Lajmet

​Dëshmitari refuzoi të përgjigjet, krejt çka ndodhi sot në Hagë

Published

on

Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, ka nisur të hënën dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë – në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Seanca është përcjellur me tension pasi i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar derisa kjo zyrë të shfaqë në gjykatore një dokument në të cilin dëshmitari pretendon se deklaratat e tij janë manipuluar nga hetuesit.

Bëhet fjalë për një deklaratë të vitit 2019 të cilën Tara kishte dhënë gjatë një interviste të gjatë me hetuesit e Speciales.

Dëshmitari tha të hënën se ky dokument i një interviste që sipas tij ka zgjatur 32 orë, kurrë nuk i është treguar atij. Ai tha se nuk e ka nënshkruar atë dokument dhe sipas tij i njëjti e paraqet atë si “tradhtar”.

Sipas dëshmitarit, dokumenti e ka rrezikuar atë dhe familjen e tij 10-anëtarëshe. Madje, ai tha se dokumenti “e ka njollosur edhe UÇK-në”.

Pjesë nga seanca:

Gjykatësi: E kuptojmë për çfarë dokumenti po flisni, e kuptojmë që doni të thoni diçka për këto dokumente, do t’i jap prokurorja dokumentet, por prisni momentin ju lutem. Këtu keni ardhur si dëshmitar, keni detyrimin për të thënë të vërtetën, kur të flasim për këtë dokumentin do të kalojmë në seancë private, që të mbrojmë familjen tuaj dhe ju nëse ju mendoni që është e rëndësishme. Por ju lutem të vazhdojmë tani me pyetjet, dhe do ta japim mundësinë ta shihni dokumentin kur të vijë çasti i duhur.

Dëshmitari: ...jo në seancë të mbyllur, të dëgjojnë edhe ushtarët e mijë të cilët të gjithë më njohin, nuk flas asgjë, unë përgjigjet e mia…i kam dhënë prokurores…

Gjykatësi: Duhet të vazhdojmë me pyetje, nëse do të jesh në seancë publike, nuk ka problem, unë ta dhash si mundësi, duhet të vazhdojmë tani, jeni i detyruar t’i përgjigjeni pyetjeve, nuk keni alternativë.

Dëshmitari: Përgjigjet e mia i kam dhënë më 2019, i qëndroj prapa, pa u shqyrtuar ky dokument, unë nuk flas.

Gjykatësi: Nuk kemi qenë në ato takime, ne duhet të marrim përgjigjet tuaja, nuk do të mbështetemi në diçka që ka ndodhur para shumë vitesh, ne duhet ta dëgjojmë këtë nga ju sot, është shumë e rëndësishme kjo, është e rëndësishme të kuptojmë pozicionin tuaj.

Tara: Pas shqyrtimit të tij, që është jetik, që më ka rrezikuar nderin tim kombëtar dhe familjen time 10-anëtarëeshe, ju do t’i dëgjoni përgjigjet e mia pas shqyrtimit të këtij shqetësimi tim.

Prokurorja: I jap fjalën që do ta tregojmë dëshmitarit dokumentin kur të vijë momenti, po vazhdojmë siç e kishim planifikuar seancën me pyetje.

Gjykatësi: Kam pranuar të flas deri më tash por të njëjtën ia kam bërë me dije edhe prokurores se unë nuk do të flas fare nëse nuk shqyrtohet ai problem, mirëpo e kam bërë që të ju bëj me dije që unë jam në gjendje të përgjigjem çdo pyetje tuaj por pas hapjes së këtij dokumenti, se çka kanë bërë ata ish hetues që unë për vete i quaj, nëse ato janë shënimet e tyre, kriminelë hetues, të cilët më kanë rrezikuar mua, 10 anëtarë të familjes sime, më kanë shpallur tradhtar të kombit tim me një dokument që unë kurrë nuk e kam lexuar, kurrë nuk e kam nënshtruar dhe kurrë nuk më është paraqitur mua.

Gjykatësi: Nëse ti refuzon t’iu përgjigjesh pyetjeve, ka procedura të tjera që mund të ndjek prokuroria për të pranuar deklaratat tuaja. Nëse ti refuzon të përgjigjesh, atë dokument do ta marrë trupi gjykues pa marrë komentet tuaja për dokumentin.

Dëshmitari: Siç e kam njoftuar prokuroren për shqetësimet e mia, dhe ajo ka ndërhyrë disa herë sepse unë e kam ndryshuar vetveten gjatë bisedës me prokuroren. Këtë shqetësim ja kam paraqitur prokurores, dhe anëtarëve të sigurimit. Le të kalojë ky dokument dhe pastaj unë do të ju përgjigjem shumë shpejt dhe lehtë. Sepse unë nuk mundem, nuk jam vetvetja këtu pa u shqyrtuar ai dokument. Nuk flas më, mos bëni pyetje.

