Filmi i ri artistik “Zbardhje”, nga regjisorja Kaltrina Krasniqi, ka hyrë në fazën e xhirimeve në Prishtinë. Projekti prodhohet nga Vera Films dhe ribashkon bashkëpunëtorët kryesorë nga filmi i saj i parë me metrazh të gjatë “Vera Andrron Detin”, i cili pati premierën në garën Orizzonti të edicionit të 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venedik.
Në rolet kryesore interpretojnë Adriana Matoshi dhe Arta Dobroshi, ndërsa në role mbështetëse paraqiten Kosovare Krasniqi, Agron Shala, Aurita Agushi, Art Pasha dhe Blerta Ismaili.
Vendosur në Prishtinën bashkëkohore, “Zbardhje” është dramë që ndjek dy gra jetët e të cilave takohen në punë. Fatimja vjen nga periferia e qytetit dhe punon si mirëmbajtëse, kurse Elvira drejton një kompani marketingu në qendër të qytetit. Filmi vëzhgon çfarë lind dhe s’mund të jetojë në mes tyre, përderisa qyteti përreth demolohet dhe rindërtohet. Filmi “Zbardhje” e përdor zbardhjen si logjikë socio-kulturore, arkitektonike dhe zhvillimore. Hapësira, trupat dhe historitë pastrohen, sanitohen dhe fshihen në emër të aspiratave shoqërore.
Me skenar të Doruntina Bashës dhe producent Ares Shportën, projekti realizohet me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, QKK, Komisionit Kombëtar të Filmit të Bullgarisë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare, Qendrës së Filmit të Malit të Zi, IFFR Hubert Bals Fund+Europe dhe Visions Sud Est.
“Zbardhje” është një bashkëprodhim i Vera Films (Kosovë), Portokal (Bullgari), Papadhimitri Productions (Shqipëri) dhe Code Blue Production (Mali i Zi).
Gjatë fazës së zhvillimit, projekti është mbështetur nga programe dhe platforma ndërkombëtare si Gothenburg Film Festival, Nordic Gateway (2025), Visions Sud Est (2024), Thessaloniki Film Festival, Agora Industry Program (2024), WEMW / East and West Co-Production Inspirational Labs (2024), MedPitching / MedFilmFest (2023), IFFR Hubert Bals Fund (2022), Torino Film Lab (2022), Arras Days, Arras Film Festival (2021), si dhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës, QKK (2021–2024), Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prishtinës (2021).
Xhirimet zhvillohen në Prishtinë, Kosovë dhe Ulqin, Mali i Zi, gjatë periudhës mars–prill 2026.