiste, i cili bëri dikur fushatë për luftën kundër korrupsionit, akuzohet për lidhje me mafian.

Skandalet po shumohen edhe në orbitën e tij të pushtetit. Së fundmi, politikani i PS-së, Alqi Bllako u arrestua në fund të muajit prill pasi thuhet se është i përfshirë në një skandal korrupsioni prej 430 milionë eurosh. Opozita e akuzon Ramën si organizatorin e aktiviteteve kriminale.

Në fakt, qeveria ka bërë përpjekje për të vënën nën kontroll korrupsionin në vend. Në vitin 2016, me nxitjen e BE-së, ajo miratoi një reformë gjyqësore që përfshinte rishikim intensiv të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve për sa i përket kompetencave profesionale, pasurisë dhe integritetit.

Sipas të dhënave të “Raportit për Shqipërinë 2021”, të Komisionit të BE-së, 62% e procedurave të rishikimit kanë përfunduar me largim nga detyra ose shkarkim. Reforma u vlerësua pozitivisht në Bruksel dhe ambasadorja e BE-së, Hohman gjithashtu e quajti procedurën e vetingut një ‘masë të suksesshme’, e cila nuk është parë kurrë më parë në rajon.

Por ekspertja e korrupsionit, Brahaj nuk është dakord. Kontrollet ishin ‘me qëllime të mira, por të planifikuara keq’. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese nuk kishin staf të plotë për vite me radhë dhe de facto nuk ishin në gjendje të vepronin. Një gjyqësor me të meta ka lejuar qeverinë të miratojë ‘ligje të korruptuara’.

Shumë prapa kur bëhet fjalë për lirinë e shtypit!

Një fushë që Brukseli po e shqyrton nga afër për ecurinë e procesit të anëtarësimit në BE, dhe që shqetëson ambasadoren e BE-së, Hohmann, është liria e shtypit në vend: “Kuptimi i shtypit si korrigjues ka nevojë për zhvillim në Shqipëri”. Vendi renditet nga Reporterët pa Kufij i 103-ti nga 180 vende.

Mediat transmetuese janë kryesisht në duart e disa sipërmarrësve të pasur me lidhje politike. Kryeministri Rama bëri bujë së fundmi pasi kërcënoi gazetarët me ‘riedukim’ pas pyetjeve kritike dhe i përjashtoi nga konferencat për shtyp. “Ne presim që të gjithë politikanët t’i trajtojnë gazetarët me respekt”, thotë Hohmann.

Vendi kandidat ka ende shumë për të bërë përpara se Shqipëria të anëtarësohet në aleancën evropiane. Për Sokol Dedjan, kreun e çështjeve politike në Ministrinë e Jashtme, përpjekje nuk kërkohen vetëm nga Tirana. “Në funksion të luftës në Evropë dhe dhënies së statutit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, BE-ja tani duhet të tregojë më shumë besueshmëri se premtimet e bëra për vendet kandidate se zgjerimi i BE-së është proces serioz”.

Me fjalë të tjera, BE-ja duhet t’i dëshmojë Rusisë se uniteti i vendeve evropiane shkon përtej terminologjisë, edhe në shenjë frenimi. Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë prioritet për t’u bashkuar me aleancën sepse janë ‘më të avancuara në përgatitje’.

Nga ana tjetër, ambasadorja e BE-së, Hohmann thekson se lufta në Ukrainë nuk sjell si pasojë zgjerimin automatik të BE-së. “Çdo vend do të vazhdojë të konsiderohet individualisht. Argumenti gjeostrategjik nuk duhet të fshehë faktin se vendet natyrisht duhet të plotësojnë edhe kërkesat e tyre për të hyrë në BE”. Sipas Hohmann, Tirana tani duhet të provojë se besimi i vendeve anëtare është i justifikuar. “Shqipëria tani po përballet me një maratonë”./lapsi.al

Lajmet

Kroacia reagon ndaj Hagës: Aktgjykim jo përfundimtar, pavarësia e Kosovës nuk pyetet

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar zyrtarisht lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar atë si një vendim jo përfundimtar të shkallës së parë dhe duke refuzuar të paragjykojë epilogun e mëtutjeshëm të procedurës.

Përmes këtij reagimi, MPJ-ja kroate nëvizoi se ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të ngjarjeve, ku Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Diplomacia kroate përfundoi se përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të përdoret aspak si bazë për relativizimin e krimeve serbe, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Grenell: Kurti të veprojë shpejt për ta zhbërë Gjykatën Speciale, deputetët ta ndihmojnë

Published

on

By

Emisari presidencial i Trumpit, Richard Grenell, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale. Grenell ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta zhbërë Gjykatën Speciale dhe sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta ndihmojnë në këtë.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit, për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë, është i turpshëm.

Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të gjithë të majtë ekstremë. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.

Gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux ishte në të vërtetë udhëheqësi, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur në vend të tyre politikën e Jack Smithit.

Të gjitha këto gjykata duhet të financohen më menjëherë. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të ndalet.

Edhe Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të punojnë me Kurtin për ta bërë këtë të mundur. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, ka shkruar Grenell.

 

Continue Reading

Lajmet

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Kurtit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Padrejtësi e papranueshme, do të vazhdojmë mbrojtjen në Apel

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si një “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të dëmshëm” vendimin e Dhomave të Specializuara për shpalljen fajtorë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një adresim për qytetarët, kreu i qeverisë theksoi se ky aktgjykimi nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe shprehu besimin se ai do të korrigjohet në shkallën e apelit.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, deklaroi Kurti.

Pavarësisht dënimit, Kurti vuri në dukje se procesi gjyqësor rrëzoi pretendimin më të rëndë që rëndonte mbi UÇK-në, duke vërtetuar se nuk ka pasur një sulm të gjerë apo sistematik ndaj popullsisë civile.

Ai po ashtu ngriti shqetësime për njëanshmëri etnike në procesin gjyqësor, duke kritiukuar faktin se aparati shtetëror serb që kreu krimet mbeti i pagjykuar:

“Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike”.

Kryeministri nënvizoi se pastërtia e luftës çlirimtare mbetet e paprekur dhe se gjykimi i veprimeve individuale nuk e zbeh kauzën historike të Kosovës.

“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë”, u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit rikonfirmoi se shteti i Kosovës do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë e institucionale katër ish-drejtuesve gjatë procedurave vijuese ligjore në shkallën e apelit.

 

Continue Reading

Të kërkuara