Prokurorja: Gjykatësit duhet ta dëgjojnë përgjigjen nga ti.

Tara: Dokumenti i cili unë kërkoj të bëhet i ditur për popullin tim, se çka po punohet në këtë gjykatë.

Prokurorja: Sa më shpejt i përgjigjesh pyetjes, aq më shpejtë do të shohësh dokumentin, vazhdojmë tani që të shkojmë te dokumenti në casti ne duhur, por duhet të përfundojmë këtë tema dhe tema të tjera.

Dëshmitari: Nuk flas më.

“Prej këtu nuk i besoj asgjë kësaj gjykate, nuk është dokument që unë e kërkoj, ma keni ndërruar dokumentin, dokumenti është i nënshkruar prej intervistuesve të mijë, më 2019, pa dijeninë time, pa nënshkrimin tim, këtë dokument keni provuar ju ta ndryshoni. Nuk i besoj më asgjë kësaj gjykate, nuk flas asgjë. Dokumentin investigues timin të vitit 2019, të nënshkruar nga ish hetuesit e prokurorët e mijë. Përshkrimin se çka i kam thënë unë, por ma dijeninë time dhe pa ma dhënë ta lexoj. Që më kanë paraqitur mua si tradhtar të kombit tim, tradhtar të UÇK-së. Ky është dokument që kurrë nuk ma keni paraqitur. Kam kërkuar edhe prej juve të ma jepni një kopje, nuk ma keni dhënë zonja prokurore. Nuk jam unë këtu lojë, unë kam bërë luftë çlirimtare për popullin tim, nuk jam unë këtu lojë dhe nuk i frikësohem as juve as askujt. Unë kam dëshmuar 32 orë dhe jam në gjendje të dëshmoj prapë 32 orë…Dokumenti më duket se ka avulluar brenda gjykatës, dokument që është shumë i rëndësishëm, të tregohet se çfarë po bënë gjykata me UÇK-në, me njollosjen e luftës së UÇK-së, pastaj mund të diskutojmë”, tha Tara.

Pasi bëri disa pyetje për të cilat nuk mori përgjigje, prokurorja kërkoi nga trupi gjykues që ta detyrojë dëshmitarin të jap përgjigje.

Pjesë nga seanca

Prokurorja, ju lutem trupit gjykues ta detyrojë dëshmitarin të jap përgjigje.

Gjykatësi: Do t’i përgjigjeni pyetjes dëshmitar, po apo jo. E kuptoni që po ju jap urdhër, dhe nëse nuk përgjigjeni po shkelni rregullat e gjykatës dhe mund të gjobiteni nëse nuk përgjigjeni.

Dëshmitari: Edhe po të vritem nuk flas më, pa u shqyrtuar dokumenti në fjalë.

Më pas, prokurorja hoqi dorë nga marrja në pyetje, ndërkaq mbrojtësit thanë se nuk janë shterur të gjitha mjetet për ta intervistuar dëshmitarin.

Prokurorja: Nuk besoj që dëshmitari do t’u përgjigjet pyetjeve të mija.

Avokati i Veselit: Nuk janë shterur të gjitha mjetet për të marrë përgjigjet e dëshmuarit, dëshmitarit nuk i është shpjeguar çështja e mosbindjes së gjykatës, as nuk është konstatuar që nuk po i bindet gjykatës. Nuk duhet pranuar këto deklarata, me sa duket ne si mbrojtës nuk do të kemi mundësi të bëjmë kundër pyetjet.

Gjykatësi: Dëshmitari u paralajmërua nga trupi gjykues dhe tha që nuk i bëhet vonë dhe do të vazhdojë të mos përgjigjet. Nuk e shohim nevojën për të vazhduar më tej me procedurat e mosbindjes ndaj gjykatës, ne do të ua japim mundësinë t’i bëni pyetjen nëse dëshironi, nëse nuk dëshironi ne do ta ndërpresim seancën dhe do të presim nga prokuroria se çfarë hapash do të ndërmarrë lidhur me këtë.

Tutje, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokatja Nina Tavakoli kërkoi që dëshmitarit t’i shqiptohet masë për mosbindje.

“Dëshirojmë t’i bashkohemi kërkesës së Dixon që jutë paralajmëroni dëshmitarin për mos bindje ndaj gjykatës, ju e paralajmëruat atë, i thatë që nëse është e nevojshme mund të lëshoni edhe një gjobë megjithatë ne duam të ju kërkojmë juve që të merrni masë mosbindje ndaj tij sepse në të kundërtën do të jepet një mesazh për të tjerët të cilët mund të vinë në gjykatë dhe të mos japin dëshminë e tyre”, tha ajo.

Në anën tjetër, prokurorja Vega Iodice kërkoi pranimin e deklaratave të mëparshme të dëshmitarit, por shtoi se një kërkesë të tillë do ta parashtrojë me shkrim.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kransiqi e Rexhep Selimi po gjykohen për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Vendi

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Vendi

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara